| E premte, 14.11.2025, 06:56 PM |
NJË LETËR
QË
NA VJEN PAS VDEKJES
nga
Rudolf Marku…
Nga
Visar Zhiti
Nuk
e di a është ky libër në Panair tani, “Një letër që na vjen pas vdekjes”, paska
ca kohë që është botuar, por mua më foli miku im Dine Dine, ai ishte takuar dhe
me autorin Rudolf Marku dhe kishte mbetur me përshtypjet më të mira nga biseda
e gjerë, dijet dhe empatia e tij, që unë i dija nga shumë herët, që kur ishim
studentë…
Dhe
Dinia më nisi fotot e disa nga fletët e librit. Ishte i gëzuar që kishte gjetur
dhe emrin tim nëpër to, kujtohesha me të tjerë shokë e miq… dhe - ne jemi ajo
që kujtojmë, - kujtoj shpesh këtë thënie të poetit italian Mario Luzi, që e
dua(m) shumë.
Po
unë pse nuk e dija këtë libër të Rudolf Markut? Apo duhej të më vinte pas
vdekjes?
Libri
qenka një përmbledhje e eseve, botuar nga UetPress, që fillimisht kishin dalë
në suplementet letrare…
Dhe
më mallëngjen fakti që ndodh dhe e kundërta ndër shqiptarë, që flasin mirë për
tjetrin edhe kur ai s’e di a s’është aty me ta, prapa shpine, - si të thuash, -
kur e dimë nga dramat dhe proverbat, nga përvoja vetanake që të ngulin thikën
metaforike, prapa shpine, pra, ata që shtiren si shokë, gjithmonë të dikurshëm,
asnjëherë në të tashmen, etj, etj, ndërkaq unë isha mbyllur në tragjedinë time,
kisha ikur… secili ka tempullin e tij dhe fatin e tij, por s’jemi gjithmonë aq
vetëm dhe aq të braktisur… ka duar qiellore që na zgjaten, s’dihet nga ku dhe
kur… na thërrasin…
S’është
rastësi që libri me poezi i poetit Rudolf Marku në këtë panair titullohet
“Kthimet”, do të duam të kthehemi të gjithë te vetvetja më e mirë ashtu si te
tjetri që do të donim… dhe libri im po me poezi në këtë panair ka titullin
“Dritë që ecën zbathur”… qofshim të varfër si drita, pa as këpucët metaforike,
maska të këmbëve, them…
