| E merkure, 03.12.2025, 06:53 PM |
E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian, Diego Frazão Torquato
Nga
Albert Vataj
Ka
fotografi që nuk kapin vetëm një çast, por një epokë të tërë dhimbjeje, shprese
dhe rezistence. Një prej tyre është ajo e Diego Frazão Torquato, “Diego do
Violino”, violinistit 12-vjeçar nga favela Parada de Lucas në Rio de Janeiro, i
cili, i mbështjellë nga lotët, luan violinë në funeralin e mësuesit të tij të
dashur, Evandro João da Silva. Shkrepja e bërë nga fotografi Marcos Tristão u
shpall një nga imazhet më prekëse të shekullit XXI, sepse përmbledh në një
kornizë të vetme dramën sociale të Brazilit, forcën transformuese të artit dhe
pafajësinë e një fëmije që ka parë shumë më tepër sesa duhej.
Evandro
da Silva nuk ishte thjesht një mësues. Ai ishte zemra dhe ndërgjegjja e
AfroReggae, një organizatë kulturore që u përpoq të thyejë rrethin vicioz të varfërisë,
krimit dhe pabarazisë në favelat e Rio-s. Ai i mësoi fëmijëve si Diego se
muzika mund të jetë shpëtim, strehë, shpresë. Në një qytet të fragmentuar nga
dhuna urbane, ai krijoi një hapësirë ku arti e zëvendësonte armën, ku nota e
parë e violinës mund të ndryshonte një fat.
Por
mëngjesi i 18 tetorit 2009 vulosi tragjedinë. Da Silva u sulmua, u grabit dhe u
qëllua për vdekje në mes të rrugës. Lajmi tronditi jo vetëm komunitetin e
AfroReggae, por gjithë Brazilin. Ishte një nga ato momente kur një vrasje bëhet
simbol i një plage që ka kohë që gjakos një qytet të tërë.
Dhe
pikërisht në këtë pikë hyn Diego, fëmija i brishtë, me violinën e vogël, që
shfaqet para arkivolit të mësuesit të tij. Muzika që ai luan nuk është
performancë: është vaj, revoltë, lutje. Është ai lloj dritë-hijeje që vetëm
arti e prodhon kur prek skajet e tragjedisë njerëzore.
Jeta
e Diegos ishte një betejë e pandërprerë kundër sëmundjeve. Që në fëmijëri ai
luftoi meningjitin dhe probleme të tjera shëndetësore, por kjo nuk ia zbehu as
zjarrin për muzikën, as besimin se ajo mund t’i hape dyer që bota i kishte
mbyllur. Ai nuk kishte formim klasik, por kishte një dhunti natyrale dhe një
shprehësi emocionale që i tejkalonte kufijtë e teknikës. Prandaj fotografit i
mjaftoi një moment për ta bërë të pavdekshëm.
Pas
funeralit, Diego u bë simbol i një brezi që kërkon shpëtim përmes artit. Ai u
shfaq në orkestrën e harqeve të AfroReggae, mori pjesë në kampanja humanitare
dhe u pranua si shpresë e favelave – një shembull i gjallë i asaj që ndodh kur
një fëmijë prek instrumentin e duhur në momentin e duhur.
Por
fati i tij tragjik nuk ndaloi. Në vitin 2010 ai u diagnostikua me leuçemi
akute. Shëndeti iu përkeqësua pas një operacioni të apendiksit që solli
komplikime të rënda. I shtruar për 24 ditë në spital, i lidhur me aparatura dhe
i dobësuar nga infeksioni, Diego nuk mundi t’i nënshtrohej kimioterapisë. Zemra
e tij e vogël, që dikur mbante ritmin e shpresës së një favela të tërë, pushoi
së rrahuri më 1 prill 2010.
Ai
ishte vetëm 12 vjeç.
Por
fotografia e tij jeton. Ajo është bërë një ikonë e kujtesës kolektive: një
testament i asaj që arti mund të shpëtojë, edhe kur nuk arrin të mjaftojë. Një
thirrje kundër dhunës, kundër pabarazisë, kundër harresës. Një kujtesë se në
mes të errësirës së botës, një fëmijë me violinë mund të ndezë një dritë.
Dhe
se ndonjëherë, një fotografi mund të jetë më e fortë se një histori, sepse ajo
e bën të pavdekshme.
Në
këtë mënyrë, Diego Frazão Torquato nuk është vetëm një emër i një tragjedie,
por një simbol i një ëndrre të pambytur, se muzika mund të ndryshojë botën,
qoftë edhe për një çast.