| E shtune, 15.11.2025, 06:56 PM |

Në përkujtim të diplomatit dhe atdhetarit Gani Azemi
(Më
25 nëntor 2025, mbushen 13 vjet pa ty Gani Azemi)
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova ka vlerësuar
vazhdimisht në mënyrë pozitive personalitetin dhe integritetin profesional të
diplomatët Gani Azemi, duke e cilësuar atë si një intelektual përparimtar dhe
mbështetës të lëvizjeve që kanë afirmuar të vërtetën historike të popullit
shqiptar.
Nga
Hysen Ibrahimi, Suedi / Förslöv
Është fakt i njohur se angazhimi i Gani
Azemit në shërbim të kauzës kombëtare ka marrë vlerësime të gjera, ndër të
cilat spikat edhe vlerësimi i Presidentit Historik të Republikës së Kosovës,
Dr. Ibrahim Rugova. Presidenti Rugova ka theksuar në më shumë se një rast rolin
dhe kontributin e Azemit në diplomacinë kosovare, vlerësime të cilat kam pasur
rastin t’i dëgjoj personalisht nga ai.
Ndër të tjera, Presidenti Rugova ka nënvizuar
se Gani Azemi dallohej për karakterin e tij të fortë, për kulturën e gjerë
intelektuale dhe për orientimin e tij progresist në mbështetje të çështjeve
historike shqiptare. Sipas Rugovës, Azemi ka ditur ta sensibilizojë me shumë
kompetencë çështjen shqiptare në Bruksel, duke u treguar jo vetëm diplomat i
aftë, por edhe njohës i thellë i historisë së popullit shqiptar. Rugova i është
referuar shpesh këtij dimensioni të punës së Gani Azemit sa herë që e ka
përmendur emrin e tij.
Këto vlerësime të Presidentit Ibrahim Rugova
lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë e Gani Azemit dhe përfaqësojnë një pasqyrim
të qartë të rolit të tij. Presidenti Rugova shpesh ka theksuar—po e riprodhoj
këtu afërsisht sipas mënyrës së tij të shprehjes—citat: “Mund të jetë
edhe një konstatim shkencor imi për Gani Azemin, sepse ai ka dhënë një
kontribut të dukshëm në Bruksel për afirmimin e çështjes shqiptare, për
pavarësinë e Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunimin që kam pasur me të.” –
fund citati.
Gjithashtu, sa herë që zhvillohej diskutim
mbi Evropën apo Bashkimin Evropian, Presidenti Rugova nënvizonte se Gani Azemi
kishte krijuar një “epokë të re të lidhjeve ndërmjet Dardanisë dhe Evropës”,
duke e cilësuar atë si zërin më të fuqishëm që u dëgjua në këtë drejtim. Këto
vlerësime dëshmojnë se bashkëpunimi dhe marrëdhënia ndërmjet Presidentit Dr.
Ibrahim Rugova dhe diplomatit Gani Azemi kanë qenë tepër të ngushta.
Kontributi i Gani Azemit si përfaqësues i
Presidentit Rugova në Bruksel është i dokumentuar jo vetëm përmes deklarimeve
të vetë Presidentit, por edhe përmes burimeve zyrtare. Në vitin 2005, një
dokument i Senatit belg përmend dhe konfirmon qartë këtë rol, ku një zyrtar
belg deklaron—citat: “Gani Azemi ishte përfaqësues në Bruksel i
Presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.” – fund citati.
Kontributi më domethënës në sensibilizimin e
gjendjes së rënduar politike dhe ekonomike në Bashkimin Evropian u realizua nga
Gani Azemi. Këtë e dëshmojnë edhe një sërë artikujsh, në të cilët theksohet se
Presidenti Dr. Ibrahim Rugova e konsideronte Azemin si një nga zërat kryesorë
të lobimit ndërkombëtar për Kosovën, duke e cilësuar shpesh si “Zërin e
pavarësisë së Kosovës në Bruksel”.
Me qasjen e tij diplomatike, Gani Azemi u
shndërrua në një hallkë lidhëse të rëndësishme midis Prishtinës dhe Brukselit.
Ai veproi në përputhje me strategjinë e Presidentit Rugova për ndërkombëtarizimin
e çështjes së Kosovës përmes institucioneve evropiane dhe atyre euroatlantike,
duke kontribuar në afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare.