| E diele, 02.11.2025, 06:59 PM |
Atje ku shkojmë me përulje e pendim, e lutemi: "Paçin dritë e diell!"
Nga
Albert Vataj
Është
2 nëntor i vitit 2025. Shkodra sikur ka ndalur frymën, e gjithë qyteti duket si
i kthyer kah një dëgjim i brendshëm, kah ai zë i heshtur që vjen nga Rrmaji, ku ata që na thanë lamtumirë, prehen në amshim. Toka e shenjtë e atij varri të
përhershëm i mban në gjirin e saj me paqen që vetëm përjetësia di të japë,
ndërsa neve na mbush me një dritë të butë besimi, me një fjalë të pashkruar
shprese e hiri.
Ashtu
si çdo vit, edhe mbrëmë isha në varrezat e Rrmajit për të ndezur një qiri për shpirtin e
prindërve të mi, për nënën e babain dhe për gjithë të dashurit që tashmë flenë
në atë tokë të bekuar. Shkova për t’u folur me ta pa fjalë, për t’u rrëfyer pa
zë, për të qenë pranë tyre në mënyrën më të thellë e më njerëzore që kjo ditë e
shenjtë na mëson: përmes kujtimit, mallëngjimit dhe besimit.
Mbi
Shkodër nata zbriti e qetë mbrëmë, e mbështjellë me një magji të butë. Rrmaji
ndriçonte nga dritat e qirinjve, sikur çdo flakë të ishte një zemër që rrihte
për dikë, një lutje që ngrihej drejt qiellit, një mall që merrte trajtë drite. Në
atë shteg midis tokës dhe qiellit, ku drita e qirinjve përzihet me aromën e
tokës, njeriu e ndjen sa afër janë të shkuarit tanë dhe sa shumë mbeten ende me
ne.
Aty
ku janë tretur heshtjet dhe psherëtimat e fundit, drita e Parajsës i përqafon
ata që u dorëzuan me besim, që u bënë shndërrim e dritë. Ata tashmë janë yje të
vegjël të gjithësisë, që vezullojnë në përjetim të qetë dhe na thërrasin që të
vijmë me përulje, me pendesë, me zemër të përthyer nga kujtimi por të ndriçuar
nga shpresa.
Kjo
ditë e shenjtë nuk është veç kujtim. Është kremtim i dashurisë që nuk shuhet, i
lidhjes që nuk këputet, i besimit se Zoti i Madh i pret dhe i përqafon të
gjithë. Ne vijmë këtu për të kërkuar falje, për të falur vetveten, për të
gjetur paqen që vetëm një lutje e thënë me zemër mund ta japë.
Përunjësisht
i nderojmë. Me mall i kujtojmë. Me dritë i përcjellim.
U
prehshin në paqe!
__________
Faleminers, Terenc Pepa për kyt kumt videoje t'jashtzakonshme, siç mundesh me i ba vetëm ti.