E diele, 02.11.2025, 09:41 PM (GMT)

Kulturë

Gani Pllana: Kontributi i Prof. Agron Duros në terminologjinë shkencore-teknike në Shqipëri dhe jehona në Kosovë

E shtune, 01.11.2025, 06:57 PM


KONTRIBUTI I VEÇANTË I PROFESOR AGRON DUROS NË FUSHËN E TERMINOLOGJISË SHKENCORE-TEKNIKE BASHKËKOHORE NË SHQIPËRI DHE JEHONA NË KOSOVË

Nga Gani S. Pllana

Në veprimtarinë e kryer në fushën e terminologjisë shkencore-teknike shqipe, një kontribut që meriton të vlerësohet në mënyrë shumë të veçantë është veprimtaria e zhvilluar, me dekada, nga profesor Agron Duro, i cili ka vënë bazat shkencore për shumë anë të terminologjisë, duke u bazuar në veprat e terminologëve më të shquar botëror. Kontributi i tij jashtëzakonisht me vlera të larta, si ato për termat si elemente sistemore, togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë në shqipen e sotme, lidhjet brendatogfjalësore, sistemet terminologjike në rrafshet ndërgjuhësore, sistemet terminologjike dhe dysorët terminologjikë në rrafshin e fjalëformimit në gjuhën shqipe, shqipërimi i terminologjisë (shqipërimi i fjalëve të huaja; shqipërimi i termave të huaj), fjala shqipe për plotësimin dhe pasurimin e fondit themelor të terminologjisë, reflekse të studimeve teorike të terminologjisë në praktikën e hartimit të fjalorëve terminologjikë, gjithashtu duke parashtruar detyra për zgjidhjen e problemeve të terminologjisë, kanë hapur rrugë profesionale për studime më të gjëra në praktikën terminologjike dhe hartimin e fjalorëve të fushave të ndryshme të dijes me përqasje me gjuhët më të njohura botërore, si anglishtja, gjermanishtja, rusishtja etj.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1948 u themelua Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë, si pjesë e Institutit të Shkencave, që ishte institucioni i parë shkencor në Shqipëri. Ky institut fillimisht përfshinte disa degë të rëndësishme të studimeve albanologjike, si: historia, gjuhësia, letërsia, folklori dhe etnografia. Pranë këtij institucioni, në vitin 1955 u themelua Sektori i Terminologjisë, i cili ndërmori dhe drejtoi hartimin e botimin e shumë fjalorëve disa-gjuhësh në serinë “Fjalor i terminologjisë tekniko-shkencore” duke filluar në vitin 1963. Në mesin e studiuesve në IHGJ dhe Sektorin e Terminologjisë u angazhuan: Gjuhëtarë/albanologë Aleksandër Xhuvani, Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Lirak Dodbiba, Mahir Domi, Selman Riza etj. Në sektorin e Terminologjisë punuan, përveç Lirak Dodbibës si bashkautor e redaktor edhe gjuhëtarë/terminologë, si: Ferdinand Leka, Sofia Morska, Hëna Pasho, Agron Duro, Vladimir Dervishi etj., si edhe studiues nga fizika e matematika, si: Fatmir Sinoimeri (fizikan), Sotir Kuneshka (fizikan) e P. Pilika (matematikan).

Pas grumbullimit të një përvoje të gjerë gjatë hartimit të një vargu fjalorësh terminologjikë në sektorin e Terminologjisë të IGJL lindte nevoja edhe për përgjithësimin teorik të asaj përvoje e kapërcimin e një farë empirizmi të pashmangshëm në fazën fillestare të përpunimit sistematik të terminologjive, ku shquhet profesor Agron Duro për punimet shkencore teorike në fushën e terminologjive shqipe, çka bëhet kështu një hap i rëndësishëm përpara në trajtimin e problemeve teorike të terminologjisë e të propozimeve për zgjidhje të reja më sistematike edhe në aspektin e praktikës terminologjike. Profesor Duro, vend të veçantë u kushton mundësive potenciale të shqipes për pasurimin e terminologjisë dhe veçanërisht për pastrimin e saj nga termat e huazuar pa nevojë nga gjuhët e huaja, duke u mbështetur në të githë faktorët kompleks që kushtëzojnë mundësinë e heqjes apo të lënies së termit të huaj, si shkalla e motivimit, e ngulitjes në gjuhë,  lidhjet e termit në sistem, etj.

