| E shtune, 22.11.2025, 06:56 PM |
Ndue Ukaj:
Hyrja
në civilizim është shumë e vështirë, kurse rënia në barbari shumë e lehtë,
thotë diku shkrimtari mendjendritur, Mario Vargas Llosa, i cili, kur thoshte
këtë, përmende pikërisht krizat e vendeve tona.
Kosova
sot ka humbë esencën e identitetit të vet, tolerancën, si dhe përcaktimin
natyral për orientim perëndimor, duke i
zëvendësuar këto vlera sublime, me fanatizmin si mendësi politike dhe
injorancën neveritëse, si përmbajtje politike.
Dhe
nuk ka më tragjike se të shohësh vendin tënd si zymtohet, përditë, si vlerat
kthehen kryengul dhe kudo lulëzon egërsia, si ajri e smogu i vjeshtës së rëndë.
Se
vërtetë, ajri më i rëndë për një organizëm njerëzor, pra për një shoqëri, janë
idetë e këqija, që e shkrumbojnë atë, siç kanë filluar ta shkrumbojnë të
tashmën e Kosovës në emër të dokrrave patriotike.
Dhe
tani kur jemi afër fundvitit 2025, dhe kthejmë kryet prapa, e shohim si në
dritë të diellit se ky vit, në historinë e Kosovës, do të mbahet mend, si vit i
egërsisë dhe primitivizmit, pra vit i mbrapshtë, në kuptimin më negativ të
fjalës. Një vit, në të cilin, Kosova u kthye kryengul, e në cilin vit, turmat e
tërbuara politike, ngjashëm me ato çetat e banditëve të pellgut otoman të
Shqipërisë së pas pavarësisë së 1912, luftonin me mish e me shpirt, ta
shkëputnin edhe njëherë Shqipërinë prej Europës.
Këtë
vit kam parë e përjetuar një energji të tillë, kudo, dhe një heshtje të
frikshme përballë këtij hovi shkatërrimtar.
Pra,
ky vit i mbrapshtë, në historinë e Kosovës, shënon vitin e ngadhënjimin të
frikshëm të mendësisë jo perëndimore, mendësi kjo e fermentuar nga trashëgimitë
otomane e komuniste, që urrejnë vlerat sublime perëndimore, mbi bazë të cilave
është formuar shteti i Kosovës.
Po,
këtë vit, vendi ynë është larguar prej Europës, dhe jo vetëm prej saj, këtë
vit, vendi ynë e ka humbur esencën e identitetit të vet, dhe jam i bindur se
duhet vite e vite për t’u kthyer në normalitet.
Dhe
më e keqja, ky vit, na kujton sa lehtë shoqëritë rrëshqasin në barbari, kur
njerëzit nisin të abuzojnë me lirinë e tyre, duke madhëruar udhëheqës koti e
duke u përkul përpara tyre si përpara të shenjtëve.
Po,
është tragjike ta kuptosh se vendin tënd askush në botën normale s’e kupton, ta
shish të vetmuar, sepse ai sjelljet i ka të këqija e të pa emancipuara - sepse,
mes deklarimeve epshmëdhaja të udhëheqësve tanë për shkëlqim ekonomik e vlera
demokratike dhe realiteteve jo demokratike e ekonomike, është një humnerë, po,
një humnerë që nuk mund të kalohet lehtë.
Kosova,
e ka shkatërruar motorin kryesor të demokracisë, dialogun, prandaj kudo shihet
një egërsi e paparë.
Më
qartë, këtë motor ka shkatërrur pushteti fanatik.
Dhe
një shoqëri që nuk di të bëjë dialog, rrezikon të bëhet barbare, dhe për këtë,
ka prova universale e lokale, sa të duam. Mjafton ta thërrasim pak mendjen e ta
futim në punë logjikën.
Ka
kohë, që kur e shoh Kosovën time të ngulfatur nga injoranca e keqdashësia, e
shosh në tragjizmin e fjalisë së Llosës, e shoh të humbur, një vend që ka humbë
esencën e identitetit të vet, politik, por jo vetëm, përditë e më shumë më
duket se po e humb edhe esencën e identitetit të vet civilizues, duke u
egërsuar, dhe e ndiej frikshëm paralajmërimin e Llosas tek shoh sa pak
civilizim ka mbetë, këtu, ku egërsia shfaq fytyrën dhe kthetra e saj të
shëmtuara, e shoh përditë, këtu, ku një harbim i frikshëm marshon përpara, një
harbim që ushqehet me instinktet bazike të turmave të nxitura nga urrejtja, dhe
të një pseudo elite të shurdhuar e memece, që strukët, ose që emocionet e
turmave i mirëkupton, i lejon ose i kthen në standarde shoqërore.
Kjo
është tragjike dhe shenjë paralajmëruese rreziku, për një rënie në barbari.
Sot,
në Kosovë dominon një gjuhë e cekët dhe krejt sipërfaqësore, që ka shtrirë
pushtetin mizor dhe po e gërryen një shoqëri, në emër të disa parullave të
gërditshme, për gjoja dinjitet, integritet, sovranitet e formulime të tilla
bajate, që të kujtojnë ideologjinë e përdalë komuniste, që njerëzimit i ka
shkaktuar dhunë, brutalitet, varfri dhe tragjedi.
Thjesht,
po ta kujtonim sot Faik Konicën dhe po ta aktualizonim pyetjen e tij të
frikshme “si na sheh Europa?”, nuk do to të mund t’i hiqnim gati asnjë fjalë asaj
që thoshte ky erudit para më shumë se një shekulli, po, Europa sot na shesh si
një pështjelli të paqytetëruar, ku sundon injoranca e arroganca, e ku, mes
retorikës demokratike dhe sjelljeve jo demokratike, është një humnerë.
Dhe
në këtë fundvit, ngulfatës, me smog mendor e politik, po nuk i hapëm dritaret
për ajrosje, dhe po nuk u ngimë me oksigjenin e demokracisë perëndimore, druaj
se viti i tjetër do të jetë realizim i kobshëm i paralajmërimit të Llosës.
Fundja,
ne e kemi mësuar nga historia dhe e dimë se krimet dhe padrejtësitë më të mëdha
në historinë njerëzore kurrë nuk janë kryer nga bandat ordinere, por nga bandat
politike, të cilat janë të egra, të korruptuara, rrënimtare e përçarëse në të
gjitha pikëpamjet. Prandaj është koha ta pastrojmë shikimin, e të shohim ku
jemi katandisë dhe çfarë mendësie e shëmtuar e udhëheq vendin tonë.