Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nikoleta Kovaçi: Vjedhja, vjedhja asht nana e tana të zezave!

| E premte, 07.11.2025, 06:59 PM |


Vjedhja, vjedhja asht nana e tana të zezave!

Nga Nikoleta Kovaçi

Të vjedhësh asht forma e vetme me u pasunue në Shqipni! Kjo s'ka nevojë as për mend e as për ligj! Thjeshtë mend duhen sa me hap vende nga mund të gllabërosh pa ra në sy fort! Ose të vetëgarantohesh që kur të biesh në sy të kesh ba aq shumë pare sa me myll gojët e kujtdo që merr përsipër me fol!

Sigurisht që me vjedh duhet të jesh i pajisun edhe me disa veti si paftyrësia, injoranca e deri te të qënurit kriminel. E para të hap rrugën me shkue te objekti, e dyta të çon drejt pangopësisë dhe e treta të pajis me fuqinë e sundimit, mbi këdo e gjithçka!

Ky ligji i barazisë-babëzisë gjinore na vjen mas daljes në dritë të aferave miliona euroshe të një tuneli, afera të kryeme nga kupola e qeverisë! Edhe pse ka me qindra skandale të tilla, që na i dimë, ky asht ndër ma të mëdhenjtë! E ky rast ka prapë pa dalë, jo pa fakte, veç nëse prokurori i çështjes bahet vjedhës si këta!

Tue pas parasysh milionat e eurove që janë përvetësue, që janë krejt lekë që na kena me i pague kokërr m'kokërr, deri në tre brez borxh, qeveria që lanë duert tue çue në 2-3 vjet burg ministrat e vet, me këto pare knaq edhe diplomatët e huj që na mbijnë ktu, e na sojdisin ligje kinse europiane në nji politikë antinjerëzore, në dijeninë e së cilës ata janë!

Por a e mbulon dot ky ligj aferën rrënuese të numrit 1 dhe 2 të qeverisë? A asht mjaftueshëm ky ligj me na afrue me BE-në? Sa herë asht fol për zgjerim apo për grupkapituj, sa herë asht fol për mungesën e ksaj barazie për Shqipninë, e sa herë na asht thanë: luftoni krimin e korrupsionin? Ky ligj që na e dashka kaq shumë BE-ja për ne a e ndal ikjen e shqiptarëve nëpër Europë e botë, e nji herë në 6 muaj shtete të fuqishme ngrihen në kamë me politika konkrete përzanjeje? Apo e harruet Anglinë, që ka 4 vjet që ban zhurmë me objektiv të qartë shqiptarët që hyjnë atje nëpërmjet nji kanali vdekjeprurës!

Qeveria jonë ka konsolidue nji kaskë hajdutësh, të pafytyrë, injorantë dhe kriminalë! Ata janë kudo, të qetë, të pasun e të gatshëm me kanë krah qeverisë në çdo sipërmarrje hajdute. Ndaj nuk kena pse qahena se ata kalojnë draftet, ligje, nene e ç'a të duen vetë, sepse na i lejuem me na vjedh! Na e ditëm se ata nji ditë do të jenë firmëtarët e fateve tona, familjeve tona, rrajve tona... Sepse ata me paret tona do shtypnin çdo reagim tonin, aq sa mund të reagojmë na, sepse fillimisht na vodhën paret, manej na përzunë fëmijët, manej na morën shpiat e tash na marrin edhe erzin, pra ndërhyjnë në ADN-në tonë! Pra, tash asht vonë! Hajdutët kanë fitue e na si mundim dot ma, sepse jena vonë, shumë vonë...