Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Valentina Dafa: Refleksion mbi romanin “Lotët e një gruaje” të autores Blerina Pëllumbi

| E premte, 28.11.2025, 06:55 PM |


REFLEKSION MBI ROMANIN “LOTËT E NJË GRUAJE” TË AUTORES BLERINA PËLLUMBI (autor finalist e vitit 2025)

Nga Valentina DAFA, Fier

Romani dhe autorja, që u vlerësua për guximin me të cilin përcjell realitetin e lakuriqtë, duhet të trondisë në ndërgjegje qeniet njerëzore anembanë botës për të reflektuar edhe mbi një pikëz loti, lotë që mbart gjithcka është njeriu. Ky roman nuk është vetëm fryma e një epoke tranzite, po është roman i gjithëkohësisë, përderisa aty janë lotët e një gruaje, bije dhe nëne.

Ky libër është klithmë njerëzore, është protestë për të thyer tabu, për t`i thënë stop dhunës ndaj femrës në familje e kudo qoftë ajo, për t`i treguar gjithë kombeve se në asnjë moment nuk duhet të shfrytëzojnë për interesa personale prurjet e lëvizjeve të emigrantëve, masat e uritura të rrethanave që dinë të sfidojnë me dinjtet në emër të dashurisë, të familjes, të jetës.

Autorja në roman ndjek intesitetin e linjës së veprimit, pulsin e përplasjeve, rrëzimet e ngritjet, furtunat e dhimbjeve për të ndërtuar një strukturë kockore të krijimt të saj, por në të njëjtën kohë (vetdijshëm apo pavetdijshëm) skalit figurën e gruas jo vetëm si qenie që ngjiz jetën, po si eshtër e fortë, si kolonë vertebrale e vet jetës.

Emotivja që gërthen shpirtin e lotët e Deas (personazhit kryesor), s`ka të bëjë me vendin, kohën, prevalenca ndijore është ndërgjegja, shpirtërorja. Vetsakrifikimi i gruas ndihet në cdo moment, lufta e vazhdueshme e mbijetesës, dashuria dhe ruajtja e institucionit të familjes janë tregues të një tradite që individi i mbart me vete kudo që shkon, për të treguar vlerat e një tradite edukimi familjar e më gjerë, të një kulture që nuk mund të zbehet apo të humbasë, pavarësisht lëvizjes demografike, emigrimit.

Progresi dhe integrimi i njeriut në atë përzirje racash e shijesh mbetet për Dean, në skaje të heshtjes dhe dhimbjes, në mohim të vetvetes, duke ruajtur identitetin & dinjitetin që karakterizon femrën unike shqiptare në trazicionin e madh të sistemit dhe shoqërisë, femrës së papërkulur që s`di të ndalet në luftrat e mëdha dhe të papriturat që i sjell fati.

Ndërthurja e jetës së individëve me disnivel arsimor lë vend për të reflektuar, lidhje të tilla nuk kanë jetëgjatësi sepse nuk kanë forcën e duhur të ecjes në një hap, sepse nuk mund të bëhen një mendje, një shpirt, një sakrificë për të përballuar luftra të mëdha, jeta e individëve të tillë nuk mund të gërshetohet e mplekset bukur, se mentalitetet, paragjykimet depërtojnë dhe nuk mund të zhduken vetëm nga ndjenja e brishtë e dashurisë. Dhuna dhe bullizmi mbeten aty me trajta e forma të ndryshme, duke mos i lënë hapësirë harmonizimit të lirisë së mendimit e të veprimit, harmonizimit që sjell paqen. Emancipimit, integrimit i duhet tjetër linjë, tjetër rrugë.

Lexuesi përjeton përzierje lotësh e ndjenjash, duke përjetuar episode nga jeta e vet, apo e të afërmve të vet, kjo do të thotë që autorja ka bërë gjetjen e duhur për të na e servirur krijimin e saj përmes një rrëfimi të sinqertë pa e zbukuruar fushën leksikore, duke e ruajtur  ashtu të brishtë si vetë zanafilla e lotëve, si vetë dashuria, si vetë shpirti.

Paralelizmat janë pjesë e monologut që ngërthen shpirtin, që godet, përplas  e sfidon. Këta monologë janë të shpeshtë në roman, ashtu si janë të shpeshta dallgëzimet e rënieve dhe ngritjeve gjatë vrapimit e rezistencës së personazhit kryesor, gjatë uljeve dhe ngritjeve të fluturimit të pulëbardhës, simbolit me të cilin autorja nis e përfundon romanin e saj.

Libri përcjellë vlera, e bën individin të mendohet dhe të reflektojë në cilëndo situatë që autorja ka përshkruar deri në momentin e mesazhit final, se njeriu gjithmonë ka një motiv për të ecur përpara, për të jetuar…….. jeta gjithkujt i rezervon dicka të bukur, një shkëndijë që njeriu duhet ta kthejë në dritë për të ardhmen.