| E shtune, 01.11.2025, 06:57 PM |
KONTRIBUTI I VEÇANTË I PROFESOR AGRON DUROS NË FUSHËN E TERMINOLOGJISË SHKENCORE-TEKNIKE BASHKËKOHORE NË SHQIPËRI DHE JEHONA NË KOSOVË
Nga
Gani S. Pllana
Në veprimtarinë e kryer në fushën e terminologjisë shkencore-teknike shqipe, një kontribut që meriton të vlerësohet në mënyrë shumë të veçantë është veprimtaria e zhvilluar, me dekada, nga profesor Agron Duro, i cili ka vënë bazat shkencore për shumë anë të terminologjisë, duke u bazuar në veprat e terminologëve më të shquar botëror. Kontributi i tij jashtëzakonisht me vlera të larta, si ato për termat si elemente sistemore, togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë në shqipen e sotme, lidhjet brendatogfjalësore, sistemet terminologjike në rrafshet ndërgjuhësore, sistemet terminologjike dhe dysorët terminologjikë në rrafshin e fjalëformimit në gjuhën shqipe, shqipërimi i terminologjisë (shqipërimi i fjalëve të huaja; shqipërimi i termave të huaj), fjala shqipe për plotësimin dhe pasurimin e fondit themelor të terminologjisë, reflekse të studimeve teorike të terminologjisë në praktikën e hartimit të fjalorëve terminologjikë, gjithashtu duke parashtruar detyra për zgjidhjen e problemeve të terminologjisë, kanë hapur rrugë profesionale për studime më të gjëra në praktikën terminologjike dhe hartimin e fjalorëve të fushave të ndryshme të dijes me përqasje me gjuhët më të njohura botërore, si anglishtja, gjermanishtja, rusishtja etj.
Pas
Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 u themelua Instituti i Historisë dhe
Gjuhësisë në Tiranë, si pjesë e Institutit të Shkencave, që ishte institucioni
i parë shkencor në Shqipëri. Ky institut fillimisht përfshinte disa degë të
rëndësishme të studimeve albanologjike, si: historia, gjuhësia, letërsia,
folklori dhe etnografia. Pranë këtij institucioni, në vitin 1955 u themelua
Sektori i Terminologjisë, i cili ndërmori dhe drejtoi hartimin e botimin e
shumë fjalorëve disa-gjuhësh në serinë “Fjalor i terminologjisë
tekniko-shkencore” duke filluar në vitin 1963. Në mesin e studiuesve në
IHGJ dhe Sektorin e Terminologjisë u angazhuan: Gjuhëtarë/albanologë Aleksandër
Xhuvani, Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Lirak Dodbiba, Mahir Domi, Selman
Riza etj. Në sektorin e Terminologjisë punuan, përveç Lirak Dodbibës si bashkautor
e redaktor edhe gjuhëtarë/terminologë, si: Ferdinand Leka, Sofia Morska, Hëna
Pasho, Agron Duro, Vladimir Dervishi etj., si edhe studiues nga fizika e
matematika, si: Fatmir Sinoimeri (fizikan), Sotir Kuneshka (fizikan) e P. Pilika
(matematikan).
Pas grumbullimit të një përvoje
të gjerë gjatë hartimit të një vargu fjalorësh terminologjikë në sektorin e
Terminologjisë të IGJL lindte nevoja edhe për përgjithësimin teorik të asaj përvoje
e kapërcimin e një farë empirizmi të pashmangshëm në fazën fillestare të
përpunimit sistematik të terminologjive, ku shquhet profesor Agron Duro për punimet
shkencore teorike në fushën e terminologjive shqipe, çka bëhet kështu një hap i rëndësishëm përpara në trajtimin e problemeve teorike të
terminologjisë e të propozimeve për zgjidhje të reja më sistematike edhe në
aspektin e praktikës terminologjike. Profesor Duro, vend të veçantë u kushton
mundësive potenciale të shqipes për pasurimin e terminologjisë dhe veçanërisht
për pastrimin e saj nga termat e huazuar pa nevojë nga gjuhët e huaja, duke u
mbështetur në të githë faktorët kompleks që kushtëzojnë mundësinë e heqjes apo
të lënies së termit të huaj, si shkalla e motivimit, e ngulitjes në gjuhë, lidhjet e termit në sistem, etj.
Veprimtaria
shkencore e profesor Agron Duros
Profesor
Agron Duro, një ndër njohësit e disa gjuhëve të huaja, pedagog për gjuhën ruse
në disa Institucione shkencore, si edhe me përvojën e fituar shkencore gjatë
veprimtarisë gjysmë shekullore për terminologjinë shqipe në veçanti, është
mbështetur në teoritë e dijetarit austriak Eugen Wüster (Vysterit) [1898-1977]:
“Terminologjia e një gjuhe si leksik special studiohet në formën e
terminologjive të fushave të veçanta të dijes, ku secila fushë përbën një
sistem termash që i përgjigjet një sistemi konceptesh të asaj fushe dije.
Brenda sistemit vendoset ekuacioni një koncept/një term. Kjo është edhe baza e
studimit të terminologjisë, e teorisë dhe të praktikës së saj [Vyster].
Mbështetur
në këto ide, profesor Duro shkruan veprën “Sistemet terminologjike dhe
dysorët terminologjikë në rrafshin e fjalëformimit të gjuhës shqipe të përqasur
edhe me italishten, anglishten dhe rusishten” (Tiranë, 1983).
Kjo
vepër përbën një kontribut të rëndësishëm me vlerë, pasi tema ka të bëjë me
terminologjinë shqipe, si në aspektin teorikë ashtu edhe praktikë, përqasur me
terminologjitë e gjuhëve të huaja (italishten, anglishten e rusishten), ku
studiohen gjerësisht dukuritë sistemore dhe josistemore në gjuhën e shkencës
dhe teknikës. Paraqitjet grafike nga
autori janë një pasqyrë reale, të dhëna për herë të parë në këtë formë, në
terminologjinë shqipe, të cilat janë shfrytëzuar si modele nga terminologët
pasues për punime dhe tema masteri e disertacione.
Në temë
janë trajtuar shumë çështje nga terminologjia tekniko-shkencore, si: sistemet
terminologjike, sistemet terminologjike dhe sistemet gjuhësore, karakteristika
e termit, përkufizimi i termit, kufijtë e termit, termi dhe fjala, termat dhe
emërtimet profesionale, togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë,
terminologjia në rrafshet ndërgjuhësore, dysorët terminologjikë, formime
prapashtesore etj.
Veprat
themelore teorike dhe praktike të profesor Agron Duros në terminologjinë
tekniko-shkencore:
1) Terminologjia
si sistem (Tiranë, 2001): Në këtë vepër, në fushën e terminologjisë
tekniko-shkencore, profesor Agron Duro paraqet punën e gjatë njëzetvjeçare, duke
shfrytëzuar arritjet më të mira në shkallë kombëtare e ndërkombëtare për
problemet e terminologjisë të autorëve me përvojë, si: Eugen Wüster (Vyster)
(Austri), Helmut Felber (Austri), Christian Galinski (Austri), D. S. Lote
(Rusi) dhe Heribert Picht (Danimarkë). Profesor Agron Duro, idetë e këtyre
autorëve i ka trajtuar në mënyrë origjinale me ilustrime të veçanta për
terminologjinë shqipe, me theks të veçantë për termin, të cilin e vështron si
shprehje të një koncepti dhe si pjesë përbërëse të një sistemi termash në
lidhje hierarkike nga e përgjithshmja tek e veçanta. Autori vlerëson krijimin e
një koncepti për togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë, duke vendosur kufijtë
ndërmjet togfjalëshave terminologjikë të mirëfilltë dhe togfjalëshave të lirë
terminologjikë. Një sugjerim real i autorit është përqasja e gjuhës shqipe me
gjuhët ndërkombëtare të standardizuara, për shumë fusha të dijes, si me
anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten dhe me rusishten, si zgjidhje
praktike me bazë shkencore.
