| E diele, 02.11.2025, 07:02 PM |

SHËN NAUMI, MANASTIRI QË
NA KUJTON HISTORINË E TRISHTË SHQIPTARE
NGA
PËLLUMB GORICA
Atje,
“qielli nuk është larg”, por tundimi për të kërcyer dhe për të qenë zog, nuk
është vetëm të lëvizësh krahët në natyrë, por është edhe zhytje të thellë në
forcën shpirtërore që gjendet aty, në rrënjët historike dhe kulturore, të
kohërave të largëta.
Dielli
i turpshëm që lindi mbi horizont, malet e fshehura nga mjegulla e agimit,
gradualisht marrin formë, duke të ftuar të udhëtosh. Ajri i pastër sjell me
vete qetësi, ndërsa re të bardha, kishin mbështjellë pasqyrën e qiellit, ato
lëvizin si çarçafë të mëdhenj kur i fryn era, bëjnë shfaqje. Ndalojmë vetëm për
ti vëzhguar... I hamendësojnë. Sepse le ta themi: disa re nuk janë vetëm re.
Janë dragonj të fjetur, balena fluturuese, këlyshë ariu, kështjella të varura
ose ndoshta profili i dikujt që e njihni mirë.
Hapi
i ditës ndonjëherë pak i rrëmujshme nga zhurma karakteristike e makinave,
huazon një vazhdimësi kodrash, të ndjekur nga ulje-ngritje, dhe përshkon një
numër vendbanimesh urbane, që i ngjiten rrugës si eshtrat e një shtylle
vertebrore.
Kështu
që, e marrim rrugën shtruar, pa u shqetësuar shumë se sa kohë duhet. I lejojmë
vetes të jemi mjaft të ngadaltë për t'i shijuar të gjitha: Shtëpitë me dizajne
të ndryshme, secila me ornamentet dhe arkitekturat e guximshme për kohën,
natyrisht me ndjesinë se po ecën nëpër një ekspozitë të bukur, me kopshte plot
pemë frutore. Apo s'është kjo vjeshtë e mrekullueshme që ka derdhur tërë
bukuritë atje.
Ndaloj
ecjen për të admiruar edhe majat e largëta të maleve, pothuajse të gjitha i
njoh, më të bukura se kurrë.
Para
syve shtrihej pamja piktoreske e liqenit të Ohrit, që nanurit me një qetësi
Perëndie. Liqeni është i lashtë, me sa duket një nga më të vjetrit në botë.
Bluja e Liqenit të Ohrit rreth Gadishullit të Linit, dhe më tutje, Pogradeci,
me shtëpitë, pallatet, parqet, rrugicat, dritaret, si ato hijeshitë e reve lart
në qiell e ka shndërruar atë në një pikturë të gjallë.
Sapo
mbërrin je tashmë i magjepsur edhe nga ngrohtësia, butësia dhe ëmbëlsia e
banorëve.
Dielli
shkëlqen duke gjallëruar kaltërsinë e tij. Sa herë e shikon të befason me
ngjyrat: herë blu-jeshil reflektuar nga retë, duke formuar një kontrast
goditës, pothuajse joreal.
Të
eturit për tokë e ujëra e copëzuan atë. Belbëzon e s’duron dot, kur dy shtete
mbështillen rreth tij.
Ke
udhëtuar për të shijuar një tavë korani apo belushke, për t'u flladitur me
freskun e Enkelenianës (Pogradecit), dhe nuk mund të mos shkosh në Manastirin e
Shën Naumit, por mbi të gjitha, nuk mund të mos dëgjosh aty dialogje bisedash
me akcent që, për mijëra vjet rrjedh pa u ndalur nga Eordea dhe Prespa, ku
dialogonin Kliti i Pelionit me Aleksandrin e Olimbisë ...
Bregu
përgjatë liqenit, i rrethuar nga gjelbërimi, të kujton një udhëtim në Côte
d'Azurra, në jug të Francës. Serenata e valëve të liqenit përplasen në breg si
gulçima protestash e kthehen pas në theqafje. Syri të rrok rrëke turistësh, në
barkat që lundrojnë si pikla ngjyra- ngjyra, të shoqëruara nga një potere
mjelmash, gjithë finesë dhe retë e bardha si copëza çarçafësh mbi Galiçicë.
Sapo
zbret nga makina, i afrohesh parkut të zhytur mes pishave, panjave dhe
shelgjeve me “këmbët” në liqen. Me pak fjalë: bukuri përreth me bollëk, si një
parajsë e vërtetë në tokë me pyje të harlisura, rrugë që ndërthuren si
qëndisje, ura druri, ujëra të qeta, të gjitha duken sikur kanë dalë direkt nga
një përrallë Ilirishte. Nga ato ku nuk do shumë të flasësh, thjesht shiko, merr
frymë dhe lëre veten të të bartë bukuria. Gjëja e parë që të bie në sy është
rregulli, pastërtia, kultura dhe lulet, mbetesh i mbërthyer nga emocionet e
bukurisë së papërsëritshme.
Përgjatë
një rruge me kalldrëm, zhvillohet tregtia e të gjitha llojeve të mallrave. Po
mbetesh i magjepsur duke vështruar qindra njerëz të dyndur në baret dhe
restorantet, sa mezi gjeje vend të ulesh, as nëpër nën hijet e pemëve buzë
ujit; ushqenin mjelmat, patat, rosat e fazanët bishtëgjatë, sodisnin varkat që
rrëshkasin lehtë mbi ujërat kristal në një qetësi Perëndie.
Pylli
që shtrihej para nesh ishte si një mozaik ngjyrash vjeshte. Bukuria e tij e
pakrahasueshme na qetësoi shpirtin, aqsa ndjen një bukuri unike në ajër, një
hijeshi sekrete që vetëm ky vend mund ta zbulojë.
Shpesh,
në shenjë dashurie, fërkohen degët dhe harmonia e ngjyrave pas çdo fërkimi prej
tyre pikon një çlodhje të jashtëzakonshme për të gjithë sytë që mbështeten
atje. Aty-këtu degë të anuara nga era për të ruajtur zanat e përrallave. Mbyll
sytë dhe lë heshtjen të na rrethojë. Është sikur vetë natyra të përqafon.
Në
rrëzë të një peizazhi të gjelbëruar, prej ujërave të liqenit, me një qetësi Perëndie
nëpër gëlqerorët e malit të Thatë, merr rrjedhë lumi Drin. Ujërat janë të qeta,
të sapo thyera nga një fllad i lehtë, dhe sipërfaqja reflekton malet dhe
peizazhin perfekt për filma fantastikë, sikur hapet një derë parajse e
zbukuruar nga vjeshta me okra, kafe, të kuqe, të verdhë.
Jehon
gurgullima nazike e ujërave poshtë drurëve, si ombrella shiu. A thua se po
gurgullon një ujëvarë, me një natyrshmëri tërheqëse, që të magjeps, me
thjeshtësinë e çuditshme?
Mbështetemi
mbi parmakët e drunjtë të urës:
Shihnim
rrjedhën e ujit, që përfundon në liqen, saqë dukeshin edhe monedhat e hedhura
në fundin e tij. Çdonjëra prej të cilave dukej se mbante dëshirat e fshehta të
një njeriu. (Bëhet fjalë edhe për një rit dhe një histori, me fillesë nga
kushedi që kur: Të gjitha, njerëzit që vijnë këtu, i hedhin duke menduar një
urim, një dëshirë, një shpresë).
Sipas
historive gojore, në ato kohra të vjetra, shpesh herë prindërit me shumë
fëmije, më të rriturit i dërgonin yzmeqarë në dyer të kamura, sa per t’u
ushqyer e veshur. Nuk ishte e lehtë për një djalë aq të vogël, aq të njomë nga
Shën Naumi të jetonte e punonte mjaft larg nga familja, te një prift buzë
liqeneve të Prespës, të cilët kanë lidhje nëntokësore ujërash të kristaltë,
ushqyese për liqenin e Ohrit.
Bariu,
nëpërmjet këtyre ujërave, që rrithnin përmes plasaritjë karstike poshtë Malit
të Thatë, i dërgonte familjes së vet të varfër çdo javë nga një qengj, të cilin
e fuste në një thes dhe i ati i priste te Liqeni i Ohrit, aty në Shën Naum.
Një
ditë prifti dyshon dhe e pyet pse po pakësohej bagëtia.
Bariu
i përgjigjet se ndoshta i sulmojnë kafshët e egra në mal.
Por
prifti e ruan dhe sheh mënyrën e dërgimit të qengjit.
Kur
vjen java tjetër, ai e vret bariun dhe e fut në thes trupin e tij, në vend të
qengjit, duke e hedhur në ujrat nëntokësorë.
Të
afërmit e djalit prisnin qengjin e radhës, por gjetën trupin e djalit.
Që
nga ajo kohë ky vend ka mbetur i shenjtë.
Një
tufë mjelmash jepnin një shfaqje fluturimesh. Më tej, fazanë teksa të shikonin,
me atë kokën e vockël. Të dukej vetja sikur je në përrallat e Andersenit.
Në
shesh një fazan i bukur. Ishte mospërfillës me ecjen e ngadaltë. Asqë e ngrinte
kokën. Thuajse përreth tij asgjë nuk ekzistonte.
U
mundova t’i bëja shoqëri duke i folur Shqip.
-
Dëgjo, more djalë...
Kthej
kokën: Pranë nesh një i moshuar, i veshur bukur. Më foli Shqip:
-
Fazani është mësuar me robërinë. Nuk ka gjë më të keqe kur mësohesh me
robërinë, qoftë edhe shpend. Më keq për njerëzit, apo popujt…
Dhe
m’u duk se, ashtu nëpër dhëmbë, shtoi ca fjalë për Shqiptarët e Maqedonisë.
Pasi i rëshqitën ca pika loti nëpër mollëzat e faqë e mori frymë thellë,
ofshau.
E
mor bir!
Plakut,
fjalët e fundit i dolën si psherëtimë:
-
Dreqi ta marrë, ty të vjen keq për një fazan të robëruar, kur ne kemi ende toka
shqiptare të robëruara!
Në
cepin më të bukur të liqenit (një gji i vogël i shtrënguar nga liqeni nga njëra
anë dhe nga faqet shkëmbore që ngrihen gati pingul nga ana tjetër) shfaqet
Manastiri i Shën Naunit, me stilin arkitekturor barok.
Zoti
dhe disa elementë të Natyrës, së bashku me diturinë e njeriut, arriti të
krijojnë kaq bukuri, së cilës kohërat i kanë shtuar sharmin, magjinë. Manastiri
i Shën Naumit të jepte idenë e ballkonit, si roje e qetësisë shekullore të
liqenit.
Duke
u ngjitur, syri dhe shpirti do të kënaqen me pamjet që të lënë pa frymë të
liqenit dhe parkut, i cili, në këtë stinë, është i pasur me ngjyrat dhe aromat
e një peizazh të larmishme me plot ngjyra, me tone të buta në të verdhë të
artë, kafe e më shumë të gjelbër.
Për
sa kohë që do të jesh brenda tij, do të jetosh në një botë tjetër. Aty humbet
dhe, kur të dalësh prej tij, në vetvete do thuash:
Të
kthehem ta shikoj edhe një herë para se t’i largohem kësaj mrekullie, ku
shpirti humbet në mistikën e tij e të bëhet se dëgjon zëra shenjtorësh që
zbukurojnë muret e shngjyrosura nga koha, por të dekoruar me aq shumë afreske.
Ritet,
lutjet, avujt e temjanit dhe qirinjve që digjen, e kanë kthyer në adhurim e
peligrinazh për mijëra vizitorë.
Manastiri
i Shën Naumit ishte një Kishë Katolike Shqiptare me emin “Kisha e Shën
Mëhillit”. Është një nga manastirët më të mëdhenj të Ballkanit. Por atje thuhet
se është varrosur edhe Sari Salltiku.
Aty
kishte shërbyer si prift Naumi (mbrojtësi i liqenit), i cili vdiq i devotshëm
si katolik gjatë shekullit X.
Kur
e pushtuan Bullgarët në Shekullin XIII e kthyen në Kishë Ortodokse.
Më
vonë Manastiri u dogj bashkë me bibliotekën, për të zhdukur çdo gjurmë iliro –
arbërore - katolike.
Te
statuja e Shën Naumit të dhënat ishin shkruar në Gjuhën Maqedonase.
Në
hyrje ka një portë shekullore me një mozaik ku paraqitet një bujk duke punuar
tokën dhe në njërën anë është një ka dhe në anën tjetër një ari në pendën e
qeve, ndërsa brenda shtrihet një oborri madh dhe brenda tij kisha e Shën Naumit
me piktura të shumta murale shenjtorësh. Vizitorët adhuronin hyjnitë e lidhura
me natyrën, pjellorinë dhe luftën.
Në
një dhomë ndodhet varri i shenjtorit Shën Naumi. Thonë po të vendosësh veshin
mbi kubenë e varrit dëgjohen të rrahurat e zemrës së tij...
***
Vështrimin
herë pas here e rikthejmë mbi tokën që lamë pas. Pak nga ato kartolina të
mjaftueshme për të treguar bukurinë e pakonceptueshme të peizazhit.
Ecën,
ashtu, pa thënë asnjë fjalë (siç largohesh më tej) me një psherëtimë dhimbjeje,
kur të bëhet se dëgjon për Ahmet Zogun, kur Shën Naumin e dha dhuratë për
dasmën e kryeministrit serb Nikolla Pashiq...
Dielli
me shkëlqimin e tij në ikje, dukej sikur kishte ndezur zjarr me rrezet të
sjellë në mendje Lasgushin:
“Perëndimi
vagëlluar mbi liqerin pa kufir…
Po
përhapet dalëngadalë një pëlhurë si një hije.”
*Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Ndalohet kopjimi
apo riprodhimi i pjesshëm apo i plotë me çdo lloj mjeti apo forme, pa lejën me
shkrim të autorit.

















