| E merkure, 03.12.2025, 07:50 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
PUSHTETI NDRYSHOI LOJËN
TEK DËNIMI I JATAKËVE (25)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Viti
1948 shënoi një zhvillim interesant në strategjinë e organeve gjyqësore
jugosllave. Në këtë periudhë, Gjykata Supreme Jugosllave kishte nisur një
fushatë inspektimesh nëpër gjykatat e qarqeve, me qëllim monitorimin e
“efikasitetit” të punës në terren. Të vetëdijshme për këtë vëzhgim të afërt,
gjykatat vendore filluan të aplikonin një taktikë të re: dënimet individuale,
në vend të proceseve të mëdha me shumë të pandehur. Ky ndryshim nuk kishte të
bënte me butësimin e qëndrimit ndaj të akuzuarve, por me përpjekjen për të
shmangur tërheqjen e vëmendjes së opinionit publik ndaj përmasave reale të
fushatës represive.
Pikërisht
për këtë arsye, në Gjykatën e Qarkut të Gjilanit gjatë atij viti u regjistrua
një numër dukshëm më i madh i të dënuarve individualisht sesa i proceseve
masive kundër grupeve të të ashtuquajturve “jatakë”. Ky ndryshim në metodë
dëshmon se, përveç represionit të hapur, pushteti zhvillonte edhe një luftë të
kujdesshme propagandistike, duke kërkuar të kontrollonte jo vetëm veprimet e
rezistencës, por edhe perceptimin e tyre në opinionin e gjerë. Në këtë mënyrë,
drejtësia e kohës shërbente si një mjet i dyfishtë: ndëshkim politik dhe
menaxhim i kujdesshëm i imazhit të pushtetit.
Në
të njëjtin proces gjyqësor, përpara trupit gjykues u soll edhe një tjetër
jatak, i akuzuar për strehimin e Avdyl Durës dhe bashkëluftëtarëve të tij.
Bëhej fjalë për Rudi Ali Baftinë, bujk 65-vjeçar nga fshati Vatë, i lindur nga
babai Ali dhe nëna Hamide, e lindur Avdyli. Ai ishte i martuar dhe baba i tre
fëmijëve, duke mbajtur mbi supe barrën e një familjeje në një moshë të shtyrë,
kur forcat e njeriut tashmë janë të kufizuara.
Rudi
ishte analfabet dhe nuk kishte pasur kurrë më parë probleme me ligjin. Jeta e
tij e deriatëhershme kishte kaluar brenda ritmeve të ngadalta e të rregullta të
punës bujqësore, larg skenave të konfliktit politik. Megjithatë, më 15 dhjetor
1947, organet hetuese jugosllave e arrestuan, duke e futur në rrjetën e gjerë
të ndëshkimeve që po godisnin këdo që dyshohej se kishte treguar mikpritje, ndihmë
apo besnikëri ndaj figurave të rezistencës.
Rasti
i Baftisë ilustron qartë se si, në logjikën e aparatit represiv të kohës,
mosha, analfabetizmi apo mungesa e çdo veprimtarie të mëparshme politike nuk
përbënin arsye lehtësuese. Përkundrazi, akti i strehimit të një të arratisuri
mjaftonte për ta vendosur një bujk të moshuar në bankën e të akuzuarve dhe për
ta kthyer në shembull ndëshkimi, duke e bërë pjesë të narratives së gjerë të
frikës dhe kontrollit që pushteti ushtronte mbi popullsinë shqiptare.
Më
27 janar 1948, në një proces gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Qarkut, Rudi
Ali Baftija u shpall fajtor nën akuzën se, gjatë viteve 1946 dhe 1947, kishte
përkrahur e ndihmuar Avdyl Durën dhe bashkëluftëtarët e tij. Sipas aktgjykimit,
ndihma e tij nuk kishte qenë e rastësishme apo e kufizuar, por e vazhdueshme
dhe e shumëformshme: ai u kishte siguruar strehim të sigurt, u kishte dhënë
veshmbathje dhe ushqime, si dhe kishte mbajtur lidhje me të arratisurit e
tjerë, duke shërbyer si hallkë komunikimi brenda rrjetit të rezistencës
ilegale.
Gjykata,
duke u mbështetur në interpretimin politik të veprimeve të tij, arriti në
përfundimin se Rudi kishte kryer një vepër penale “kundër popullit dhe shtetit”
dhe, në përputhje me Ligjin Penal të Jugosllavisë, nenin 3, pika 14, e dënoi me
5 vjet burg të rëndë. Ky vendim shpalos qartë se si drejtësia e kohës ishte e
orientuar nga logjika e ndëshkimit politik: një bujk i moshuar, analfabet dhe
pa histori të mëparshme kriminale, për shkak të ndihmës së dhënë në bazë të parimeve
të mikpritjes dhe solidaritetit, u shndërrua në objekt represioni dhe u dënua
me një masë të rëndë privimi nga liria. Në këtë mënyrë, rasti i tij bëhet
shembull se si pushteti kriminalizonte jo vetëm veprimet e hapura politike, por
edhe gjestet e thjeshta njerëzore që shkonin kundër narratives së tij zyrtare.
Ramadan
Sylë Jonuzi, Jatak
Sipas
aktgjykimit me Nr.13/48 të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, një nga të akuzuarit
në këtë proces ishte Ramadan Sylë Januzi, bujk 58-vjeçar nga fshati Pleshinë.
Ai kishte lindur nga babai Sylejman dhe nëna Nazlije, e lindur Azemi. Ishte
analfabet, pa ndonjë përvojë të mëparshme dënimi, dhe i martuar, me
përgjegjësinë e rritjes së tre fëmijëve.
Gjendja
e tij ekonomike ishte e dobët, tipike për shumë familje shqiptare të zonave
rurale në atë periudhë, të cilat mbijetonin në kushtet e një ekonomie bujqësore
të varfër dhe të margjinalizuar nga politikat shtetërore. Megjithatë,
pavarësisht këtij realiteti të thjeshtë jetësor dhe mungesës së çdo
përfshirjeje të mëparshme në çështje politike, Ramadan Januzin e gjejmë në
listën e të akuzuarve në një proces që kishte natyrë të qartë politike.
Ai
mbahej në burgun hetues që nga 20 nëntori 1947, duke kaluar muaj të tërë në
pritje të gjykimit. Ky fakt dëshmon se arrestimi dhe paraburgimi i gjatë nuk
ishin vetëm masa procedurale, por edhe mjete presioni psikologjik, të përdorura
për të thyer rezistencën morale dhe për të krijuar shembuj ndëshkues që do të
shërbenin si paralajmërim për të tjerët. Rasti i tij pasqyron mënyrën se si
sistemi gjyqësor i kohës nuk bënte dallim mes figurave qendrore të rezistencës
dhe individëve të thjeshtë, të cilët, për shkak të lidhjeve familjare,
shoqërore ose thjesht aktit të mikpritjes, përfundonin nën akuza të rënda
politike.
Sipas
aktakuzës, Ramadan Sylë Januzi akuzohej se, nga periudha e ashtuquajtur
“çlirim” e deri më 20 nëntor 1947, kishte qëndruar në arrati, duke u bashkuar
me grupet e tjera të pakënaqura që, në forma të ndryshme, vepronin kundër
sistemit të instaluar okupues dhe pushtetit komunist. Gjatë kësaj kohe, ai
dyshohej se kishte marrë pjesë në disa aksione kundër forcave të policisë dhe
ushtrisë jugosllave, veprime që regjimi i cilësonte si kërcënim të
drejtpërdrejtë ndaj rendit politik ekzistues.
Në
përfundim të procesit gjyqësor, Gjykata e Qarkut, duke u mbështetur në
dispozitat e Ligjit Penal të Jugosllavisë – konkretisht në nenet 3 dhe 4 – e
shpalli fajtor për kryerjen e veprave të konsideruara “kundër popullit dhe
shtetit”. Si rezultat, atij iu shqiptua një dënim me burg të rëndë prej tre
vitesh.
Ky
vendim përbën një shembull të qartë të mënyrës sesi drejtësia e kohës
ndërthurte elementët juridikë me objektivat politike. Pjesëmarrja në veprime të
armatosura, edhe kur kishte natyrë mbrojtëse apo qëndrestare ndaj pushtetit të
huaj, kualifikohej si armiqësore jo vetëm ndaj shtetit, por edhe ndaj vetë
popullit. Në këtë logjikë, gjykata nuk vepronte thjesht si organ ligjor, por si
instrument i pushtetit për të shtypur dhe delegjitimuar çdo formë të
rezistencës së organizuar apo spontane kundër rendit komunist të vendosur pas
luftës.
Shabi
Isuf Kajolli, Jatak
Më
13 maj 1948, Gjykata e Qarkut në Gjilan shqiptoi dënimin ndaj Hajriz Isuf
Shabijes, i njohur me nofkën “Kajolli”, i lindur në vitin 1899 në fshatin
Gjylekare, nga babai Isuf dhe nëna Rabishe, e lindur Sylejmani. Kajolli ishte
analfabet, i martuar dhe baba i shtatë fëmijëve, me një jetë të thjeshtë rurale
e pa ndonjë histori të mëparshme dënimi deri në momentin e arrestimit.
Sipas
aktakuzës, menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ai kishte
kaluar në arrati, ku kishte qëndruar deri në shkurt të vitit 1947. Në atë
periudhë, ishte dorëzuar vullnetarisht organeve të ndjekjes, por pas vetëm 20
ditësh ai rikthehet sërish në mal, kësaj here bashkë me grupin e Avdyl Durës,
me të cilin qëndroi deri më 1 mars 1948. Sipas dosjes gjyqësore, gjatë kësaj
kohe ai kishte marrë pjesë edhe në një përleshje të armatosur kundër ushtrisë
jugosllave, duke u renditur kështu ndër pjesëtarët aktivë të rezistencës së
armatosur.
Gjykata,
duke u mbështetur në nenet 3 dhe 4 të Ligjit Penal Jugosllav për veprat “kundër
popullit dhe shtetit”, e shpalli fajtor dhe i shqiptoi një dënim me 3 vjet burg
të rëndë. Rasti i Kajollit ilustron mënyrën sesi regjimi i kohës e konsideronte
rezistencën e armatosur jo si akt mbrojtjeje ndaj pushtimit dhe sistemit të
imponuar politik, por si krim politik që duhej ndëshkuar rreptësishtë. Në
narrativen zyrtare, pjesëmarrja e tij në radhët e një grupi të armatosur shqiptar
shndërrohej nga një shprehje e qëndresës kombëtare në një akt “armik” ndaj
shtetit, duke e vendosur atë në pozitën e një të dënuari politik të rëndësishëm
për propagandën shtetërore dhe kontrollin shoqëror.
Muharrem
Hasani, Jatak
Muharrem
Hasani, një bujk nga fshati Komogllavë, i lindur në vitin 1889 nga prindërit
Hasan e Salë, ishte një figurë e thjeshtë e jetës rurale, i martuar dhe baba i
dy fëmijëve, pa ndonjë të kaluar penale deri në momentin e arrestimit. Ai u vu
në pranga më 19 shkurt 1947 dhe prej asaj dite u mbajt në burgun hetues, duke u
bërë objekt i një procesi të ngarkuar me akuza politike. Sipas organeve të
pushtetit jugosllav, Hasani kishte zhvilluar një aktivitet të qëndrueshëm dhe
të ndërgjegjshëm në mbështetje të grupit të Avdyl Durës, të cilin e furnizonte
rregullisht me ushqime, duke e shndërruar shtëpinë e tij në një strehë të
sigurt për të arratisurit dhe të përndjekurit politikë në atë krahinë.
