| E shtune, 15.11.2025, 06:59 PM |
117-VJETORI I KONGRESIT TË MANASTIRIT
ALFABETI I GJUHËS SHQIPE
- KONGRESI I MANASTIRIT
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Shqipja e shkruar dokumentohet që
nga shekulli XIV me alfabetin latin. Po këtë alfabet, të
plotësuar me ndonjë shenjë greke, e përdorën edhe shkrimtarët
arbëreshë. Duke qenë se greqishtja përdorej si gjuhë e kishës
ortodokse, shqipja u shkrua edhe me shkronja greke. Nën
trysninë e islamizmit dhe
të pushtuesve osmanë, në
shkrimin e shqipes, që nga fillimi i shekullit XVIII, u përdor edhe alfabeti turko-arab.
Më të u shkruan krijimet letrare të bejtexhinjve.
Me fjalë të tjera,
me alfabet latin janë
shkruar dokumentet e para në gjuhën shqipe:
- Formula e pagëzimit, 1462;
dhe
- Fjalorthi i Arnold fon Harfit, 1496)
Dëshmia e parë
me alfabet grek është
“Ungjilli
i Pashkëve” ose “Perikopeja e Ungjillit”, i
shkruar në dialektin jugor të shqipes,
në një fletë karte, të gjetur në një kodik të shekullit XIV.
Ka që thonë se ky shkrim i përket fundit të shekullit XV ose fillimit
të shekullit XVI.
Libri i parë në
gjuhën shqipe, “Meshari” i Gjon Buzukut i vitit 1555
dhe tekste të tjera të shekullit XVII dhe të gjysmës së parë të shekullit XVIII
janë shkruar me alfabet latin,plotësuar
me disa shkronja cirilike. Në
shekullin XVIII autorët e letërsisë së bejtexhinjve përdorën alfabetin
turko-arab.
Për shkrimin e
shqipes, për të vënë në pah individualitetin e saj dhe të popullit shqiptar, u
ndoq edhe një rrugë tjetër - ajo e krijimit të alfabeteve të veçanta.
Nga shekulli XVIII, mbase edhe më parë, u krijuan disa alfabete të
tilla. Orvatja më fatlume qe ajo e veprimtarit dhe e mësuesit të gjuhës
shqipe Teodor Haxhifilipit (rreth
vitit 1730-1805), i njohur me emrin Dhaskal Todri, shkrimi i të cilit pati
njëfarë përhapjeje.
Në një frymë të re,
thellësisht kombëtare, e shtroi dhe e zgjidhi çështjen e alfabetit të
shqipes ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare,
mendimtari i shquar iluminist dhe veprimtari i shkollës shqipe Naum Veqilharxhi (Naum
Bredhi, 1767-1846). Në vitet 1824 dhe 1825 ai e kishte nisur tashmë
punën për një alfabet të tijin me 33
shkronja. Më 1844 ai shtypi një gjuhën shqipe një abetare prej
tetë faqesh. Ky libër i vogël me titull “Fort i shkurtër e i përdorçim ëvetar shqip”, u
shpërnda në mbarë Shqipërinë e jugut, nga Korça në Berat. Në vitin 1845, në një
botim të dytë, kjo broshurë u zgjerua deri në 48 faqe, me titull ”Fare i ri abetor shqip për djelm nismëtore”.
Përpjekje të
mëtejshme për caktimin e një alfabeti të përgjithshëm për gjuhën shqipe u bënë
në vitet ’60 të shekullit XIX si dhe më pas, nga një grup atdhetarësh dhe
veprimtarësh të shquar të Rilindjes Kombëtare, siç ishin: Kostandin Kristoforidhi (1872-1895) - lëvrues dhe studiues i
dalluar i gjuhës shqipe; Pashko
Vasa (1825-1892) - veprimtar i arsimit dhe i kulturës, poet dhe
publicist patriot; Hasan
Tahsini (1811-1881) - atdhetar i madh, filozof dhe
mendimtar i shquar në fusha të ndryshme të diturisë; Jani Vreto (1822-1900) - atdhetar
dhe mendimtar shquar; Sami Frashëri (1850-1904) - dijetar
i madh, shkrimtar dhe publicist, rilindës i shquar, ideolog kryesor i Lëvizjes
kombëtare shqiptare. Përpjekjet e tyre u kurorëzuan me sukses në kohën e Lidhjes
së Prizrenit (1878).
Në fillim të vitit
1879 u pranua alfabeti i parashtruar nga Sami
Frashëri (1850-1904), i bazuar në
parimin “një tingull me një germë dhe
një germë për një tingull”. Ky alfabet, i njohur me emrin “alfabeti
i Stambollit”, u mbështet në alfabetin
latin, duke u plotësuar me disa shkronja
greke dhe me shkronja të tjera të veçanta. Me të u bënë
shumë botime, u përhap gjerësisht dhe deri në fund të shekullit XIX ishte
alfabeti kryesor i Rilindjes Kombëtare.
Nga fundi i shekullit
XIX dhe në fillim të shekullit XX një përhapje jo të vogël pati edhe alfabeti
i shoqërisë “Bashkimi” të Shkodrës, të cilin – me pak ndryshime –
e përshtati edhe revista “Albania” e Faik Konicës (1875-1942), që botohej në
Bruksel në vitet 1897-1902 dhe në Londër në vitet 1903-1909. Me shkrimet e saj,
kjo revistë luajti një rol të rëndësishëm për zgjidhjen e alfabetit të përbashkët, të vendosur
në Kongresin e Manastirit më 1908.
Kur numri i botimeve
shqipe u shtua, ndërsa rrjeti i shtypjes së tyre u zgjerua, kushtet teknike dhe
arsye të tjera bënë që të krijohen e të përdoren alfabete të ndryshme. Gjithnjë e më shumë u përdor alfabeti thjesht latin në
variante të ndryshme, duke u plotësuar shkronjat e tij me diagrame (dyshkronjësha) ose
me shenja diakritike (ç, ë). Numri
i alfabeteve të përdorura në praktikën e botimeve erdhi duke u shtuar.
* * *
Shumë nacionalistë
shqiptarë ushqyen besim te lëvizja e xhonturqve, e cila do të
shpinte në revolucionin e korrikut të vitit 1908 dhe pas një viti, në
përmbysjen e Sulltan Abdyl Hamidit II (1842-1918).
Edhe shqiptarët luajtën
një rol me rëndësi në revolucionin e xhonturqve, i cili e
përshpejtoi fundin e kësaj periudhe të stagnimit të përgjithshëm, e që më
23.07.1908 i dha Perandorisë kushtetutë, ndërsa qytetarëve - kinse barazi. Por
shpresat që shqiptarët kishin mbështetur te xhonturqit, u shuan shpejt. U bë e
qartë se administrata e re ishte po aq
centraliste sa edhe e vjetra, në mos dhe më shumë. Shqiptarët nuk
do të bënin pjesë në atë valë nacionalizmi mbarëturk që po përhapej nëpër
Evropë.
Veprimtari dhe publicisti i Rilindjes Dervish
Hima (Ibrahim Naxhi, Ohër, 1875 – Tiranë, 1928) thoshte
se “shqiptarët nuk janë tjetër veçse shqiptarë dhe nuk do ta ndjejnë veten
të kënaqur veçse kur të jenë të lirë në një Shqipëri të lirë, si një pjesë e
një konfederate shtetesh të pavarura ballkanike nën suzerenitetin e Sulltanit
(Archives du Ministère des Affaires Etrangères de France, Shkodër, 26 gusht
1908, dhe Pinon 1909, f. 813).
Ndërsa shpresat
për autonomi nuk po fuqizoheshin, shqiptarët arritën të
përfitojnë nga reformat e xhonturqve dhe nga liberalizimi relativ
në çështjet kulturore. Ngritën shkolla në gjuhën shqipe dhe themeluan
gazeta në këtë gjuhë si dhe klube patriotike. Por, rrethi tragjik i shtypjes
dhe i kryengritjeve të përgjakshme vazhdonte.