Veprimtaria shkencore e profesor Agron Duros

Profesor Agron Duro, një ndër njohësit e disa gjuhëve të huaja, pedagog për gjuhën ruse në disa Institucione shkencore, si edhe me përvojën e fituar shkencore gjatë veprimtarisë gjysmë shekullore për terminologjinë shqipe në veçanti, është mbështetur në teoritë e dijetarit austriak Eugen Wüster (Vysterit) [1898-1977]: “Terminologjia e një gjuhe si leksik special studiohet në formën e terminologjive të fushave të veçanta të dijes, ku secila fushë përbën një sistem termash që i përgjigjet një sistemi konceptesh të asaj fushe dije. Brenda sistemit vendoset ekuacioni një koncept/një term. Kjo është edhe baza e studimit të terminologjisë, e teorisë dhe të praktikës së saj [Vyster].

Mbështetur në këto ide, profesor Duro shkruan veprën “Sistemet terminologjike dhe dysorët terminologjikë në rrafshin e fjalëformimit të gjuhës shqipe të përqasur edhe me italishten, anglishten dhe rusishten” (Tiranë, 1983).

Kjo vepër përbën një kontribut të rëndësishëm me vlerë, pasi tema ka të bëjë me terminologjinë shqipe, si në aspektin teorikë ashtu edhe praktikë, përqasur me terminologjitë e gjuhëve të huaja (italishten, anglishten e rusishten), ku studiohen gjerësisht dukuritë sistemore dhe josistemore në gjuhën e shkencës dhe teknikës.  Paraqitjet grafike nga autori janë një pasqyrë reale, të dhëna për herë të parë në këtë formë, në terminologjinë shqipe, të cilat janë shfrytëzuar si modele nga terminologët pasues për punime dhe tema masteri e disertacione.

Në temë janë trajtuar shumë çështje nga terminologjia tekniko-shkencore, si: sistemet terminologjike, sistemet terminologjike dhe sistemet gjuhësore, karakteristika e termit, përkufizimi i termit, kufijtë e termit, termi dhe fjala, termat dhe emërtimet profesionale, togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë, terminologjia në rrafshet ndërgjuhësore, dysorët terminologjikë, formime prapashtesore etj.

Veprat themelore teorike dhe praktike të profesor Agron Duros në terminologjinë tekniko-shkencore:

1) Terminologjia si sistem (Tiranë, 2001): Në këtë vepër, në fushën e terminologjisë tekniko-shkencore, profesor Agron Duro paraqet punën e gjatë njëzetvjeçare, duke shfrytëzuar arritjet më të mira në shkallë kombëtare e ndërkombëtare për problemet e terminologjisë të autorëve me përvojë, si: Eugen Wüster (Vyster) (Austri), Helmut Felber (Austri), Christian Galinski (Austri), D. S. Lote (Rusi) dhe Heribert Picht (Danimarkë). Profesor Agron Duro, idetë e këtyre autorëve i ka trajtuar në mënyrë origjinale me ilustrime të veçanta për terminologjinë shqipe, me theks të veçantë për termin, të cilin e vështron si shprehje të një koncepti dhe si pjesë përbërëse të një sistemi termash në lidhje hierarkike nga e përgjithshmja tek e veçanta. Autori vlerëson krijimin e një koncepti për togfjalëshat e qëndrueshëm terminologjikë, duke vendosur kufijtë ndërmjet togfjalëshave terminologjikë të mirëfilltë dhe togfjalëshave të lirë terminologjikë. Një sugjerim real i autorit është përqasja e gjuhës shqipe me gjuhët ndërkombëtare të standardizuara, për shumë fusha të dijes, si me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten dhe me rusishten, si zgjidhje praktike me bazë shkencore.

2) Termi dhe fjala në gjuhën shqipe (në rrafshin e formës dhe të përmbajtjes) (Tiranë, 2009):

Vepra ka karakter të theksuar teorik, por ka edhe vlera të drejtpërdrejta praktike, shumë e vlefshme për terminologët e terminografët, si edhe për leksikologët e leksikografët. Në këtë monografi autori, përveç këndvështrimeve të autorëve ndërkombëtarë është bazuar edhe në rezultate e gjuhëtarëve vendës, si: Androkli Kostallari, Jani Thomai, Miço Samara e Xhevat Lloshi. Gjithashtu autori vlerëson dhe çmon arritjet e studimeve në fushën e terminologjisë nga autorët shqiptarë, si: Lirak Dodbibës, Ferdinand Lekës, Hëna Pashos, Hasan Çipurit, Vladimir Dervishit, Vilma Prokos, Sadete Pllanës, Pajazit Nushit, Latif Susurit etj. Në monografi trajtohen problemet e termit në marrëdhënie me fjalën në rrafshin e lidhjes së formës dhe të përmbajtjes e të dyja njësive përkatëse. Problemet që lidhen me identitetin e termit në gjuhë në të gjitha nivelet e përdorimit të tij, i cili përcaktohet përmes fushës së dijes dhe shprehjes prej tij të konceptit shkencor-teknik. Me rëndësi të veçantë gjatë hartimit të fjalorëve terminologjikë është ideja e orientimit tek fushat sa më të ngushta, sepse në to pasqyrohet i gjithë sistemi konceptor i fushës së dijes. Tek “Lidhjet sinonimike absolute dhe relative në terminologji”, autori argumenton idenë se në procesin e standardizimit, si detyrë parësore është mënjanimi i sinonimisë absolute, si dukuri negative, por që ndihmon për përzgjedhjen e termit më të përshtatshëm në kufijtë e sistemit terminologjik.

3) Studime gjuhësore (terminologji, gjuhësi kompjuterike, kritikë-bibliografi) (Tiranë, 2012): Në këtë vepër, profesor Agron Duro ka përmbledhur artikuj rreth problemeve të leksikut të gjuhës dhe atij terminologjik në gjuhën shqipe, lidhur me çështje të ndryshme nga fusha e terminologjisë, e gjuhësisë kompjuterike dhe recensione shkencore për monografi e fjalorë terminologjikë. Kryesisht, në këtë vepër zënë vend artikujt për probleme të terminologjisë, duke trajtuar probleme aktuale të zbatimit të terminologjisë lidhur me standardin dhe normën në rrafshin e përpunimit të terminologjisë.

Profesor Agron Duro, pas vitit 1990 ka botuar punime me vlerë teorike e zbatuesee nga fusha e terminologjisë në organe botuese të huaja, si:“Minimizing the negative effects of homonymy in langauage for special purposes”, botuar në “Proceedings of the 10th European LSP Symposium”, “Albanian terminologies: problems involved in elaboration and standardization” në revistën “TermNet News” (Vjenë, 1998). Në punimin me titull “Reflekse të thelbit të konceptit gjuhësor të Sosyrit në terminologji (Auswirkungen des sprachlichen Grundbegriffs von Ferdinand de Saussure auf die Terminologie” botuar edhe në gjuhën gjermane, me bashkautore Sadete Pllanën (ATHENE-Verlag, Heft 12, 2018).

4) “Studime gjuhësore 2” (Tiranë, 2018): Në këtë vepër profesor Agron Duro përmbledhë studime e kumtesa, shumica e tyre të pabotuara më parë. Ndër artikujt e një rëndësie të veçantë janë: “Përkufizimi i termit dhe kufijtë e tij”; “Dysorët terminologjikë”; “Probleme të diferencimit kuptimor e konceptor në shqipen standarde”; “Gjuha dhe ligjërimi në komunikimin e huaj” etj.

Profesor Agron Duro shquhet në mënyrë të veçantë për trajtimin e mirëfilltë teorik, si: problemi i përkufizimit të termit dhe i kufijve të tij; raportet term-koncept; term-fjalë e leksikut të përgjithshëm; termi dhe nomenklatura e emërtimet e profesioneve; dysorët terminologjikë dhe shkaqet e shfaqjeve të tyre në gjuhë; kufijtë e dysorëve terminologjikë; sinonimia në terminologji; mikrosistemet terminologjike; togfjalëshat terminologjikë; norma gjuhësore në fushën e terminologjisë etj.