2) Termi
dhe fjala në gjuhën shqipe (në rrafshin e formës dhe të përmbajtjes) (Tiranë,
2009):
Vepra ka
karakter të theksuar teorik, por ka edhe vlera të drejtpërdrejta praktike,
shumë e vlefshme për terminologët e terminografët, si edhe për leksikologët e
leksikografët. Në këtë monografi autori, përveç këndvështrimeve të autorëve
ndërkombëtarë është bazuar edhe në rezultate e gjuhëtarëve vendës, si: Androkli
Kostallari, Jani Thomai, Miço Samara e Xhevat Lloshi. Gjithashtu autori
vlerëson dhe çmon arritjet e studimeve në fushën e terminologjisë nga autorët
shqiptarë, si: Lirak Dodbibës, Ferdinand Lekës, Hëna Pashos, Hasan Çipurit,
Vladimir Dervishit, Vilma Prokos, Sadete Pllanës, Pajazit Nushit, Latif Susurit
etj. Në monografi trajtohen problemet e termit në marrëdhënie me fjalën në
rrafshin e lidhjes së formës dhe të përmbajtjes e të dyja njësive përkatëse.
Problemet që lidhen me identitetin e termit në gjuhë në të gjitha nivelet e
përdorimit të tij, i cili përcaktohet përmes fushës së dijes dhe shprehjes prej
tij të konceptit shkencor-teknik. Me rëndësi të veçantë gjatë hartimit të
fjalorëve terminologjikë është ideja e orientimit tek fushat sa më të ngushta,
sepse në to pasqyrohet i gjithë sistemi konceptor i fushës së dijes. Tek “Lidhjet
sinonimike absolute dhe relative në terminologji”, autori argumenton idenë
se në procesin e standardizimit, si detyrë parësore është mënjanimi i
sinonimisë absolute, si dukuri negative, por që ndihmon për përzgjedhjen e termit
më të përshtatshëm në kufijtë e sistemit terminologjik.
3) Studime
gjuhësore (terminologji, gjuhësi kompjuterike, kritikë-bibliografi) (Tiranë,
2012): Në këtë
vepër, profesor Agron Duro ka përmbledhur artikuj rreth problemeve të leksikut
të gjuhës dhe atij terminologjik në gjuhën shqipe, lidhur me çështje të
ndryshme nga fusha e terminologjisë, e gjuhësisë kompjuterike dhe recensione shkencore
për monografi e fjalorë terminologjikë. Kryesisht, në këtë vepër zënë vend
artikujt për probleme të terminologjisë, duke trajtuar probleme aktuale të
zbatimit të terminologjisë lidhur me standardin dhe normën në rrafshin e
përpunimit të terminologjisë.
Profesor
Agron Duro, pas vitit 1990 ka botuar punime me vlerë teorike e zbatuesee nga
fusha e terminologjisë në organe botuese të huaja, si:“Minimizing the
negative effects of homonymy in langauage for special purposes”, botuar në
“Proceedings of the 10th European LSP Symposium”, “Albanian
terminologies: problems involved in elaboration and standardization” në
revistën “TermNet News” (Vjenë, 1998). Në punimin me titull “Reflekse të
thelbit të konceptit gjuhësor të Sosyrit në terminologji (Auswirkungen des
sprachlichen Grundbegriffs von Ferdinand de Saussure auf die Terminologie”
botuar edhe në gjuhën gjermane, me bashkautore Sadete Pllanën (ATHENE-Verlag,
Heft 12, 2018).
4) “Studime
gjuhësore 2” (Tiranë, 2018): Në këtë vepër profesor Agron Duro
përmbledhë studime e kumtesa, shumica e tyre të pabotuara më parë. Ndër
artikujt e një rëndësie të veçantë janë: “Përkufizimi i termit dhe kufijtë e
tij”; “Dysorët terminologjikë”; “Probleme të diferencimit kuptimor e konceptor
në shqipen standarde”; “Gjuha dhe ligjërimi në komunikimin e huaj” etj.
Profesor
Agron Duro shquhet në mënyrë të veçantë për trajtimin e mirëfilltë teorik, si: problemi
i përkufizimit të termit dhe i kufijve të tij; raportet term-koncept;
term-fjalë e leksikut të përgjithshëm; termi dhe nomenklatura e emërtimet e
profesioneve; dysorët terminologjikë dhe shkaqet e shfaqjeve të tyre në gjuhë;
kufijtë e dysorëve terminologjikë; sinonimia në terminologji; mikrosistemet
terminologjike; togfjalëshat terminologjikë; norma gjuhësore në fushën e
terminologjisë etj.