* * *
Po në këtë kohë,
prej 14 deri më 22 nëntor
1908 u mblodh Kongresi
i Manastirit, për të shqyrtuar në atë fazë
disa çështje të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, në radhë të parë për të
zgjidhur çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, njësimi
i të cilit ishte bërë një problem i mprehtë politik, arsimor dhe kulturor
dhe një kërkesë e ngutshme e Lëvizjes Kombëtare.
Për ta përmbushur
këtë kërkesë, atdhetarët shqiptarë shpejtuan ta shfrytëzonin gjendjen e krijuar
pas shpalljes së Kushtetutës në Perandorinë Osmane (23.07.1908).
Nismëtar i thirrjes
së këtij kongresi kombëtar, që ka hyrë në histori si Kongresi i Manastirit, ishte klubi “Bashkimi” i Manastirit. Organizimi i
kongresit të alfabetit u propagandua nga veprimtari politik, shkrimtari,
publicisti dhe përkthyesi, i njohur edhe me pseudonimin Lumo Skëndo dhe Mali
Kokojka - Mit’hat Frashëri (Janinë, 1880 – Nju-Jork, 1949) në
revistën e tij “Liria”. Në një artikull të botuar në të, midis
tjerash ai shkruan: “...ardhi një ditë e pëlqyer për istorinë tonë, që të
nisim liruar' e pa pengim të punojmë për mbrodhësin' e lumturin' e kombit tonë,
jo me barut edhe me armë, po me kartë e pëndë, andaj kjo çështje e Abecesë
lipsetë të jetë fillim, që pa atë nuk do mundim të arrijmë qëllimetë tona të
lartëra për mbrodhësi të gjuhësë”.
Kongresi u mbajt në
shtëpinë e veprimtarit të lëvizjes kombëtare, të lindur në Zavalan të
Dangëllisë (rrethi i Përmetit) Fehim
Zavalanit (1859-1935). Nën
drejtimin e tij, pranë klubit “Bashkimi”
të Manastirit, në vitin 1908 u formua një komitet i fshehtë që luftonte për autonominë
e Shqipërisë. Fehim Zavalani ishte drejtuese i gazetës “Bashkimi i Kombit” që doli në Manastir
në vitet 1909-1910. Në vitet 1911-1912 gazeta doli me emrin “Drita”, si organ i klubit “Bashkimi” të Manastirit.
Femi Zavalani qe ndër
organizatorët kryesorë të thirrjes së Kongresit të Manastirit për njësimin
e alfabetit të gjuhës shqipe. Si kryetar i klubit “Bashkimi” të Manastirit, Fehim Zavalani bashkërendoi veprimtarinë
e të gjitha klubeve shqiptare për mbrojtjen e alfabetit shqip, të kulturës dhe
të të drejtave kombëtare të shqiptarëve kundër reaksionit xhonturk. Në Kongresin e Dibrës (1909), kundërshtoi
përpjekjet e përkrahësve të xhonturqve për t’u imponuar shqiptarëve alfabetin
arab.
Kongresi i Manastirit pra, u mbajt në shtëpinë e Fehim Zavalanit. Në Kongres morën pjesë 50
delegatë. Prej tyre, 32 delegatë ishin me të drejtë vote,
ndërsa 18 delegatë, pa të drejtë vote. Delegatët vini nga
të katër vilajetet e tokave shqiptare: i Shkodrës, i Janinës, i Manastirit dhe
i Kosovës; delegatë të shoqërive, të klubeve dhe të organeve kombëtare të
pjesës më të madhe të trevave shqiptare, si dhe të kolonive shqiptare në
Stamboll, në Bukuresht, në Sofje, në Egjipt, në ShBA, midis tyre shkrimtarë e
gazetarë, lëvrues të gjuhës dhe mësues të shqipes, veprimtarë të njohur të
lëvizjes kulturore dhe politike kombëtare.
Për të
studiuar çështjen e alfabetit dhe për të dalë me propozime, Kongresi
zgjodhi një komision 11-anëtarësh,
të përbërë nga përfaqësues të tre alfabeteve kryesore që ishin
në përdorim.
Në komision bënin
pjesë:
- Poeti, dramaturgu, prozatori, esteti,
publicisti, kleriku i lartë dhe politikani Gjergj Fishta (1871-1940);
- Veprimtari i lëvizjes kombëtare dhe demokratike
shqiptare, poeti e publicisti Luigj Gurakuqi (1879-1925);
- Botuesi i të përjavshmes
shqiptaro-amerikane “Kombi” në Boston Sotir Peci (1873-1932);
- Veprimtari politik, shkrimtari, publicisti
dhe përkthyesi Mit’hat Frashëri (1880-1949);
- Njëri ndër figurat udhëheqëse
të lëvizjes kombëtare në Sofje Shahin Kolonja (1865-1919);
- Deputet i Elbasanit në Kongres
ishte farmacisti Dhimitër Buda (Taqi Buda). Kongresin e mbështeti edhe
financiarisht. Më vonë mbështeti financiarisht edhe Normalen e Elbasanit. Është
baba i historianit Aleks Buda (Elbasan, 1911 - Tiranë 1993);
- Poeti klasik dhe veprimtari atdhetar Ndre
Mjeda (1866-1937);
- Veprimtari i Rilindjes
Kombëtare, publicisti, drejtuesi i shkollës së vashave në Korçë, Gjergj
Qiriazi (1868-1912).
- Veprimtari i Rilindjes Kombëtare,
organizator dhe drejtues i çetave të armatosura për pavarësi në vitet 1906-1908
- Bajo Topulli (Gjirokastër, 1868 – Sarandë, 1930).
- Veprimtari i lëvizjes kombëtare,
publicist i cili iu përkushtua përhapjes së mësimit dhe të shkrimit të gjuhës
shqipe, si dhe ideve kombëtare në Berat - Nyzhet Vrioni (Nyzhet Vrioni,
Berat, 1877 – Romë, 1920). Në Kongres mori pjesë së delegat i klubit “Bashkimi”
të Beratit dhe u caktua anëtar i Komisionit të alfabetit;
- Veprimtari i Rilindjes Kombëtare,
mësuesi i Shkollës së Vashave në Korçë, i cili lindi në Vithkuq të Korçës dhe u
shpërngul në Manastir - Grigor Cilka (1875-1919). Gruaja e tij, Katerina
Cilka ishte mësuese e shkollës së parë fillore për vajza në Korçë.
Ndër pjesëmarrësit e
shquar ishin edhe:
- Veprimtari i
Rilindjes Kombëtare dhe i shkollës shqipe, publicisti Petro
Nini Luarasi (Luaras i Kolonjës,
1865 – Ersekë, 1911). Për veprimtarinë patriotike, arsimore, shoqërore
dhe propaganduese, u përndoq nga xhonturqit dhe Patrikana e Stambollit. Vdiq i
helmuar prej tyre në Ersekë.
- Veprimtari i
shkollës shqipe, studiuesi dhe publicisti nga Shkodra Mati Logoreci (1867-1941);
- Poeti dhe publicisti nga Shkodra Hilë Mosi (1885-1933);
- Veprimtari i Rilindjes Kombëtare, i shkollës shqipe dhe i shtypit
shqiptar, i lindur në Vodicë të Kolonjës Thoma
Avrami (1869-1943);
- Veprimtari i
kulturës dhe i arsimit kombëtar, gjuhëtari Simon
Shuteriqi (1883-1951), i lindur në Elbasan; (Familjes Shuteriqi i takon edhe shkrimtari dhe historiani
i letërsisë Dhimitër Shuteriqi (1915-2003));
- Veprimtarja e
Lëvizjes Kombëtare, gazetarja dhe publicistja Parashqevi Qiriazi (Manastir, 1880 – Tiranë, 1970) e cila punoi për
emancipimin e femrës shqiptare;
Shënim: Familja patriote kolonjare Qiriazi
ishte vendosur në fshatin Tërnovë të Manastirit. Sevasti Qiriazi (Dako) (1871-1949),
Gjerasim Qiriazi (1858-1894), Gjergj Qiriazi dhe Parashqevi
Qiriazi (1880-1970) janë motra e vëllezër. Qenë veprimtarë të Lëvizjes
Kombëtare. Vepruan për arsimimin dhe për emancipimin e popullit shqiptar,
sidomos të femrës shqiptare.
* * *
Gjergj Fishta,
Ndre Mjeda, Mati Logoreci, Luigj Gurakuqi dhe Hilë Mosi vinin nga
Shkodra. Shahin Kolonja dhe Petro Nini Luarasi – nga Kolonja. Thoma Avrami –
nga Korça. Bajo Topulli dhe familja Qiriazi – nga Manastiri. Sotir Peci – nga
Bostoni.
Kryetar i Kongresit u
zgjodh Mit’hat Frashëri,
biri i Abdyl Frashërit (1839-1892). Ai u caktua edhe në Komisionin e alfabetit. Komisioni njëmbëdhjetë anëtarësh kryesohej
nga Gjergj Fishta. Komisioni kishte
për detyrë të studionte çështjen e alfabetit dhe të dilte me propozime.
U arrit menjëherë
mendimi i përbashkët që, pavarësisht nga alfabeti që do të përcaktohej,
kryesorja të ruhej uniteti
kombëtar. Këtë ide Gjergj Fishta e shprehu duke thënë: “...sado
që jam dërguarë prej shoqërisë Bashkim, s’kam ardhurë për të mprojtur atë
abece, po për të gjeturë një mënyrë që të bashkohemi të tërë”.
Tre alfabetet
kryesore që u morën në shqyrtim qenë:
- alfabeti
i “Agimit”, i shoqërisë letrare “Agimi” të Shkodrës, i propozuar nga Ndre Mjeda;
- alfabeti
i Bashkimit, i shoqërisë letrare “Bashkimi” të Shkodrës, i hartuar nga poeti dhe
kleriku, i lindur në Bulgër të Mirditës Preng
Doçi (1846-1917); dhe
- alfabeti
i Stambollit, i hartuar nga Sami
Frashëri.
Kishte shqiptarë,
kryesisht të jugut, të cilët
parapëlqenin alfabetin tradicional të Stambollit. Shqiptarët e veriut ndërkaq, pëlqenin alfabetin e “Bashkimit” të
Shkodrës, i cili ishte më praktik për botime, ngase nuk kishte
shkronja jolatine.
Në kongres u
shqyrtuan gjithashtu edhe dy alfabete të tjera: alfabeti grek, i
përhapur për përdorim të shqipes nga lëvruesi dhe studiuesi i gjuhës
shqipe, veprimtari i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës Konstandin Kristoforidhi
(1872-1895) dhe alfabeti arab, të cilin një numër i caktuar i
myslimanëve, sidomos në Maqedoni dhe në Kosovë, vazhduan ta shohin si të vetmen
zgjidhje edhe për një kohë të caktuar pas kongresit.
Një prej tyre që
përkrahu alfabetin arab ishte edhe veprimtari i lëvizjes kombëtare,
kleriku Rexhep Voka
(Shipkovicë, Tetovë 1847 -
Stamboll 1917). Ai u përfshi në lëvizjen
për çlirim kombëtar dhe për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare, për
mësimin e shqipes dhe për përhapjen e diturisë, si rrugë e emancipimit kombëtar
të shqiptarëve. Në vitin 1903 ishte myfti i vilajetit të Manastirit. Përkrahu
idenë e shkrimit të shqipes me alfabet arab, gjë që u
kundërshtua nga veprimtarët e Rilindjes. Me këtë alfabet botoi dhe një
abetare (“Elifbaja shqipe”, 1910) dhe
një libër mësimi të shqipes dhe të normave të fesë islame (“Mendime”,
1911).
