E premte, 14.11.2025, 10:03 PM (GMT)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Text Syndrome

E premte, 14.11.2025, 06:55 PM


Text Syndrome

Nga Edison Ypi

Me kompjuter tekstin e korrekton, fshin, kopjon, transferon, lehtësisht.

Mirpo, nëse ndaj tekstit ke qasje perfeksioniste, kritike, dyshuese, tekstin gjithmonë e konsideron provizor, kurrë definitiv, dhe për të parë çfarë ke katranosur, tekstit heraherës i kthehesh ta lexosh.

Leximi serioz i tekstit që ke shkruar vetë, bëhet duke ju larguar. Kurrë si autor. Vetëm si lexues sa më i largët, si lexues që autorin nuk e njeh dhe dhe do e njohi kurrë.

Por në tekst editorin ku sapo shkrojte dhe ku gjithçka mund të ndryshohet, asgjë nuk është e sigurtë, çdo ndryshim është i mundshëm dhe i kollajshëm. Tekst editori nuk ka soliditetin, ngurtësinë, sigurinë, besën, e tekstit mbi gur a pergamenë, as mbi letër me penë e bojë.

Meqënse në text editorin e kompjuterit gjithçka lëviz lehtësisht, tekst editori nuk mundëson besueshmërinë që leximi për së mbari lyp. Leximi nuk mund të jetë i këndshëm. Aq më pak definitiv. I përsosur kurrsesi.

Kjo paqëndrueshmëri, ky rrezik, të shqetëson, tmerrin ta kall. Fillon e krruhesh. Nis e vuan. Sëmuresh. Çmendesh. Edhe vdes.

Për të lexuar për së mbari, me dëshirë, me qef, nuk është e mundur pra të lexosh në terrenin e rrëshqitshëm ku shkruan, në text editor.

Lypset një terren tjetër, jo tektonik, një mjedis tjetër, jo fluid, jo liquid, një mjedis i ngurtë, i sigurtë, ku teksti është i palëvizshëm, i pandryshueshëm.

Kjo turbullirë të detyron që për të lexuar çfarë shkrojte, text editorin e lëvritshëm e braktis. Ikën ta lexosh tekstin tënd dikund tjetër. Në një vend më të sigurtë, më pak të lëvizshëm, më pak ranor, mundësisht shkëmbor, ku tekstin mund ta lexosh, por jo edhe ta ndryshosh.

Ka një vend të tillë. Është letra me tekst të printuar. Atë bën. Atje shkon. Atje lexon. Atje kokën e pëplas.

Mirpo kur nis e lexon në letër, meqënse nuk mund të ndryshosh, pas pak, një tjetër taksirat të gjen, nis e krruhesh përsëri.

Nis e vuan nga pamundësia e ndërhyrjes në tekst për të bërë ndreqjet përkatëse të papërsosmërive që konstaton mbi tekstin e ngurtë. Për pasojë, pas pak, të thërret rrëshqitja, lëvizshmëria, pabesia.

Ky hall ta bën të papërmbajtur dëshirën për tu kthyer atje ku ishe. Te text editori. Ku teksti nuk është i ngurtë por fluid. Ku ndryshimet bëhen aq kollaj. Ku ideja ndreqet dhe plotësohet aq lehtësisht. Dhe atje vete. Atje kokën e përplas.

Por pas pak edhe atje s'ndjehesh rehat. Përsëri nis e krruhesh, derisa të del gjak.

Kalimi nga mjedisi kompjuterik ku ndryshimi i tekstit bëhet me lehtësi dhe leximi me vështirësi, tek tjetri mjedis, tek letra, ku leximi bëhet me lehtësi por ndryshimi është i pamundur, shkon përsëri tek e para, te tekst editori.

Sa te njëri te tjetri mjedis, çorientohesh, s'di ku kokën ta përplasësh, ke rënë në kurth, ke hyrë në një labirint, po hedh një valle prejnga nuk del dot.

Në këto kushte, të lumtur mund të vazhdojnë të jenë vetëm të stërviturit me këtë stërmundim. Ata që nuk janë gjallë. Ata që kryeveprat i shkruajtën me penë e bojë. Homeri e Shekspiri. Lasgushi e Kadarea.

Në epokën parakompjuterike çështjet shkrim-lexim dhe autor-lexues, si tepër serioze, ishin të ndara.

Sot këto sinore nuk janë të qarta.

Sa duket vuajtjet e sotme kompjuterike me ndjesira dekurajuese të shkrimit dhe leximit, janë sëmundje, janë Sindromë. Gjasat janë që Sindroma e Tekstit është sëmundje nga e cila vuajnë të gjithë që me tekstin kanë qasje perfeksioniste, dashurore, qiellore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx