E marte, 02.12.2025, 09:38 PM (GMT)

Kulturë » Mehmeti

Hazir Mehmeti: Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu

E marte, 02.12.2025, 06:59 PM


Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu

“Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (I. Ramajli)

Nga Hazir Mehmeti

Një manifestim festiv madhështor, me rastin e Ditës së Flamurit në fshatin Garanë të komunës së Kërçovës. Me këtë rast u inaugurua shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skënderbeu në praninë e shumë qytetarëve shqiptarë nga të gjitha trojet etnike,  mërgata dhe arbëreshë nga Kalabria shoqëruar edhe nga pasardhësi i Gjergj Kastriotit, Loris Castriota Skanderbeg.

“Kur jemi bashkë, Skënderbeu zbret nga qielli”, kjo thënie nga kënga arbëreshe, u jetësua sot në Garanë.  Në këtë ambient festiv ishin të pranishëm qytetarë shqiptare, mes tyre mërgimtarë vendesh të ndryshme, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me Musa Jupollin, kryetar (Francë), Rexhep Rifati, (Zvicër), Mentor Thaqi (Gjermani), Hazir Mehmeti, (Austri).   Të bashkuar bija e bijtë e Garanës dhe Kërçovës që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Zvicër e vendor sollën në sheshin e fshatit Gjegj Kastriotin- Skënderbeun në statujë madhështore bronzi.

Gjergji solemnisht solli urimin për Ditën e Flamurit, solli shpresë dhe porosinë e tij shekujve: “Qëndroni të bashkuar, kështu edhe pa mua do të fitoni... Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.”

Garana, fshati i bukur mes kodrave, sot bëri historinë e re, si fshati i parë shqiptar që ka shtatoren e Heroit Kombëtar, Gjegj Kastrioti – Skënderbeu.  Kjo shtatore e punuar me mjeshtri nga skulptori Fiqiri Kasa,  sjell kujtimin e përjetshëm në luftën e tij për shtetin e Arbrit, sjell krenarinë kombëtare brezave që vijnë.

Kjo ditë do të kujtohet gjeneratave si ditë e madhe  për Garanën por edhe për kombin. Do kujtohet për secilin që e përjetoi ambientin e përurimit të statujës nga Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Ali Ahmeti. Ai në fjalimin e tij dha porosi të çarta mbi detyrimet kombëtare që ka secili në rrugën e progresit kombëtar, në mbrojtjen e lirisë së mohuar shekujve nga pushtuesit sllav, detyrim në kujtimin e gjakut të derdhur për liri shekujve, veçan të dëshmorëve të luftës së fundit e cila krijoi mundësi të ardhjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut në mes të shqiptarëve të zhuritur për liri.

Monumenti i Skënderbeut në bronz  është tri metra e lartë, kurse bazamenti i tij tri metra duke dhënë pamje madhor me lartësi të plotë gjashtë metra. Skulptori i cili e realizoi me shumë mjeshtri  Fiqiri Kasa, u përjetësua në artin e tij shekujve. “Ne kujtojmë për të nderuar, por edhe për të mësuar” (Ilaz Ramajli)

Nga Dr. med. Faik Elezi, kryetar i Shoqatës “Garana – Zvicër” mësuam, se kemi të bëjmë me projekt kompleks në hapësirën publike të fshatit. Solidariteti i bashkëvendësve bëri që me sukses të realizohen statuja e Gjergjit dhe objekte për rreth siç është ndërtesa e re moderne e Bashkisë në vargun e veprave të reja  nisur nga lapidari kushtuar shekullit të pavarësisë së Shqipërisë.

Ambienti festiv u pasurua me flamurin e aktivistit patriot nga Shkodra Irfan Domnori i cili është kudo e kurdo me  flamurin dhe veshjen kombëtare që e karakterizon.

Programi festiv i Ditës së Pavarësisë ishe i pasuruar me aktivitete muzikore dhe një akademi të shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, ideuar dhe drejtuar nga Profesor Sadik Emroja. Me kumtesa rasti u paraqiten: Akademik Frashër Demaj, Akademik Ilmi Veliu, Dr. Faik Elezi, Agim Pepaj dhe Hazir Mehmeti. Fjalë  përshëndetëse mbajtën  Loris Castriota Skanderbegh Nuovo, pasardhës i Skënderbeut:  “Duam t’u tregojmë maqedonasve që jemi autoktonë dhe kemi historinë tonë.”  Paola Napolitano, soliste dhe aktiviste arbëreshe dhe pjesëmarrës nga trevat shqiptare dhe mërgata, Rexhep Rifati, profesor,  Gjergj Prenkoçaj, veprimtar i dalluar nga Zvicër;  Dr. Ornela Radovicka, drejtuese e Bibliotekës dhe Arkivit “At Antonio Belushi”, Frasnitë; Musa Jupolli, Kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Mentor Thaqi, sekretar i LKSHM etj.

Takimi me Kurtish Kurtishin një mikpritës shumë i përzemërt në Goranë do mbetet gjatë në kujtesën tonë.

Ky aktivitet historik tregon se shqiptarët vazhdojnë të promovojnë dhe ruajnë identitetin e tyre kombëtar brezave që vijnë. Do ta pasurojnë lirinë e tyre dhe ruajnë brezave si të shenjtë.

Urime Garanë!

Urime shqiptari kudo që frymoni!

H. Mehmeti, R. Rifati, I. Domnori, F. Elezi -  28.11.2025



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx