Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Violeta Kadriu: Kështjellë e Rozafës

| E premte, 31.10.2025, 06:50 PM |


VIOLETA KADRIU

KËSHTJELLË E ROZAFËS

Në oazën e shpirtit të Shkodrës

ku shekujve Drini e Buna u dëshmojnë çfarë është puthja e përjetësisë,

krenari e paarrirë qëndron Kështjellë e Rozafës

sinonim i sakrificës, qëndresës, besnikërisë, tradhtisë…

Rozafë, fortesë me fuqi feniksi brenda mureve të gurta

edhe pse shpesh mbi këto mure lozin re të murrta

idhësinë e gurëve mollojnë faqet nusërake tua t’ purpurta,

shekujve ftohtësinë ua ngrohin leshërat tua aromëftoi t’ lahurta!

Erërat e stinëve mbi trupin tënd mbollën blerim e myshk

krahnezat e dimrave çdo gjëje i ndërruan bojë,

po ujëvarës së qumështit tënd, Rozafë, a pati fuqi t’ i vë ndryshk,

bardhësi e saj Ferrëve të netëve lugatiene u qëndron pararojë!

Djathtaku yt sy lënë jashtë sfidon yllin Afërditë

dora jote ledhatare çan gurët mespërmes, përkëdhel fëminë,

këmba jote përkund djepin, shekujve ilirë u jep rritë

besë dhe dashuri e jote sfidon me zemërim Perënditë…

Zogjëve të lotëve, Rozafë, thejua gjithë kafazet,

le të fluturojnëpërjetësisht mbi dhembjen tënde të lirë,

fytyrës së përvuajtur t’ shekujve, jo, mos ia fsheh brazet,

qumësht i martires shqipe mos t’ shijojë thartirë!

Qëndrestare e dejve t’ kësaj toke, Rozafë muranë e gjallë,

ndrin këta nënqiej plot hire, pabesive u bën ballë,

dëshmi se besnikëri mban kala, lidh ura e brigje

po jeta jote, jona Rozafë, pavdekësisë qëmoti i hapi shtigje…

VIOLETA KADRIU, Podujevë, Kosovë, 2025