| E marte, 02.12.2025, 06:57 PM |
JATAKËT DHE BUNKERËT E LIRISË
PROCESI GJYQËSOR NDAJ
GRUPIT TË DYTË TË JATAKËVE TË AVDYL DURËS (24)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Më
18 mars 1948, para trupës gjykuese të Gjykatës së Qarkut në Gjilan u zhvillua
një tjetër seancë gjyqësore në vargun e gjatë të proceseve politike të asaj
periudhe. Në bankën e të akuzuarve u paraqitën dy burra nga fshatra të ndryshme
të Anamoravës, të cilët deri në atë kohë nuk kishin pasur asnjë përplasje me
ligjin, por tashmë përballeshin me akuzën e rëndë të bashkëpunimit me “armiqtë
e shtetit”.
I
pari ishte Bajrush Rashit Nuredini, 50 vjeçar, fshatar nga Biqevci, i lindur
nga babai Rashit dhe nëna Esme, e lindur Bajrami. Ai ishte analfabet dhe, deri
në momentin e arrestimit, nuk kishte qenë kurrë i dënuar. Ishte i martuar me
Hanife Nezën nga Firaja dhe kishte tre fëmijë. Familja e tij gëzonte një
gjendje ekonomike të mesme, duke jetuar kryesisht nga puna bujqësore. Bajrushi
mbahej në burgun hetues që nga 4 dhjetori 1947, duke kaluar muaj të tërë në
pritje të gjykimit.
I
dyti ishte Bexhet Salih Brahimi, bujk 58 vjeçar nga fshati Dubravë, i lindur
nga babai Salih dhe nëna Baftije, e lindur Shabani. Edhe ai ishte analfabet dhe
i pa dënuar më parë. I martuar me Naime Rizën nga Komogllava, ishte babai i
pesë fëmijëve dhe jetonte në kushte modeste. Arrestimi i tij ishte bërë po më 4
dhjetor 1947, dhe prej asaj date ai ndodhej në burgun hetues.
Të
dy këta burra, me jetë të thjeshtë fshatare, të lidhur ngushtë me tokën,
familjen dhe komunitetin e tyre, u gjendën papritur në qendër të një procesi
politik, ku gjykata nuk kërkonte thjesht të përcaktonte fajësinë mbi bazën e
provave konkrete, por të jepte një mesazh të qartë frikësimi se çdo njeri,
pavarësisht moshës, gjendjes ekonomike apo historikut të pastër penal, mund të
shndërrohej në “armik” vetëm pse kishte ofruar ndihmë ose nuk kishte denoncuar
ata që ndiqeshin nga pushteti. Në këtë mënyrë, procesi i tyre pasqyronte më
shumë logjikën e kontrollit politik sesa atë të drejtësisë së paanshme.
Gjykata
e Qarkut i shpalli të dy të pandehurit fajtorë, duke i akuzuar në bazë të nenit
3, pika 14 të Ligjit Penal Jugosllav – dispozitë e cila, në praktikë, përdorej
gjerësisht për të dënuar shqiptarët nën akuzën se kishin vepruar “kundër
popullit dhe kundër shtetit”. Kjo formulë e përgjithshme ligjore shërbente si
mjet për kriminalizimin e çdo forme kontakti, bashkëpunimi apo ndihme ndaj
atyre që pushteti i kohës i konsideronte si kundërshtarë politikë.
Sipas
akuzës, Bajrush Rashit Nuredini, gjatë vitit 1947 – pa u përcaktuar saktë data
– kishte ndihmuar Avdyl Durën me shokë duke vepruar si ndërmjetës, ose siç e
përkufizonte gjykata, “postier” mes grupit të Durës dhe të bashkëakuzuarit
Bexhet Brahimi. Përmes këtij roli, ai kishte mundësuar vendosjen e kontakteve
ndërmjet tyre dhe kishte kontribuar që Bexhet Brahimi të merrte pjesë në
mbledhjet e organizuara nga ky grup.
Në
optikën e regjimit, një veprim i tillë nuk ishte thjesht një gjest ndihmës, por
një pjesëmarrje aktive në strukturën e rezistencës ilegale. Në këtë mënyrë,
Nuredini u vendos në pozitën e “bashkëpunëtorit të drejtpërdrejtë” të lëvizjes
që sfidonte autoritetin e pushtetit, duke e bërë atë objekt të ndëshkimit politik.
Procesi i tij, si dhe ai i shumë të tjerëve të ngjashëm, ilustron mekanizmin me
të cilin drejtësia e kohës funksiononte si instrument represioni, ku provat
konkrete shpesh ishin më pak të rëndësishme sesa mundësia për të dhënë një
shembull që do të mbillte frikë në radhët e popullsisë shqiptare.
Ndërkaq,
i akuzuari i dytë, Bexhet Brahimi, paraqitej para gjykatës me një listë akuzash
edhe më të gjera, të cilat, në optikën e pushtetit të kohës, e bënin atë një
figurë të rrezikshme për rendin ekzistues. Sipas aktakuzës, gjatë viteve 1946
dhe 1947 ai kishte marrë pjesë në mënyrë të përsëritur në takimet e organizuara
nga grupi i Avdyl Durës. Në shtëpinë e tij në Komogllavë, ai kishte strehuar
shumë herë Durën me shokët e tij, duke u ofruar jo vetëm çati e mbrojtje, por
edhe ushqime e duhan, gjë që për gjykatën përbënte mbështetje logjistike të
drejtpërdrejtë për veprimtarinë e tyre.
Më
tej, akuzat specifikonin se Brahimi kishte qenë një burim i rregullt
informacioni, duke i njoftuar për lëvizjet e trupave ushtarake dhe të policisë,
me qëllim shmangien e çdo përballjeje të rrezikshme. Ai kishte marrë përsipër
ruajtjen e tyre për të mos u zbuluar dhe, herë pas here, madje edhe sigurimin e
armëve. Pjesëmarrja e tij në mbledhje nuk ishte pasive, përkundrazi, ai
përshkruhej si njeri që u jepte kurajë e forcë morale, duke i inkurajuar të
qëndronin në rezistencën e tyre për çlirimin kombëtar dhe duke u përsëritur se
“dita e çlirimit po afrohet”.
Në
narrativen e gjykatës, këto veprime e paraqisnin Brahimin si një hallkë të
domosdoshme në rrjetin mbështetës të lëvizjes ilegale shqiptare, duke e
pozicionuar jo vetëm si strehues, por edhe si nxitës aktiv të veprimtarisë së
saj. Për regjimin, ky angazhim e bënte fajësinë e tij të pakontestueshme,
ndërsa në realitet, për komunitetin e tij, veprimet e tij mishëronin virtytin
tradicional të besnikërisë ndaj atdheut dhe kauzës së lirisë. Në këtë kontrast
dramatik mes perceptimit të pushtetit dhe vlerësimit popullor qëndronte edhe
tragjedia e tij personale dhe e shumë të tjerëve të ngjashëm.
Në
përfundim të seancës së 18 marsit 1948, gjykatësi i Gjykatës së Qarkut në
Gjilan shpalli vendimin për të dy të akuzuarit, duke iu shqiptuar secilit nga
një vit burg të rëndë. Ky ishte vetëm një prej dhjetëra proceseve të asaj
periudhe, kur fushata e ndëshkimeve ndaj atyre që kishin strehuar Avdyl Durën
dhe bashkëluftëtarët e tij vazhdonte pandërprerë.