Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: “Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës

| E premte, 31.10.2025, 06:59 PM |


“Gazeta e Sportit”, sot kremton 100-vjetorin e kurorëzimit në Shkodrën e mbretërimit të fjalës dhe shpirtit të garës

Nga Albert Vataj

“Gazeta e Sportit” ishte e para, e fillimta e një rrugëtimi që do të shënjonte hapa në historinë e shtypit sprtiv. Në Shkodrën e traditave, të fjalës dhe të penës, të artit dhe të historisë, të përfaqësive të huaja dhe të fotografisë, të teatrove dhe të humorit, aty ku drita nisi të shkrepëtijë për herë të parë në horizontin e qytetërimit perendimor shqiptar, më 30 tetor 1925 lindi një tjetër flakë e mendimit dhe e shpirtit, “Gazeta e Sportit”. Një ngjarje e vogël në dukje, por me domethënie të madhe për kulturën, për median dhe për sportin shqiptar. Ajo shënoi themelin e gazetarisë sportive në Shqipëri, një shekull më parë, në qytetin që ka ditur të jetë pararojë në shumë fusha të jetës shpirtërore dhe qytetare, në qytetin që ishte kurorëzuesja e këtij mbretërimi që do të sillte zgjim dhe emocion. Sporti do të fliste edhe përmes fjalëve, përveçse përmes garës dhe sfidës së fitores.

Nuk është rastësi që Shkodra, ky qytet që ka qenë gjithmonë tempull i dijes, i botimeve dhe i kulturës, do të bëhej edhe vendlindja e gazetarisë sportive. Në këtë truall, ku u lind futbolli, ku u themeluan skuadrat e para, ku u grupuan pasione dhe talente sprovash gare, ku penat e para shqiptare patën guximin të flasin në gjuhën e kombit, ku aparatet e Marubëve kapën dritën e parë të një realiteti të dokumentuar, dhe ku zëri i artit, teatrit e humorit krijoi frymën e shoqërisë moderne, edhe sporti do të gjente tribunën e vet të dinjitetit, shtypin.

Në atë prag të shekullit të ri shqiptar, kur vendi po mësonte të organizohej dhe të ndërtonte identitetin e vet shoqëror, “Gazeta e Sportit” u bë një dritare për një kulturë të re, kulturën e garës, të disiplinës, të bashkëpunimit dhe të pasionit.

Kjo gazetë u themelua dhe u drejtua nga Palok Nikaj (Palokë Nika), një emër që meriton të zërë vend të veçantë në historinë e sportit shqiptar. Lindur në Shkodër në vitin 1892, Palok Nikaj ishte më shumë se një gazetar, ai ishte sportist, organizator, trajner, përfaqësues i frymës qytetare që sheh përtej kufijve të profesionit. Ai shërbeu si kapiten i skuadrës “Indipendenca” në Shkodër, organizoi gara atletike dhe çiklistike, drejtoi skuadra futbolli dhe në të njëjtën kohë e ngriti sportin në nivelin e një kulture të përbashkët kombëtare.

Në vitin 1925, me themelimin e “Gazetës së Sportit”, Palok Nikaj hodhi themelet e asaj që sot mund ta quajmë “shkolla shqiptare e gazetarisë sportive”. Për herë të parë, sporti nuk trajtohej më si një ngjarje lokale apo argëtim, por si një fenomen shoqëror që kërkonte analizë, pasqyrë dhe kujtesë. Për dy vite me radhë, gazeta e tij u bë tribunë e pasionit sportiv shkodran dhe shqiptar.

Në nder të kontributit të tij, Bashkia e Shkodrës, vite më vonë, do të vendoste të krijojë çmimin “Palokë Nika”, një simbol nderimi për ata që, si ai, i kanë dhënë jetës sportive shqiptare përkushtim, dinjitet dhe frymë qytetare.

“Gazeta e Sportit”, e cila u botua në Shkodër më 30 tetor 1925, ishte një hap i madh drejt modernitetit. Në një kohë kur Shqipëria kishte ende vështirësi në organizimin institucional dhe shtypi i përditshëm sapo po merrte formë, kjo gazetë tregoi se edhe sporti meriton një hapësirë të dedikuar. Artikujt e saj pasqyronin garat e para, ndeshjet, figurat e sportit, por edhe idenë se përmes sportit ndërtohej karakteri, edukata dhe bashkimi shoqëror.