5) Bashkautor, kryeredaktor e redaktor i fjalorëve disa-gjuhësh, për shumë fusha të dijes

Fjalor i termave themelore të mekanikës”: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht = Dictionary of basic terms of mecanics: albanian-english-french-italian-russian”, Tiranë, 2002, 1224 f.; 21 cm.

“Fjalor i termave të fiziologjisë”: shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht = Dictionary of terms of physiology: albanian-english-french-italian-russian”, Tiranë, 2004, 522 f.; 20 cm.

“Fjalor i termave themelorë të bujqësisë: me përkufizime, me rend sistematik dhe alfabetik: shqip-anglisht-frëngjisht-rusisht-italisht”: rreth 5000 terma = Dictionary of basic terms of agriculture: with definitions, in systematic and alphabetic order : Albanian-English-French-Italian-Russian: about 5000 terms”, Tiranë, 2006, 1021 f.; 20 cm.

“Fjalor rusisht-shqip: për degën mekanike”, UT Tiranë, 1974, 224 f.

“Fjalor rusisht-shqip : për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 1., UT Tiranë, 1976, 200f.

“Fjalor rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 1., UT Tiranë, 1981, 160 f.

“Fjalor rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 2., UT Tiranë, Tiranë, 1981, 148 f.

“Fjalor rusisht-shqip: për degën mekanike e të metalurgjisë”, Pj. 2. UT Tiranë, 1976, 187 f.

“Fjalor shpjegues i termave të botanikës: (shqip, latinisht, anglisht): (rreth 11.000 terma dhe 1.000 skica)”, Prishtinë/Tiranë, 2012, 1564 f, 23 cm.

“Fjalor i termave të patologjisë: shqip- latinisht-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht = Dictionary of terms of pathology: Albanian-Latin-English-French-Italian-Russian”,Tiranë, 2013, 632 f.; 21 cm.

“Fjalor politeknik rusisht-shqip”, 8 Nëntori, Tiranë, 1981, 926 f.

“Fjalor i termave bazë teknikë: (mekanikë, elektricitet, ndërtim): shqip-gjermanisht, gjermanisht-shqip = Wörterbuch der grundlegenden technischen Begrife: (Mechanik, Elektrizität, Bau): Albanisch-Deutsch, Deutsch-Albanisch”, Prishtinë, 2018, 186 f.; 20 cm.

“Fjalor i termave bazë të kimisë: (shqip-anglisht, anglisht-shqip)”, ASHSH Tiranë, 2019, 428 f.; 24 cm.

“Fjalor terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave : (sistemor me përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip dhe në frëngjisht) = Dictionnaire terminologique de la théorie des mécanismes et des machines: (systémique avec définitions et indicateurs alphabétiques, numérotés en albanais et en français“, Prishtinë, 2022, 240 f.; 20 cm.

“Fjalor terminologjik i teorisë së mekanizmave dhe të makinave: (sistemor me përkufizime dhe me tregues alfabetikë, të numërtuar në shqip, në anglisht, gjermanisht dhe në frëngjisht) = Terminological vocabulary of the theory of mechanisms and machines: (systemic, with definitions and alphabetical index, numbered in Albanian, English, German and French) = Terminologisches wörterbuch der theorie der mechanismen und maschinen : (systemisch, mit Definitionen und alphabetischem Verzeichnis, nummeriert in Albanisch, Englisch, Deutsch und Französisch) = Dictionnaire terminologique de la théorie des mécanismes et des machines: (systémique avec définitions et indicateurs alphabétiques, numérotés en albanais anglais, allemand et en français”, Prishtinë, 2022, 430 f.; 20 cm.

6) Zbatime të teorisë bashkëkohore në hartimin e fjalorëve

Lidhur me këtë kontribut mund të përmendim dy veprat themelore e terminografike: Fjalor i termave themelorë të mekanikës dhe të bujqësisë (ky i fundit sistemor dhe përkufizues, bazuar në teorinë terminologjike të Eugen Wüster (Vusterit-shkolla e Vjenës).

