Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nexhmije Mehmetaj: Gjenevë - Festë madhështore për Ditën e Flamurit

| E merkure, 26.11.2025, 06:59 PM |


Gjenevë: Festë madhështore për Ditën e Flamurit me mbi 1 100 pjesëmarrës

Nga Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 22 nëntor 2025 – Në sallën “Salle des Fêtes des Avanchets” në Vernier (Gjenevë) u mbajt një ndër manifestimet më të mëdha të mërgatës shqiptare në Zvicër, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Pjesëmarrja ishte e jashtëzakonshme: mbi 1 100 pjesëmarrës të të gjitha moshave, prindër, nxënës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave kulturore e sportive.

Organizatorë të festës ishin shoqatat: LAPSH “Naim Frashëri”, Komuniteti Shqiptar, Ansambli “Gëzuar”, Rinia Contact, FC Kosova, Shoqata Zhegra dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë, të cilat për vite me radhë mbajnë gjallë traditat e komunitetit.

Diplomatët shqiptarë dhe autoritetet zvicerane nderojnë manifestimin

Festa u nderua nga përfaqësues diplomatikë të Republikës së Kosovës:

- Z. Mentor Latifi, Ambasador i Republikës së Kosovës në - Zvicër

- Znj. Floreta Kabashi, Konsulle e Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Nga autoritetet zvicerane morën pjesë:

- Thierry Apotheloz, Kryetar i Qeverisë së Kantonit të Gjenevës

- Anne Kleiner, Kryetare e Komunës Onex

- Martin Staub, Kryetar i Komunës Vernier

Mathias Buschbeck, Drejtor komunal i Vernier

- Philippe Rochetin, Drejtor komunal i Komunës Plan-les-Ouates

Prania e tyre vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar në jetën shoqërore të Kantonit të Gjenevës.

Fëmijët e shkollës shqipe hapin programin

Programi u prezantua nga studentët Dhurata Zeneli dhe Valton Hyseni, të cilët, me një shqipe të pastër e të rrjedhshme, dhanë tonin solemn të mbrëmjes.

Më pas, skena iu dha nxënësve të shkollës shqipe të Gjenevës. Himni i Flamurit, i interpretuar prej tyre, emocionoi të pranishmit. Nga 260 fëmijë sa ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Gjenevë, rreth 40 prej tyre ishin pjesë e programit. Ata kënduan e recituan për Shqipërinë, për flamurin, për atdheun – duke dëshmuar se trashëgimia shpirtërore mbetet e gjallë edhe larg vendlindjes. Programi shkollor u prezantua nga nxënëset e mrekullueshme Mjalta Kryeziu dhe Hareja Haxhiu. Pjesa shkollore u përgatit nga mësueset: Lumnije Emini, Brikena Osmani, Hana Bilalli, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu. Për punën e tyre të palodhur, meritojnë mirënjohje të veçantë.

Mesazhe urimi dhe program i pasur artistik

Në emër të Këshillit Organizativ, Mejreme dhe Anisa Ibrahimi përshëndetën të pranishmit.
Kulmin e mbrëmjes e dha fjala përshëndetëse e Ambasadorit Mentor Latifi, i cili theksoi rëndësinë historike të 28 Nëntorit, ruajtjen e gjuhës shqipe dhe integrimin e mërgatës në shoqërinë zvicerane. Fjalimi i tij u prit me respekt dhe emocione!

Programi artistik vijoi me valle nga “Rinia Contact”, një shoqatë me traditë 28 vjeçare. Nën koreografinë e mjeshtrit prizrenas Gëzim Sërtollaj, u interpretuan “Vallja e Bilbilit”, “Motiv Tropoje”, “Vallja e Vashave” dhe premiera “Vallja e Zambakut”, të cilat u pritën me duartrokitje të gjata.

Në skenë performuan edhe Ansambli “Gëzuar” valltaret dhe valltarët sollën një energji të fuqishme me vallet e tyre përgatitur me përkushtim, duke e mbushur sallën me ritme tradicionale dhe atmosferë të këndshme festive.

Pas tyre, grupi “Hareja” sjell një dimension tjetër artistik shumë emocional dhe me interpretim të përsosur, të përkushtuar dhe pjesë koreografike që i dhanë mbrëmjes një shkëlqim të veçantë.

Mirënjohje për studentët shqiptarë të diplomuar

Një pjesë e veçantë e mbrëmjes ishte ndarja e mirënjohjeve për studentët shqiptarë të diplomuar gjatë këtij viti, për Klubin e futbollit FC Kosova-Gjenevë, fitoj kupën e Klubeve Shqiptare në Evropë, mbajtur në Dyseldorf dhe Ansamblit “Gëzuar” që ishte fitues në Festivalin Folklorik Mbarëkombëtar në Lausane. Mirënjohjet u dhanë nga kryetari i Komunitetit Shqiptar, z. Nasuf Nuhiu.
U nderuan me mirënjohje: Fitore Ibrahimi, Blerinë Fazliu, Donit Selimi, Antigona Sadiku, Puhiza Shala, Vanesa Lika, Mirlinda Sylejmani dhe Valon Kurteshi.

Programi u mbyll me këngëtaren e dashur Shqipe Abazi, e cila solli atmosferë festive deri në orët e vona.

Mbrëmja përfundoi me mikpritjen tradicionale shqiptare

Pas programit, të pranishmit u shërbyen me gatime tradicionale shqiptare, ndërsa bisedat, urimet dhe gëzimi i përbashkët krijuan atmosferën e një feste të mirëfilltë familjare dhe rinore.

Manifestimi i 28 Nëntorit 2025 në Gjenevë u vlerësua si ndër festimet më të bukura dhe më të organizuara të komunitetit shqiptar në Zvicër, duke lënë mbresa të forta tek të gjithë pjesëmarrësit.

Nexhmije Mehmetaj

Gjenevë, 24, 11. 2025