| E enjte, 04.12.2025, 07:29 PM |
SHEN NËNË ANGJELINA ARBËRORE (3)
Nga
Dr. Lutfi ALIA, Siena – Itali
Familjet fisnike
arbërore Arianiti, Muzaka, Kastrioti, Gropa, Bua, Matrenga, Zenevishti etj., ishin
të besimit ortodoks dhe një ndër pjestarët e këtyre familjeve ishte i shugruar
prift, ose murg, që shërbenin në kishat dhe manastiret ortodokse në trojet e principatave
të tyre, madje ndër ata ishin dhe ipeshkëv e Patriark Ekumenik të
Kostantinopojës. Jo vetëm burrat, por dhe gratë fisnike arbërore u shquan në
ruajtjen e besimit ortodoks, si Mamica Kastrioti e cila rindërtoi kishën e Shen
Antonio në Kepin e Rodonit, ku kaloi vitet e fundit të jetës, si dhe ndërtoi
manastirin e Shen Kiara i vetmi manastir me murgesha në trojet Arbërore. Edhe
Andronika Kastrioti kontribuoi me ndihma për kishat ortodokse, sidomos në
kishën e Shen Mehillit, të cilën e frekuentonte shpesh me dhurata. Andronika kishte
në pronësi ikonën bizantine Zonja e Jonë e Strehës të Mëkatarëve, të cilën e
mbante në dhomën e saj, madje e mori me vehte kur shkoi në Pulja, në Napoli dhe
në Valencia. Kjo ikonë e famëshme ruhet në kriptën e Sant’Angeli në manastirin
e Trinitetit të Shenjtë të Valencias. Edhe princesha Irena Dushmani, pasi i
vranë të fejuarin Lek Zakaria, me ndihmën e françeskanëve të Shkodrës, iku në
Sardenja ku u shugrua murgeshë.
Ndër gratë fisnike
arbërore, në veçanti u shqua Angjelina Arianiti, e shuguruar murgeshë dhe e
shpallur shenjëtore nga kisha ortodokse bizantine: Shen Nënë Angjelina, admirohet
dhe nderohet nga besimtarët hungarezë, vllahë, sllovenë, serbë, boshnjakë, rumunë,
austriakë, italianë, grekë, kosovar dhe shqiptarë.
Shugurimi murgeshë
ortodokse e Angjelinës nuk ishte rastësi, por një vokacion shpirtëror me
zanafillë në vitet e fëmijërisë. Nëna e Angjelinës, Maria Muzaka Arianiti
shkonte shpesh në kishat në trojet e dinastisë Arianiti dhe gjithmonë merrte
Angjelinën e vogël, të cilës i kishte mësuar lutjet dhe pjesë nga ungjilli.
Këtë edukim fetar, Angjelina e rrëfen në kujtimet e saj: “Nëna na mbronte me
besim në fe dhe me forcë në jetë. Gjithmonë më mbante pranë, më mësonte
sekretet e jetës, më merrte në kishën e Shen Marisë në Sopot, ku faleshin para
ikonës të Zonjës së Papërlyeme, ndërsa në Kaninë frekuentonin Qishë-Bardhën, ku
ishte celebruar martesa e motrës time Andronika me Gjergj Kastriotin. Së bashku
luteshim, merrnim pjesë në liturgjitë hyjnore dhe në meshat që organizoheshin
në këto kisha”.
Në vitet 1456 –
1462 Angjelina jetoi në Durrës. Në vitin 1461, u martua me Stefanin III
Brankoviç. Dasma u zhvillua në Durrës dhe martesa u konsakrua në kishën
ortodokse Shen Maria të Durrësit. Në mars të vitit 1463, Stefani III, Angjelina
me djalin Gjergji që ishte lindur në vitin 1462 në Durrës, emigruan në Venecia,
me shpresë se Serenissima do t’i ndihmonte, sepse Stefani III, ishte patric
venecian dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të Gjergj Arianitit me Dozhën
Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Në Venecia,
fillimisht bujtën në kuvendin Shen Françesku i Dezerto, ku me porosi të Selisë
së Shenjtë, i vizitoi Ipeshkëvi i Modena Jakopo Antonio della Terra. [Aleksandar
Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclopedia dell'Impero Ottomano. New
York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 - 94].
