| E enjte, 04.12.2025, 07:30 PM |

BERATI, MIDIS KRYELARTËSISË SË NATYRËS DHE NJERËZIMIT!
“Merre
një cep të vendit tënd dhe bëje të shenjtë…”(Franko Arminio)
NGA
PËLLUMB GORICA
Mëngjesi
nuk kishte vendosur ende se cilën fytyrë të tregonte, ndërsa ecim drejt qytetit
të lashtë, të Beratit.
Rruga
gjarpëron në fushat që u zgjeruan dhe u bënë të arta, nga pemët si krifat e
kuajve, në një dyzine kodrinash si duna të gjelbra, me toka të pasura,
pjellore, një tokë e pëshpëritur dhe nanuritur nga era e ngrohtë dhe dielli i
jugut.
Ne,
të pa nxituar nëpër dritën e vendbanimeve, e ndjejmë se qetesia e tyre depërton
në shpirtin tonë.
Brenda
makinës, ajri dridhet me notat e një kënge të bukur dhe të vjetër...
Të
vizitosh Beratin do të thotë të udhëtosh nëpër kohë. Një peizazh i rrudhosur
nga erërat prehistorike saqë besoj zor se e bën Perëndia më të bukur, sepse ka
bukurinë e vet, veçantinë e vet, karakteristikat e sakta natyrore, historike dhe
artistike që e bëjnë atë unik dhe të pakrahasueshëm.
Berati,
në fakt, është një qytet i vërtetë, elegant, i pasur me histori mijëvjeçare dhe
dëshmi të rëndësishme, me themel, të dy mijë e katërqind vite më parë. Qyteti
ka pasur momente të një përkatësie të madhe historike dhe artistike në të
kaluarën.
“Antipatrea”
quhej në kohëra që s’mbahen mend. Ndoshta qysh nga mitet, përrallat dhe
legjendat. Prej tyre quhej “bijë” e Zotit, vend i Atit – Zeus.

Kështjellë rreth së
cilës mbështillet historia e Beratit antik
Hapat
e parë në Berat shënohen nga piktura e mrekullueshme, pra kështjella nga
pikëpamje të shumta, është një pamje e këndshme romantike për një ëndërrimtar,
duke kërkuar të na tregojë thesaret e saj historike.
Natyra,
me të vërtetë, ka qenë mrekulli me të. Në majë të shpatit shkëmbor, rrethuar
nga gjelbërimi i harlisur i pishave, piketuar, pothuajse si qëndisje,
kështjella me gurë ciklopikë të ilirishtes, qëndron e fortifikuar një qënie
mitologjike.
Aty
takohen kohërat e historisë, Antikiteti me Mesjetën dhe Koha e Re; artefaktet
dhe arkitektura, kultura njerëzore plot mite të etnogjenezës sonë me tempuj
pellazgë e kisha ilire-arbërore dhe huazime orientale turko-arabe.
Kështjella
ka dëshmuar fragmente të historisë sonë të pluhurosur. Sa humbje e sa fitore u
arritën aty, duke i bërë ballë stuhive të turbullta të historisë!?!
Ecim
drejt portës së madhe të Kalasë. Duke kaptuar “pragun”e saj, vështrojmë një gur
të gdhendur me emblemën e prijësit të qytetit, Mihal Komnenit.
Sa
hap e mbyll sytë u gjendëm majë bedenave të kështjellës. Kullat dhe muret
qëndrojnë krenare, ku secili gur pasqyron pragmatizmin e epokave. Aty gjenden
gjashtë topa, dy prej të cilëve të prodhuar në Venecia, një në Angli dhe tre në
Turqi, ndërsa prek muret, do të ndjesh pëshpëritje, vorbullimet që të marrin
tutje e të çojnë tutje-tëhu ndriçuar nga flakërime luftrash, masakrash,
plaçkitjesh, epidemish; britmat e pushtuesve si përrenjtë malorë që vërshonin
dhe gjakun që derdhej e skuqte gurët e saj, ndërkohë jeta lajmëronte vazhdimësinë
nëpërmjet të qarave të foshnjave të sapolindura. E, megjithatë, ajo nga pesha e
rrethimeve dhe betejave të pakufishme pa mundur ta zhduknin, ndonëse e kanë
sakatuar për të përvetësuar qytetërimin, pasuritë, hyjnitë e tempujt.