Pas disa ditësh të
përshkuara me diskutime dhe duke marrë gjatë kësaj kohe edhe telegrame nga
mbarë Shqipëria, me kërkesën që të vendosej njëri apo tjetri alfabet, Komisioni
vendosi t’i pranojë variantet e modifikuara:
- të alfabetit të “Bashkimit”; dhe
- të alfabetit të Stambollit.
Tani, në shkolla dhe
në botime mund të përdoreshin të dy alfabetet. Megjithëkëtë, pranimi nga të
gjithë, i vendimit të Komisionit do
të donte ende kohë. Pra, pas mjaft diskutimesh u krijua një alfabet i
ri, i mbështetur i tëri në alfabetin latin, shkronjat e të
cilit plotësoheshin me nëntë dyshkronjësha (dh, gj, ll, nj, rr, sh, th, xh, zh) dhe me dy shkronja
me shenja diakritike (ç, ë). Në fund Komisioni dhe Kongresi vendosën që të
lejohej përdorimi, si i alfabetit të Stambollit, që kishte një
përhapje të gjerë ndër shqiptarë, ashtu edhe i alfabetit të ri. Dy
alfabetet ndryshonin vetëm në shtatë shkronja.
Vendimet e kongresit
që ishin kurorëzim i përpjekjeve të shumë brezave lëvruesish të shqipes për
afrim e njësim, u mirëpritën nga rrethet kulturore shqiptare brenda dhe jashtë
vendit dhe u vunë menjëherë në zbatim.
Brenda pak vitesh, alfabeti i shoqërisë
letrare “Bashkimi” të Shkodrës i miratuar nga Kongresi i Manastirit, fitoi
epërsi dhe u bë shpejt alfabeti i vetëm i shqipes. Njësimi i alfabetit ishte një
hap i rëndësishëm për njësimin e drejtshkrimit dhe të gjuhës
letrare shqipe.
Kongresi i Manastirit
pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare,
për arsimin dhe për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në
përgjithësi. Gjatë ditëve të kongresit u organizuan takime të veçanta dhe
mbledhje të mbyllura me delegatët, ku u rrahën çështje të mprehta
politike. Bisedimet e zhvilluara shërbyen për të afruar pikëpamjet, për
të përcaktuar platformën politike të përbashkët të
organizatave kombëtare dhe për të bashkërenduar më mirë veprimtarinë e tyre.
U hartua edhe
një program kërkesash politike, kulturore dhe ekonomike prej
18 pikash, që iu dha deputetit të Korçës, Shahin Kolonjës (1865-1919),
për ta paraqitur në emër të shqiptarëve - në parlamentin osman. Shahin Kolonja ishte një ndër figurat
udhëheqëse të lëvizjes kombëtare në Sofje.
Kongresi i Manastirit
e ngriti lëvizjen kombëtare në një shkallë më të lartë. Për të janë bërë botime
të posaçme, si përmbledhja “Alfabeti i gjuhës shqipe dhe Kongresi i
Manastirit” (1972) dhe studimi “Kongresi i Manastirit” (2004) nga
gjuhëtari Shaban Demiraj (Vlorë, 1920 – Tiranë, 2014) dhe nga
historiani Kristaq Prifti (Berat,
1932 - 2017).
Përcaktimi
i kombit shqiptar për alfabetin latin kishte për të një rëndësi politike të
jashtëzakonshme. Një përcaktim i tillë ishte i natyrshëm. Kjo dëshmoi qartë se
shqiptarët janë një popull evropian - pjesë e pandarë e qytetërimit
perëndimor.
Kongresi i Manastirit i priu shpalljes
së pavarësisë së Shqipërisë, gjë që ndodhi katër vjet më vonë.
Çështja e alfabetit
qe një temë politike e diskutuar gjatë Rilindjes, e
kështu do të mbetej edhe për disa vjet me radhë, përkatësisht deri në vitin
1908. Me vendimin për të mbështetur një zgjidhje kompromisi,
Kongresi shtroi rrugën për një kalim shkallëzor nga alfabeti i
Stambollit te alfabeti i
tanishëm i shqipes, i bazuar në shkronja latine, si dhe
arriti të mënjanojë mjaft polemika dhe kundërshtime në vitet e mëvonshme.
