| E marte, 04.11.2025, 06:53 PM |
PAN-I, GJYKATA SPECIALE DHE PËRPARIM RAMA
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Është në vullnetin e subjekteve
politike, për të emëruar kuadro në përfaqësim të partisë, qoftë kryetar komune
apo ministër. LVV ka emëruar ministra që nuk kanë pasur asnjë kontribut
partiak, por që e konsideruar kompetent për resorin ministral. Si duket një
përzgjedhje të tillë e ka bërë edhe LDK, me emërimin fillestar Përparim
Ramën, katër vjet më parë, duke e përsëritur edhe tani, për mandatin e
dytë. Fundja, Përparim Rama, të paktën, në dy raste ka deklaruar se nuk është
anëtar, por, përfaqëson LDK-në në detyrën e kryetarit të komunës. Madje, në një
debat publik ka deklaruar se "kam votuar Shpend Ahmetin", kur ai
është kandiduar nga LVV, për kryetar të komunës së Prishtinës.
Prandaj, ajo që thonë lukunia lehaqene
e anal-banalistëve në debate se Përparim Rama shkoi në protestën e PAN-it në
Tiranë, për të fituar ndoca vota në balotazhin e pritshëm me LLV, nuk qëndron.
Sepse ai ishte edhe në protestën e Prishtinës, kur nuk ishte në balotazh.
Pjesëmarrja në një protestë trefishtë të turpshme, nuk nderon asnjë njeri dhe
aq më pak kryetarin e komunës të Prishtinës, Përparim Ramën!
E para, protestë partiake e
PDK-AAK-NISMA, pra, e PAN-it, kundër LVV dhe LDK-së;
E dyta, është protestë kundër
shtetërore, sepse Gjykata Speciale e Kosovës, me seli në Hagë, është krijuar
nga Parlamenti i Kosovës, me kërkesën ekskluzive të SHBA-së dhe të BE-së,
kryesisht, të shteteve të Quintit;
E treta, protesta është tërësisht
antidemokratike dhe kundra kombëtare, sulm i drejtpërdrejtë kundër drejtësisë
vendore dhe ndërkombëtare, pengimin e saj, me mbrojtjen e krimit dhe të
kriminelëve.
"Komandantët" kriminelë, të
instruktuar nga Sigurimsat e Enver Hoxhës, erdhën në pushtet me dhunë e
përgjakje, me Qeverinë e Përkohshme, identike me partinë fashiste të monizmit
shqiptar, të kompozuar në Bllokun e Zi të Tiranës. Dhe, po të mos ishin
ndërkombëtaret në Kosovë, shteti do të degjeneronte në diktaturë fashiste.
Pikërisht për këtë, për krimet e luftës dhe të pasluftës po gjykohen banda e
Ndërmarrjes të Përbashkët Kriminale, në Gjykatën e Hagës.
Goditja e parë ishte rrënimi i Sistemit
të Drejtësisë, pamundësoi ndëshkimi e krimeve vrastare të kundërshtarëve
politikë dhe të makro-hajnisë zyrtare, përfshirë kontrabandën galopante të
kastës të "komandantëve" kriminelë dhe bandave të tyre, në
bashkëpunim me serbët e veriut të Kosovës. Ata i shkaktuan miliarda euro humbje
buxhetit shtetëror, sipas përllogaritjeve financiare, të bëra nga Dogana e
Kosovës! Paralizimi total i Sistemit të Drejtësisë në Kosovë dhe vazhdimi i
vrasjes të dëshmitarëve në Kosovë, lindi nevojën e krijimit të Gjykatës
Speciale, me seli në Hagë.
Kozmopolizmi i Përparim Ramës është i
dukshëm, rrast i dëmshëm, sfidues unik i shtetit dhe i Qeverisë të Kosovës.
Ekspozimi i tij në "safin", radhën e parë të protestës, pranë të
birit të Hashim Thaçit dhe të lukunisë mercenare, të krerëve dhe eksponentëve
banditër të OVL të UÇK-së të PAN-it; të "skitalicës" Ali Ahmeti,
pjesë e kurthit kriminal të djemëve në burgun e Kumanovës, në ujdi me disa
"komandantë" kriminelë të Kosovës, për të humbur gjurmët e krimeve
makabre; të shiturit Azgan Haklaj me soj sorollopin e tij; klerikëve matrapazë
dhe llumhania tjetër zhurmuese.
Të gjithë këta mercenarë, në shërbim të
PAN-it, për të përfituar në balotazhin e pritshëm dhe përpjekja e dështuar, për
rehabilitimin e krerëve sabotues të konsolidimit të shtetësisë të Kosovës.
Destruktiviteti i kryeministrit namkeq shqiptar, Edvin Rama, mik besnik i
presidentit serb, Vuçiq, aprovues i planeve ogurzeza të Serbisë për Kosovën,
duke kulmuar me tradhtinë e madhe, së bashku me Hashim Thaçin, ndarjen e
Kosovës. (Shih shkrimin: Tre banditërit me thika mbi hartën e Kosovës").