Muret
janë pothuajse inekzistente sot, në të kaluarën qëndronin në homazh të zotave,
që projektuan dhe ndërtuan kushtuar Perëndive, gjithçka duhej te ishte ne
harmoni me peizazhin dhe asgjë nuk mund të ndryshohej, sepse vetë Zotat ishin
autorë të gjithçkaje që njerëzit panë.
Rrugicat
e ngushta të veshura nga kohërat, dukej se të mbanin hapat. Shtëpitë që duken
si në kohë mesjetare, e bëjnë atmosferën e saj unike, në çdo portë fisnike prej
druri, e çdo shtëpitë me forma gjeometrike, me konakë që pëshpërisin përralla,
dysheme dhe tavane të zbukuruara me motive heraldike.
Në
sheshin e kornizuar të bëjnë përshtypje tezgat e mëdha ku rreshtohen prodhimët
artizanale tradicionale, nga tekstilet shumëngjyrëshe deri te artikujt prej
lëkure, duke krijuar një përvojë autentike kulturore që, shtegtari, ngado që të
ketë ardhur këtu (qoftë nga Evropa, qoftë nga Bota e madhe) do të marrë diçka
së bashku me kujtimet e paharruara dhe mbresat e papërshkrueshme.
Në
shesh gjendet edhe shtatorja e piktorit të madh shqiptar, përfaqësues i
Rilindjes Europiane, Onufri i së kuqes shqiptare.

Vendet e adhurimit,
çfarëdo qofshin ato
Ngrehinat
e faltoreve të rrëmbejnë me bronzet e kambanareve dhe dorëshkrimet e kyçura me
vlerë të paçmueshme, kjo më ka magjepsur gjithmonë në këto vende të shenjta dhe
të duket sikur jeton paksa nga shekujt e largët.
Ecën
si me magji mes sallave të shenjta, sikur të gjendesh brenda një galerie arti,
duke shijuar pafund të bukurën. Heshtja që mbretëron është vendi ku njerëzit
janë bërë të pasur brenda duke menduar një Zot, që është shumë afër zemrës së
tyre dhe shpërndarës i paqes dhe dashurisë.
Muzeu
“Onufri” në Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” është rindërtuar në themelet e një
kishe pasbizantine. Me hajatin elegant çmohet në shkallë ballkanike për
origjinalitet. Në fakt, ajo që e bën Kishën “Fjetja e Shën Mërisë” unike janë
afresket e saj shekullore, të cilat mbulojnë të gjithë brendësinë pa lënë
praktikisht asnjë centimetër zbathur. Ato janë afreske të purpurta nga dora
dritë e Onufrit, me të gjitha ngjyrat që zotëron natyra. Dhe kjo është arsyeja
pse kisha është një muze i vërtetë imazhesh figurative...
Ikonastasi
i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë” mban si datë vitin 1807, si një nga veprat më
të mira të shekujve XVII - XVIII, i krijuar nga mjeshtrit oparak të
drugdhendjes: Stefan Barka dhe Naum Ngjela. Po aty ishte banesa e mitropolitit
të Beratit, Kaninës dhe gjithë Myzeqesë, me disa karakteristika të stilit
barok.
Këmbët
më çuan te kisha e “Shën Triadhës”, që përpos ndjesisë së qetësisë ka një
strukturë mbresëlënëse dhe unike. Kishën e ndërtoi Andronik Paleologu qeveritar
i Beratit dhe Vlorës.
Në
kishën e “Shën Mitrit” nuk jashtë nuk është shumë magjepsëse dhe e
shkëlqyeshme, por është brenda ajo që mban thesarin e saj. Ikonastasi, të
dhuron çaste qetësie dhe paqeje që rrallëkund i gjen nëpër botë. Qëndrova për
një kohë të gjatë përpara tij. Desha ta prek, vetëm pak, sa te thoja se kam
prekur një mrekulli të gdhendjes në dru, një kryevepër të vërtetë arti.
Ndalesa
e radhës ishte Kisha interesante e “Shën Vangjelizmoit”, me një arkitekturë të
veçantë, ngjyrat e ikonave të gjalla, apo ikonastasi i veshur me dru të
gdhendur lyer me llak ngjyrë ari, dhe parmakët e drurit të gdhendur në shkallët
që gjarpëronin rreth saj, dukeshin një thesar i porsazbuluar. i shekullit 12,
ku një nga udhërrëfyesit tanë të mirë shpjegon plotësisht historinë e saj,
madje edhe me anekdota të këndshme.