Në Venecia,
Stefani dhe Angjelina nuk gjetën përkrahjen që shpresonin. Në këto rrethana, u
detyruan të shpërngulen në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit në
jug-perëndim të Udine, në periferi të qytetit Varmo pranë lumit Taliamento,
kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina, ia kishin blerë kontit
Leonardo i Gorizia. [Aleksandar Fotic. Despina Mara Brankovi? and Chilandar:
Between the Desired and the Possible. Beograd 2000, pp. 91 – 96]
Në kështjellën e
Belgradit u lindën tre femijë: vajza Milica (1464 – 1554; u martua me Bessarab
V Negoja, Vojvoda e Vllahisë); djali Jovani (1465 – 1502; u martua me Jelena
Jakši?) dhe vajza Maria (u lind më 1466, u martua me baronin Bonifaci III i
Monferrato. Maria vdiq më 27 gusht 1495). [Biandrate
di San Giorgio, Ragionamento familiare f. 473r-v; Goria 1971; Fasolio 2023, p. 519 sgg].
Djali i madh
Gjergj Brankovi?i, ishte lindur në Durrës në vitin 1462. Në vitin 1487 u martua
me Isabella del Balzo, e bija e Angilberto del Balzo Orsini, duka i Nardò,
konti i Ugento dhe Presiçe. Nëna e Isabellës ishte arbëreshia Jelisaveta Milica
Spani. Isabella vdiq në vitin 1498. Gjergji e përjetoi me dhimbje humbjen e
bashkëshortes, madje kjo ishte arsyeja që e nxiti të dorëzohet murg me emrin Maksim
dhe t’i dedikohet jetës manastiriale bashkë me nënën Angjelina. Murgu Maksim
ishte dhe metropoliti i Beogradit. Maksimi vdiq më 18 janar 1516 dhe pak vite
më pas kisha ortodokse e shpalli shenjëtorë. [Franca Petrucci. Angilberto
del Balzo: Dizionario biografico degli Italiani. Volume 36, 1988].
Angjelina me
fëmijët jetoi 12 vite në kështjellën e Belgradit. Megjithë premtimet, Republika
Oligarkike Veneta nuk e ndihmoi familjen Brankovi?, e cila po kalonte situata
të vështira ekonomike. Në një dokument të Arkivit të Shtetit të Venecia,
përshkruhet skena kur Stefani III Brankoviç u preznatua para dozhës për t’i
kërkuar ndihma: “Il 15 maggio 1472, nella magnifica sala
del palazzo ducale di Venezia, il doge si apprestava a concludere la mattina
delle udienze e fece cenno al valletto affinché introducesse l'ultimo dei
postulanti. Si stagliò, nel riquadro della porta altissima la figura di un
vecchio ossuto le cui mani, tese in avanti, denotavano il procedere di un
cieco. Con voce querula, propria dei vecchi, egli rammentò di essere fin dal
1453 (30 dicembre) «patrizio veneto» ed inginocchiandosi davanti al doge chiese
aiuto e sussidio per la propria famiglia. Si seppe poi che il principe veneto
aveva dato disposizioni affinché fossero erogati 25 ducati all'anno al cieco ed
alla sua famiglia”. “Më 15 maj 1472, në sallën Madhështore
të Pallatit Dukal në Venecia, Dozha vendosi ta mbylli udiencën e mëngjezit dhe
i bëri shenjë shërbyesit, të ftonte personin e fundit që kishte bërë këkrkesë
për takim. Në portën e lartë të sallës spikati figura e një të moshuari
trupmadh, me duart e shtrira përpara, si vepron një person i verbër. Me zërin
rënkues si i të moshuarve, rikujtoi se nga fundi i vitit 1453 (30 dhjetor)
ishte Patric Venecian dhe duke u ulur në gjunjë para Dozhës i kërkoi ndihmë dhe
mbështetje financiare për familjen e tij. Më pas u konfirmua se princi venecian
i akordoi 25 dukate në vit për të verbërin dhe familjen e tij”. Në vitin 1475,
Stefani III, përsëri i kërkoi ndihmë dhe Venediku i dha 20 dukate nga arka e
Udines, por më pas Serenissima ia ndërpreu ndihmat. [Archivio di stato di Venezia, Fondo archivistico del
Luogotenente della Patria del Friuli, busta 271, registro F, c. 81 t.]