5) Bashkautor,
kryeredaktor e redaktor i fjalorëve disa-gjuhësh, për shumë fusha të dijes
“Fjalor i termave themelore të
mekanikës”: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht =
Dictionary of basic terms of mecanics:
albanian-english-french-italian-russian”, Tiranë, 2002, 1224 f.; 21 cm.
“Fjalor
i termave të fiziologjisë”: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht
= Dictionary of terms of physiology: albanian-english-french-italian-russian”, Tiranë, 2004, 522 f.; 20 cm.
“Fjalor
i termave themelorë të bujqësisë: me përkufizime, me rend sistematik dhe
alfabetik: shqip-anglisht-frëngjisht-rusisht-italisht”: rreth 5000 terma = Dictionary of basic terms of agriculture: with definitions, in systematic and
alphabetic order : Albanian-English-French-Italian-Russian: about 5000 terms”,
Tiranë, 2006, 1021 f.; 20 cm.
“Fjalor
rusisht-shqip: për degën mekanike”, UT Tiranë, 1974, 224 f.
“Fjalor
rusisht-shqip : për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 1., UT Tiranë, 1976,
200f.
“Fjalor
rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 1., UT Tiranë, 1981, 160
f.
“Fjalor
rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 2., UT Tiranë, Tiranë,
1981, 148 f.
“Fjalor
rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 2. UT Tiranë, 1976, 187
f.
“Fjalor
shpjegues i termave të botanikës: (shqip, latinisht, anglisht): (rreth 11.000
terma dhe 1.000 skica)”, Prishtinë/Tiranë, 2012, 1564 f, 23 cm.
“Fjalor
i termave të patologjisë: shqip- latinisht-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht
= Dictionary of terms of pathology:
Albanian-Latin-English-French-Italian-Russian”,Tiranë, 2013, 632 f.; 21 cm.
“Fjalor
politeknik rusisht-shqip”, 8 Nëntori, Tiranë, 1981, 926 f.
“Fjalor
i termave bazë teknikë: (mekanikë, elektricitet, ndërtim): shqip-gjermanisht,
gjermanisht-shqip = Wörterbuch der grundlegenden technischen Begrife:
(Mechanik, Elektrizität, Bau): Albanisch-Deutsch, Deutsch-Albanisch”, Prishtinë, 2018, 186 f.; 20
cm.
“Fjalor
i termave bazë të kimisë: (shqip-anglisht, anglisht-shqip)”, ASHSH Tiranë, 2019, 428 f.;
24 cm.
“Fjalor
terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave : (sistemor me
përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip dhe në frëngjisht)
= Dictionnaire terminologique de la théorie des mécanismes et des machines:
(systémique avec définitions et indicateurs alphabétiques, numérotés en
albanais et en français“, Prishtinë, 2022, 240 f.; 20 cm.
“Fjalor
terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave: (sistemor me
përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip, në anglisht,
gjermanisht dhe në frëngjisht) = Terminological vocabulary of the theory of
mechanisms and machines: (systemic, with definitions and alphabetical index,
numbered in Albanian, English, German and French) = Terminologisches wörterbuch
der theorie der mechanismen und maschinen : (systemisch, mit Definitionen und
alphabetischem Verzeichnis, nummeriert in Albanisch, Englisch, Deutsch und
Französisch) = Dictionnaire terminologique de la théorie des mécanismes et des
machines: (systémique avec définitions et indicateurs alphabétiques, numérotés
en albanais anglais, allemand et en français”, Prishtinë, 2022, 430 f.; 20 cm.
6)
Zbatime të teorisë bashkëkohore në hartimin e fjalorëve
Lidhur
me këtë kontribut mund të përmendim dy veprat themelore e terminografike: Fjalor i termave themelorë të mekanikës dhe të bujqësisë
(ky i fundit sistemor dhe përkufizues, bazuar në teorinë terminologjike të
Eugen Wüster (Vusterit-shkolla e Vjenës).
