| E hene, 01.12.2025, 06:55 PM |

FESTA E LIBRIT SHQIP
NË NEW YORK…
Nga Visar Zhiti
Bashkë
me Festën e Flamurit dhe ajo e Librit, se libri është dhe flamur ashtu si
flamuri që është dhe libër, - po mendoja.
Për
herë të parë në New York “Festa e Librit Shqip, që ngriti siparin me një
ceremoni madhështore në Qendrën Kulturore ‘Nënë Tereza’ të Kishës Katolike
‘Zoja e Shkodrës’, - shkruan gazetari Sokol Paja në gazetën ‘Dielli’, - marrin
pjesë 26 shtëpi botuese, 230 autorë shqiptarë dhe mbi 3 mijë libra… - vazhdon
ai, - ngjarje e jashtëzakonshme kulturore dhe atdhetare… Dom Pjetë Popaj bekoi
krijimin e kësaj traditë për komunitetin shqiptar në Amerikë”.
Botuesi i njohur i ‘Onufri’-t në Tiranë, Bujar Hudhri do të theksonte “nevojën dhe domosdoshmërinë që librat më të mirë klasikë e modernë të jenë të aksesueshëm për çdo lexues, ku për shkak të emigrimit, shqiptarët që lexojnë, kanë ikur… dhe libri duhet të mbërrijë kudo ku ka shqiptarë…ndërsa kontributori kryesor i festivalit të librit ‘Albanian BookFest’, Dr. Pashko Camaj, rrëfeu detaje të kristalizimit të idesë bashkë me Bujar Hudhrin që shqiptarët e Amerikës të kenë një festë libri si ngjarje kulturore mbarëkombëtarë që bashkon shqiptarët e mërguar përmes librit…Një pjesë shumë e rëndësishme e festivalit të librit ishte bashkëbisedimi i tyre si dhe i protagonistëve Frank Shkreli, Frano Kulli etj, rreth raportit që krijon libri me lexuesin në kuadër të zhvillimeve teknologjike e shoqërore, kriza e leximit dhe sfidat e autorëve, e shtëpive botuese… rëndësia e librit shqip në Amerikë”, etj, etj.
Një
ogur i mirë
që
erdhi bashkë me Flamurin në ditën e tij, - them unë. Urojmë t’u prijë ditëve të leximit vazhdimisht e gjithmonë.
Libri është dhe atdhe dhe kujtesë e tij dhe pavarësisht formave që merr në
kohët dixhitale dhe të AI, do ta prijë të ardhmen si dritë e mendimit dhe e
shpirtit njerëzor. Besoj!…
Shoh
imazhe nga Festa e Librit në New York, stenda e flamuj… miq dhe libra si duar
miqsh. Nëpër to ka dhe parathënie të miat si shtrëngime duarsh, po ja, edhe
libra të mi… i pranishëm dhe unë në takimin e madh…