Më 9 tetor 1476,
vdiq dhespoti Stefani III Brankoviç. E varrosën provizorisht në kapellën e Shen
Maria në kështjellën e Belgrado në Udine. Angjelina, së bashku me fëmijët qëndroi
dhe dy vite në kështjellën e Belgradit, por krahas vështirësive ekonomike, iu
desh të përballet dhe me armiqësinë e fqinjëve. Rreth kësaj kështjelle banonin gruppe
etnie të ndryshme si italianë, gjermanë, sllovenë dhe arbërorë. Në veçanti,
banorët italianë kishin krijuar raporte konfliktuale me Angjelinën, sidomos
shqetësimet u shtuan pas vdekjes të Stefanit. Herë pas here ata kryenin veprime
provokuese dhe megjithë lutjet e Angjelinës, ata vazhdonin ta bezdisnin. Për të
shuar këtë konflikt të nxitur nga banorët italianë, konti Leonardo i Goricia i
kërkoi Vendikut, të ndërhynte që këta banorë agresivë të ndërprisnin provokimet
ndaj fisnikes Angjelina, sepse ata nuk po e kuptonin se po shqetësonin një
simbol të dy kombësive, që ishin pushtuar dhe po masakroheshin nga egërsia e
ushtrisë të Perandorisë Osmane. [Mario
Giovanni Battista Altan. Stefano Brancovic, Despota Di Serbia ed il castello
di Belgrado nel Friuli (Sec. XVI), Venezia 1981, pp. 15 - 28].
Pas vdekjes të Stefanit III, gjendja ekonomike e familjes u përkeqësua. E informuar për këtë situatë, Serenissima urdhëroi luogotenencën e Friulit, t’i dorëzoi Angjelinës dhe katër fëmijëve 10 dukate të artë në vit, për tre vite në vazhdim. [Milko Kos, I Brancovic di Serbia e i conti di Gorizia. "Casopis zaslovenski jezik, knjizevnost in zgodovino», Izdala «Matica Slovenska» v Ljubijani, 1920, pg. 92 e segg.]
Duke parë se
ndihmat e Serenissima ishin të pa mjaftushme dhe të përkohëshme, Angjelina dhe
kunata e saj Katarina Brankoviç vendosën ta shesin kështjellën e Belgradit. Së
pari i kërkuan kontit Leonardo i Goricia ta riblente, por ai refuzoi. Në këto
rrethana u detyruan ta hypotekojnë kështjellën fisnikut bizantin Matteo
Spaduxhino, kavalier dhe kont palatin, burri i Endokia, kushërira e Katarinës.
Konti Spadaxhino ishte në shërbim të perandorit të Austrisë Frederiko III i
Absburgëve. Problemet me këtë kështjellë vazhduan dhe në vitet e më pasme,
kështu rezulton se Teodori, i biri i Spadoxhino hoqi dorë nga pronësia, situatë
që e shfrytëzoi konti Leonardo i Goricia, i cili në vitin 1494 e shiti
kështjellën për 3000 dukate të artë, por në një dokument tjetër të më vonshëm
rezulton se e ribleu. [Miotti T, Castelli del Friuli, voI.
n°, (Il castello di) Belgrado, Castelli del Friul/~ Gastaldie e
giurisdizioni del Friuli centrale, Ed: Del Bianco, Udine, 1979, pg. 54 e
sgg]. [Franz Babinger, Le
vicende del castello friulano di Belgrado sul finire del medioevo, Atti
dell'Accademia di Udine, serie VII", voI. Ilo (1957-1960), pgg. 247-248].
Në vitin 1478, Angjelina
i dërgoi letër dhe i kërkoi ndihmë Perandorit të Austrisë Frederikut III, i
cili e ftoi dhe i dhuroi një kështjellë në Dukatin e Stiria, në juglindje të
Austrisë, fqinje me Karincia dhe me Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi
rreth 10 vite në Stiria, me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III.
Në Stiria, mori dhe arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III Brankovi?.
Në vitin 1485, Perandori Frederiku III Absburg, ndërmjetësoi te Angjelina për
martesën e vajzës Maria, me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i
dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur. Bonifacio III
ishte 61 vjeç, ndërsa Maria 19 vjeçe. Nga kjo martesë, lindën dy djem. Maria
jetoi në mirëqenie. Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494, bashkë me dajën e
vet, Kostantin Arianitin administruan pronat në Monferrato që trashëgoi, por
pas dy vite, gjendja shëndetësore e Maries u keqësua dhe në vitin 1496 vdiq.
[Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni: Issue.com, Mars 2014].
Në Stiria, Angjelina
frekuentonte rregullisht kishën Shen Maria e Abacisë Benedektine Admont, aty
kreu noviciatin dhe në vitin 1480 u shugurua murgeshë. Në vitin 1485, rezulton
një letërkëmbim i murgeshës Angjelina me Hirësinë e tij Nikolla Nefoni II, Patriarku
Ekumenik i Kostantinopojës, i cili e kishte të atin arbërore. Angjelina i lutej
Patriarkut Nifon, ta ndihmonte për të përballuar gjendjen e vështirë ekonomike.
Nefoni II, ndikoi te princi i pasur i Vllahisë Vlad Kalugarul, të mbështeste me
ndihma finan-ciare murgeshën Angjelina. Ndihmat e princit, Angjelina i përdori
për të hapur disa manastire në Stiria. Nefoni II vdiq në vitin 1508 dhe kisha
ortodokse e shpalli shenjëtor në vitin 1517. [Historia politica et
patriarchica Costantinopoles, Capitolo X: Patriarca Nipho, (trans. Martin
Crusius), 1564, pp. 12].
Në janar të vitit
1486, Angjelina mori një letër nga mbreti i Hungarisë, Mattia Korvino, i cili e
ftonte të jetonte në Hungari, por me kusht që të merrnin trashëgimin dinastike
dhe djali Gjergji të pranonte dinjitetin e dhespotit të Serbisë, ani se Serbia
ende ishte pushtuar nga Perandoria Osmane, por në këtë mënyrë të nxitej populli
për të luftuar kundër pushtuesve. Angjelina pranoi ftesën dhe së bashku me dy
djemtë, me arkmortin me lipsanet e bashkëshortit Stefani III, nga Stiria shkoi
në Vjenë dhe nga aty me anije lundruan në Danub për në Buda dhe vazhduan
lundrimin për në distretin e Srem-it në Vojvodina, asi kohe në zotërim të
mbretërisë Hungareze. Në shkurt të vitit 1486 u sistemuan në kështjellën e
qytezës Kupin (aktualisht Kupinovo), kështjellë që ndodhej në një ishull të
lumit Sava. Në Kupinovo Angjelina, tashmë murgeshë, ndërtoi kishën e Shën Luka
Apostolo dhe aty vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i
peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë, vllah, serbë, sllovenë e boshnjakë.