Kisha
e “Shën Kostandinit dhe Helenës.” Legjenda thotë se i është kushtuar Elenës,
nënës së perandorit Kostandin, që në udhëtimin në Tokën e Shenjtë, në
Jerusalem, u takua me historianin e kohës, Eusebio dhe ky i tregoi historinë e
Krishtit. Nga ai çast Elena, këshillohet me të birin Kostandin nga Nishi
(Naissus në Iliri) dhe kësisoj fillon krishtërimi në Evropë. Kisha ka dysheme
të shtruar me pllaka guri (me rombe) dhe në qëndër një mozaik bizantin. Afër kishës ndodhet përmendorja e figurës më
të madhe që ka nxjerrë raca ilire, Kostandini i Madh, më i rëndësishëm Botëror
pas Krishtit, Muhametit dhe Budës.
Më
tej kisha e “Shën Shëngjergjit” në të cilin janë zbuluar të murosur dy kodikë
(dorëshkrime pergamene biblike, të shkruar mbi lëkurë me gërma ari ku
sistemohen, përmblidhen ligjet ose rregullat e një qyteti). Sipas të tjerëve, përmbajtja e tyre e
trondiste pushtuesit deri në atë pikë sa i detyroi priftërinjtë ta fshihnin
përgjithmonë në një vend të sigurt, që të mos zbulohej kurrë në shekujt e
ardhshëm.
Në
kishën e “Shën Dëllisë” që i është kushtuar profetit Ilia, provon një ndjenjë
adhurimi për afreskat që kanë emrat e shenjtorëve të shkruar në Shqip.
Kisha
e “Shën Vllahernës” e ngritur me rastin e fitores kundër anzhuinëve në fund të
shekullit XIII është mbrojtur nga banorët në vitet, kur objektet e kultit nën
thundrën e diktaturës ishin shkatërruar ose tjetërsuar.

Mangalemi, kartolinë e
arkitekturës
Ballkoni
panoramik në kështjellë, një pikë vëzhgimi i këndshëm, hap pamje pothuajse
kinematografike. Prej këtu natyra është vërtet një mrekulli e bukurive dhe
pamjeve që të lënë pa frymë. E mbushim vështrimin me qytetin, lagjet e tij,
rrugët, ndërtesat, lumin që dukej i lodhur, kodrat me ullinj e pisha, lëvizjet
e njerëzve dhe makinave.
Vështrimin
e përqëndrojmë në malet magjik që shtrihen në horizont, veshur me një blu të
errët, pothuajse të mjegullt, gjë që i bën ato eterike dhe misterioze. Tomori
mbështjellë me atë mantelin e bardhë që ra gjatë ditëve të kaluara.
Në
“shtegun e Eremiteve“ nën shkëmbin e thepisur, sikur do të binte mbi kokë,
është kisha, një ndër të parat në Berat, emblematikja e kryeëngjëllit “Shën
Mihali”, që lidhet me zgavra nëntokësore të ndërtuara nga murgjit. Kur dëgjon
këmbanën aty, bekim merr. Këtu u mbajt meshë për shenjtorin Shën Nikodhim, i
cili u martirizua nga kadiu turk me prerje koke, pasi refuzoi të mohonte
Krishtin dhe të kthehej në besimin mysliman.
Mangalemi,
duke të goditur menjëherë me pozicionin, i mbërthyer në një kreshtë
strategjike, por piktoreske, ngjan si kartolinë me rrugicat që dredhojnë, me
shtëpitë që të hutojnë me bardhësinë e mureve dhe një mbi një dritaret; me
çardakët e mëdhenj, çatitë e kuqe, rozetat e tavaneve plot motive
floreale, me portat e drurit,
tipologjinë e oxhakëve, kolonetat e qosheve të drunjta, sofatet, odat, etj.
Në
rrugën “Mihal Komneno”, gjendet edhe muzeu “Solomoni”, një zbulim, gjetje,
hulumtim, një ndihmesë me vlerë, me fakte, emra, ngjarje, rrëfime, dokumente,
dëshmi për hebrenjtë e Beratit. Këtu gjen Abrahamin dhe Davidin, Solomonin dhe
Moisiun... Në kohën e tragjedisë që solli murtaja antisemite e Holokaustit,
Berati strehoi, shpëtoi dhe mikpriti mbi 600 hebrenj; tregoi virtyte, vlera,
bujari, fisnikëri, qytetari, humanizëm…
Këmbët
të çojnë pranë “Portës së Pashait”, portik i dyerve të mëdha, i gdhendur në
mermer të bardhë, me motive dekorative, ku në të majtë të saj spikasin dy
basoreliev që paraqesin: Diellin e stilizuar (Perëndia kryesore Ilire),
gjarprin (Totem Ilir); ndërsa në të djathtë konturet e një “Kali me shalë”. Në
sheshin e Selamllëkut, sarajet e një nga dyerve më të mëdha në Shqipëri, të
Vrionasve. Eruditi Jusuf Vrioni shkruante se Vrionasit janë një fis nga më të
shekujshmit, të njohur ndryshe si oxhak që rridhte prej paleologëve princërorë
të Myzeqesë.
