| E enjte, 27.11.2025, 06:53 PM |
Shqiptarët e Kosovës në Arkivat e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane – CIA-s
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Shtetet
e Bashkuara të Amerikës nën udhëheqjen e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës
Amerikane (CIA-s), ndër epokë dhe vite e vite kanë përcjellë me vëmendje të
veçantë zhvillimet politike dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në hapësirat
e Ballkanit perëndimor, veçanërisht në territoret shqiptare nën administrimin e
komunisteve jugosllav. Në fokus të inteligjencës amerikane ka qenë vazhdimisht
edhe rrjedhja e informacionit të klasifikuar që lidhej me planet dhe veprimet e
aparatit represiv të Jugosllavisë komuniste ndaj shqiptarëve (përfshirë edhe
klerikë të lartë të Kishës Katolike në Kosovë), burgosje masive, tortura
sistematike, spastrime etnike të heshtura dhe fushata hakmarrëse të orkestruara
nga strukturat shtetërore komuniste serbo-jugosllave. Dokumentet e burimeve të
Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane-CIA-s tregojnë qartë se Shtetet e
Bashkuara jo vetëm ishin të informuara për tragjedinë shqiptare, por edhe se e
konsideronin situatën në Kosovë si një shqetësim serioz të sigurisë rajonale.
Në
një nga këto dokumente, të datës 7 janar 1953, i cili përbëhet nga 33 faqe, në
faqen 1 dhe pikën 2 paraqiten të dhëna të rëndësishme historike e politike, të
cilat hedhin dritë mbi rrënjët e padrejtësive ndaj shqiptarëve. Në këtë
dokument thuhet se: "Në kohën kur u vendosën kufijtë e Shqipërisë nga
Konferenca e Londrës në vitin 1913, Kosova iu dha Serbisë. Shumë kosovarë dhe
shqiptarë të tjerë që jetonin në territoret e sapopushtuara nga Serbia kërkuan
strehë në Shqipëri. Këta të zhvendosur u vendosën në Fushë-Krujë, Mamurras,
Fushë e Mbretit (Elbasan), Myzeqe, dhe në zona të tjera të vendit. Të tjerë u
dëbuan me forcë nga autoritetet serbe. Në mesin e tyre kishte edhe shumë
personalitete të njohura, ndër të cilët familja Bllaca si dhe një numër i madh
klerikësh të lartë të Kishës Katolike. Ndër ata që arritën të shpëtonin jetën
duke ikur në Shqipëri në vitin 1929, ishin: At' Shtjefën Kurti, At' Gjon
Biçaku, At' Mikel Shala. Në atë kohë, qeveria shqiptare i dërgoi Lidhjes së
Kombeve një protestë të ashpër lidhur me vrasjen e At Shtjefën Gjeçovit, një
nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare. Vrasja e tij përshkruhet
gjerësisht në një libër të botuar në Tiranë në vitin 1943 nga doktori Vasi
Samimi".
Këto
dëshmi arkivore të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës Amerikane-CIA-s, jo
vetëm sjellin fakte të pamohueshme për tragjedinë e shqiptarëve të Kosovës në
dekada të ndryshme, por edhe tregojnë se vuajtjet, dhuna, shpërnguljet dhe
padrejtësitë e kryera ndaj tyre kanë qenë të njohura dhe të monitoruara nga
institucionet më të larta të inteligjencës Amerikane. Historia e dhimbshme e këtij
populli është përcjellut dhe regjistruar me kujdes në dokumente sekrete, të
cilat sot shërbejnë si dëshmi të fuqishme të Golgotës shqiptare në Ballkan.
Klinë, më 26 nëntor 2025