Një vit më pas ndërtoi manastirin e Obed dhe manastirin në Sretenje ku shërbeu
murgeshë. Pranë kishës të Shen Luka, Angjelina ndërtoi një kishë të vogël, të
cilën banorët vendas e quajnë Kisha e Shen Angjelinës, e cila u rikonstruktua
në vitin 1858, kishë që funksionoi deri në vitin 1930. Edhe në komunën Zakuti (Gruža)
është një kishë tjetër e dedikuar Shen Nënë Angjelinës. [Slobodan Mileusni?,
(2000). Santi Serbi. Novi Sad: Prometeo. p 123-125].
Në Srem, në vitin 1498 vdiq Isabella. Gjergji e përjetoi
me dhimbje humbjen e bashkëshortes, madje abdikoi titullin e dhespotit dhe atë
vit u shugurua murg, sipas rregullave manastiriale mori emrin Maksim dhe
shërbeu fillimisht krah nënës Angjelina. Murgu Gjergj Brankoviçi, nga viti 1508
deri në vitin 1516, ishte Metropolitan i kishës ortodokse Hungaro - Vllahe dhe
më pas Metropolitan i Beogradit. Në vendin e Gjergjit, titulli dhespot i Serbisë i kaloi
Johanit, djalit të dytë. Në një kronikë të Bosnjës, dëshmohet një betejë e
madhe e kryengritësve hungarezë, bosnjakë, vllah dhe serbë kundër forcave të Perandorisë
Osmane, betejë e udhëhequr nga djali i Angjelinës, dhespoti Johan, i cili në
këtë kronikë theksohet si ushtarak i aftë dhe strateg lufte. [Mom?ilo Spremi?.
2004. La famille serbe des Brankovi?, considerations et hèraldiques. Istituto
per i libri di testo e gli ausili didattici. 41; pp. 441 - 452]
Më 10 dhjetor
1502, dhespoti Johan vdiq dhe e varrosën në kishën e Shën Luka pranë të atit
Stefani III. Pas vdekjes të djali Johani, titullin dhespot e mori Ivani, nga
familja kroate Berislavi?. Në këtë situatë, Angjelina dhe murgu Maksim humbën
të drejtat e pronësisë, që i ishin njohur me kusht nga mbreti Mattia Korvino,
andaj u detyruan të braktisin Hungarinë dhe shkuan në Vllahi, të ftuar nga e
bija Milica dhe dhëndërri Bessarab V Negoja, Vojvoda e Vllahisë. Në Vllahi
qëndruan 7 vite, ku Angjelina u impenjua në organizimin e kishës ortodokse
vllahe, ku ndërtoi disa kisha dhe manastire.
Duke parë se ajo vetë nuk ishte në gjendje të mbante të gjithë manastiret, i shkruan një letër prekëse Princit Vasili III Ivanovi? - Grand Duka i të gjitha Rusive, të cilit i kërkoi të ndihmonte për mbarëvajtjen e këtyre manastireve. Në këtë letër Angjelina i shkruan: “Pushtetit tonë po i vjen fundi, ndërsa i tëndi sa vjen e rritet, prandaj ju kërkoj të marrish përsipër detyrën, për tu kujdesur e për të ndihmuar kishat dhe manastiret e shenjta, të ngritura prej të parëve tuaj të përshpirtshëm dhe nga të parët e mi”. Natyrisht Vasili III Ivanoviç e mirëpriti kërkesën e murgeshës Angjelina dhe i dërgoi ndihma, që i garantuan mbarëvajtjen dhe aktivitetet e kishave dhe të manastireve, që ajo kishte ngritur në Vojvodina dhe në Vllahi, si dhe më pas i përdori në ndërtimin e Lavrës të Krušedolit. [Aleksandar Fotic (2008). Famiglia Brankovi?. Enciclo-pedia dell'Impero Ottomano. New York: Pubblicaz.. di Infobase. pp. 93 - 94].
