| E shtune, 08.11.2025, 07:00 PM |
FORMULA E PAGËZIMIT, NGA FJALA E SHENJTË TE FJALA KOMBËTARE
(Ese
për Formulën e Pagëzimit të Pal Engjëllit)
Nga
Prend BUZHALA
Më
8 nëntor 1462 u shkrua në gjuhën shqipe, me alfabet latin, “Formula e
pagëzimit”, teksti më i vjetër i njohur i shqipes së shkruar. Autor i saj është
Pal Engjëlli (1416–1470), klerik katolik arbër dhe kryepeshkop i Durrësit.
Pal
Engjëlli ishte mik, bashkëpunëtor dhe këshilltar i ngushtë i Gjergj
Kastriotit–Skënderbeut, të cilit i ka shërbyer si diplomat dhe përfaqësues
kishtar.
Në
veprën e tij kushtuar Skënderbeut, Marin Barleti e përshkruan Pal Engjëllin si:
“burrë i pajisur me mendje shumë të lartë
e me zotësi të rrallë në oratori, me dituri si askush dhe i vaditur në
letërsinë e shenjtë e humane, si greke ashtu edhe latine, sidomos i shquar për
rreptësi në jetë e zakone.”
Pal
Engjëlli është përkujtuar në histori si një dijetar dhe njeri besnik, që Skënderbeu
e mbajti pranë për maturinë, kulturën dhe pastërtinë e jetës së tij. Ai u
nderua si orakull i urtësisë dhe fesë mes arbërorëve të Motit të Madh.
“Formula
e pagëzimit” ruhet sot si gur themeltar i gjuhës së shkruar shqipe, dëshmi e
gjallë e lashtësisë së fjalës sonë.
1. Në hyrje
Për
Pal Engëllin dimë dy fakte: se është autor i dokumentit Formula e Pagëzimit
(1462), se ai ka qenë në kreun më të lartë politik e diplomatik të udhëheqjes
së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Madje, mund të thuhet se Skënderbeu kishte
qeverinë më të shkolluar në Evropën Juglindore (Ballkani i sotëm). Pos Pal
Engëllit, aty bënin pjesë edhe Dhimitër Frangu, Gjin Gazulli etj.
Për
jetën e tij mësojmë nga vepra "Histori e Skënderbeut" e Marin
Barletit. Barleti na shpjegon:
"Si
u nderua kështu publikisht nga qytetarët dhe nga populli i Raguzës, Skënderbeu
qëndroi atje duke pritur sa të vinte gjithë flota dhe gjithë ushtëria; si
erdhën, u bënë dhe u zhvilluan lodra dhe ndeshje të ndryshme e gjithfarësh.
Pastaj Pal Engjëlli, kryepeshkopi i Durrësit, i cili ka qenë shoku dhe
pjesëmarrësi i të gjitha udhëtimeve, rreziqeve dhe këshillave të Skënderbeut,
si ndonjë Ahat tjetër i Eneut (shok i Eneut), duke falënderuar qytetarët dhe
popullin e Raguzës, mbajti këtë fjalë." (f. 393). Dhe ashtu sikundër Fjala
e Gjallë është pjesë e fjalimeve dhe diskutimeve nëpër parlamente, ajo e tillë
është edhe nëpër takime diplomatike, konferenca të ndryshme etj. etj. Dikur,
pikësynim kryesor fjalimi kishte mbarë-shtrimin e kërkesave për një mendim më
të lirë, apo sikundër thuhet, për vënien në pah të kërkesave demokratike.
2. Rrafshi semantik i
FORMULËS SË PAGËZIMIT
“Formula
e pagëzimit” është një tekst i shkurtër ritual që përmban fjalët me të cilat
prifti pagëzon një fëmijë kur nuk ka kohë për një ceremoni të plotë kishtare.