Veprimtaria
e tij nuk kufizohej vetëm te ndihma materiale. Në vitin 1946, në një vend të
njohur si “Jazbina” pranë Komogllavës, Hasani mori pjesë në mbledhje të
drejtuara nga vetë Avdyl Dura dhe Dinë Hoxha, ku diskutoheshin çështje të
organizimit dhe qëllimeve të lëvizjes. Një vit më vonë, gjatë verës së 1947-ës,
ai u takua sërish – kësaj here me Ramë Bekën dhe Sadik Tushën – në po të
njëjtat hapësira periferike të fshatit. Këto takime, pavarësisht se nuk kanë
mbetur të dokumentuara me data të sakta, ishin dëshmi e vijueshmërisë së
lidhjeve të tij me elementët e rezistencës.
Motivimi
i Hasanit kishte një qëllim të qartë: të siguronte që Avdyl Dura të mos binte
në duart e policisë jugosllave dhe të mbetej i padiktuar nga organet e ndjekjes
derisa të arrinte të largohej nga territori, qoftë drejt Greqisë apo
Shqipërisë. Në sytë e tij, kjo ishte një përpjekje për mbrojtjen e shokëve të
idealit dhe një akt i natyrshëm i besnikërisë ndaj kauzës. Por, në logjikën
juridike të shtetit jugosllav të asaj kohe, këto veprime përbënin “vepra
armiqësore” që binin ndesh me rendin socialist dhe konsideroheshin krime kundër
popullit dhe shtetit.
Për
pasojë, Gjykata e Qarkut në Gjilan e gjykoi atë mbi bazën e Ligjit Penal të
Jugosllavisë, duke e cilësuar jo si një fshatar që vepronte nga ndjenja e
solidaritetit, por si një element subversiv që cenonte stabilitetin politik të
vendit. Në këtë mënyrë, figura e Muharrem Hasanit u shndërrua nga një bujk i
përkushtuar ndaj bashkëfshatarëve dhe idealit të tyre, në një të dënuar
politik, viktimë e një realiteti ku çdo gjest ndihme për të përndjekurit shihej
si akt armiqësor ndaj pushtetit.
Hajdin
Elmazi, jatak
Në
bazë të aktgjykimit të lëshuar nga Gjykata Supreme e Serbisë, i cili
sanksiononte vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Qarkut në Gjilan të datës 23
mars 1948, edhe Hajdin Elmazi, bujk nga fshati Tërstenik, u shpall fajtor dhe u
dënua. Ai akuzohej, sipas dispozitave të Kodit Penal të Jugosllavisë, se kishte
kryer një vepër penale me karakter politik, të cilësuar si veprim kundër
popullit dhe shtetit, në përputhje me nenin 3, pika 14 të atij ligji.
Sipas
aktgjykimit, Hajdin Elmazi ishte identifikuar si një prej jatakëve më të
përkushtuar të Avdyl Durës dhe grupit të tij. Në periudhën 1946–1947, ai kishte
strehuar në shtëpinë e tij anëtarët e këtij grupi ilegal, duke u siguruar atyre
kushte të sigurta për qëndrim dhe duke i furnizuar vazhdimisht me ushqime. Këto
veprime, të cilat nga autoritetet jugosllave konsideroheshin mbështetje e
drejtpërdrejtë ndaj veprimtarisë politike të dënueshme, u përdorën si bazë për
ngritjen e akuzës dhe shpalljen e fajësisë.
Për
këtë arsye, gjykata i shqiptoi Hajdin Elmazit një dënim prej një viti burg të
rëndë, duke e konsideruar këtë masë si ndëshkim proporcional me shkallën e
angazhimit të tij në mbështetjen logjistike e morale të grupit të Avdyl Durës.
Ky vendim, i inkorporuar në narrativen më të gjerë të ndjekjes së lëvizjes
ilegale shqiptare në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore, pasqyronte qasjen
represive të organeve shtetërore ndaj çdo forme të rezistencës politike dhe
solidaritetit të organizuar me veprimtarët e saj.