| E diele, 16.11.2025, 06:52 PM |
BOTOHET PSIKOLOGJIA DHE PEDAGOGJIA E At AMBROZ MARLASKAJT
Nga
Ndue Dedaj
Mund
të pritej që një botim i tillë të bëhej prej ndonjërit nga departamentet e
këtyre disiplinave të Univertisteteve tona, duke nisur nga ai i Tiranës etj.,
mirëpo ai është bërë nga një njeri në pamje të parë jo i fushës, Ndoc Frroku,
me profesion ekonomist, që rron prej shumë vitesh familjarisht në Kanada.
Shtysa ka qenë nxjerrja në dritë e figurës së njërit prej prelatëve dijetarë më
të lartë që ka pasur Shqipëria në gjysmën e parë të shekullit XX, që Ndoci e
kishte vëllain e gjyshes, Nanë Mricës nga Kuzhneni i Mirditës.
Për
këtë qëllim ai nuk ka mbetur në kujtimet e gjyshës së tij sojnike, por i është
drejtuar Arkivit të Shtetit, ku ka marrë krej lëndën arkivore që lidhet me këtë
figurë të shquar françeskane, arsimore, njeherësh deputet në Kuvendin Kombëtar
në vitin 1923: dorëshkrime veprash teologjike - kanonike, historike, gjuhësore,
dokumente të ndryshme të kohës, korrespondenca me Gjergj Fishtën etj., duke i
përmbledhur në monografinë “At Ambroz Marlaskaj apostull i Krishtit dhe Kombit”
2024, të cilës kemi pasur kënaqësinë t’i shkruanim dy fjalë përcjellëse.
Vetëm
një vit pas kësaj monografie shterruese, vjen botimi tjetër “At Ambroz
Marlaskaj, Hyrje në Psikologji dhe Histori Pedagogjie”, përgatitur nga Ndoci.
Të dyja këto vepra iu përkasin “Botimeve Fishta”, të mirënjohura në botën
shqiptare të librit dhe gjendën në stendën e tyre në Panairin 28 të Librit në
Tiranë, që është hapur këto ditë.
Përtej
këtij njoftimi për lexuesin, që dëshiron të njihet me visaret studimore të
traditës, na duhet të themi me plot gojën se Nipi nuk është gjendur rastësisht
në hullinë e Dajës, as vetëm për të mbushur një detyrim familjar, porse ka
përvujtërinë e tij dhe akribinë e duhur për t’u marrë me studimin e veprës
shkencore të Marlaskajt, e cila i ka ngrënë shumë kohë e mund (dhe natyrisht
shpenzime), duke kaluar nëpër duart e tij, netëve pa gjumë, qindra dokumente,
rresht për rresht e germë për germë, për t’i dëshifruar ato saktë, edhe aty ku
fletët ishin dëmtuar etj.
Na
mbetet vetëm ta përgëzojmë Ndocin, për këtë punë kaq të vyer dhe modestinë e
tij shembullore.