Në versionin e shkruar nga Pal Engjëlli, formula është: “Un’të paghesont’
pr’emenit t’Atit e t’Birit e t’Shpertit Senit.” (Në shqipen e sotme: “Unë të
pagëzoj në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë.”) e, pra,
semantikisht, fjalia është një akt gjuhësor fetar: përmes shqiptimit të saj,
kryhet një veprim real, pagëzimi. Fjalët nuk janë vetëm përshkruese, por
vepruese (performative), siç thotë filozofi i gjuhës J.L. Austin. Në planin
gjuhësor, pra, formula paraqet një formë të hershme të shqipes së shkruar, me
tipare fonetike dhe morfologjike të periudhës mesjetare. Folja “paghesont” (të
pagëzoj) paraqet ndikime të latinishtes kishtare baptizo, ndërsa parafjalët
“pr’emenit” dhe “t’Shpertit Senit” tregojnë shkurtime e trajta dialektore të
kohës. Struktura e fjalisë është e qartë dhe lineare, duke ndjekur rendin
logjik të një akti fetar.
Në
rrafshin semantik fetar, formula është shprehja e misterit të Trinisë së
Shenjtë: Ati, Biri dhe Shpirti i Shenjtë janë tre persona në një Zot. Së
këlndejmi, kuptimi i brendshëm i formulës lidhet me lindjen shpirtërore, faljen
e mëkatit të lindjes dhe futjen në bashkësinë e krishterë. Kështu, fjalia
kapërcen rrafshin e komunikimit, vjen si fjali sakramentale, që bart fuqi
shpirtërore dhe hyjnore.
Semantikisht,
“Formula e pagëzimit” përfaqëson fillimin e gjuhës shqipe të shkruar. Në këtë
kuptim, formula merr një vlerë simbolike kombëtare: është fjala e parë e
shenjtë që dëshmon ekzistencën e shqipes si gjuhë e kultit; shpreh identitetin
shpirtëror dhe gjuhësor të arbërve të shekullit XV; dëshmon për një
bashkëjetesë të fesë me gjuhën kombëtare, ku shqipja përdoret për të
shenjtëruar aktin më të rëndësishëm të jetës. Në këtë plan, formula ka një
semantikë dyfishe: ajo është religjioze dhe nacionale njëkohësisht.
Në
aspektin e fjalëve: “Unë” - “Un’” tregon përdorimin
e formës së shkurtuar të vetës së parë. “të pagëzoj” - “të paghesont” (me -nt) është një formë e vjetër foljore me
trajtë mesjetare (me ndikim nga latinishtja “baptizo”); “pr’emënit” (për emrin)
ruan formën arkaike të paranyjëzimit “pr’” për “për”; “t’Atit, e t’Birit, e
t’Shpertit Senit” shfaq rendin trinitar dhe ruan trajtën e hershme të tingullit
“Shpert” për “Shpirt”. Kështu, formula pasqyron një fazë shumë të hershme të
zhvillimit të shqipes dhe kontaktet e saj me latinishten dhe gjuhët e tjera
kishtare.
Në
rrafshin kulturor e historik, “Formula e pagëzimit” është gur themeli i
shkrimit të gjuhës shqipe. Ajo dëshmon për praninë e një vetëdijeje gjuhësore
dhe për përpjekjen e klerit katolik për ta përdorur shqipen në liturgji. Në
kohën kur gjuha latine ishte dominuese në kishë, fakti që Pal Engjëlli përdori
shqipen për një akt sakramental, dëshmon për një ndërgjegje të thellë
etnike e nacionale (natio: në kuptmin e
hersjhëlm antik e të Renensancës) dhe për një ndjenjë identiteti gjuhësor dhe
shpirtëror.
Në
kuptim simbolik, “Formula e pagëzimit” është:
pagëzimi i parë i fjalës shqipe, një rilindje shpirtërore e gjuhës; akt
i vetëdijes kombëtare, ku shqipja hyn në fushën e shenjtë; një këpujë midis
besimit dhe identitetit kombëtar. Do të thotë, semantikisht, formula nuk shënon
vetëm një akt fetar, por edhe lindjen e vetëdijes gjuhësore shqiptare. Në rrafshin simbolik, “Formula e pagëzimit”
mund të lexohet si pagëzimi i vetë gjuhës shqipe.
