| E enjte, 27.11.2025, 06:52 PM |
Prirje e natyrshme e Gani Azemit ndaj historisë, shërbeu si themel i angazhimit të mëvonshëm politik dhe shoqëror për pavarësinë e Republikës së Kosovës
Nga
Hysen Ibrahimi
Në
lagjen Dragodan të Komunës së Prishtinës, më 25 nëntor 2025, u zhvilluan
homazhe me rastin e 13-vjetorit të ndarjes nga jeta të diplomatit Gani Azemi.
Në emër të delegacionit pjesëmarrës, z. Hysen Ibrahimi vendosi lule të freskëta
mbi varrin e tij dhe propozoi që të nderohej kujtimi i Azemit me një minutë
heshtje. Pas këtij momenti përkujtimor, z. Ibrahimi mbajti një fjalë rasti
kushtuar jetës dhe veprës së diplomatit të ndjerë.
Në
fjalimin e tij, z. Ibrahimi theksoi se Gani Azemi, me prejardhje nga fshati
Babush, Komuna e Lipjanit, ka qenë dhe mbetet një figurë me rëndësi të veçantë
historike dhe shoqërore për popullin shqiptar. Ai vuri në dukje se dëftesat
shkollore të Azemit, veçanërisht rezultatet e larta në lëndën e historisë,
dëshmojnë për një formim të hershëm të orientuar drejt dijes historike dhe
idealeve kombëtare.
Sipas
z. Ibrahimit, kjo prirje e natyrshme e Gani Azemit ndaj historisë shërbeu si
themel i angazhimit të mëvonshëm politik dhe shoqëror për pavarësinë e
Republikës së Kosovës. Ai u shqua si njohës i thelluar i historiografisë
shqiptare, të cilën e prezantoi me kompetencë në takimet me deputetë të
Bashkimit Evropian. Në këto diskutime, Azemi argumentoi origjinën
pellazgo–ilire të shqiptarëve dhe vuri në pah kontributin historik të figurave
madhore si Gjergj Kastrioti–Skënderbeu dhe Shën Nëna Terezë, të cilët kanë luajtur
rol të rëndësishëm në historinë evropiane e botërore.
Gani
Azemi u dallua gjithashtu për stilin e tij komunikues dhe aftësinë për të
debatuar me përfaqësues të huaj. Ai zotëronte një bagazh të gjerë njohurish,
ishte i lexuar, i informuar dhe shquhej për qasjen e tij të afërt dhe
respektuese ndaj bashkëbiseduesve. Një takim me të shpesh mjaftonte për të
krijuar një miqësi të qëndrueshme.
Me
argumentime të strukturuara dhe të mbështetura mirë, Azemi kontribuoi në
ekspozimin e politikave hegjemoniste dhe fashiste të Serbisë, duke forcuar
pozitën dhe të drejtat e shqiptarëve në arenën ndërkombëtare, sidomos në
institucionet e Bashkimit Evropian në Bruksel. Atje, ai ishte aktiv në
diplomaci, lobim ndërkombëtar dhe komunikim me median, duke përfaqësuar çështjen
kosovare në instanca evropiane. Në vitet e fundit të jetës së tij, shërbeu si
këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.
Gani
Azemi lindi më 30 korrik 1951 dhe u nda nga jeta më 25 nëntor 2012. "I
përjetshëm qoftë kujtimi për Gani Azemin dhe veprën e tij", përfundoi
fjalën e tij z. Hysen Ibrahimi.
Hysen Ibrahimi, Prishtinë, 25.11.2025