Duke iu referuar trajtimit të gazetarit legjendar shkodran Besnik Dizdari, mësojmë se “Gazeta e Sportit” ishte një botim i thjeshtë në pamje, por monumental në përmbajtje dhe domethënie. Ajo përbëhej prej katër faqesh të vogla, me format 22.7 x 30.8 cm, dhe dilte dy herë në muaj, duke u shtypur në shtypshkronjën “Nikaj” në Shkodër, një prej më të njohurave të kohës. Me gjithë përmasat e saj modeste, gazeta kishte një peshë të jashtëzakonshme kulturore e shoqërore, pasi përfaqësonte një përpjekje vizionare për ta bërë sportin pjesë të ndërgjegjes qytetare shqiptare, jo vetëm përmes fushës dhe garës, por edhe përmes fjalës së shkruar, që dokumenton, ndërton dhe përjetëson.

Duhet të kemi parasysh se ajo doli në vitin 1925, në një Shqipëri që kishte vetëm 13 vjet pavarësi, ende të brishtë, të përfshirë në një mori vështirësish politike, ekonomike dhe institucionale. Ishte një kohë kur kombi përpiqej të mbijetonte, të krijonte vetveten, dhe pikërisht në atë realitet të varfër në mjete, por të pasur në shpresë, dikush në Shkodër, Palok Nikaj,pati guximin të mendojë se edhe ky vend duhej të kishte gazetën e tij sportive. Ishte një ide që shfaqte jo vetëm pasionin për sportin, por edhe një vizion për qytetërimin, sepse sporti, në atë kohë, ishte një gjuhë moderne e kulturës, disiplinës dhe bashkimit.

Nëse kthehesh pak në kohë, për të matur dhe kuptuar me drejtësi këtë ndërmarrje, ajo shfaqet si një akt kulturor dhe civilizues me vlera të mëdha kombëtare. Nuk ishte vetëm një botim për sportin, por një përpjekje për ta vendosur Shqipërinë në hartën e zhvillimeve moderne europiane. Duhet kujtuar se vetëm 29 vjet më herët, në vitin 1896, në Milano ishte botuar “La Gazzetta dello Sport”, gazeta e parë sportive në histori, që do të bëhej më vonë simbol i një epoke të re për sportin dhe gazetarinë në botë. Dhe për shumë vite më pas, pak vende të Evropës kishin guxuar të ndiqnin shembullin e saj.

Në këtë kuptim, “Gazeta e Sportit” e Shkodrës nuk ishte thjesht një hap për Shqipërinë, por një fenomen i rrallë në vetë kontinentin europian. Ajo lindi në një kohë kur vetë ideja e gazetarisë sportive ishte ende në fillesat e saj. Prandaj mund të thuhet me plot gojë se Shqipëria, përmes Shkodrës dhe përmes Palok Nikajt, ishte ndër të parat në Ballkan që ngriti një tribunë të shkruar për sportin. Ky fakt, përtej krenarisë lokale, mbetet një faqe e ndritur e historisë sonë kulturore kombëtare, dëshmi e një qyteti që gjithmonë e ka parë zhvillimin si detyrim moral ndaj dritës dhe përparimit.

Botimi i saj përfaqësonte edhe ngjizjen e një fryme të re profesionale, ajo e gazetarit sportiv, që jo vetëm informon, por edhe kultivon një pasion, nxit një vlerë dhe ndërton një kujtesë kolektive.

Në një fotografi të ruajtur nga vitet 1950, shihen tre figura të shquara të asaj kohe: Muhamet Halili, Palok Nikaj dhe Lec Ndreka. Një imazh që përmbledh një epokë. Këta burra përfaqësonin lidhjen e brezave që mbajtën gjallë frymën e sportit dhe të gazetarisë në Shkodër. Edhe pse dokumentimi i plotë për Halilin dhe Ndrekan është i rrallë, prania e tyre në këtë fotografi mbetet dëshmi e një kohe kur sporti ishte jo vetëm një fushë veprimi, por edhe një mënyrë jetese, një pasion që bashkonte qytetarët.

Qysh në numrin e parë të “Gazetës së Sportit” shfaqet një lajm që do të mbetej gur themeli në historinë e sportit shqiptar, zhvillimi i Rrethit të Parë Çiklistik të Shqipërisë, një ndërmarrje që, për nga fryma dhe risia, mund të quhet pa drojë europiane. Jo vetëm sepse ishte një ngjarje sportive e përmasave të pazakonta për kohën, por sepse, siç do të shkruante vetë gazeta, ishte i pari rreth çiklistik amator në mbarë Europën.

Në rubrikën “Post’e Jashtme” të atij numri të parë, shfaqet një dëshmi që e kurorëzon këtë arritje: një letër nga shoqëria e famshme ndërkombëtare çiklistike “Bianchi”, e cila përcjell me tone fisnike dhe emocionale: “Me gëzim të madh morëme vesht të sjellunit e Shqypnisë me biçikleta. Ju urojmë suksese të plota dhe dëshirojmë që dhe ai komb kreshnik të marrë rrugën e shteteve të mdhaja në përparimin e fizikut të masës që sot asht e domosdoshme. Pritni urimet tona ma të përzemërta.”

