| E enjte, 20.11.2025, 06:58 PM |
AT GEGË LUMAJ O.F.M.
KLERIKU I PARË KATOLIK I
ARRESTUEM NGA KOMUNISTAT !
PERGATITI:
FRITZ RADOVANI
Asht kleriku i parë katolik që asht arrëstue
nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, kur ishte famullitar në Berishë, më 17 janar 1945, menjëherë mbas
Kryengritjës së Kelmendit. Në njëditë me té asht arrëstue edhe At Dioniz Maka
O.F.M., që shërbente edhe ky në ato malësi. At Gega ka lé më 15 tetor 1904, në
Plan të Dukagjinit të Shkodrës. Përveç, studimëve të nalta teologjike, ka
përfundue edhe Akademinë e Artëve të Bukura për pikturë në Siena.
Asht cilësue ndër talentët që kanë mbarue atë
shkollë. Ka punue pak vepra mbas këthimit në atdhe. Një prej tyne ruhej në
Troshan, por nuk dihet fati i saj. Asht shugurue meshtar më 12 korrik 1931.
Françeskan i zellshëm dhe shumë punëtor. Nuk kishte ma të voglën kreni për
punët e mëdha që kryente në famullinë e tij. Dallohej si trim.
Në gjyq asht në bankën e të akuzuemve me At
Dionizin dhe At Giacomo Gardin S.J., edhe ky, i arrëstuem në Shkodër ndër ato
ditë.
At Dionizi më tregonte aty nga viti 1994, se
gjyqi po zhvillohej i rrebtë mbasi mendohëj nga Sigurimi me hjedhë “thëmelët” e
një “Partisë Demokristjane”, që as nuk i kishin ndigjue zanin se asht formue në
Shqipni. Flitëj për vitët 1943-44. At Gega vazhdonte me mohue para gjyqit
akuzat false në drejtim të tij. At Gardini, në krahun tjetër nuk pranonte se ka
ardhë në Shqipni për qëllime spijunazhi ndërsa, At Dionizi, qëndronte në të
tijën, se nuk asht marrë me politikë.
Njëfarë Nuri Llazanit, agjent i Sigurimit
komunist, akuzon At Gegën, se, ky i kishte ndjekë me kalë kur ai ishte kenë me
një grup partizanësh… At Gega mohon tue kërkue dëshmitarë tjerë që janë kenë me
te, mbasi ishte i sigurt se ngjarja nuk asht e vërtetë, por asht trillim i
Nuriut. Nuriu, jo vetëm, ngulë kambë se asht ashtu si thotë ai, por edhe kërkon
nga trupi gjykues që At Gega, me shokët e tij në bankën e të akuzuemve, të
marrin dënimin ma të randë. At Gega, aty për aty çohët në kambë dhe, i thotë:
“Po më vjen marre mue sësi nji turk Shkodrët akuzon në rrenë nji klerik
katolik, pa kenë kurrgja e vërtetë!”. Fadil Kapisyzi që do të dëshmonte për At
Dionizin, e zbutë “dëshminë” e tij, tue pasë frikë se edhe ai po merr një
përgjegje si Nuriu, prej At Dionizit. Kjo thanje e At Gegës, më tregonte At
Dionizi, u ba shkak që na me marrë dënime të lehta, mbasi fjala e At Gegës mori
dheun.
Kur arrëstohet prap At Gega, në vitin 1967 me
“Revolucionin Kultural”, prap akuzohët për “Partinë Demokristjane”. Ai deklaron
në hetuesi dhe në gjyq: “U kam thanë edhe shokëve që kanë mendue se nuk asht
keq me pasë në Shqipni një Parti Demokristjane, mbasi mund të lidhemi me vendët
e Evropës nëpërmjet të kësaj partie, duhët me pasë shumë kujdes dhe mos me e formue kurrë këtë parti,
mbasi barra ka me i ra Klerit Katolik. Ka 20 e sa vjet që vazhdoni me akuzue
Klerin, pa kenë kurrkund partia, po ba me pas kenë, shka paskeni dashtë me ba
ndër né, ju, kështu, edhe po na qitni fare!?” (Dosja 2291 Arkivi M.M.Tiranë).
Arrëstohet më 17 janar 1945, lirohët në mars
1962
Arrëstohet në vitin 1967 dhe lirohët në vitin
1977.
Ka vdekë në vitin 1980, i rrëthuem nga
dashnija e pakufi e kushrinjve të tij, ndër malët e egra e shumë të dashtuna të
Alpëve, prej të cilave, At Gega trashigoi karakterin e fortë burrnor e trim të
tij.
Lavdi Emnit të Nderuem t’ At Gegë LUMAJ OFM !
Melbourne, 20
Nandor 2025.