Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Sundimi i ligjit rrezikon të kthehet në formalitet bosh
E shtune, 01.11.2025, 06:55 PM
Prof. Blerim Latifi:
Publiku
në Kosovë nuk është në nivelin e duhur për të kuptuar raportin midis mundësive
reale dhe premtimeve politike. Kjo do të thotë se shumica e qytetarëve nuk
arrijnë të vlerësojnë nëse premtimet politike përputhen me kapacitetet e
vërteta që i ka shteti për t’i realizuar ato. Prandaj politikanët këtu janë
komodë të premtojnë çfarë t'ua ka qejfi, madje edhe gjëra në kundërshtim me
parimet e logjikës formale.
Gjithashtu,
publiku në Kosovë nuk e ka të zhvilluar ndjeshmërinë e mjaftueshme ndaj parimit
të sundimit të ligjit, i cili nënkupton se në një shtet demokratik asnjë veprim
apo vendim politik nuk mund të merret e as të zbatohet në kundërshtim me
procedurat e ligjet e shtetit. Publiku në Kosovë rrallëherë brengoset për këtë
parim, sidomos kur bëhet fjalë për vendime që janë të këndshme për veshin e tij
apo që i përshtaten bindjeve të tij politike.
Albin
Kurti e ka kuptuar këtë fakt, prandaj edhe e ka “hapur thesin” për t’ua
plotësuar dëshirat qytetarëve, edhe pse procedurat ligjore ia ndalojnë një
veprim të tillë, duke pasur parasysh statusin kushtetues që ka e ashtuquajtura
qeveri në detyrë.
Në
anën tjetër, opozita gjendet e kurthuar nga kjo sjellje, sepse nëse ajo e
kundërshton në emër të mosshkeljes së ligjit, publiku do të kthehet kundër saj
me zemërim dhe braktisje. Madje, ajo do të akuzohet se është kundër përmbushjes
së dëshirave të popullit.
Kjo
gjendje shpie në një rreth vicioz politik, ku pushteti forcohet duke shkelur
parimet ligjore në emër të “vullnetit të popullit”, ndërsa opozita dobësohet sa
herë që përpiqet të mbrojë ligjin dhe rregullin institucional. Në një klimë të
tillë politike, sundimi i ligjit rrezikon të kthehet në formalitet bosh, pa
peshë reale në praktikën institucionale. Nëse kjo gjendje normalizohet, atëherë
rezultati dihet: demokracia do të deformohet në themele të saj dhe pastaj
kalimi në një regjim tjetër politik do të jetë vetëm çështje kohe.
________________________
Siria
nën Asadin ishte një satelit i Iranit dhe Rusisë. Milicitë e Hezbollahut patën
rol vendimtar në mbajtjen e Asadit në pushtet përgjatë luftës civile që nisi
aty në vitin 2011. Pastaj Irani nxiti Hamasin dhe Hezbollahun që të sulmojnë
Izraelin. Në përgjigje, Izraeli shkatërroi Hamasin, shpartalloi Hezbollahun dhe
bombardoi Iranin, duke e nxjerrë jashtë loje për dhjetë ditë lufte. Pa Iranin
dhe Hezbollahun, Asadi nuk mund të qëndronte më në pushtet. Regjimi i tij ra si
një kullë prej letre dhe milicitë e Ahmed Al Sharas marshuan në Damask. Kështu
Siria u zhvendos nga orbita e Rusisë dhe Iranit në orbitën amerikane. Njohja e
Kosovës nga Siria është rezultat i kësaj zhvendosjeje.Është një përfitim i yni
i tërthortë nga fitorja e madhe e Izraelit në Lindjen e Mesme. Tregimet tjera
për procesin që solli deri te kjo njohje janë thjesht dokrra hini.









