Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Visar Zhiti: Një letër që na vjen pas vdekjes, nga Rudolf Marku…

| E premte, 14.11.2025, 06:56 PM |


NJË LETËR

QË NA VJEN PAS VDEKJES

nga Rudolf Marku…

Nga Visar Zhiti

Nuk e di a është ky libër në Panair tani, “Një letër që na vjen pas vdekjes”, paska ca kohë që është botuar, por mua më foli miku im Dine Dine, ai ishte takuar dhe me autorin Rudolf Marku dhe kishte mbetur me përshtypjet më të mira nga biseda e gjerë, dijet dhe empatia e tij, që unë i dija nga shumë herët, që kur ishim studentë…

Dhe Dinia më nisi fotot e disa nga fletët e librit. Ishte i gëzuar që kishte gjetur dhe emrin tim nëpër to, kujtohesha me të tjerë shokë e miq… dhe - ne jemi ajo që kujtojmë, - kujtoj shpesh këtë thënie të poetit italian Mario Luzi, që e dua(m) shumë.

Po unë pse nuk e dija këtë libër të Rudolf Markut? Apo duhej të më vinte pas vdekjes?

Libri qenka një përmbledhje e eseve, botuar nga UetPress, që fillimisht kishin dalë në suplementet letrare…

Dhe më mallëngjen fakti që ndodh dhe e kundërta ndër shqiptarë, që flasin mirë për tjetrin edhe kur ai s’e di a s’është aty me ta, prapa shpine, - si të thuash, - kur e dimë nga dramat dhe proverbat, nga përvoja vetanake që të ngulin thikën metaforike, prapa shpine, pra, ata që shtiren si shokë, gjithmonë të dikurshëm, asnjëherë në të tashmen, etj, etj, ndërkaq unë isha mbyllur në tragjedinë time, kisha ikur… secili ka tempullin e tij dhe fatin e tij, por s’jemi gjithmonë aq vetëm dhe aq të braktisur… ka duar qiellore që na zgjaten, s’dihet nga ku dhe kur… na thërrasin…

S’është rastësi që libri me poezi i poetit Rudolf Marku në këtë panair titullohet “Kthimet”, do të duam të kthehemi të gjithë te vetvetja më e mirë ashtu si te tjetri që do të donim… dhe libri im po me poezi në këtë panair ka titullin “Dritë që ecën zbathur”… qofshim të varfër si drita, pa as këpucët metaforike, maska të këmbëve, them…