Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë

| E merkure, 19.11.2025, 06:56 PM |


Fëmijët, ata që meritojnë një botë më të mirë

Nga Albert Vataj

Vetëm ata, fëmijët besojnë se bota mund të ndryshojë, sepse vetëm ata e meritojnë një botë që duhet ndryshuar!

Nëse bota u katandis kjo që është, me gjasë erdhi ngase nevoja jonë e ngutshme për tu rritur, e mbyti fëmijën brenda nesh, vrau çdo ëndërr që na bënte të jetonim në ëndrra dhe pamundësoi të mbetemi prindër që duhet të ishim, ata të cilët e matin veprën e vet me sakrificat që bëjnë, për të sfiduar një botë që ndryshosh, duke dëgjuar fëmijën brenda vetes, ndoshta edhe përmes zërit të fëmijëve tanë, ata të cilët po rriten në një botë që është shumë e vogël për dëshirat  tyre dhe shumë, shumë sipërfaqësore dhe e zbrazët për imagjinatën dhe përfytyrimet e tyre.

Me nxitimin tonë për t’u ndarë me të shkuarën, ndoshta duhej të na mjaftonte me ndryshimin e gjërave, me përmirësimin e cilësisë së jetesës, por jo me arratisjen nga vetja, braktisjen e gjërave të shtrenjta që shenjtëruan jetën tonë.

Nëse ata, fëmijët, duan që bota duhet të ndryshojë, i mbetet qëllimeve tona ta bëjmë realitet këtë, duke besuar se kjo është e mundur, sepse ata na meritojnë, dhe ne duhet që tu tregojmë atyre se prindërit janë misionarë dhe se nesër do të jetë ata që do ta mbajnë mbi supe dhe në shpirt këtë barrë të rëndë.