Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Islami: Ndikimi i gjuhës angleze në gjuhën shqipe ka marrë përmasa shqetësuese

| E hene, 03.11.2025, 06:56 PM |


Gjuhë

DO TË THËRRAS MBRAPSHT APO...

Nga Sami Islami

Ndikimi i gjuhës angleze në gjuhën shqipe, në kohë të fundit ka marrë një shtrirje shqetësuese. Kjo vërehet qartë si në gjuhën e folur, po ashtu edhe në gjuhën e mediave, por edhe në gjuhën e institucioneve, në rend të parë të mediave të Shqipërisë Londineze.

Kësaj radhe do të flasim pak për një kalk (përkthim i fjalëpërfjalshëm) i gjuhës angleze “Do të thërras mbrapsht” (angl. I’ll call you back). Pa hyrë në detale mund të themi se fjala angleze “BACK”, ka disa kuptime, si: prapa (pas), përsëri, shpinë, mbrapsht, më parë etj., por në rastin konkret ne do të ndalemi pak për ta parë se pse po del ky gabim . Dhe gabimin po del zakonisht pasi, po përdoret për ta shprehur kuptimin “prapë”, “menjëherë”, “përsëri”, “më vonë” etj. Duhet përmendur këtu edhe faktin se, edhe pse ndajfolja “mbrapsht” është e afërt me këto të tjerat, prapëseprapë semantikisht dallohet nga ato.

Le t’i marrim disa shembuj të përdorimit gabim të kësaj ndajfoljeje: “Mos u mërzit, unë do të telefonoj mbrapsht!”; “Ti investo se do t’i marrësh mbrapsht 5% të vlerës! Na iku treni prandaj u kthyem mbrapsht.

Në raport me fjalitë që i morëm në shqyrtim fjala “mbrapsht”, siç u tha, mund të kuptohet krejt ndryshe. Të shohim se si e shpjegon fjalori i gjuhës shqipe! 1. “nga ana e prapme” kund. “mbarë”: e veshi mbrapsht. 2. “andej nga ka ardhur ”, praptas: e ktheu mallin mbrapsht. 3.fig. shtrembër; keq; ters: flet (vepron) mbrapsht, e solli, (e ktheu mbrapsht (shtëpinë), e bëri rrëmujë, e përmbysi shtëpinë (Fjalori i Gjuhës Shqipe, Tiranë 2006, f. 607)

Krejt në rregull do të ishte sikur të themi “E mbathi ( jo e veshi) çorapen mbrapsht e jo mbarë. Mbathi këpucët mbrapsht. E veshi pallton mbrapsht . Veshi pantallonat mbrapsht. Ai flet mbarë e mbrapsht. E vuri gotën mbrapsht. etj.

Por të thuhet “Të telefonoj mbrapsht”,” Të thërras mbrapsht”, “Do t’ju përgjigjem mbrapsht”, “I mora emisionet mbrapsht”, mendoj se është gabim. Ky pra është kalk, i panevojshëm që është futur në gjuhën tonë. Në këtë pikë, mendoj, se kjo fjalë nuk duhet të përdoret.

Prandaj për t’i ikur këtij konstrukti të gabueshëm, duhet përdorur modelet e gjuhës sonë, si: “Do të thërras prapë, Do të thërras përsëri, Do të thërras pastaj (më pastaj, më vonë), Do të telefonoj si të arrij atje, menjëherë, etj. etj. por jo “do të thërras mbrapsht!”