| E diele, 23.11.2025, 06:57 PM |

Klina nderon firmëtarin e aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, atdhetarin, poetin, publicistin Luigj Gurakuqi, njërin nga burrat më të mëdhenj të kombit
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Për
figurën madhore të historisë sonë kombëtare, Luigj Gurakuqin, ndër vite kanë
shkruar historianë, studiues e hulumtues të shumtë vendorë e ndërkombëtarë. Ata
kanë ndriçuar me profesionalizëm aktivitetin e tij të gjerë atdhetar, politik,
poetik, arsimor dhe publicistik, duke e vendosur këtë figurë poliedrike në
panteonin e burrave më të shquar të kombit shqiptar. Megjithatë, çdo përvjetor
i jetës dhe i vrasjes së tij sjell një arsye të re për reflektim dhe nderim,
sepse vepra e tij për shqiptarët mbetet gjithmonë aktuale, frymëzuese dhe e
pashtershme në vlerë.
Këtë
traditë e vazhdoi edhe Forumi i Intelektualëve "Luigj Gurakuqi", i
cili për 35 vjet me radhë ka zhvilluar veprimtari të rëndësishme kulturore e
shkencore. Sivjet, në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe
Gjimnazin "Luigj Gurakuqi", u organizua një Akademi Përkujtimore solemne
për të shënuar 100-vjetorin e vrasjes së këtij atdhetari të pavdekshëm.
Manifestimi u mbajt në kuadër të traditës kulturore të qytetit të Klinës.
Akademia
Përkujtimore e organizuar në Asamblenë Komunale të Klinës, u hap nga avokati
dhe moderatori Lon Palushaj, i cili në prani të një audience të gjerë theksoi
se nderimi i Luigj Gurakuqit është nderim për identitetin dhe historinë tonë të
përbashkët.
Në
sallë ishin të pranishëm: nënkryetarja e Komunës, znj. Marqe Tanushi-Selmani,
përfaqësuesi i Drejtorisë së Arsimit, z. Astrit Muhaxheri, Drejtori i Gjimnazit
"Luigj Gurakuqi", z. Skënder Maxharaj, disa nga ish-delegatët e
Kuvendit të parë të Forumit të Intelektualëve "Luigj Gurakuqi",
ish-drejtorë dhe ish-profesorë të Gjimnazit; shkrimtarë, intelektualë,
studiues, klerikë, mësimdhënës, nxënës të shumtë dhe qytetarë të tjerë, si dhe
përfaqësues të mediave prestigjioze rajonale e kombëtare, "Radio
Alba" nga Klina. Atmosfera solemne u ndje qysh në fillim, duke reflektuar
peshën historike të këtij përvjetori.
Programi
vijoi me fjalimet përshëndetëse, duke filluar me nënkryetaren e Komunës e cila
theksoi madhështinë e figurës së Luigj Gurakuqit si mendimtar, atdhetar dhe
burrë shteti, duke nënvizuar se kontributi i tij në arsimin, pavarësinë dhe
identitetin kombëtar mbetet një dritë e pashuar që vazhdon të frymëzojë brezat,
edhe një shekull pas vrasjes së tij.
Në
fjalën e tij, Kryetari i Forumit të Intelektualëve Luigj Gurakuqi, prof. Pal
Canaj theksoi se kjo Akademi Përkujtimore është një homazh i merituar për
figurën madhore të Luigj Gurakuqit, simbol i arsimimit, kulturës dhe
atdhetarisë shqiptare. Ai rikujtoi rrugëtimin 35-vjeçar të Forumit të
Intelektualëve "Luigj Gurakuqi" në ruajtjen e identitetit kombëtar,
si dhe rolin e Klinës në mbrojtjen e vlerave shqiptare gjatë periudhave më të
vështira, duke nderuar mësimdhënësit, nxënësit dhe patriotët që qëndruan në
mbrojtje të emrit dhe veprës së Gurakuqit.
Z.
Astrit Muhaxheri foli në emër të Drejtorit Komunal të Arsimit, z. QemajlSejdiu
i cili tha se Luigj Gurakuqi ishte një personalitet që me veprën e tij i dha
dritë arsimit dhe identitetit kombëtar. Ai shtoi se shkollat e Klinës vazhdojnë
të frymëzohen nga ideali i tij arsimdashës dhe atdhetar.
Ndërsa
drejtori i Gjimnazit "Luigj Gurakuqi", z. Skënder Maxharaj, theksoi
rëndësinë edukative dhe formuese që përfaqëson figura e Gurakuqit për brezat e
rinj. Ai foli po ashtu për historikun e gjimnazit që me krenari e mban emrin e
tij qysh nga fillimvitet '60, duke nënvizuar se ky institucion arsimor është
rritur dhe zhvilluar i frymëzuar nga ideali i dijes, atdhedashurisë dhe
përkushtimit që mishëronte vetë Gurakuqi.
Të
pranishmit me një fjalë rasti u përshëndetën edhe nga don Fran Sopi. Në fjalën
e tij në këtë Akademi Përkujtimore, Don Frana theksoi madhështinë e figurës së
Luigj Gurakuqit si poet, mendimtar, atdhetar dhe shërbestar i palodhur i
kombit. Ai e paraqiti Gurakuqin si dritë të atdheut, njeri të dijes dhe të së
vërtetës, që punoi me vetmohim për gjuhën shqipe, arsimin dhe pavarësinë e
vendit. Në këtë 100-vjetor, Don Frana nënvizoi se jeta dhe martirizimi i
Gurakuqit mbeten një thirrje e përhershme për intelektualët dhe gjithë popullin
qê ti ruajnë vlerat kombëtare, të
ndriçojnë me dije dhe ta duan atdheun me shpirt.
Akademia
u pasurua me një recitim poetik me titull "Qëndresa", interpretuar
nga Altina Mrijaj, nxënëse e Gjimnazit "Luigj Gurakuqi", si dhe me dy
pika tjera muzikore të interpretuara nga nxënës të po këtij gjimnazi, të cilët
shtuan emocion dhe solemnitet përmes këngëve kushtuar atdheut dhe figurave
kombëtare. Momente të veçanta ishin paraqitjet e tyre veq e veq t? nxënëseve
Klejda Bashota dhe Erëza Desku.
Pjesë
qendrore e kësaj Akademie ishin kumtesat e studiuesve të njohur kombëtarë:
1.
Prof. Dr. Gjon Berisha – "Bashkëpunimi i Luigj Gurakuqit me Imzot Luigj
Bumçin".
2.
Prof. Prend Buzhala është paraqitur me një qasje letrare-publicistike mbi
figurën e atdhetarit, poetit dhe publicistit Luigj Gurakuqi dhe vlerat e tija
shumëdimensionale.
3.
Prof. Arben Limani – me një vlerësim të mendimit atdhetar, vizionit politik dhe
historik të Gurakuqit për shtetin shqiptar.
4.
Prof. Mikel Gojani, me kumtesën "Luigj Gurakuqi – frymëzues dhe mishërues
i arsimdashësve klinas", paraqiti Gurakuqin si figurë të ndritshme të
arsimit dhe atdhedashurisë shqiptare, duke e lidhur fuqimisht veprimtarinë e
tij me zhvillimin arsimor të Klinës. Ai theksoi se trashëgimia e Gurakuqit
mbetet burim frymëzimi për brezat, sepse ai mishëron bindjen se përparimi i
kombit ndërtohet mbi dritën e dijes dhe vetëdijen kombëtare.
Këto
kumtesa e trajtuan Gurakuqin jo vetëm si figurë historike, por edhe si ideator
të frymës së përparimit dhe rilindjes shqiptare.
Në
përmbyllje të programit, në emër të Forumit të Intelektualëve moderatori Lon
Palushaj shprehu falënderime të veçanta për:
–
Drejtorinë Komunale të Arsimit
–
Gjimnazin "Luigj Gurakuqi"
–
Referuesit e kumtesave
–
Shoqatën "Kosova" në Detroit dhe kryetarin e saj, z. Driton Palushaj
–
Dr. Ukë Berishën, për mbështetjen e çmuar
–
Si dhe të gjithë të pranishmit në këtë manifestim
Pas
ceremonisë, pjesëmarrësit u drejtuan në oborrin e gjimnazit për të vendosur
buqeta lulesh pranë bustit të Luigj Gurakuqit. Homazhet u kryen nga
institucionet komunale, Forumi i Intelektualëve dhe qytetarë të tjerë të
shumtë.
Akademia
u përmbyll me një fotografi të përbashkët dhe një koktel rasti në bufenë e
Komunës së Klinës.
Në
fund të kêsaj kronike ditore theksojmë se kjo Akademi Përkujtimore ishte shumë
më tepër se një ceremoni dhe ishte një manifestim i kujtesës sonë historike,
një homazh për një figurë që jetoi dhe u flijua për Shqipërinë. Klina dhe
Forumi I Intelektualëve Luigj Gurakuqi përmes këtij aktiviteti dinjitoz,
dëshmoi se trashëgimia e këtij atdhetari, poeti, publicisti vazhdon të jetë e
gjallë, ndriçuese dhe udhërrëfyese për brezat e sotëm dhe brezat tjerë qe do të
vijnë.











