| E merkure, 05.11.2025, 06:52 PM |
Kodi i gjakut dhe ikja e një modeli
-
Fatos Nano, apo fundi i një modeli -
Nga
Llesh NDOJ
Kanuni
i Maleve, i njohur më së shumti edhe si Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i
Shtjefën Gjeçov Kryeziut, apo thjesht Kanuni, për rreth 4 - 5 qindvjetësha ka
qenë kushtetuta, kodi civil, kodi penal dhe moral, kodi administrativ dhe kodi
familjar i njërës nga pjesët më vitale të trojeve shqipfolëse, Gegnisë. Në disa
zona, ku nuk mbërrin shteti e kryesisht për çeshtje të cilat nuk gjejnë
zgjidhje të përshtatshme në kodet moderne, ky Kanun ka gjetur dhe gjen edhe sot
e kësaj dite përdorim praktik, duke e shndërruar atë në “ligjin themelor” më
jetëgjatë jo vetëm ndër shqiptarë, që edhe sot është ende në përdorim. Ai është
ndër të paktat dokumenta shqiptare me vlera që i mbijetoi edhe histerisë
komuniste pesëdhjetëvjeçare, duke ardhur deri në ditët tona si një shoqërues e
rregullator i jetës sonë, duke mbuluar zonat e çështjet ku shteti ka munguar,
ose ka qenë (edhe në shumë raste është), jo i pranishëm, apo prania e tij është
jo në nivelin e duhur.
Ky
Kanun, apo kod i kodeve, fatmirësisht “jeton” edhe i shkruar, përveçse si një
traditë e transmetuar gojarisht brez pas brezi, falë gjenialitetit dhe
përgjegjshmërisë atdhetare të një kleriku katolik, Atë Shtjefën Gjeçov
Kryeziut, mbledhësi e kodifikuesi i tij ekselent, por fatkeqësisht ai sot
anatemohet si primitiv e nxitës i gjakmarrjes, pa dyshim kjo një plagë e thellë
shoqërore, jo vetëm shqiptare. Dhe më e keqja vjen se ky anatemim vjen nga
njerëz që as e kanë lexuar atë, as kanë dëgjuar gjë të saktë rreth tij, as nuk
kanë qoftë edhe një argument kokëfortë për këtë. Edhe pse qëllimi i kësaj
analize nuk është argumentimi i të kundërtës, e pranishme kjo në frymë dhe në
çdo nen e pikë të Kanunit, nuk mund të rri pa përmendur se thelbi i tij, nuk
është vrasja, por pajtimi, nuk është diskreminimi i të vrarit, por vlerësimi i
tij edhe atëherë kur ndodh që dikush vret dikë në rrethana të caktuara. Sipas
Kanunit gjaku falet, gjaku paguhet, ose lahet me gjak, por kur gjakmarrja nuk
ndodh “gisht për gisht”, apo “aty për aty”, nuk mund të merret gjak pa pleqni
(gjykim). A nuk ndodh njëjtë në sistemin e sotëm modern e ligjorë? Vrasje
ndodhin edhe sot. Fatkeqësisht për çdo ditë e për motive logjikisht të pa
argumentuara. A nuk është edhe sot gjykata që i shqyrton rrethanat e vrasjes,
kushtet lehtësuese apo rënduese të aktit, dhe në përputhje me to e cilëson
veprën penale dhe e dënon vrasësin? Deri vonë ky dënim, sidomos në vrasjet me
dashje e me paramendim, ishte me vdekje (ka vite që ky dënim është hequr si
detyrim europian, ndonëse edhe vende me jetëgjatësi shtetformimi shumë të
hershme e kanë dhe e zbatojnë atë ende), ose cakton dënim me burg në një
interval të gjerë të masës së dënimit, me maksimalja 35 vite e minimalja… disa
herë edhe qesharake dhe për më keq, ky dënim i fajtorit nuk sjell pajtimin e
palëve në konflikt, në më të shumtën e rasteve, ndërsa Kanuni, bashkë me faljen
ose pagimin e gjakut, realizonte edhe pajtimin. Koha kur e ku veproi Kanuni,
s’kishte burgje e administratë, por kishte gjykime e “gjyqtarë” popullorë të
mrekullueshëm që gjithë vemendjen e përqëndronin tek falja dhe forcimi i
unitetit, e në mungesë të saj tek pagesa, e nëse nuk arrihej kjo, nuk hiqnin
kurrë dorë nga shmangia e vrasjes.