Kafenetë
dhe dyqanet e vogla të lezetshme tregojnë kujdesin e banorëve dhe që e kanë
bërë atë, aq shumë për ta bërë atë, përveçse të bukur, një vend me atraksion të
madh turistik.
Nën
retë e hirta, rrugët gëlonin nga njerëzit dhe makinat. Duke ecur përmes një
rrugice me kokërdhokë gurësh të lëmuar ulemi në një cep të një kafene qoshk, ku
shfaqej një pamje e gjysmës së qytetit. Në krahë të saj Xhamia Mbret. Si brenda
ashtu edhe jashtë, dizajnet shumëngjyrëshe të pikturuara në mure e tavan e bëjnë
xhaminë absolutisht mahnitëse për syrin tonë. Adhuron rozetën e dekoruar me
motive floristike dhe shkrime nga citate të kuranit.

Një fjongo e bardhë guri
mbi lumin Osum
Ura
ikonike e Goricës, një kryevepër e mirëfilltë arkitekturore, fjongo e bardhë
nuk është thjesht një artefakt: është një kufi midis të shkuarës dhe të
tashmes, midis njeriut dhe natyrës, midis asaj që ishte dhe asaj që është ende,
si urë lidhëse e lagjes Goricë me qytetin, por edhe ndërlidhje tregtare me
Përmetin, Gjirokastrën, Janinën e më tej, e ndërtuar 300 vite më parë prej
pashait të Beratit, Ahmet Kurt Pasha, me haraç vendas dhe koncepte
arkitekturore osmane nga Mimar Kasemi prej Tomorrice.
Ende
lumit nuk i qe zbutur egërsia e rrjedhës që vërshon ujërat bashkë me mbetjet
monstruoze të qytetërimit tonë modern. Qeskat e shqyera të plastmaseve janë
ngjitur më lart, në rrepet, plepat dhe shelgjet, me natyrë të kërcyer degësh të
shtrira qiellit, si flamuj të rreckosur.
Në
urë ka heshtje që flet më shumë se një mijë fjalime. Vetëm hapat tanë kërcasin
nëpër pllakzë e gurta të skalitura të stërholluara si petë bakllavaje mbi
shtatë harqet që e hijeshojnë si vetulla nusesh.
Çdo
pllakëz kalldrëmi tregon një histori të epokës së largët, e këmbëve që vraponin
nëpër stinët që e gdhendën: kalorës, kuaj, mushka dhe këmbësorë.
Atje
hidhet kryqi në çdo 6 janar në ditën e Ujit të bekuar. Dita e Ujit të Bekuar,
që nuk është thjesht rit, por edhe shfaqje, performancë, garë noti e çrregullt
në ujët e ftohtë e të bekuar të këtij lumi të lashtë, të thuash që nga koha e
shpikjes apo krijimit të lumenjve…
Simbolikisht,
edhe në shkrimet e shenjta, nëpërmjet pagëzimit me ujë, bëhet lidhja e trupit
dhe shpirtit me frymën hyjnore... Bekoheshin ujërat e lumit me Dritën e shenjtë
që vjen nga kryqi, mbi të cilën u martirëzua Zoti ynë, për të vërshuar në
shpirtrat e njerëzve; Mirësi, Paqe, Dashuri…
Qyteti
dhe lumi prej shekujsh, kanë ruajtur afrinë, pandashmërinë e, pothuajse,
dashurinë mes tyre. Duke ndjekur rrjedhën e lumit të tejfryrë, nga shirat e
ditëve të fundit, rri buzë lumit, të vëzhgojmë këmbët e urës, të zhytur në ujin
e ftohtë.
