| E marte, 18.11.2025, 06:54 PM |
NJË ZË I LARGËT
(Me
poeten Shpresa Ymeraj)
Nga
Mihal Gjergji
Desha
të futem brenda dhomës së errët, atje ku njeriu ndodh të ngujohet. Mendimet si
përbindësha vendosin trurin nën torturë. Një pjesë jona vdes çdo ditë; një
dëshirë, një ëndërr, një shpresë. Edhe liria gjithashtu. Poezia është liri e
stampuar në letër, si kartmonedhë dollari. Po kjo e fundit ka vlerë këmbimi,
fjala-jo! Ende s’është krijuar tregu i shitjes për fjalën e lirë. Ndoshta
mungon kandari për ta peshuar atë. Edhe tribuna për ta thënë. S’dua të besoj se,
bukuria apo e vërteta mbaron aty ku fillon fjala, ndryshe bota do ishte në
gjumë. Përfytyrojeni poetin në çaste meditimi; papritur shndrrohet në ujvarë,
rrebelohet, balli i mbushet me brazda, qetësia është një mysafire e largët e
tij. Dashuria fillon të çlirojë energji, sepse ajo s’mund të burgoset, qendron
gjithmonë sipër nesh. Kështu ndodh me poeten shqiptaro-amerikane Shpresa
Ymeraj, fjalët e mallit i shkruan në fletët e qiellit.
“Dy
fjalë, palosur si shamizë të bardhë
m’i
vendose në xhepin përmbi zemër”.
Unë
bëhem vëzhgues i mprehtë i këtyre fjalëve, ndoshta jo i pari. E kërkova librin
e saj dhe ajo ma nisi. Nuk di sa ka shpenzuar për dërgesën, ndoshta ushqimin e
një dite. Një zarf i mbushur me shkronja shqipe mbriti nga Amerika e largët.
Tek shfletoja fletët, përfytyroja karvanin e Dhaskal Todrit, arkat e mbushura
me plumb të shkrirë për këtë gjuhë të bekuar. Malli i poetes s’mund të flasë
gjuhë tjetër, veç tonës. S’ka kërkuar që të shkruaj për të. Këto fjalë ja
dërgoj në vend të falenderimit. Ajo është zonjë e rëndë nga Dukati i Vlorës, ka
qytetari dhe sjellje aristokrate. Mallit që shitet i bëhet reklamë, ose
autorëve që kanë nxjerrë shpirtin në tregun e shfytyruar. Lodhen kot ata që
rendin pas lavdisë. Lumi e gjenë vetë rrugën për të mbritur në det. Ndodh
shpesh të lexoni ata që shkruajnë për njëri-tjetrin, të zbrazurit nga brendia,
ata që kërkojnë ngushullimin tek turmat. Ndryshe janë artistët e vërtetë, krejt
ndryshe. Po le të vijojmë me autoren në fjalë. Ngarkuar rëndë me mendime
poetja, ua ka hapur kanatat e portës stuhive:
“Nga
bota në botë rënë
mbi
sofrën e saj njësore
Një
diell më përzë!”
Çfarë
zhgënjimi e ka tronditur poeten? Ndaloj një çast dhe mendoj lexuesit e kursyer
të këtyre vargjeve. Arti s’mund të jetë kurrë popullor, përkundrazi, lexuesi
duhet të ngulmojë të bëhet amator i artit. Shpresa Ymeraj është një zë i
vecantë në poezinë shqipe, doemos i largët. Meditime të gdhendura butësisht në
vetëdijen e saj, tematika të përzgjedhura, simbolika gjithashtu. Nuk di cila
shtysë i jep forcë t’i drejtohet nënës (Shqipëri):
“Ti
je: që më jep frymë, më ngroh
e
më mban pranë (a të mbaj unë?!)
Ti
je: që më kërkon e më pranon,
dritë
më bën ti!
Unë
kam një jetë që të përkas, kudo jam
a
më dëgjon kur të thërras, nënë Shqipëri?!”
Njeriun
e përlot jo vetëm malli, edhe trishtimi. Në një botë të huaj, me detin
përballë, dallgët e tij ngarkuar stërkala të bëhen simfonia e vetme e shpirtit.
Në dhe të huaj, edhe
“dielli
perëndon trishtueshëm
lot
i nxehtë
nga
faqja e qiellit zbret!”
I
vecantë stili i kësaj autoreje, njehsohet me artin dhe përcakton
individualitetin krijues. Libri i saj; “Dashuria dhe dhoma e errët” ngjason me
një lëndinë ku çelen gjithë lulet e stinës. E kanë të vështirë poetët të
pranojnë tradhëtinë që vjen nga dheu i tyre dhe bashkëkombasit. Tradhëtia është
ajo që na lejon të njohim tragjeditë. Çdo pushtet është njëlloj i keq me të
tjerët. Fatkeqësia e artit është se nuk pranon asnjërin prej tyre. Në
pikëllimin që ngjyente penën Frederik Rreshpja, provon t’a ngjyej edhe poetja
Ymeraj. Le të besojmë se njerëzit janë më afër njëri-tjetrit se yjet, sikurse
shprehet autorja.
Tiranë, Nëntor 2020