| E marte, 21.10.2025, 06:56 PM |
Sot dhurova mbi një mijë libra për Bibliotekën “Latif Berisha”, në Mitrovicë
Roli i
bibliotekës në zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror
Nga Hysen
Ibrahimi
Mbështetja me libra, në funksion të arsimit
dhe kërkimit shkencor, përbën një element thelbësor në formimin intelektual të
nxënësve dhe studentëve, të cilët i përdorin librat për studime, detyra,
projekte dhe hulumtime. Libri mbetet një mjet i pazëvendësueshëm në procesin e
edukimit dhe të zhvillimit të dijes.
Për mua personalisht, biblioteka ka një
rëndësi të veçantë në jetën arsimore, kulturore dhe shoqërore të individit dhe
të komunitetit në përgjithësi. Ajo përfaqëson një qendër të dijes dhe
informacionit, që ruan dhe ofron qasje në libra, revista, dokumente, materiale
digjitale dhe burime të tjera të njohurive. Përmes kësaj, biblioteka kontribuon
në zhvillimin e aftësive kritike, në nxitjen e mendimit të pavarur dhe në
përhapjen e kulturës së leximit.
Duhet të jemi të vetëdijshëm se mbështetja e
bibliotekës dhe ndihma në sigurimin e librave përbën një akt të rëndësishëm në
ruajtjen e kulturës dhe trashëgimisë sonë
kombëtare. Bibliotekat janë institucione që
ruajnë kujtesën kulturore të një populli, duke përfshirë historinë, letërsinë
dhe dokumentet e rëndësishme kombëtare. Librat janë pasqyrë e kujtesës
shoqërore dhe mbartin identitetin kombëtar, gjuhën dhe vlerat kulturore të një
kombi.
Biblioteka “Latif Berisha” e Mitrovicës, të
cilën e vizitova më 20 tetor 2025, përfaqëson një hapësirë moderne dhe të
qasshme për të gjithë qytetarët, pa dallim moshe apo statusi shoqëror. Sipas
informacioneve që mora, më 2 korrik 2025 kjo bibliotekë e re është përuruar
zyrtarisht, duke plotësuar një nevojë të kahershme të qytetit për një
institucion bashkëkohor të dijes dhe kulturës.
Vizita ime e parë në këtë bibliotekë kishte
ndodhur në qershor 2025, në kohën kur po bëheshin përgatitjet e fundit për
përurimin e saj. Gjatë vizitës së tetorit u pritëm me mikpritje të veçantë nga
Drejtoresha e Bibliotekës, znj. Mirlinda Beqiri Begu, dhe zonja Selevete
Ibrahimi. Drejtoresha më informoi në detaje mbi organizimin e bibliotekës,
përfshirë hapësirat përcjellëse, sallat e leximit dhe raftet e librave, të
sistemuara me kujdes e estetikë të veçantë.
Në shenjë mirënjohjeje dhe bashkëpunimi,
premtova se do të dërgoja një kontingjent librash të botuara nga Shoqata
e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në
Suedi, gjatë periudhës 2011–2023, kohë gjatë së cilës kam qenë kryetar i kësaj
shoqate. Gjithashtu, u zotova të kontribuoj me vepra nga autorë shqiptarë të
diasporës si dhe nga biblioteka ime personale.
Drejtoresha më njoftoi se në bibliotekë do të
krijohej një këndi i librave nga mërgata shqiptare në Suedi, nismë
që e përshëndeta me entuziazëm. Sot, më 20 tetor 2025, ky premtim u realizua
përmes dhurimit të kontingjentit të librave, të cilët përfshijnë mbi 1000
ekzemplarë të llojeve të ndryshme. Ky akt përbën një kontribut modest,
por domethënës, në pasurimin e fondit librar dhe në forcimin e lidhjeve
kulturore ndërmjet mërgatës dhe vendlindjes.
Urime dhe gëzuar.
Hysen
Ibrahimi
Mitrovicë,
Biblioteka “Latif Berisha” 20 tetor 2025