Ndonëse një gjuhë
letrare, me një drejtshkrim përfundimtar
për të gjithë leksikun u vendos jo më parë se në vitin 1972 në Kongresin
e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe të mbajtur në Tiranë prej 20 deri
më 25 nëntor 1972, vendimet e miratuara 64 vjet më herët në Kongresin e
Manastirit, e lehtësuan mjaft formimin e disa normave gjuhësore në fushën e botimeve dhe ndihmuan në
ecjen përpara të një letërsie
shqiptare më të njësuar.
Vitet e fundit,
shqiptarët rregullisht e kremtojnë përvjetorin e Kongresit të Manastirit. Por,
ata nuk duhet të harrojnë se qyteti i alfabetit -
Manastiri historik, i cili dikur ka qenë qytet i banuar kryesisht me shqiptarë,
sot është zbrazur në përmasa frikësuese, saqë është bërë
vështirë të jesh shqiptar në këtë qytet. Pushteti sllavo-maqedonas, që nga viti
1945 e këndej ka bërë çmos për t’i privuar shqiptarët e Manastirit nga
arsimimi në gjuhën amtare, nga e drejta për t’u punësuar dhe për
të ushtruar çfarëdo veprimtarie ekonomike. Ndaj tyre është ndjekur
politika e gjenocidit dhe e aparteidit të heshtur. Të getoizuar, të margjinalizuar dhe të
privuar nga çdo e drejtë kombëtare dhe njerëzore themelore, shqiptarët e
Manastirit u detyruan t’i marrin rrugët e migrimit, përtej deteve dhe oqeaneve,
deri në ShBA, Australi, Zelandë të Re dhe Kanada, për të mos u kthyer kurrë më.
Vitet e fundit,
shqiptarët e festojnë rregullisht përvjetorin e alfabetit, duke harruar se
ndërtesa ku u mbajt kongresi historik, është sulmuar nga persona të panjohur,
madje jo një herë. Sulmuesit nuk duket të jenë vandalistë të rëndomtë. Qeveria
sllavo-maqedonase në të cilën bën pjesë edhe faktori politik shqiptar, kurrë nuk arriti t’i zbulojë
sulmuesit e shtëpisë së alfabetit.
Shqiptarët është mirë
t’i shënojnë datat e rëndësishme të historisë së tyre, por pa i mitizuar ato.
Shqiptarët nuk duhet ta mitizojnë,
as hapjen e shkollës së parë
shqipe në Korçë të themeluar më 1887 dhe as Kongresin e Manastirit
që ndryshe quhet edhe Kongres i alfabetit.
Nga mesi i shekullit
XIX, popuj të caktuar të gadishullit i hartuan projektet e veta kombëtare. Shqiptarët
ndërkaq, të gjendur nën sundimin osman, ia dolën të botojnë jo më shumë se një
abetare prej tetë faqesh – “Ëvetari” (1844) i Naum
Veqilharxhit (1797-1846). Ky ishte një nga figurat më të hershme që iu
përkushtua krijimit të një alfabeti të ri të shqipes e njëherazi një nga të
parët që formuloi idealet dhe objektivat e lëvizjes kombëtare shqiptare që në
hapat e parë të saj.
Derisa shqiptarët
përpiqeshin t’i kapërcenin pengesat që ua krijonin autoritetet e Portës së
Lartë për të themeluar shkollë fillore me mësim në gjuhën amtare, në këtë
periudhë, disa prej fqinjëve ballkanikë kishin themeluar universitete dhe institucione të tjera
shkencore dhe arsimore.
Kroatët nuk janë
popull ballkanik dhe nuk kanë qenë nën sundimin e Perandorisë Osmane,
por të Austro-Hungarisë. Ky popull që kufizohet me Gadishullin Ballkanik,
universitetin e vet e ka themeluar qysh në mbarim të shekullit XVII,
përkatësisht më 23 shtator 1669.
Çdo popull, shkaqet e
vonimit, duhet t’i kërkojë në radhë të parë në vetvete, e pastaj jashtë vetes.
