| E merkure, 12.11.2025, 06:50 PM |
Planshet
Nga
Edison Ypi
"Më
hodhën" ushtar në Vlorë. Diku mes Lagjes Çole dhe Fushës së Aviacionit. Në
baterinë kundërajrore që "mbronte" Vlorën. Që ditën e dytë të
"hedhjes", e deri ditën e fundit pas tre vjetësh, punova në
prapavijë, në ofiçinë, tornitor. Për asnjë meritë. Thjesht se isha i vetmi që e
njihja atë zanat.
Ndërkohë
që punoja në ofiçinë, haja e flija pak më tutje ku ndodhej bateria, 6 topa
kundërajrorë me mbushje automatike 57 mm.
Gjatë
pasditeve shihja me kureshtje funksionimin e topave, Stacionin radiolokativ për
ndjekjen e aeroplanave "armiq" natën ose në kohë të vranët, ADZKA-në
(Aparati i Drejtimit të Zjarrit të Artilerisë Kundërajrore) për ndjekjen e
shkelësave të kufirit ajror me sy të lirë gjatë motit të pastër, ditëve pa dhe
mjegulla, një ndërlikim mahnitës optik, elektrik, elektronik, mekanik,
elektro-mekanik.
Ardhur
ushtar fill pas mbarimit të Politeknikumit, përpija me kuriozitet morboz
meknikën e çdo lloji, kudo ku ma shihte syri.
Që
në muajt e parë më ra në sy diçka:
Ekzistonte
në Qafë të Koçiut pranë komandës së regjimentit kundërajror një njësi
ndërlidhëse mes 7 baterive kundërajrore: Çole, Kaninë, Zvërnec, Sazan,
Karaburun. Por ishte me telefon me manovelë, rudimentare, primitive, e ngathët,
e vështirë. Mungonte një qëndër koordinuese mes topave, apo grykave të zjarrit
siç quheshin, me radiolokatorin, ADZAKA-në, dhe komandën drejtuese. Mungonte
pra një "tru" i domosdoshëm, një bërthamë njerëzore që të analizonte, udhëzonte dhe urdhëronte me
shkathtësi çfarë të bëhej për secilin rast të shkeljes së hapësirës ajrore
shqiptare.
Kalova
muaj duke e variacionuar zgjidhjen. Më tepër në gjumë se zgjuar. Derisa ëndërra
u tret pakngapak për t'ja lënë vendin realitetit, materialeve, veglave,
sharrës, limës, havisë, saldatriçes, tornos.
Nuk
shpalla as nuk heshta çfarë po bëja. Duke më parë me gjithato skica, kabllo,
sharra, dritëza, plexiglasa, iu duk se çoç po bëja. Mes oficerave dhe ushtarëve
nisi të qarkullojë një fjalë e padëgjuar më parë - Planshet. Një lloj harte
ushtarake, pra, me shenja, shigjeta, simbole, me pozicione, plane për mbrojtje,
mësymje.
Në
ofiçinë, veç tornos dhe ca mjeteve të tjera, ishte dhe një lloj laboratori i
vogël me mjete elektrike dhe elektronike. Njëri nga këto mjete, ai që ma
ngacmonte më tepër fantazinë, ishte një elektromotor i vogël i quajtur
"Selsin". Selsini kishte një cilësi mahnitëse: Nuk bënte rrotullime
të plota. Bënte vetëm rrotullime të pjesëshme në varësi të kohëzgjqtjes së
impulsit elektrik që merrte.
Shyqyr
që ekzistonte. Selsini ishte pikërisht çfarë më duhej.
E
ndjeja si dita ditës rrerhohesha me një respekt të shtuar për "gjatovilin
me një kapotë të grisur që kapelja dhe përshëndetja me grusht e
siketosnin".
Kur
Plansheti po merrte formë, më thanë se për inaugurimin e tij do vinte
komandanti i përgjithshëm artilerisë kundërajrore, Bejdo Isufi.
Plansheti
ishte një tavolinë 2 x 2 metra me katër këmbë dhe kornizë me "L"
metalike, mbuluar e tëra me një fletë plexiglasi. Sipërfaqja ishte harta e Gjirit
të Vlorës e ndarë në kuadrabte. Nën plexiglasin një dritëz e vogël
inkandeshente 12 volt, Led ende nuk ishte shpikur, ndërronte pozicion,
afrohej-largohej ose bënte lëvizje këndore në varësi të çvendosjes së
aeroplanit shkelës të kufirit. Dy selsina, njëri për distancën, tjetri për
këndin tokësor ose planimetrik, dhe një tufë arzualle me kablla, fildispanja,
karrukulla, brusha, bënë të mundur marrjen e impulseve nga radiolokatiri,
çvendosjen e dritëzës etj.
Erdhën
për ta parë Planshetin oficerë nga kundërajrorët e reparteve të tjera dhe nga
Shkolla e Avicionit që ishte aty afër. Ndjeja se po më rrethonin me aureolën e
magjistarit, kuturisja në thagmat e të cilit ishte po aq e gabuar dhe mëkatare
si me u ngatërru në punët e Zotit.
Nisën
të bëjnë ndaj meje një sy qorr dhe një vesh shurdh. Nuk më merrnin më për të
bërë roje me helmetë në kokë mbi terracën e vendkomandës para fjetores. Nuk ma
vinin në dukje nazet që i bëja kapeles dhe përshëndetjes me grusht. Të gjithë
prisnin groteskun e rradhës, inaugurimin e Planshetit në prezencë të komandant
Bejdo Isufit.
Duke
i dhënë dorën e fundit Planshetit dhe duke pritur komandantin, bëra një proçkë.
Ishte
pasdite 28 nëntor. Dola te Rruga Transballkanike i ngrita dorën një skode.
Drang e drung nëpër gropat e rrugëve të asaj kohe, në Zhamë ku kthen rruga për
Divjakë, na zunë rrugën një oficer dhe dy ushtarë, garnizoni që ndalonte
ushtarët e ikur pa leje, kopsa të këputura në gjimnastorkë, këpucë pa gambale,
këmbë pa pece, etj. Më zbritën nga Skoda më rrasën në një Gaz 69. Drejt e në
Lushnje. Drejt e te një dhomë izolimi ku gjeta një ushtar tjetër mbledhur
krruspull në një qoshe që nuk ma tha pse ndodhej aty. Deri të nesërmen kur
dremitjen ma prishi një muzikë marciale. Muzika vinte nga një radio në oborr.
Kishte nisur parada, ushtarake e 29 Nëntorit, parakalimi, kërcënimet me topa,
tanke, raketa, Sazanin dhe Karaburunin i kemi veshur me hekur dhe beton.
Kapitalistave, revizionistave, monarkofashistave, do u zbrazim plumb të shkrirë
në gojë. Do i shpallim luftë të bardhëve, të zinjve, të verdhëve.
E
kam bërë pra 1 natë burg në jetën time.
Tafti-bafti,
pashë-ç'pashë i rashë shkurt.
Shtyva
derën e lidhur me një cop tel. Dola në oborr. Rojat e përqëndruar mbi paradën
në radio s'më panë, ose bënë sikur s'më panë. Kapërxeva një mur qesharak. Dola
te kryqëzimi Berat-Fier. I ngrita dorën një Skode tjetër. Më solli në Vlorë
shëndoshë e mirë. Të nesërmen në rreshtimin e mëngjezit, komandanti i
regjimentit Cane Rama, tha:
Një
këtu, një atje, hodhi hapat Xhaxhi Stefi, kaloi murin e Garnizonit hahahaha.
Xhaxhi
Stefi kishte qënë një marinar rus shtatlartë sajesë letrare karikatureske për
të zbavitur kalamajtë me propagandë. Cania dhe të tjerët e mbanin ment nga
vitet kur kishin qënë në Bashkimin Sovjetik, njëri për artileri, tjetri për
optikë, armatim, municion etj. Të gjithë tyça. Të gjithë me mbiemra emra
fshatrash nga Lumi i Vlorës.
Më
vunë të thosha ca fjalë në inaugurimin modest më këmbë para tornos ku erdhi
Bedo Isufi me një shpurë të vogël nga pas. Mëc-mëc, s'qullosa asgjë. Thirrën të
fliste mirditorin e laboratorit që më dha selsinat.
Planshetin
e vunë para fjetores, brenda vendkomandës me terracë, ku dy ushtarë vranë veten
në shërbim roje nga mërzia, monotonia. Por nuk u përdor kurrë. Asnjë aeroplan
armik nuk lëshoi kurrë asnjë bombë mbi uzinën e Sodës apo të llampave
elektrike, për ta provuar: piloti rrogëtar i NATO-s bombën, unë Robinsoni i
ishullit më të lumtur të botës, planshetin.
Pse
e rrëfeva këtë mesele ?
Ta
them, por mbaje sekret.
Sepse
isha vetëm 19.