| E diele, 16.11.2025, 06:59 PM |
SHTËPIA E BARDHË KA SHPALLUR “JAVËN E ANTI-KOMUNIZMIT”
“Zëra
të rinj po përsërisin tani gënjeshtrat e vjetra”
Nga
Frank Shkreli
Më 7 Nëntor, 2025, Presidenti i
Shteteve të Bashkuara Donald Trump ka shpallur, zyrtarisht, javën 2-8 Nëntor
2025, si Java e Anti-Komunizmit. Anti-Communism
Week, 2025 – The White House. Deklarata e Presidentit Trump ka për qëllim të kujtojë
viktimat e regjimeve komuniste dhe të ritheksojë kundërshtimin e vazhdueshëm të
Amerikës ndaj komunizmit.
Në deklaratën e lëshuar javën që kaloi nga Shtëpia e Bardhë, në lidhje me
këtë njoftim, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Trump e përshkruan komunizmin
si “një nga ideologjitë më shkatërruese në histori”. Një ideologji që ka
shkaktuar vdekjen e “më shumë se 100 milion jetëve” nga regjimet komuniste të
shekullit të kaluar. Shefi i Shtëpisë së Bardhë e sheh Javën e Anti-komunizmit
në Amerikë edhe si një nderim e kujtim të viktimave të regjimeve komuniste në
të kaluarën, por, njëkohsisht, edhe si një paralajmërim kundër lëvizjeve
politike majtiste bashkëkohore të ditëve të sotëme, duke thënë se zëra të rinjë
“po përsërisin gënjeshtrat e vjetra”. Duke i paraqitur idetë e tyre me gjuhën e
gjoja ‘drejtësisë sociale’ dhe të ashtuquajturit “socializëm demokratik.” Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë e cila
përcakton Javën e Anti-Kounizmitt në Amerikë, kritikohet ashpër “doktrina e
keqe” e komunizmit, ndërsa u bëhet thirrje amerikanëve të mbrojnë “lirinë dhe
vlerat njerëzore”, përballë kërcënimeve aktuale në botë.
Në deklaratën e tij, Presidenti Donald J. Trump përshkroi
komunizmin si një ideologji shkatërruese, përgjegjëse për vuajtje të mëdha, anë
e mbanë botës. Ai tha se, "Anë e mbanë kontinentëve dhe brezave të kaluar
të njerzimit, komunizmi ka sjellë shkatërrim mbi kombe dhe jetë njerëzish. Më shumë se 100 milion njerëz janë vrarë nga
regjime komuniste që synonin të zhduknin besimet fetare, të shtypnin lirinë dhe
të shkatërronin begatinë e fituar me punë të rëndë, duke shkelur, njëkohsisht
dhe brutalisht të drejtat dhe dinjitetin njerzor dhuratë nga Zoti
kundërshtarëve politikë të komunizmit dhe gjithë njerzve.
“Ndërsa nderojmë kujtimin e viktimave
të komunizmit, ne ritheksojmë premtimin tonë kombëtar për të qëndruar të
palëkundur kundër komunizmit, për të mbrojtur kauzën e lirisë dhe vlerat
njerëzore dhe për të afirmuar edhe një herë se asnjë sistem qeverisjeje nuk
mund të zëvendësojë kurrë vullnetin dhe ndërgjegjen e një populli të lirë",
thuhet në deklaratën e Presidentit Trump me rastin e njoftimit të shpalljes së
Javës së Anti-komunizmit në Shtetet e Bashkuara.
Në deklaratë theksohet gjithashtu se për më shumë se një
shekull, komunizmi ka sjellë vështirësi dhe vuajtje të mëdha kudo që është
përhapur ajo ideologji, anë e mbanë botës. Presidenti Trump shtoi se: “Për më shumë se një shekull, komunizmi
nuk ka sjellë gjë tjetër përveç rrënimit të njerëzimit. Kudo që përhapet, regjimet
komuniste zhdukin kundërshtarët, ndëshkohen bindjet e kundërta dhe kërkon që
njerzit të gjunjëzohen para pushtetit të gjithfuqishëm të shtetit, në vend që
të mbrojnë lirinë dhe të drejtat njerzore. Historia e komunizmit është shkruar
me gjak dhe dhimbje, një kujtesë e zymtë kjo se komunizmi nuk është gjë tjetër
veçse një fjalë tjetër sinonime me skllavërinë”, shprehet Presidenti Trump në
deklaratën e tij.
“Amerika e refuzon këtë doktrinë të
keqe”, nënvijoi Presidenti Trump.
“Ne mbetemi një Komb i themeluar mbi të
vërtetën e përjetshme që liria dhe mundësia janë të drejta që nga lindja për
çdo person, dhe asnjë ideologji, qoftë e huaj apo vendase, nuk mund t'i shuaj
ato."
Njoftohet se i pjesë e festimeve të
Javës Anti-Komuniste në 2025—34 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Shtetet
e Bashkuara do të përqendrohen në nderimin e viktimave të regjimeve shtypëse,
ndërsa do të angazhohen për mbrojtjen e lirisë individuale. Duke përfunduar
deklaratën e tij me atë rast, Presidenti Trump u shpreh se ndërkohë që shpallim
Javën Anti-Komuniste në Shtetet e Bashskuara, ne qëndrojmë të bashkuar në
mbrojtje të vlerave që na dallojnë si një popull i lirë. “Ne nderojmë viktimat
e regjimeve diktatoriale shtypse duke mbajtur të gjallë kauzën e tyre për të
cilën ata dhanë jetën duke siguruar që komunizmi dhe çdo sistem që mohon të
drejtat për jetën, lirinë dhe ndjekjen e lumturisë, më në fund të gjejnë vendin
që meritojnë, njëherë e përgjithmonë në koshin e plehrave të historisë",
ka deklaruar Presidenti Trump nga Shtëpia e Bardhë duke njoftuar Javën e
Anti-komunizmit në Amerikë.
Për mua dhe veteranë të tjerë të luftës
së ftohët shekullin e kaluar, shpallja e Javës Anti-Komuniste në Amerikë nga
Presidenti Trump javën që kaloi ishte një dejavu, duke na kujtuar “Javën e Shteteve
të Robëruara” (The Captive Nations Week), përcaktuar si e tillë me një rezolutë
të Kongresit dhe nënshkruar nga Presidenti Eisenhower në vitin 1953, me qëllim
për të treguar solidaritetin e Amerikës me vendet e robëruara nga komunizmi, në
kulmin e luftës së ftohtë. Sa i përket shpalljes së Javës së Anti-Komunizmit
nga Presidenti Trump javën që kaloi, disa media reaguan duke shkruar se ky
vendim nga Shtëpia e Bardhë në këtë kohë, nuk duket të jetë, thjesht, nji
vendim simbolik, por një përpjekje e qëllimt si pjesë e një diskursi më të
gjerë politik në Amerikë, përball dukurive të të ashtuquajturit “socializëm demokratik”,
një qëndrim i fortë i administratës Trump ndaj ideologjive politike të majta,
si një kërcënim i vazhdueshëm ndaj lirisë nga regjimet autoritare.
Në fund, mbetet për tu parë, por sipas
disa vërejtësve, shpallja nga Presidenti Trump i Javës së Anti-Komunizmit,
javën e kaluar, mund të ketë, eventualisht edhe ndërlikime në politikën e
jashtme dhe ndërkombëtare, duke marrë parasysh se në Deklaratën e Shpalljes së
Javës Anti-Komuniste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga Presidenti Trump, u
referohet regjimeve dhe viktimave të shtypjes komuniste. Veçanërisht kur është
fjala për shtetet me histori dhe regjime komuniste të shekullit të kaluar, siç është
Shqipëria, një vend që si asnjë tjetër shtet ish-komunist në Evropë --35-vjet
pas shembjes së Murit të Berlinit -- refuzon të përballet, zyrtarisht, me të
kaluarën e saj kriminale komuniste,
Është absolutisht e pakuptueshme dhe e
papranueshme që jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë ende vazhdon të
mbizotërojë ajo frymë skllavëruese sllavo komuniste që vrau e preu
kundërshtarët e saj për pothuaj një gjysëm shekulli. Ndërsa bota e qytetëruar
kujton viktimat dhe dënon krimet e komunizmit në botë me qëllim që të mos
përsëriten më – klasa politike shqiptare vazhdon të hesht për krimet e
komunizmit në trojet shqiptare. Me këtë heshtje zyrtare dhe me refuzimin e saj
për t’u distancuar njëherë e mirë nga e kaluara komuniste dhe refuzimi për të
dënuar krimet e komunizmit dhe për të kujtuar viktimat e regjimit komunist,
ashtu siç ndodh në Washington, Londër e vende të tjera, përfshir ato
ish-komuniste të Evropës -- politika zyrtare në Tiranë por dhe në Prishtinë
mbetet e lidhur, nostalgjikisht, dhe besnike e palëkundur e trashëgimisë së
komunizmit sllavo-aziatik anë e mbanë trojeve shqiptare – një majtizëm fanatik
politik, të cilit tanimë jo vetëm që i ka dalur boja si ide politike, por po e
mbyt Kombin shqiptar!
Kujdes shqiptarë!

Anti-Communism Week, 2025 – The
White House