Ndaloj
për një çast, marr frymë thellë dhe e lë shikimin tim të humbasë në sharmin e
saj. Përtej madhështisë strukturore, ende gëlon një legjendë e ardhur nga një
epoka Prehistorike që tregon për dy vellezër, të rinj, të fortë, të njohur për
trimërinë dhe forcën e tyre. Nuk ndaheshin kurrë nga njëri-tjetri, bashkë nëpër
luftra, bashkë në gëzime dhe hidhërime: Tomari dhe Shpinëhapuri të dashuruar
marrëzisht me Osumen e famshme për bukurinë e saj.
Osumia
i donte me shpirt të dy, takohej fshehurazi me ta dhe ende nuk kishte vendosur
me cilin do ndante fatin e saj. Kaloi një kohë, që të dy vëllezërit e ruanin
sekretin dhe nga njëri -tjetri por kur Tomari e mori vesh, u nxi i tëri,
ulurima e tij shpoi qiellin, iu lut Shpinëhapurit të hiqte dorë nga Osuma. Kur panë
që s’kishte rrugë tjetër Tomari i egërsuar nxorri shpatën. Në të njëjtën kohë
dhe Shpiragu e gjuante me topa.
Fatkeqësisht
historia do të përfundojë tragjikisht, në dyluftimin për jetë a vdekje me
njëri-tjetrin se kush do të fitonte Osumen. Nga goditjet me shpatë mbi shpinë,
nga të gjitha anët, që i la gjigand i fjetur Tomor (nga Ta – Mar, ta marrë
njëri a ta marrë tjetri) i mbeti emri “Ta-mar.” ku më pas shkronja “A” duket se
evoluoi në “O”: Tomor) me prerje të thella, thela - thela, që shtrihen në të njëjtën
largësi nga njëra - tjetra, i thanë Shpirag.
Osumja,
e cila e ndiqte dyluftimin e tyre mizor, mes lotësh nuk mundi të duronte dot
këtë tragjedi dhe iu lut Perëndive ta ndalnin përplasjen, duke i ngrirë në
male. Shpiragu i ndarë me vija- vija sikur e ka prerë njeri me dorë (ndaj quhet
edhe mali me vija) dhe Tomori madhështor, me gropat dhe kreshtat e mbështjella
me mantel mjegulle të lehtë, si një gjigant i fjetur.
Osuma
u shndërrua në ujëra të rrëmbyeshme, të cilat lindën një lum të bukur (Osumi).
E kush ndalet për të dëgjuar lumin, në netët e paqta, betohem se dëgjoj
vajtimin e saj. Mbi lumë u gdhend një urë guri. Aty erdhën dy palë krushq me
nuse mbi kalë. Të gjithë të armatosur. Sipas ritit çdo palë krushqish kishte të
drejtën të mos i pritej rruga.
Kush
do kalonte i pari?!
Krushqit
luftuan gjatë me shpata e thika për të mos i liruar rrugën njëri- tjetrit.
Dhëndurët u bënë merak. Vajtën të kërkojnë nuset. I gjetën të dyja në urë mbi
kalë, rrethuar nga krushqit e vrarë. I dhanë fjalën njëra - tjetrës të kenë 300
djem e vajza. I bënë, i martuan dhe nga ata lindi qyteti.
Por,
unë po hesht si romantik dhe kthehem në realitet...
Në
përtejlum, lagjja Goricë, nën hije kishte heshtje. Atje lart, pamja madhështore
e malit të Goricës rrethuar me gjelbërimin e pishave.
Rrugicat
e ngushta me kalldrëm, portat e drunjta dhe shtëpitë, ku historia ka rrënjë në
çdo gur, shëtisim me kënaqësi dhe gëzim çlodhemi në bujtinat ku kënaqim edhe
gojën, para se të nisemi përsëri.
***
Qyteti
hodhi shpejt mbi supe mantelin e përhimtë të muzgut. Fustanet e reve si vello
mëndafshi të pikturuara nga një mjeshtër hyjnor, shtrijnë gjuhët e
njëra-tjetrës.
Psherëtijnë
tingujt e mbrëmjes.
Një
këngë pikuar nga pjalmi djaloshar buçet nga disa çakërqejf prej pijes
alkoolike, të ngërthyer në melankolinë prekëse, ndërsa ktheheshin për në
shtëpi, që të kujton zanën, atë peizazh sa idilik aq edhe romantik kur ajo
priste djalin lozonjar të legjendës.
Aman
po thërras
Hiç
njeri s’dëgjon
Kur
hyj në Mangalem
Në
zemër më pikon…
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.