Pas saj, mbërrin një tjetër telegram, nga një shoqëri sportive franceze: “Gëzohemi që një shtet i vogël, por me shumë zell në përparim, po i tregon botës randësinë e sportit.”

Rrethi i parë çiklistik ishte zhvilluar në shtator të vitit 1925, ndërsa “Gazeta e Sportit” u shfaq një muaj më pas, si një jehonë e drejtpërdrejtë e asaj ngjarjeje. Fituesi, Jonuz Gjylbegu, do të mbulohej me dafinat e një kampioni të pashembullt, i ngjashëm me mitet e kohëve të reja.

Në kryeartikullin e numrit të dytë lexojmë: “Në horizontin e Shtypit Kombëtar sot duket edhe ‘Gazeta e Sportit’.” Dhe në ato katër faqe të përunjura, por plot frymë, ajo përpiqet të përfshijë gjithë universin e sportit të kohës, nga ai vendor te ai ndërkombëtar. Nga një ndeshje futbolli në Vjenë, te gara gjashtëditore e çiklizmit në SHBA, ku përmenden emra si Ghirardelli e Binda; nga një përballje boksi në Berlin, te përgatitjet për Olimpiadën e Amsterdamit dhe ndeshja e madhe e Anglisë 5–3 me Belgjikën — gjithçka për të krijuar një horizont kulturor sportiv të gjerë, siç e kishin ëndërruar themeluesit e gazetës.

Dhe sërish, në qendër qëndron çiklizmi,simboli i një kohe që lëviz. Jo rastësisht. Ai ishte i vetmi sport që kishte arritur të zhvillonte një veprimtari të vërtetë kombëtare, mbarëshqiptare: Rrethin e famshëm Çiklistik të 1925-ës, një mrekulli për realitetin e asaj kohe.

Në shkurt të vitit 1926, “Gazeta e Sportit” do të shpallte me krenari: “Turi ballkanik”, një nismë që, sipas saj, asnjë shtet i Ballkanit nuk e kishte guxuar më parë.

Pas çiklizmit, natyrshëm, vjen futbolli, faqe pas faqeje, ndeshje pas ndeshjeje. Frymon jeta e gjallë futbollistike e Shkodrës, me shoqëritë e saj që mbartnin emra të ngarkuar me shpirt atdhetar: “Lekë Dukagjini”, “Republika”, “Liria”, “Djelmënia”, “Gjergj Kastrioti”, “Studenti”, “Juventus”.

Në to shkëlqejnë emra që më pas do të bëhen legjendë: Muhamet Halili, Lec Ndreka, Ibrahim Dizdari, Anton Mazreku, Elez Maha, Ahmet Ashikja, Rudolf Gurashi, Loro Kovaçi, aktori ynë i madh i mëvonshëm Frederik Shiroka, dhe Bahri Kopliku, dy mjekët tanë të shquar të viteve që pasuan, të gjithë shokë të paharruar dhe gurë kujtese në themelin e sportit shqiptar.

Sot, 100 vite më pas, kjo ngjarje nuk është vetëm një përvjetor, është një moment reflektimi kombëtar. Sepse “Gazeta e Sportit” e vitit 1925 nuk ishte thjesht një botim, por një akt vizionar që i dha zë një gjinie të re të komunikimit publik në Shqipëri. Ishte një dritë që Shkodra ia fali kombit, një hap drejt qytetërimit përmes sportit.

Ky përvjetor duhet të shërbejë si nxitje për të rikthyer vëmendjen tek arkivat e harruara: për të gjetur kopjet e vjetra të gazetës, për të hulumtuar në bibliotekat e qytetit, në Muzeun Historik të Shkodrës, në koleksionet e familjeve që ruajnë kujtesën e atyre viteve. Aty gjendet filli që lidh gazetarinë e sotme me rrënjët e saj.

Kurorëzimi i 100-vjetorit të gazetarisë sportive në Shkodër është një përkulje ndaj kujtesës dhe një shenjë respekti ndaj atyre që ndezën dritën e parë. Nga Palok Nikaj e deri te gazetarët sportivë të ditëve tona, kjo histori është një dëshmi se fjala dhe pasioni, kur bashkohen, bëjnë histori.

Dhe ashtu siç Shkodra ndezi dritën e parë të fotografisë, ajo ndezi edhe dritën e parë të fjalës sportive, një dritë që sot, pas një shekulli, vazhdon të ndriçojë.