| E hene, 03.11.2025, 06:54 PM |
Jeta e vrullshme politike e Fatos Nanos, 4 herë kryeministër, udhëhoqi socialistët për 13 vite
-
Kryeministri që përgatiti vendin për tranzicionin drejt një ekonomie tregu dhe
sistemi demokratik
-Nano
ka qenë për 13 vite kryetar i PS-së, ka dhënë plot 5 herë dorëheqjen, tri herë
si kryeministër dhe dy herë si kryetar i PS-së.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Në
datën 31 tetor 2025 ish-kryeministri, Fatos Nano është ndarë nga jeta në moshën
73-vjeçare, ndërsa sot më 2 nëntor u përcoll për në banesën e fundit. Nano
ishte i shtruar prej disa ditësh në një spital privat në Tiranë, ku po
trajtohej për probleme shëndetësore. Ish-kryeministri prej kohësh vuante nga
probleme me mushkëritë, ndërsa gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar
ditët e fundit. Kujtojmë se dy vite më parë, ish-kreu i Partisë Socialiste u
përball me probleme shëndetësore si pasojë e probleme të frymëmarrjes. Ai iu
nënshtrua dhe një ndërhyrje kirurgjikale si pasojë e sëmundjes Pulmonare
Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Gjatë kohës që ishte në spital,
Nano u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.
Shkollimi
Ka
lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë. Në vitin e dytë të gjimnazit, ai formoi
një grup rroku (ishte solisti) që luante muzikën e Bitëllsave.  Ai u diplomua për ekonomi politike në vitin
1974 në kryeqytet. Fatos Nano dinte pesë të gjuhë të huaja. Kulmin e karrierës
së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u
emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të
tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve
Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit,
Nexhimije Hoxha. Kujtojmë se në dhjetor 1990 u emërua Sekretar i Përgjithshëm i
Këshillit të Ministrave, e një muaj më vonë zv.kryeministër në qeverinë e Adil
Çarçanit. Në fund të shkurtit 1991, Ramiz Alia i besoi Nanos postin e
kryeministrit.
Fillimet e karrierës
politike
Ai
filloi karrierën e tij politike në vitin 1991 pasi u zgjodh Kryeministër i
Qeverisë së Tranzicionit me qëllim që të organizojë zgjedhjet e para
demokratike në Shqipëri, në po atë vit dhe të përgatisë vendin për tranzicionin
drejt një ekonomie tregu dhe sistemi demokratik. Zgjedhjet në 31 Mars 1991, u
fituan nga Partia Socialiste e Shqipërise dhe ai u caktua përsëri Kryeministër.
Pas dy muajsh ai u detyrua të jap dorëheqje. Atë vit ai u zgjodh kryetar i
Partisë Socialiste, e cila ishte pasardhëse e Partisë së Punës së Shqipërisë.
Meritë e padiskutueshme e Nanos në atë periudhë ishte transformimi i PS-së nga
një parti e trashëguar nga regjimi komunist në një parti social-demokrate me
orientim perëndimor. Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë
të vështirë për Fatos Nanon. Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e
Prokurorit, dhe u akuzua për "shpërdorim detyre dhe falsifikim të
dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane" dhe 9 muaj më vonë u
dënua me 12 vite burg. Gjatë vitit 1994 skemat piramidale po bëheshin të
njohura në Shqipëri dhe rrënia e tyre në vitin 1997 shkaktoi një revoltë të
armatosur të nxitur nga opozita kundër qeverisë me kërkesën për kthimin e
parave të humbura në firmat piramidale. Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën
lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në
krye të PS-së. Kjo revoltë çoi në shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme nga
presidenti Berisha. Nano u lirua nga burgu pas një amnistie të dhënë nga
presidenti Berisha. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët
drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite.  Zgjedhjet u fituan nga Partia Socialiste.
Presidenti Berisha dha dorëheqjen dhe kuvendi i ri zgjodhi president Rexhep Mejdanin.