7)
Udhëheqje doktoratash
Njëmbëdhjetë
udhëheqje të doktoraturave (dy për kandidatë nga Kosova). Një pjesë e këtyre
doktoraturave janë botuar nga QSA (tani ASA) Tiranë, kurse disa nëpër Shtëpi
tjera botuese.
8) Vlerësime
të punës së profesor Agron Duros
Përgjegjës
i sektorit të terminologjisë (IGJL),
Çmimi i
Republikës së Shqipërisë, klasi III,
Çmim i
Albanologjisë (Tiranë, 2022) (në ceremeninë “Ditët e Albanologjisë”).
9) Recensione shkencore
Profesor Agron Duro ka shkruar
recensione shkencore për disa vepra, në revistën “Studime filologjike”, si:
“Fjalor i
informatikës(anglisht–shqip, shqip–anglisht)” (ASHAK Prishtinë, 2005), nga hartues specialist të fushës: Nebi
Caka, Agni Dika, Seb Rodiqi, me 18.000 term, nga 9.000 terma çdo gjuhë).
Fjalori përmban:Termatkryesorë të TI-së dhe informatikës (hardware, software, rrjetë, bazë të dhënash, algoritëm etj.).
“Strukturalizmi klasik në gjuhësi” shkruar nga profesor Shezai Rrokaj, Tiranë, 1996.
“Baza të gjuhësisë së përgjithshme”, shkruar nga profesor Nuri Gjokaj (Shkodër, 1997), Tiranë, 1998,
Tiranë, 1998.
“Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe nga
Rilindja deri në vitet 80-të të shek. XX-të (Tiranë, 2005), Tiranë, 2006.
10) Tekste universitare të hartuara nga profesor Agron Duro:
Profesor
Agron Duro ka hartuar disa tekste universitare, kryesisht për gjuhën ruse:
“Gjuha
ruse: për degën e metalurgjisë”, UT Tiranë, 1985, 288 f.
“Gjuha
ruse: për degën mekanike (dispensë), UT Tiranë, 1973, 154 f.
“Gjuha
ruse: për studentët e degës së metalurgjisë”,kursi 1-2,UT Tiranë, 1974, 229 f.
“Gjuha
ruse : për studentët e degës mekanike: kursi 1-2, UT Tiranë, Tiranë, 1981, 161
f.
“Gjuha
ruse: për studentët e degës mekanike: kursi 1-2 (bashkautor edhe Nazif Meta),
UT Tiranë, 1985, 204 f.
Si
përfundim mund të theksohet se profesor Duro është shquar në veprimtarinë e
gjatë pedagogjike si mësimdhënës i gjuhës shqipe e ruse në UT, si pedagog i
lëndëve teorike e praktike, në hartimin e teksteve të shumtë mësimorë dhe më
vonë i vetëspecializuar në fushën e terminologjisë qysh në vitet 70 të
shekullit të kaluar. Më vonë, si punonjës shkencor në JGJL, pas vitit 1980 ka
patur si objekt të punës shkencore terminologjinë dhe terminografinë. Ai e ka
ngritur gjithë veprimtarinë shkencore në këtë fushë në nivelin e studimeve të
teorisë bashkëkohore të terminologjisë dhe praktikës së saj, duke sjellë
kontribute të çmuara. Kështu ka arritur me hulumtimet e tij të krijojë
konceptin e vet për çështje të tilla si sistemi terminogjik, togfjalëshat
terminologjikë, standardi, shqipërimi i termave, duke dhënë modele për
përpunimin e terminologjisë dhe hartimin e fjalorëve me mjete të sofistikuara
si për fushën e bujqësisë, mekanikës. Duhet përmendur në mënyrë të veçantëse ai
ka paraprirë me punën udhëheqëse të studimeve nga studiuesit e rinj në fushën e
terminologjisë, duke drejtuar rreth 11 disertacione për gradën doktor, një
pjesë e të cilave të botuara si nga Vilma Proko, Eda Shehu (Shqipëri), Sadete
Pllana, Gani Pllana (Kosovë).
Profesor
Duro është një ndër veprimtarët që ka dhënë ndihmesa në organizimin e
veprimtarive shkencore të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.