Më
nxitën t’i shkruaj këto radhë disa gjykime dhe mbresa nga ceremonia mortore e
përcjelljes në jetën e amshueme të disa herë ish - kryeministrit shqiptar dhe
kryetarit historik të Partisë Socialiste të Shqipërisë, partia më reformatore
shtetformuese shqiptare e derisotme. Për herë të parë në historinë moderne
shqiptare ndodhi që në këtë ceremoni të “gjente zbatim” edhe Kanuni. Ishte
pikërisht fryma e tij liberale që i bëri thuajse të gjithë bashkë, ndoshta për
herë të parë nën dritën e diellit. Them nën dritën e diellit, se në terr e me
kulisa dhe në takime pas kuintave në dëm të Shqipërisë, jam i bindur se ata
mblidhen shpesh. Aty ishin të gjithë: përkrahësit e ithëtarët e Nanos dhe
bashkëpunëtorët e inatçorët e tij, ishin ata që në të gjallë të vet si ktyeministër
ose si kryetar partie, i mbajtën çantën e çadrën dhe kur “ra nga fiku” e
harruan krejt ekzistencën e tij, ishin të pranishëm miq edhe armiq, ishin
gruaja dhe ish - gruaja, fëmijët biologjikë e të birësuarit, ata që e përjetuan
me dhimbje largimin e tij dhe ata që mezi pritën `që ai të largohej nga kjo
botë. Hiqi kësaj sjelljeje jo të zakonshme hipokrizinë, dozat e së cilës ishin
helmuese, pikërisht këtu shfaqet një nga “madhështitë” kanunore. Sipas tij,
edhe kur në rrethana të veçanta e vrisje tjetrin duhej:
-
T’ia ruash gjenazen nga shëmtimi;
-
Të njoftoje palën e vrarë, se kush e pse e ka vrarë; dhe,
-
Të kërkoje besë (leje) për t’a varrosur atë.
Kështu
vepruan shumica edhe në rastin e të ndjerit Nano. Shkuan në ceremoni gruaja dhe
ish gruaja, ithëtarët e jo ithëtarët socialistë si pjesë e familjes së tij
politike, bashkëpunëtorët që si kryeministër ia panë hajrin, por edhe ata që i
panë sherrin, ishin bashkë miq e armiq, nën maskën e dhimbjes për të…
Në
fakt, “ishte” aty edhe ai që e “vrau” politikisht dhe e burgosi fizikisht, Sali
Berisha, dhe ishte pikërisht me simbolikën e krahut ekstrem të forcës politike
që udhëheq, i përfaqësuar nga Flamur Noka, që në përbaltjen e tjetrit s’njeh as
ligj, as normë njerëzore, as normë zakonore. “Ishte” aty edhe Ilir Meta që e
gërreu më shumë se çdo përrua i rrëmbyeshëm shtratin e qetë të udhëtimit të tij
politik dhe që me instalimin e klaneve e grupazheve në partinë që Nano
udhëhiqte e të korrupsionit galopant në qeverinë e drejtuar prej tij, e detyroi
atë të dorëhiqej e të lëshonte pjesë qenësore nga fuqia e pushtetit të vet,
ishte edhe kryeministri Edi Rama që nuk e kurseu “plumbin” sapo iu dha
mundësia, duke kryer atëvrasje të pamëshirshme ndaj Nanos, që ia hapi udhën e
dyert e politikës dhe që i përgatiti ekzistencën aq të gjatë në pushtet dhe
politikë. Dhe bënë shumë mirë që ishin, ndonëse të gjithë, familja natyrore e
ajo politike, miq e armiq të tij, nuk ishin aty për të, por për nevojën që
ndjejnë për t’a përdorur fytyrën e tij si maskë të poshtërsive të veta, që nuk
kanë limit e nuk njohin as fund.