7) Udhëheqje doktoratash

Njëmbëdhjetë udhëheqje të doktoraturave (dy për kandidatë nga Kosova). Një pjesë e këtyre doktoraturave janë botuar nga QSA (tani ASA) Tiranë, kurse disa nëpër Shtëpi tjera botuese.

8) Vlerësime të punës së profesor Agron Duros

Përgjegjës i sektorit të terminologjisë (IGJL),

Çmimi i Republikës së Shqipërisë, klasi III,

Çmim i Albanologjisë (Tiranë, 2022) (në ceremeninë “Ditët e Albanologjisë”).

9) Recensione shkencore

Profesor Agron Duro ka shkruar recensione shkencore për disa vepra, në revistën “Studime filologjike”, si:

“Fjalor i informatikës(anglisht–shqip, shqip–anglisht)” (ASHAK Prishtinë, 2005), nga hartues specialist të fushës: Nebi Caka, Agni Dika, Seb Rodiqi, me 18.000 term, nga 9.000 terma çdo gjuhë). Fjalori përmban:Termatkryesorë të TI-së dhe informatikës (hardware, software, rrjetë, bazë të dhënash, algoritëm etj.).

“Strukturalizmi klasik në gjuhësi” shkruar nga profesor Shezai Rrokaj, Tiranë, 1996.

“Baza të gjuhësisë së përgjithshme”, shkruar nga profesor Nuri Gjokaj (Shkodër, 1997), Tiranë, 1998, Tiranë, 1998.

“Terminologjia e ekonomisë në gjuhën shqipe nga Rilindja deri në vitet 80-të të shek. XX-të (Tiranë, 2005), Tiranë, 2006.

10) Tekste universitare të hartuara nga profesor Agron Duro:

Profesor Agron Duro ka hartuar disa tekste universitare, kryesisht për gjuhën ruse:

“Gjuha ruse: për degën e metalurgjisë”, UT Tiranë, 1985, 288 f.

“Gjuha ruse: për degën mekanike (dispensë), UT Tiranë, 1973, 154 f.

“Gjuha ruse: për studentët e degës së metalurgjisë”,kursi 1-2,UT Tiranë, 1974, 229 f.

“Gjuha ruse : për studentët e degës mekanike: kursi 1-2, UT Tiranë, Tiranë, 1981, 161 f.

“Gjuha ruse: për studentët e degës mekanike: kursi 1-2 (bashkautor edhe Nazif Meta), UT Tiranë, 1985, 204 f.

Si përfundim mund të theksohet se profesor Duro është shquar në veprimtarinë e gjatë pedagogjike si mësimdhënës i gjuhës shqipe e ruse në UT, si pedagog i lëndëve teorike e praktike, në hartimin e teksteve të shumtë mësimorë dhe më vonë i vetëspecializuar në fushën e terminologjisë qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar. Më vonë, si punonjës shkencor në JGJL, pas vitit 1980 ka patur si objekt të punës shkencore terminologjinë dhe terminografinë. Ai e ka ngritur gjithë veprimtarinë shkencore në këtë fushë në nivelin e studimeve të teorisë bashkëkohore të terminologjisë dhe praktikës së saj, duke sjellë kontribute të çmuara. Kështu ka arritur me hulumtimet e tij të krijojë konceptin e vet për çështje të tilla si sistemi terminogjik, togfjalëshat terminologjikë, standardi, shqipërimi i termave, duke dhënë modele për përpunimin e terminologjisë dhe hartimin e fjalorëve me mjete të sofistikuara si për fushën e bujqësisë, mekanikës. Duhet përmendur në mënyrë të veçantëse ai ka paraprirë me punën udhëheqëse të studimeve nga studiuesit e rinj në fushën e terminologjisë, duke drejtuar rreth 11 disertacione për gradën doktor, një pjesë e të cilave të botuara si nga Vilma Proko, Eda Shehu (Shqipëri), Sadete Pllana, Gani Pllana (Kosovë).

Profesor Duro është një ndër veprimtarët që ka dhënë ndihmesa në organizimin e veprimtarive shkencore të përbashkëta Shqipëri-Kosovë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx