Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Sot lindi prapë Bilal Xhaferi
E diele, 16.11.2025, 06:59 PM
SOT LINDI PRAPË
BILAL XHAFERRI
Nga
Visar Zhiti
Kështu
ndodh në çdo 2 nëntor dhe këtë herë ai do të bënte 90 vjeç.
Na
dha poezi e prozë… dhe mister. Të gjitha tê bukura, mallëgjyese.
Po sjell Kartelën e tij nga libri im studimor me autorë të dënuar të “letërsisë tjetër” për tê kujtuar emrin dhe vuajtjen dhe talentin, guximin dhe tragjizmin…
KARTELA TË REAZMIT TË
DËNUAR
Bilal Xhaferri
(1935 – 1986)
Me
baba të pushkatuar, çami i përndjekur Bilal Xhaferri, i kishte të gjitha rrugët
e së ardhmes të mbyllura. Ai dhe një jetë të zakonshme si jetët e tjera në
diktaturë nuk mund ta bënte dot, jo më të lejohej të bëhej shkrimtar.
Është
punëtor krahu. Në shkollë të lartë as që bëhet fjalë se mund të shkojë, madje
as në gjimnaz. Megjithate në mynxyrën e tij do të ketë një lloj shprese si
dritë të vobektë, Është talenti i tij.
Dërgon
tregimet e para për botim. Pëlqehet menjëherë. Por bashkë me famën, do t’i vinte
shpejt dhe rënia. Rënie brenda rënies, pikërisht atje mes shkrimtarëve…
Dhe
s’i mbetet gjë tjetër, veçse të arratiset. Shkon në SHBA… vdes në Çikago në
rrethana të dyshimta, ku thuhet se mund ta jetë asgjësuar dhe nga kanale të
fshehta, ndonjë agjent në shërbim të regjimit Stalinist shqiptar.
…lindi
në fshatin Ninat afër Konispolit në 1935, babai i tij, Xhaferr Hoxha, i lidhur
me Ballin Kombëtar, dënohet nga fitimtarët si antikomunist, e vrasin në 1945,
në vitin e parë të lirisë… e ç’liri zeza, - do të tundnin
kokat
nënat çame.
Bilali
u rrit në internim bashkë me motrën, emrin e të atit e bëri mbiemër, të mos e
njihnin, mbas shkollës 7–vjeçare, kreu
një vit shkollë për gjeometër, por jo, mjaft, kaq… Dhe nisi punën herët,
punëtor krahu, shtronte rrugët, ku ta çonin. Andej nga Veriu, afër Rrëshenit,
gjeti një mecenate shpirtërore, shkrimtaren e dalë nga burgu, Musine Kokalari.
Edhe
kjo miqësi do të përndiqej, janë raportet në dosjet deri dhe të ministrit të
Punëve të Brendshme K. A.
Boton
poezitë e para, tregimet e para, ndjeshmeria ishte e madhe por dhe befasia,
ngjante me mahnitjen. Dhe u lejua të dale libri i tij me tregime “Njerëz të
rinj, tokë e lashtë”. Në vitin 1967 u bë gati libri tjetër, ai me poezi
“Lirishta e kuqe”. Ai i donte vargjet e tij:
Krejt
të lira/ si hapësira,
si
era,
si
drita.
Me
vargjet si vargmalet
që
shtrihen nga veriu në jug
dhe
nga jugu në veri,
me
vargje të mbirë
nga
balta jote,
Shqipëri.
Dhe
dorëzoi në konkursin e shpallur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Heroit
Kombëtar Gjergj Kastrioti– Skënderbeu romanin “Krastakraus”. Dhe një konflikt i
beftë i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë, dalja kundë
romanit të bujshëm “Dasma” të Ismail Kadaresë, bënë që atë ta përzënë.
Autoritete të Realizmit Socialist, Fadil Paçrami, deri dhe anëtari i Byrosë
Politike të Partisë në pushtet, Rita Marko, e kritikuan rëndë.
Dhe
e hodhën sërisht në humnerë. Vepra iu ndalua. Libri i tij me poezi, që priste
shpërndarjen, u dërgua në fabrikën e Letrës ne Lushnjë, për t’u ricikluar në
letër të bardhë si harrimi, autorin e riçuan në internim.
“Poet
i nëmur” do ta quante shkrimtari Sabri Hamiti. Meqënëse vendlindja e tij ishte
fare në Jug, në kufi, ai gjeti rastin fatlum dhe u arratis për në Greqi. Pa
Çamërinë e tij dhe këndoi i dëshpëruar.
Një
vit më pas fluturoi përtej oqeanit, në kontinentin e ri, në SHBA.
Punon
në Boston në gazetën “Dielli”. Dërgon për botim në Prishtinë romanin për
Skënderbeun, në fakt për Shqipërinë mesjatare, tani me titullin “Ra Berati”,
por nuk i dhanë përgjigje.
Shkon
në Çikago në vitin 1974, ku dhe themelon gazetën “Krahu I Shqiponjës”, botim i
Lidhjes Çame në dy gjuhë, shqip dhe anglisht, ku krahas historisë së fisit, do
të shkruante dhe për diktaturën e lënë në atdhe, për krimet e regjimit.
Vend
i vogël,
kohë
e vogël,
racion
i vogël.
Errësirë
e madhe,
frikë
e madhe,
mjerim
i madh.
Dhe
rrugëve të Atdheut
Si
kukuvajkë nën hënë
Leh
dhe ulërin
Gazi
69”…
Makina
e arrestimeve. Vinte pa i rënë sirenës. Kur ikte, mbase po.
Ndërkaq
nuk kishte ende serena të makinave te ndihmës së shpejtë, epidemia ideologjike
sundonte vdekshmërisht. Dhe andej nga u arratis, ku iku, edhe pse nuk nuk
mbërrinte dot “Gazi 69”, s’do t’i ndaheshin djajtë e kuq, jo ata vetë, por
tentakulat e fshehta të regjimit do të kërkonin kokën e tij.
Në
kokë e mori goditjen dhe në spital mbaroi në rrethana të dyshimtanë vitin 1986
.
Pas
rënies së diktaturës, edhe pas kthimit të eshtrave të Bilal Xhaferrit ne Atdhe,
për t’u prehur në vendlindjen e tij, u botua dhe vepra e plotë në pesë vëllime
e Bilal Xhaferrit.
Ndërkaq
dhe i vdekur ai s’është lënë i qetë. Herë pas here përfliten dhe dyshime në
arratisjen e tij si i dërguar… aq sa duket sikur duan të vazhdohet ai konflikti
i lënë në mes dikur, në Tiranën e kuqe për “Dasmën”, por tani i përmbysur, ende
pa titull.
Gjithsesi
Bilal Xhaferrit i janë dhënë medaljet e larta “Martir i demokracisë” dhe “Nderi
i Kombit”, iu vu dhe busti para shtëpisë së tij muze në Sarandë.
__________________________
Nxjerrë nga libri
“Kartela të Realizmit të Dënuar”
nga Visar Zhiti, Tiranë 2020…
*
* *
Si
poet e shkrimtar Bilal Xhaferri mbart fatin muhaxhir të fisit të tij çam, të
përndjekur, të goditur gjithandej, të shpërndarë:nëpër Shqipëri e Ballkan, në
Europë e deri në SHBA, ata qendruan me heshtje dinjitoze. Bilal Xhaferri i dha
zë dhimbjes çame duke u bërë një nga zërat më tronditës, por dhe më të bukur në
letrat shqipe. Edhe pse e këputën ashtu si dhe jetën e tij.
Visar Zhiti, 02/11/2025