Përveç qortimit të madh, e një
pjesëmarrje në një maskaradë karnevaleske, siç ishte protesta, gjithë pompë e
bujë, në Tiranë, ku u shpërfaqë hipokrizia dhe turpi i skajshëm. Përparim Rama,
me kryekomunarët tjerë, penalizohen për abuzimin e parasë të popullit, duke
vënë në dispozicion, për veprimtari private, autobusët shtetërorë, për bartjen
e PAN-istëve dhe të dostave të tyre, "kolonë e pestë" në LDK dhe
ndoca partiza tjera.
Meqenëse protesta ishte thirrur në
mbështetje të "ish-ushtarëve dhe të komandantëve të UÇK-së", për hirë
të së vërtetës, nga 4 të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,
tre syresh nuk ishin as ushtarë dhe as komandantë të UÇK-së, ngaqë nuk ishin pjesë
e luftës. Pjesë e luftës ishte vetëm Rexhep Selimi. Ata nga Tirana komunikonin
me disa komandantë në Kosovë, lëshonin komunikata, të ngjashme me atë numër 59,
përzgjidhnin viktimat nga radhët e kundërshtarëve politikë, ndërsa ekzekutimet
i realizonin komandantët vendorë, me skuadrat e tyre ekzekutive, pushkatare.
Organizatorët delikuentë, kryesisht, të
dënuar të kësaj kategorie, para nisjes për protestën e turpshme dhe kriminale
unike, në Tiranë, mashtruan se "kërkojmë vetëm monitorimin dhe
gjykimin e drejtë, pa ndërhyrje, pa ndikime, pa i paragjykuar dhe papenguar
procesin gjyqësor"! Përkundrazi, në Sheshin "Skënderbeu" në
Tiranë, Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë, e quajtën "raciste
dhe fashiste"! Dhe, kërkuan me ultimatum lirimin e menjëhershëm të
"komandantëve heronj të luftës", pa hyrë në luftë fare!
Po citojmë kryeplakun e kësaj proteste,
ish-presidentin shqiptar, Alfred Moisiu: "Asnjëri nuk ka kryer asnjë krim.
Ata që nuk u bënë pjesë të kësaj proteste, i shërbejnë politikës serbe dhe
ruse". Dhe, aludimi i Gjeneralit, të shkollës ruse, ishte për LDK-në,
Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Shqipërisë!
Të gjitha këto akuza dhe lumë të tjera
i dëgjoi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjithnjë i buzëqeshur dhe në
përqafim me Ali Ahmetin e Zajazit, kryetar i BDI-së, në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, duke e lënë me një anë politikën dhe altruizmin e tij, amnistimin,
faljen e krimeve dhe të kriminelëve, madje ata, pa u penduar dhe pa kërkuar
falje, për krimet serike e makabre të tyre, lë të mbetet në ndërgjegjen e
Përparimit.
Por, kandidimi për mandatin e dytë të
kryekomunarit të Prishtinës, është diç tjetër, meqë ai ka preferencë të mos
identifikohet me partinë, në rastin konkret, me LDK-në. E njoh familjen Rama, si
familje konak dhe intelektuale e hershme, që nga vitet `60-a, kur shërbeja
mësues në atë zonë. Zanatin e kryekomunarit, atëbotë, e ushtronte vëllai i
gjyshit të Përparimit. -Tradita vazhdon-, siç thonë aktivistët e LDK-së. Edhe
Kryesia e LDK-së nuk mund të fajësohet për kandidimin e tij, sepse ka menduar
më shumë për të mirën e Prishtinës, duke besuar në novatorizmin profesional të
Përparimit, se sa për partinë. Dhe, kjo është fisnikëri, në traditën e partisë
Institucionale.
Kandidatët konkurrues për Prishtinën,
kanë qenë të mrekullueshëm. Temë parësore problematike, paradoksalisht, ishin
qentë dhe bërlloku! Me keqardhje, dy shtetet shqiptare: Kosovën dhe Shqipërinë
po i hanë qentë dhe po i mbulon bërlloku! Kandidatët folën edhe për
infrastrukturën dhe të tjera. Por, vizioni i arkitektit londnez, Perparim Rama,
për veprën madhore, bërjen e unazës zhbllokuese për kryeqytetin është e
veçantë, madje e domosdoshme, si dhe rrugë alternative.
Ideja e hedhur e arkitektit Rama, qysh
në fushatën e mandatit të parë, për frymëmarrjen e shpenguar, shëndetin e
mushkërive të Prishtinës, fort të ngulfatur, bërja e stadiumit një mini-liqe,
duke e shtrirë edhe në hapësirën rrethuese, është risi gëzimplote. Andaj,
dhënia e një mandati të dytë arkitektit Përparim Ramës, gjithësesi, do ta
përmbushte ëndrrën fisnike të arkitektit dinjitar dhe stoik, Rexhep Lucit, i
cili u ekzekutua nga komandantët uzurpator të tokave të kryeqytetit, duke u
bërë - Kurban - në mbrojtje të urbanizimit modern të Prishtinës.