Në
tërësi, semantika e “Formulës së pagëzimit” përfshin: kuptimin ritual
(fetarisht veprues), kuptimin gjuhësor (shqipja e parë e shkruar), kuptimin
kulturor (shenjë e identitetit arbëror), kuptimin simbolik (pagëzim i gjuhës
vetë). Në mënyrë poetike mund të thuhet se me Formulën e pagëzimit, u pagëzua
vetë gjuha shqipe.
Përmes
këtij akti, shqipja hyn për herë të parë në sferën e shenjtë, duke u bërë gjuhë
e Zotit dhe e shpirtit njerëzor. Ajo shënjon momentin kur fjala shqipe merr
status të shenjtë dhe universal, duke u bërë pjesë e një tradite kulturore dhe
fetare që e ngre atë përtej kufijve të thjeshtë etnikë. Së këndejmi, në planin
metaforik, kjo formulë mund të quhet akt themelues i identitetit kulturor
shqiptar.
3. Fjalë që e ruan
kujtesën dhe identitetin
“Formula
e pagëzimit” lindi në kohën kur shkrimi i shqipes nuk ishte ende i përhapur dhe
gjuha e liturgjisë ishte latinishtja. Pal Engjëlli, si njeri i dijes dhe i
besimit, e ndjeu se fjala e Zotit duhej të kuptohej në gjuhën amtare të
njerëzve. Kështu, ai shkroi fjalët e pagëzimit në shqip, që prifti t’ia thoshte
foshnjës në momentin më të shenjtë të jetës — lindjes shpirtërore. Në këtë
mënyrë, shqipja u bë për herë të parë gjuhë e sakramentit, gjuhë e shpëtimit, e
cila nuk përkthente më fjalën e Zotit, por e fliste atë. Kjo është arsyeja pse
formula e Pal Engjëllit ka një kuptim të thellë teologjik dhe një vlerë të
pakrahasueshme në historinë e kulturës sonë.
Në
atë fjali të shkurtër ruhen shtresa të gjuhës së vjetër arbërore: folja
“paghesont” (të pagëzoj), trajta “pr’emenit” (për emrin), dhe “t’Shpertit
Senit” (të Shpirtit të Shenjtë). Ato dëshmojnë se shqipja, që në shekullin XV,
kishte strukturë të qëndrueshme, sistem të vetin morfologjik dhe pasuri
shprehëse.
Formula
dëshmon edhe vetëdijen shpirtërore të arbërve, që donin ta dëgjonin fjalën e
Zotit në gjuhën e tyre. Ishte kjo një formë e hershme e mbrojtjes së
identitetit kombëtar përmes gjuhës, në një kohë kur kufijtë politikë
lëkundeshin, por gjuha ruante unitetin e shpirtit.
“Formula
e pagëzimit” është pagëzimi i vetë gjuhës shqipe. Ajo shënon hyrjen e saj në
dritë, në sferën e shenjtë të fjalës së shkruar. Me këtë tekst, gjuha shqipe
kalon nga goja te pena, nga tradita e popullit te kujtesa e përjetshme.
Kjo
“fjalë e parë” bëhet dokument historik,
e shiptuar dhe e lexuar ndër shekuj edhe si metaforë e rilindjes së një
populli, që përmes gjuhës gjen formën e vet të përjetësisë. Ashtu siç pagëzimi
shënon hyrjen e njeriut në jetën e re shpirtërore, “Formula e pagëzimit” shënon
hyrjen e shqipes në jetën kulturore dhe historike të Europës.
“Formula
e pagëzimit” e Pal Engjëllit është monument i vogël në përmasa, por madhështor
në domethënie. Ajo është fjala e parë e shenjtë që dëshmon ekzistencën e
shqipes, një fjalë që bashkon besimin me identitetin, shpirtin me gjuhën,
njeriun me Zotin dhe kombin me historinë.
Fjalët
e shkruara janë akt krijimi: lindja e gjuhës së shkruar, lindja e vetëdijes
kombëtare dhe lindja e një tradite që do të mbijetonte në shekuj. Në dritën e
asaj fjale të shenjtë, ne njohim fillimin tonë si popull i fjalës. Popull që u
pagëzua me gjuhën e vet.
(8 nëntor 2025)