| E marte, 18.11.2025, 06:54 PM |
Halim Hasani hyn në arkivin e urtësisë ne 5000 aforizma
Përkitazi
me librin e Halim Hasanit “5000 Aforizma (Fjalë të urta, konstatime, shprehje,
frazeoligjzma), Shtëpia Botuese Lena Graphic, Prishtine, 2025.
Nga
Sevdail Hyseni
Këto ditë festive të nëntorit, doli nga shtypi libri me
aforizma i autorit Halim Hasani me titull: “5000 Aforizma (Fjalë të urta,
konstatime, shprehje, frazeoligjzma). Krijimi i aforizmit si zhanër letrar
mbetet një nga hapësirat më të rralla e deficitare në letrat shqipe. Vetëm pak
autorë janë marrë seriozisht me kultivimin e kësaj forme të shkurtër e të
ngjeshur, që i ka rrënjët e saj te urtia e lashtë dhe filozofia klasike. Në
këtë peizazh letrar, spikat emri i Halim Hasanit, krijuesit nga Dobrosini i
Luginës së Preshevës, i cili ka tejkaluar kufijtë lokalë dhe kombëtarë, duke u
bërë një zë i dalluar në aforistikën shqiptare.
Për më shumë se dy
dekada, që nga viti 1993, Halim Hasani nuk i është ndarë shkrimit të
aforizmave. Rezultati është mbresëlënës: mbi 5,000 aforizma të botuara brenda
kopertinave të librave të tij, të fundit prej të cilëve “Kokën e jap, tokën s’e
jap”, sjell 500 aforizma të reja, duke e përmbyllur kështu një rekord unik në
letrat shqipe. Vlen të ceket se Halim Hasani ka të përkthyer 1500 aforizma në
gjuhën angleze në vitin 2023.
Gazetarë,
publicistë e kritikë letrarë e kanë quajtur mjeshtër, maestro, gjigant të
penës, apo legjendë të aforizmit shqiptar. Madje, redaktori i librit dhe
drejtuesi i Shtëpisë Botuese “Kurora”, Hysen Këqiku, shkon më tej duke e
krahasuar me Hipokratin e lashtësisë, që përdorte aforizmin si mjet mjekësor.
Njësoj si Hipokrati shëronte trupin me shprehje të urta, edhe Hasani qorton,
kritikon dhe shëron realitetin shoqëror me thumba pa helm, duke i dhënë fjalës
funksion terapeutik. Po ashtu, aforistin Halim Hasani, në shkrime të ndryshme e
kanë vlerësuar si Maestro i aforizmit shqiptar, si dhe Legjenda dhe Gjiganti i
lerave shqipe në fushën e aforistkës shqiptare.
Vlera letrare
Libri i Hasanit nuk është thjesht një rekord sasior, por
një vepër me vlera të mëdha letrare dhe filozofike. Aforizmat e tij dallohen
për ekonominë e gjuhës: thonë shumë me pak fjalë, duke ruajtur elegancën e
shprehjes dhe thellësinë e mendimit. Ironia, urtia popullore dhe filozofia
ndërthuren natyrshëm, duke krijuar tekste të shkurtra që mbeten gjatë në
kujtesë.
Stilistikisht, autori përdor një gjuhë të pastër e të
rrjedhshme, ku çdo fjalë është e peshuar. Aforizmat funksionojnë si mini-essaye
filozofike, të afta të nxisin reflektim mbi jetën, moralin, pushtetin,
shoqërinë dhe absurditetet e kohës moderne. Kjo e bën librin njëkohësisht
argëtues dhe sfidues për lexuesin, duke e ftuar jo vetëm të qeshë, por edhe të
mendojë.
Vlera e librit qëndron edhe në tematikën e gjerë: nga
çështjet individuale e të përditshme deri te dilemat universale të shoqërisë.
Përmes një fjale të shkurtër, Hasani arrin të ngrejë pyetje të mëdha dhe të
ofrojë përgjigje të holla, duke e kthyer aforizmën në pasqyrë të kohës dhe të
shpirtit njerëzor.
Standardi
i lartë
Ky vëllim i ri, i bashkuar me të tjerët, vendos një
standard të lartë në letrat shqipe. Ai shënon një etapë të re për aforistikën
tonë, duke e vendosur Halim Hasanin në radhën e autorëve që kanë lënë gjurmë të
pashlyeshme. Për lexuesin, libri është një thesar urtie; për kritikën, një
material i vlefshëm studimor; dhe për letërsinë shqipe, një pasuri që dëshmon
se edhe forma e shkurtër mund të mbajë peshën e një biblioteke të tërë.
Le
të dihet
Vlen të ceket se
Halim Hasani, nga Lugina e Preshevës, me botimin e aforizmit, mbetet njëri nga
krijuesit më të mëdhenj të këtij zhanri
letrar, i cili deri tani ka publikuar këto libra aforistik: “Aforizma të kohës”
(1993), pastaj libri tjetër “200 Aforizma” (2005), për të vazhduar me “Aforizma
bashkëkohorë” (2008), “Aforizma” (2010), “Fjalë nëpër kohë” (2012), “1021
Aforizma” (2012), “Fjali me inxhi” (2013), “Fjali pa mahi” (2014), “2400 Aforizma” (2016), “600 Aforizma”
(2018), kompleti "3000 Aforizma” (2019), “500 Aforizma” (2021), pastaj
tjetër “4000 Aforizma (2022) dhe libri i fundi i tij i publikuar këto ditë mban
titullin: “Kokën e jap, tokën s’e jap" me 500 Aforizma" (2025), pra
gjithsej 4500 aforizma dhe në vitin 2025 plus 500 aforizma të tjerë, gjithsej
5000 aforizma, të publikuara brenda kopertinave të një libri. Halim Hasani,
gjithashtu, ka të përkthyer 1500 aforizma në gjuhën angleze në vitin 2023.