Presidenti Mejdani emëroi kryeministër Fatos Nanon. Në shtator të vitit 1998,
forcat e policisë së Tropojës vranë në një atentat udhëheqësin e lëvizjes
studentore antikomuniste Azem Hajdari. Kjo çoi në një revoltë popullore dhe
meqënëse u krye nga një segment i shtetit, e detyroi Fatos Nanon të japë
dorëheqjen. Fatos Nano u gjykua i pafajshëm nga një Gjykatë në Tiranë ndaj
akuzave për shpërdorim detyre dhe korrupsion në vitin 1999. Partia Socialiste
vazhdoi qeverisjen e vendit dhe fitoi zgjedhjet në qershor 2001. Nano u bë
Kryeministër për të tretën herë në korrik, 2002 i emëruar nga presidenti Alfred
Moisiu. Në 3 korrik 2005, Partia Socialiste humbi zgjedhjet dhe shumicën në
parlament. Partia Demokratike fitoi shumicën dhe kryetari i saj Sali Berisha u
emërua Kryeministër i qeverisë së re. Më 1 shtator 2005 Nano dha dorëheqjen si
kryetar i Partisë Socialiste. Nano kritikoi kryetarin e ri Edi Rama për stilin
autoritar të drejtimit të Partisë Socialiste dhe praktikat përjashtuese të
anëtarëve themelues dhe me kontribut të madh në Partinë Socialiste. Nano kërkoi
të zgjidhej si president në 8 korrik 2007, mbas mbarimit të mandatit të
presidentit Moisiu, por nuk pati mbështetjen e Ramës. Shumica e deputetëve të
opozitës të drejtuar nga Partia Socialiste nuk e përkrahën kandidaturën e tij
dhe bojkotuan zgjedhjet. Nano mori vetëm 3 vota ndërsa Bamir Topi, kandidati i
Partisë Demokratike fitoi 75 vota. Megjithatë Topi nuk fitoi votat e nevojshme
për tu zgjedhur president. Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit u mbajt më
10 korrik. Parlameti përsëri nuk arriti të zgjidhte presidentin, me Nanon që
mori 5 vota dhe Topi 74 vota. Në raundin e tretë më 20 korrik Topi u zgjodh
president. Dëshira e tij për t'u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në
vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar
Nishani. Jeta e tij familjare ka qenë e trazuar po aq sa ajo politike.
Fillimisht konsumoi një martesë 25-vjeçare me Rexhina Nanon, me të cilën ka dy
fëmijë, Sokolin dhe Edlirën. Në vitin 2002, pak muaj pas divorcit ai njoftoi
martesën me Xhoanën. Si deputet i parlamentit Shqiptar, Nano ka shërbyer në
zonën e Kuçovës, Tepelenës dhe Sarandës.
Figurë emblemtatike
Fatos
Nano mbetet një nga figurat emblematike të politikës shqiptare pas rrëzimit të
regjimit komunist. Ai e nisi karrierën nga gërmadhat e Partisë së Punës, si
përfaqësues i saj, për t'u bërë shumë shpejt udhëheqësi i një force politike,
të cilën e transformoi rrënjësisht, duke i hequr nga shpina, kryqin e rëndë të
trashëgimisë komuniste. Fillimisht duke i ndryshuar emrin, e më pas edhe
mentalitetin. Në drejtimin e tij, Partia Socialiste u modernizua dhe mbeti e
hapur ndaj rrymave dhe debatit. Si askush tjetër, Fatos Nano drejtoi jo përmes
forcës së pushtetit, por u imponua përmes betejave të brendshme, duke u
tërhequr, për t'u rikthyer në majë, me forcën e votës dhe mbështetjen e
anëtarësisë.
Fatos Nano ka qenë katër
herë kryeministër i vendit
Më
konkretisht: në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në
qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit
1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së
për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si
kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar "institucionin" e
dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.