| E hene, 03.11.2025, 06:57 PM |

Kadri Tarelli, shkruan:
Koha që kemi
në dispozicion është e lirë, por nuk ka çmim.
Ju nuk mund ta zotëroni, por mund ta përdorni atë!
Ju nuk mund ta mbani, por mund ta shpenzoni atë!
Pasi ta humbni, nuk mund ta ktheni kurrë më!
Adriano Çelentano
MË
SHUMË SE NJË EKSPOZITË.......!
Emjona Stasi Nako, në artin e ngjyrave dhe mozaikut
Para pak ditësh, të muajit, vjeshta e dytë, 2025, në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” në qendër të Durrësit, u hap ekspozita e piktores Emjona Stasi Nako.
Kështu siç po e shkruaj unë, duket thjesht një
njoftim dhe ca përshtypje të zakonshme, pasi jeta artistike e kësaj galerie ka
hyrë në rrjedhën normale, aq sa nuk i tepron kohë, për kërkesa të shumta të
artistëve durrsak dhe të tjerëve që vijnë nga të gjitha trevat Arbnore, ashtu
edhe nga jashtë vendit.
Jam vizitor i përhershëm i veprimtarive të tilla,
pasi më pëlqen piktura dhe skulptura, më shumë forma klasike dhe me rezerva
arti modern. Por dua të shtoj se është mbase e vetmja që më ka tërhequr që
brenda pak ditësh ta vizitoj tre herë, duke zbuluar veçori dhe bukuri të artit
të autores znj. Emjona. Me këtë rast edhe një koment të shkurtër në librin e
përshtypjeve.
Mendoj, se vetëm duke i hedhur një sy të shpejtë, më
lejohet që të gjitha punimet t’i vendos në dy grupe:
Grupi i parë: - Piktura në vaj, për të cilën nuk çfarë të shtoj: Forma klasike e punës,
ku penelatat flasin në heshtje me poezinë e ngjyrave. Krijimtari që meriton
lavdërime, veçanërisht në saktësinë e raporteve (baza, pjesa qendrore dhe
sfondi), përfshi edhe hollësi që e plotësojnë një pikturë të bukur në pamje dhe,
e pasur në brendi karakteri e ndjenjash të holla artistike. Piktorët mund të
flasin më profesionalisht.
Grupi i dytë, ku dua të ndalem më hollësisht, përfshin “Piktura në mozaik”, me
guralecë dhe copëza qeramike të grumbulluara në breg të detit, që unë po e
vlerësoj si një minierë e pafund për durrsaken tonë dhe për gjithë artistë që
dëshirojnë të provojnë durimin dhe guximin e tyre në këtë lloj arti të vjetër
sa vetë jeta e qytetit ton të lashtë.
Tematika është e larmishme. Nuk çuditem, pasi të
gjitha llojet e krijimtarisë artistike, letrare, poetike dhe studimore, përherë
përfshijnë tema nga më të ndryshmet, herë-herë si të pabesueshme. Por ajo që
dua të dalloj është se në këto “mozaikë” pasqyrohet e gjithë veprimtaria
jetësore e gruas, si nënë, zonjë shtëpi, punëtore që me punën dhe kujdesin e
saj zbukuron mjedisin, duke mbajtur fëmijët më krahë, apo duke shtyrë karrocën
e të voglit. Mund ta shohim edhe duke fshirë oborrin, duke ujitur lulet, më tej
duke vjelë pemë, apo duke çuar fëmijët në shkollë, etj, etj. Janë copëza jete
të shkrira në art. Ndiqeni me kujdes dhe do të më jepni të drejtë.
Çdo njëri nga ne e kupton dhe e mendon sa vështirësi
ka kjo punë, ku gërshetohet vizatimi për të ruajtur format dhe përmasat, gjetja
dhe vendosja e guralecëve në vendin e duhur dhe mrekullisht me ngjyrën e natyrës.
E gjitha më shtyn të mendoj, dhe jo pa të drejtë, se
autorja jonë e nderuar, nuk ka bërë gjë tjetër veçse na ka risjellë në oborrin
tonë, atë traditë të hershme të artit të mozaikëve të lashtësisë.
Mendoni pak: ”Bukuroshja e Durrësit”, zbuluar në Durrës,
po ashtu “Mozaiku i Arapajt”, zbuluar nga historiani, Dr. Sali Hidri, etj, etj.
Aq sa mund të shtojmë, se sa gjetje me vlerë ndodhen të shtrira nën dheun e
qytetit dhe në rrethinat, disa të mbuluara që mos i prishim, (mirë kemi bërë), dhe
shumë të tjera të shkatërruara e të hedhura nga ndërtuesit e babëzitur.
Më thoni: - Cili qytet në Shqipëri, apo në mbarë
trojet Arbnore, ka kaq shumë “Mozaikë”, që përfaqësojnë në vetvete një pasuri e
trashëgimi kulturore, që na bën të ndjehemi me fat dhe të përkëdhelur nga fati....!?
Pasi ky lloj arti nuk ka humbur, as ka vdekur, por këtë here rishfaqet me
delikatesë nga artistja jonë. Veç ajo mund ta shpjegojë më mirë, se si i lindi
dhe ku e gjeti frymëzimin.
Ndërsa unë mendoj, duke besuar si shumë të tjerë si
unë, se është vetë historia e jetës, e detit dhe e dheut të Durrësit, që me
frymën e tij, nuk rresht të ngacmojë vetëdijen dhe ndjesitë e shpirtit, ngjizur
në art te artistët tanë, duk na siguruar edhe lëndën e parë: guralecë e
qeramikë të lëmuar e të stolisur për mijëra vjet, duke i dhen forma nga më të
çuditshmet.
Vini re me kujdes. Në asnjë copëz materiali nuk
është vënë dorë për ta gdhendur apo përshtatur, për ta vendosur në pikturë. E
gjitha ujdisur me përkëdhelje, mbase edhe me dhimbje, për të na i sjellë në
breg, si dhuratë perëndie. Shumë herë për të lozur fëmijët, që gajasen nga
kënaqësia e hedhje së tyre në mes valëve lozonjare. Ndërsa sot, për të krijuar
art të bukur, si stoli e artit durrsak.
Mirënjohje dhe urime artistes Emjona! Suksese në
artin e saj kaq të bukur e të veçantë. I shtove qytetit tonë një pasuri dhe
vlerë arti.
Kadri Tarelli
Durrës, më: 27, të
vjeshtës së dytë, 2025.