Me
ikjen e Nanos iku praktikisht edhe një model politik. Ai ishte intelektual
liberator, drejtues i reformuar dhe njeri që vlerësonte jetën, ndoshta duke e
kuptuar më shumë e më mirë se të tjerët se çdo hap në të është njëkohësisht
edhe një rendje drejt fundit të saj. Ai, me natyrën liberale që kishte, ndoshta
la shumë punë pa bërë në shtetin tonë, por bëri aq shumë sa të gjithë këta të
tjerët së bashku nuk i kanë bërë deri më sot. Ishte intelektualizmi dhe
liberalizmi i tij që “zbuti” egërsirën më të tmerrshme në trojet tona, ish -
Partinë e Punës së Shqipërisë që për pesëdhjetë vite na përdori si kavie
eksperimentale dhe krijoi e reformoi Partinë Socialiste të Shqipërisë,
organizëm politik që çdo ditë po dëshmon se është më e mira në “vathin” e madh
të politikës shqiptare. Nano shkoi në burg, e qëndroi në burg “në paqe” me
veten e ndjekësit e tij, asokohe të shumtë. Ai nuk doli nga burgu as kur Saliu
i shkatërroi për interesat e veta dyert e tyre. Ai e fali dhunuesin e vet Sali
Berishën, duke i dhënë shanse familjes politike shqiptare të reformohej, por
nuk gjeti aty partneritetin e kërkuar. Ai i fali ata që brenda familjes së tij
politike i punuan nën rrogoz e deshën t’a flakin, duke i bërë disa herë
ministra (ndonjërin edhe pa portofol mendje) e kryeministra, u ul në tavolinë
me Berishën, kundërshtarin e tij të përjetshëm, për të paqtuar politikën brenda
Shqipërisë, por edhe me kasapin e Ballkanit, Millosheviçin, për të përparuar
udhën drejt pavarësisë së Kosovës shqiptare. Shkoi në kancelaritë europiane e
botërore, duke dëshmuar se shqiptarët nuk ishin ata “njerëzit me bisht” si
donin t’i njihnin ata, por një popull i kulturuar në zemër të Europës. U përpoq
të ulej me Ramën e së bashku t’i jepnin udhë modernizimit të shtetit, duke
synuar presidencën, por Rama e deshi Nanon “të vdekur” e jo të varrosur,
pikërisht për shkak të modelit politik që përfaqësonte, ashtu siç bëri edhe me
fjalimin e tij para trupit të pa jetë. Nano, jam i bindur, bëri përpjekje edhe
për t’a ruajtur familjen biologjike të plotë dhe ndonëse nuk ia arriti kësaj
për 25 vitet e fundit, pjesmarrja e ish gruas, e dy fëmijëve biologjik krahas
fëmijës së birësuar dhe bashkëshortes së fundit, i dëshmoi këto përpjekje.
Nano
u largua nga politika përnjimend me dorëheqje prej njëzet vitesh të shkuara dhe
nuk iu ngarërrua askuj “nëpër këmbë”, duke dëshmuar vizion të qartë politik e
përgjegjshmëri intelektuale, ndryshe nga Berisha që edhe kur dorëhiqet mbetet
po ai e po aty, apo Rama që deri më sot ndoshta s’ka patur arësye, por dyshoj
se e bën këtë gjë edhe në rrethana si të Nanos.
Fatos
Nano “rriti” pasardhës edhe në familjen politike, por as Rama, as Berisha, jo
më të tjerët, nuk e dëshmojnë këtë përgjegjshmëri, për t’a lenë si trashëgimi
pas “vdekjes” politike që s’e njohin, apo asaj biologjike, që si për të gjithë
të tjerët, nuk ka për t’i përjashtuar nga ligjësia e ikjes, e cila nuk
miratohet në parlamentin e kukullave të tyre të pa mend, as në qeveritë hajdute
me jesmen, ashtu si edhe Kanunin nuk e miratoi askush, por u krijua nga
mençuria popullore nisur nga nevoja për të rregulluar bashkëjetesën dhe normat
morale në shoqëri, dhe u mblodh e u kodifikua nga Atë Shtjefën Gjeçovi, duke
gjetur zbatim me përpikmëri nga mbarë shoqëria shqiptare e asaj kohe.
Nano
iku dhe iku në moshë relativisht të re, por unë shpresoj që bashkë me të mos
jetë varrosur përfundimisht edhe modeli i tij politik.