Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sadbere Emshiu: Mikpritja institucionale, arsimi shqiptar dhe lidhja e padukshme që mban bashkë diasporën dhe vendin e prejardhjes

| E shtune, 22.11.2025, 06:59 PM |


MIKPRITJA INSTITUCIONALE, ARSIMI SHQIPTAR DHE LIDHJA E PADUKSHME QË MBAN BASHKË DIASPORËN DHE VENDIN E PREJARDHJES

Ese reflektuese për historikun, përvojën dhe sfidat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Gjermaninë Veriore

Nga Sadbere Emshiu – Hamburg, 2025

Hyrje – Rrënjë që ecin bashkë me ne

Të jesh pjesë e diasporës nuk do të thotë të largohesh nga vendi i prejardhjes, as të ftohesh prej tij.

Nga përvoja ime personale, do të thotë ta marrësh me vete dritën e atdheut – në zemër, në gjuhë, në mënyrën si e sheh botën.

Do të thotë të mbash dy qiellë e dy toka brenda vetes,

të gjesh urën që i lidh,

pa e harruar asnjërën,

duke u pasuruar me të dyja.

Në Hamburg, gjuha shqipe më shërbeu që ditën e parë.

Nxënësi im i parë ishte babai, i cili po përgatitej për provimet e përkthimit në shqip, gjermanisht dhe serbokroatisht.

Çdo gjë lidhej me shqipen – jo si barrë, por si dhuratë.

Mësueset e gjuhës shqipe në Tetovë më kishin mbërthyer fort që nga klasa e pestë deri në vitin e parë të gjimnazit.

Kështu e përjetova shqipen: si thesar – e jo kurrë si barrë.

Ajo ishte dritare – një fener i heshtur e i pandalshëm,

që më ka shoqëruar vazhdimisht

dhe më buron nga thellësitë e kujtesës sonë të përbashkët.

Fëmijët që hyjnë në klasë me dy kultura në shpinë

e dy sisteme mendimi në mendje,

e gjejnë shqipen si shtëpi – jo si kthim mbrapa, por si forcë.

Kjo ese nuk është vetëm kujtim personal.

Është edhe dokumentim institucional i një rruge të gjatë –

rruge ku kam ecur paralel me zhvillimet arsimore të Hamburgut, sidomos gjatë periudhës kur koncepti i Mehrsprachigkeit / shumëgjuhësisë u bë shtyllë e politikave të Senatit (2003 dhe 2007), duke integruar gjuhët e prejardhjes në kornizën e shkollave të qytetit.

Takimi i fundit në Konsullatën e Republikës së Kosovës në Hamburg

ishte vetëm pasqyra më e qartë e kësaj rruge shumëvjeçare –

ndërkombëtare në frymë dhe thellësisht shqiptare në shpirt.

1. Mikpritja që flet me gjuhën e institucioneve dhe të zemrës

Ajo ditë në Konsullatë tregoi se çfarë ndodh kur protokolli nuk është barrë, por kulturë.

S'pati teprime – pati qartësi, qetësi, përpikmëri.

Konsulli Mizbah Mustafa mbajti ekuilibrin me qetësi profesionale,

me ton shtetëror të matur dhe pa asnjë demonstrim të panevojshëm.

Zana Gashi, protokollmbajtësja e Konsullatës,

ishte dirigjentja që rregullon ritmin pa kërkuar skenën.

Stafi – i sjellshëm, i përkushtuar, i pranishëm –

krijoi atmosferën e një institucioni që e njeh peshën e vet në diasporë.

Konsulli Mustafa, me hapjen dhe përcjelljen e rregullt të bashkëbisedimit, artikuloi qartë filozofinë e tij:

"Jemi mbledhur për ta sensibilizuar më gjerësisht çështjen e mësimit të gjuhës shqipe në Hamburg; jemi mbledhur për të punuar dhe bashkëpunuar."

Dhe atë ditë pamë versionin tonë më të dinjitetshëm kolektiv.

2. Gjuha amtare – jo metaforë, por strukturë mendimi

Rëndësia e gjuhës amtare nuk është emocion poetik.

Është fakt shkencor i dokumentuar nga dhjetëra studime evropiane.

Kërkimet në Gjermani, Austri, Zvicër dhe Skandinavi tregojnë se:

– zhvillimi i kompetencës në gjuhën amtare përmirëson në mënyrë të jashtëzakonshme mësimin e gjuhës së shkollës;

– gjuha e prejardhjes ndërton mekanizmat e analizës logjike, strukturat sintaksore, fleksibilitetin komunikativ dhe vetëbesimin akademik të fëmijëve.

Këto rezultate janë vërtetuar edhe në Hamburg, Bremen, NRW,

Schleswig-Holstein, Baden-Württemberg e më gjerë.

Prandaj, në Hamburg, gjuha shqipe u përfshi në HSU krahas 12 gjuhëve të tjera – falë punës së shumë aktorëve dhe sidomos hapit historik të Xhelil Musës.

3. Shtyllat e shqipes në Veri: Xhelil Musa

Xhelil Musa – kthesa historike në Hamburg.

Ai e shkëputi mësimin e shqipes nga varësia e Konsullatës së ish-Jugosllavisë

dhe e lidhi drejtpërdrejt me Senatin e Hamburgut –

në një kohë kur Kosova ende nuk gëzonte shtetësi të njohur ndërkombëtare.

Ky ishte akt epokal.

Ai e çliroi gjuhën nga kufizimet politike

dhe e futi në sistemin arsimor si strukturë publike të garantuar.

Është një nga veprat më të mëdha institucionale për gjuhën shqipe në Gjermani.

Kolë Gjoka – ura e natyrshme në Schleswig-Holstein

Konsulli i Nderit i Shqipërisë në Schleswig-Holstein, Kolë Gjoka,

ka krijuar një model të qëndrueshëm bashkëpunimi me Land-in.

Falë punës së tij:

– mësuesit e shqipes paguhen nga Senati i Arsimit;

– mësimi i shqipes ka status të qartë institucional;

– bashkëpunimi me komunitetin është i hapur dhe i gjerë.

Në vitin e kaluar ai organizoi seminarin profesional me eksperten Edleva Mançe, me pjesëmarrjen e mësueseve të Hamburgut, Schleswig-Holstein-it dhe Bremenit.

Ai seminar ngriti nivelin profesional dhe solli standarde bashkëkohore.

4. Diplomacia e qetë e Mizbah Mustafës

Diplomacia nuk matet me ceremoni, por me prani, përgjegjësi dhe punë të përditshme.

Mizbah Mustafa solli në Hamburg një model bashkëkohor diplomatik:

– pa kamera të panevojshme,

– pa vetëlavdërime,

– pa hierarki të fryra.

Ai ndërtoi kulturën e qetësisë institucionale:

– të dëgjojë mësuesit një e nga një;

– të mbledhë të dhëna reale;

– të forcojë lidhjet mes komunitetit mbarëshqiptar, Ministrisë së Arsimit të Hamburgut dhe Konsullatës.

Ai qëndroi besnik ndaj asaj që në gjuhën gjermane quhet roter Faden –

vija udhëheqëse e punës së tij:

sensibilizimi i komunitetit shqiptar për rëndësinë e HSU-së dhe forcimi i bashkëpunimit mes Konsullatës, mësuesve dhe institucioneve arsimore të Hamburgut.

Takimi i 15 nëntorit 2025 ishte fryt i drejtpërdrejtë i këtij vizioni.

5. Hamburg – laborator europian i shumëgjuhësisë

Hamburgu është qytet ku politikat nuk mbeten në letra.

Dokumentet e Senatit të viteve 1977, 1987, 1998–2000, 2003 dhe 2007

shënuan kthesën historike, duke bërë HSU-në pjesë të strukturuar të shkollave të qytetit.

Figura të rëndësishme të shumëgjuhësisë në Hamburg:

– Prof. Ingrid Gogolin

– Prof. Ursula Neumann

– Regine Hartung

– Bilge Yörenç

Në këtë mozaik kam ecur edhe unë –

jo si qendër, por si gur mbajtës:

– në seminare universitare,

– në ngritjen e strukturave për HSU-në,

– në ndërmjetësimin ndërkulturor e shumëgjuhësor mes shkollave, kolegëve, nxënësve dhe familjeve nën çatinë e Ministrisë së Arsimit,

– në mbështetjen e prindërve,

– në forcimin e vetëdijes së shumëgjuhësisë –

shumë kohë para se kjo të bëhej parullë politike.

Kështu, shqipja në Hamburg është sot e qëndrueshme dhe e respektuar.

6. Edleva Mançe – zëri profesional i diasporës

Në NRW, Edleva Mançe ngriti një model modern të mësimdhënies së shqipes, duke sjellë:

– materiale bashkëkohore,

– trajnim profesional,

– standardizim programesh,

– komunikim transparent,

– identitet institucional të mirëstrukturuar.

Në këtë klimë të re, fëmijët nuk janë spektatorë.

Ata janë protagonistë me dinjitet.

7. Ana tjetër e medaljes

Por jo të gjithë kanë punuar – ose vazhdojnë të punojnë – për të mirën e gjuhës.

Ndër vite, disa persona janë vetëshpallur "përgjegjës",

pa kompetencë gjuhësore, akademike apo institucionale.

Disa e kanë përdorur dhe vazhdueshëm e përdorin 'shqipen' si podium për protagonizëm personal,

e jo si mjet edukimi dhe përgjegjësie.

Kjo ka sjellë:

– ndarje,

– konflikte,

– konfuzion,

– dëmtim të imazhit të komunitetit.

Gjuha amtare nuk është skenë.

Është përgjegjësi profesionale dhe etike.

8. Takimi në Konsullatë – kthesë e butë dhe e qëndrueshme

Takimi i 15 nëntorit 2025 nuk ishte mbledhje formale.

Ishte rikthim i maturisë dhe i ekuilibrit institucional.

Për herë të parë, të gjithë u ulën bashkë –

pa tension, pa grupime, pa hije.

Falë qetësisë dhe drejtimit të Konsullit Mustafa:

– çdo zë u dëgjua,

– çdo mësuese e mësues u respektua,

– çdo çështje u trajtua me dinjitet.

Pak fjalë – shumë kuptim:

bashkëpunimi profesional nuk është vetëm i mundur, por i domosdoshëm.

Përmbyllje – Drita mbi shpatullat e fëmijëve tanë

Fëmijët tanë ecin në shkollat gjermane me më shumë se një gjuhë në mendje.

Çdo gjuhë është dritë.

Çdo gjuhë është kujtesë.

Çdo gjuhë është dritare.

Shqipja është ura e tyre e parë.

Dhe kjo urë sot është më e fortë se kurrë – falë:

– Xhelil Musës,

– Bilge Yörenç-it,

– Ursula Neumann-it,

– Regine Hartung-ut,

– Edleva Mançes,

– mësueseve të HSU-së,

– prindërve të përkushtuar,

– diplomacisë së qetë të Mizbah Mustafës.

Kjo ese është një thirrje:

Ta mbajmë gjuhën gjallë.

T'i forcojmë institucionet me dinjitet.

Të rrisim fëmijë që ecin me dritë.