Në vitin 1509, me
ndihmën e nipit Jakši? Nagoya, Angjelina dhe Maksimi u vendosën në trevën e
Sirmia në malin Fruška Gora të Vojvodinës, ku në Krušcedol ndërtuan manastirin
e murgeshave. Në vitin 1512, në kishën e këtij manastiri u varrosën lipsanet e
Stefanit III dhe të Johanit, të cilët ishin kanonizuar shenjëtorë nga kisha
ortodokse. Katër vite më pas, në këtë manastir u varros dhe djali Maksim - mitropoliti
i Beogradit, i cili vdiq më 8 janar 1516 dhe ai u shpall shenjëtor nga kisha
ortodokse. Manastiri i Krušcedol është santuar i rëndësishëm dedikuar
Virgjëreshës Maria. Manastiri quhet dhe “Fari shpirtëror” i orto-doksisë. [Mom?ilo Spremi?,
2004. Ascesa interrotta: terre serbe nel tardo Medioevo. Belgrado: Istituto per i libri
di testo e gli ausili didattici. p. 335.4].

Litografi e Manastirit në Krušedol, realizuar në vitin 1775 nga Zaharija
Orfelin.
Fotografi aktuale e Manastirit me kishën në qendër, ku janë vendosur
lipsanet e Shën Angjelinës, të Shen Stefanit, të Shen Johanit dhe të Shen
Maksimit.
Në manastirin e Krušedol,
Nëna Angjelin hapi një mencë dhe ndërtoi një fjetore për pelegrinët e shumtë që
vizitonin dhe luteshin në kishën e Manastirit. Aty krijoi një bibliotekë të
pasur me libra. Në një dokument dioqezian, Ipeshkëvi i Dioqezës të Srem-it,
thekson: “Angjelina, nga prindërit kishte marrë edukim arsimor të shkëlqyer,
çka e shprehte me dashuri për librat dhe me bibliotekën e pasur që kishte
krijuar në Manastirin e Krušedol. Angjelina ishte grua e bukur, e mençur,
kurajoze dhe me dashuri të madhe për librat”.
Një ndër
veprimtaritë e veçanta të Nënë Angjelinës ishte mbledhja e bimëve mjekësore dhe
përgatitja e çajrave të shumtë, që i përdorte për kurimin e të sëmurëve, që
frekuentonin manastirin dhe të banorëve të kësaj zone. Me boçet e trëndafilave
të egër, të pasura me vitamina C, Angjelina përgatiste një çaj që ua jipte
fëmijëve dhe pelegrinëve të sëmurë, ndërsa me gjethet e trëndafilave përgatiste
shirupin aromatik dhe të shijshëm, që murgeshat, banorët dhe pelegrinët e
quanin “Shirupi i Nënë Angjelinës”. Çdo vit në manastirin e Oreškovica, në
nderim të Shen Nënë Angjelinës, tradicionalisht prodhojnë shirup trëndafili dhe
çajra të ndryshëm me bimë mjekësore, ndërsa me frutin e trëndafilave (boçia e
kuqe) përgatisin marmallata, shirupe, çaj dhe likò me emrin e Shen Nënë Angjlinës.
[Svetlana Tomin. Madre Angelina: despota e suora Angelina Brankovi? Santa
Madre Angelina. Sremski Karlovci: Diocesi di Srem, 2016, pp. 8 - 14].
Krahas rolit si
Badessa - kryemurgesha në organizimin e aktiviteteve në manastire, për lutje,
liturgjitë ungjillore dhe meshat me murgeshat, Nënë Angjelina impenjohej
personalisht në takimet me besimtarët, madje besimtarët vendas dhe pelegrinët që
vinin nga trevat e tjera, insistonin ta takonin të merrnin bekimin nga
kryemurgesha. Si murgeshat dhe besimtarët që vizitonin manastiret e saj i
drejtoheshin duke e quajtur Nënë Angjelina, e bekuara Nënë, e nderuara Nënë, e
adhuruara Nëna e jonë, çka shprehnin nderim, adhurim, dashuri dhe respekt për
misionin e saj si murgeshë e përkushtuar.
Në një dorëshkrim
të një murg anonim që shërbente në manastirin e Krushedol në shekullin XVI, për
krymurgeshën Nënë Angjelina thekson: “Në shërbimet e të adhuruarës Angjelina
shpreheshin virtytet e krishtera të jetës së saj askete, mëshirmadhësia, durimi
dhe mençuria, përkushtimi i saj si bashkëshorte dhe sakrificat e Nënës, sepse
ajo i ishte e përkushtuar tërësisht Zotit”. Në një paragraf tjetër, murgu
anonim shkruan: “Nënë Angjelina ishte burrneshë, trime, këmbëngulëse, e
papërkulur para vëshirësive, e përkush-tuar besimtarëve që e takonin, e lidhur
shpirtërisht më pjestarët e familjes, andaj i mori me vete lipsanet e
bashkëshortit Stefani III dhe të djalit Johani dhe i vendosi bashkë në
manastirin Krušcedol, ashtu si dikur vepronin rreth Testamentit të Vjetër, me
bindjen se lipsanet e tyre do të ndihmonin në shërimin e të sëmurëve, kësisoj
do të bënin mrekulli”. [Franz Babinger, Das Ende der
Arianiten, Miinchen, bei CB. Beck (Accademia di Scienze lettere e arti di
Monaco di Baviera), Wien Verlag 1960 pg. 15].
Gjatë viteve të
shërbimit të devotshëm si murgeshë, vetëm rreth Fruška Gora, Nënë Angjelina
ngrijti 35 manastire, të cilët shtrihen në një territor 50 km të gjatë e 10 km
të gjërë. Në shekujt XV – XVII në këto manastire strehoheshin klerikët dhe banorët
e përndjekur nga pushtuesit osmanë. Ndër 10 manastiret në luginën dhe në malin Ov?ar,
me i preferuari nga besimtarët ishte manastiri i Trinitetit të Shenjtë dhe
Anuncionit në Sretenje, sepse aty Nënë Angjelina organizonte festën e ditës të
Purifikimit të Virgjëreshës dhe të takimit të Jezu Krishtit me Simonin.
Mosha dhe
impenjimet intensive në aktivitetet si kryemurgeshë, kishin ndikuar në përkeqësimin
e shëndetit të Nënë Angjelinës. Në pranverën e vitit 1520, shkoi në Manastirin
Triniteti i Shenjtë në Sretenje, ku kaloi muajt e fundit të jetës, e kujdesur
me devocion nga murgeshat.
Më 30 korrik 1520,
e adhuruara dhe shumë e dashura Nënë Angjelina ndërroi jetë, u ngjit në amshim,
duke lënë pas dhimbje, lot dhe një boshllëk të madh shpitëror për mugeshat,
murgjit, priftërinjt dhe për besimtarët e shumtë. Si e kishte lënë porosi, Nënë
Angjelinën e varrosën në manastirin e Trinitetit të Shenjtë në Sretenje. Në
funeralin e Nënë Angjelinës morën pjesë një numër shumë i madh banorësh dhe
besimtarësh nga treva të shumta, të cilët asistuan për t’i bërë nderimet të bekuarës
Nënë Angjelina. Një vit më pas, lipsanet e Nënë Angjelinës i transferuan në
manastirin e Krushedol, i vendosën krah varrit të Stefanit, Johani dhe
Maksimit. Një vit më pas, Kisha Ortodokse e shpalli shenjëtore Shën Nënë
Angjelina.
Pjesa IV vijon në numërin e ardhshëm