| E diele, 26.10.2025, 05:59 PM |

Jurgen
Uldedaj – Kampion Bote në versionin IBO për kategorinë e peshës
‘Cruiserweight’, duke shënuar një arritje të paprecedentë për boksin shqiptar
Në vend të një urimi:
SHQIPËRIA
MË KA DHËNË EMRIN SHQIPTAR. DHE PËR MUA, KJO ËSHTË GJITHÇKA
-
Pesha e madhe e atdhedashurisë së një Kampioni Bote -
Nga
Llesh NDOJ
Djaloshi
nga Lezha, biri i njërës prej familjeve më të njohura në Shkodër e Lezhë, e
ngriti shumë lart në Londër prestigjin e Shqipërisë, duke qenë i pari dhe i
vetmi deri më sot kampion bote, që mbron ngjyrat kuq e zi. Ky titull botëror,
pa as më të voglin dyshim, është krenari për çdo shqiptarë, e natyrisht edhe
për mua që e kam djal të një miku. Me të gjithçka na bashkon e asgjë s’na
ndanë, por edhe bashkëqytetarin tim të nderuar lezhjanë. Përmasat e kësaj
krenarie mu shumëfishuan sapo lexova edhe intervistën e tij të parë pas
kurorëzimit me titull botëror, dhënë zotit Ilir Demaliaj e botuar në gazetën
“Tema” online, datë 26 tetor 2025. E gjithë intervesta e tij vjen pa asnjë
shenjë mendjemadhësie e kryenaltësie boshe, por me krenarinë e ligjshme të një
arritje të shumëdëshiruar, falenderuese për familjen e tij të mrekullueshme e
stafin që e përgatit dhe e stërvit atë, por mbi të gjitha me një ndjenjë
krenarie të pa shtirur që ati i jep të qënit shqiptar.
O
zot, sa fort e sa bukur më tingëlloi në shpirt sot përgjigja e tij ndaj pyetjes
së gazetarit në se do t’a sillte titullin në Shqipëri dhe pse duhet t’a bënte
këtë, apo se çfarë i kishte dhënë atij Shqipëria. Kampioni nuk tha hiç më shumë
e as më pak se “Shqipëria më ka dhënë emrin shqiptarë. Dhe për mua, kjo është
gjithçka.”, duke u bërë kështu shembull frymëzimi për brezin e tij. Këtë
përgjigje duhet t’a lexojnë i gjithë brezi i shqiptarëve emigrantë nëpër botë,
disa edhe talentë në fushat e tyre, që as që duan t’ia dinë se janë shqiptarë,
duhet t’a lexojnë të gjithë të rinjtë e sotëm që presin gjithçka nga Shqipëria,
por nuk duan të japin asgjë për të dhe zgjedhin si rrugën e vetme emigrimin,
duhet t’a lexojnë ata të rinj që kanë hyrë në politikën shqiptare nga “dera e
pasme” pa asnjë kontribut real, ndonjë edhe pa arsim të lartë të mbaruar, (se
diploma ka boll tek tregu i “gabit” buzë Lanës) dhe krekosen si gjela nga
parlamenti apo nëpër ekrane, duhet t’a lexojnë të gjithë politikanët tanë, të
ri e të vjetër, që i kanë hyrë politikës për t’u pasuruar e për t’u krekosur
mbi varfërinë e shqiptarëve dhe rrallë njohin identitetin e tyre.
-
Pse duhet ta bëjnë këtë?

Kush
e njeh familjen Uldedaj e di mjaft mirë se ajo është njëra nga familjet më të
pasura në rajonin e Veriut të paktën dhe e gjithë pasuria e tyre vjen pa lidhje
me ndonjë pushtet të ushtruar prej tyre. Jurgeni, ky djalë që sot na bëri
krenar të gjithëve, nuk kishte asnjë nevojë ekonomike të hynte në rrugët e
vështira, ndonjëherë edhe të rrezikshme të fitimit të famës e të pasurisë. Ai,
ndoshta gjithë jetën e vet nuk do të kishte nevojë ekonomike, mjafton të
menaxhonte pasuritë e trashëguara e të shtuara nga prindërit e tij, e po të
ndiqte udhën e ndonjërit nga versnikët e vet edhe një mandat deputeti mund t’a
blinte nga listat e kryetarëve të gjithpushtetshëm, në cilëndo parti që ta
synonte ai. Por udha e shkurtër nuk të nxjerr kurrë aty ku duhet, ndaj me
pasion e vetëdije për udhën e mundimshme që e priste, zgjodhi punën,
stërvitjen, mundin e sakrificën edhe duke jetuar larg familjes së vet, për të
mbërritur aty ku deri më sot nuk ka mbërritur asnjë shqiptar, duke patur atë
nder e njohje në të gjithë botën, që as krerët e politikës nuk e kanë. Kjo
është magjia e sportit, por përtej kësaj, kjo është magjia e punës së palodhur
dhe e djersës së pastër.
Jurgeni
i besoi Zotit dhe vetes, punoi shumë e arriti deri këtu, por (dhe kjo është më
e bukura) ai ia dhuron këtë fitore Shqipërisë, duke thënë se ajo i kishte dhënë
atij gjithçka, thjesht duke i dhënë emrin shqiptar. E ku ka më bukur se kaq!
Madhështia e kësaj krenie kombëtare vjen më e plotë në se secili prej nesh e
mëson të vërtetën se përveç ndonjë indicje fillestare dhe mbështetjes në ring
gjatë ndeshjes prej thirrjeve e duartrokitjeve të shqiptarëve, asgjë nuk i
shkon arritjes së tij nga Shqipëria. Ai vetë dhe familja e tij, ia kanë ofruar
gjithë mbështetjen e mundëshme, që të stërvitet e të arrije majat me staf të
plotë dhe nga më të mirët e me stërvitje jashtë Shqipërisë.
Jurgeni,
ky djalosh i ri lezhjanë, sot kampion bote, nuk merr asgjë nga Shqipëria për
t’u krekosur udhëve të botës, siç kanë bërë e bëjnë shumë të tjerë, kryesisht
politikanë, përveç Flamurit me të cilin feston në ring dhe fitoret e tij të
njëpasnjëshme, por sjell nga jashtë me krenari një titull kaq të madh dhe të gjithin
ia dedikon Shqipërisë së tij të dashur, “që i ka dhënë atij emrin shqiptar”.
Ndoshta që nga kohët e Rilindjes Kombëtare shprehje kaq të bukura e të
përzemërta nuk kanë qarkulluar, ose kanë qarkulluar rrallë ndër ne, e kjo e
bënë Jurgenin sot shumë më tepër se një kampion, një shqiptar të madh që e
meriton të mbështillet me Flamurin tonë me ngjyrat Kuq e Zi. Ai, me fitoren e
arritur dhe me dedikimin që i bëri vendit, meriton të konsiderohet një
shqiponjë e vogël në sfondin Flamurit tonë të madh kombëtar.
Jemi
krenar me Ty, Jurgen!
Lezhë, më 26. 10. 2025
