E diele, 07.12.2025, 08:17 AM (GMT)

Kulturë » Vataj

Albert Vataj: Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën

E hene, 20.10.2025, 05:56 PM


Gruaja, ajo që mëkon dhe mbron me shpirtin e saj hyjnor, dashurinë dhe jetën

Nga Albert Vataj

Ka diçka të shenjtë në mënyrën se si një grua e mban botën mbi shpatulla, jo si mit, por si përditshmëri e heshtur. Ajo është fillimi dhe përfundimi i çdo fryme, drita që mëkon, forca që duron, heshtja që krijon. Në të rrjedh një fuqi që nuk ka nevojë për zë të lartë, sepse shprehja e saj është vetë jeta: lindja, mbrojtja, dashuria, përjetësia.

Në çdo epokë, në çdo kulturë, në çdo formë ekzistence, gruaja ka qenë arkitektja e ndjesisë njerëzore, ura midis tokës dhe qiellit, midis materies dhe shpirtit. Ajo nuk është thjesht gjinia që sjell jetën, por është vetë rrjedha e jetës, parimi i butësisë që ruan ekuilibrin e botës, ndjenja që zbut egërsinë e ekzistencës, drita që shuan hijet e njeriut.

Në një botë që shpesh është ndërtuar nën simbole falike dhe struktura të pushtetit maskilist, gruaja mbetet forca e padukshme që e shëron këtë botë, që e ringjall me dashuri, që i jep kuptim dhe që e bën të jetueshme. Ajo është përkujtim i asaj që njerëzimi shpesh harron: se asgjë nuk mund të mbijetojë pa dhembshurinë, pa mëshirën, pa gjirin që ushqen dhe shpirtin që fal.

Feminiteti është energjia krijuese e universit, një rezonancë e heshtur, por e përjetshme, që lëviz gjithçka drejt ndriçimit dhe dashurisë. Gruaja është tempulli i kësaj energjie, një prani që mban të gjallë fjalën “jetë”.

Ajo është zëri i Nënës Tokë, që flet në gjuhën e kujdesit, që mëkon dhe mbron, që jep pa llogari dhe fal pa kushte.

Në këtë frymë vjen edhe mendimi i Greg Ray Dunnett, i cili e shquan parimin femëror si forcën themelore kozmike, si origjinë dhe shpresë të njeriut. Dhe në këtë thelb të amshuar, shkrimi që vijon nuk është thjesht një reflektim, por një nderim ndaj atij frymëzimi që vjen nga gruaje, ajo që jep jetën, e mëkon me dashuri, e ruan me përkushtim, dhe e mban të gjallë me një forcë që as koha, as bota, nuk mund ta shterojnë.

Greg Ray Dunnett, në një ngulm të shpirtshëm komunikimi, në një reflektim mbi të sotmen dhe nevojën  për mëkimin e dashurisë si një akt hyjnor jete, shprehet se: Forca themelore kozmike ka qenë gjithmonë dhe do të jetë gjithmonë parimi femëror. 

Vë bast që burri më mashkullor dhe më i emancipuar, ka një shpirt femëror, duke i dhënë atij një fuqi maskilizmi të lëmuar, një aftësi spektakolare komunikimi, një marrëdhënie dhe joshjeje dehëse dhe rrëmbyese të sprovuar, në të kuptuarit të çdo fije nervore dhe zone erogjene, duke kapur çdo sinjal dhe kuptuar çdo mesazh, natyrshëm që vjen nga shpirti i tyre. 

Kjo botë do të ishte shterpët pa gratë dhe shpirtrat e tyre jetëdhënës që pasqyrojnë Nënë Natyrë në dashamirësinë e saj në nivelet më të shumëfishta, për të gjithë ne, shpirtin e skalitur në dallgë, ndjenjat e mbrujtura në përjetime.

Ashtu si perceptimi jashtëshqisor, intuita e një gruaje është diçka e gjithëçkasë së saj të komunikimit, me të cilën ajo ka lindur, pa u mësuar, duke rezonuar dhe duke u larë në të brenda, para dhe pas lindjes. 

Siç nuk ka art pa zemër, nuk ka natyrë të pandryshueshme pa krijimin e Nënës që rri pezull mbi të gjitha gjërat e shpirtshme, që vijnë nga gruaja sensuale dhe burrat me shpirt gruaje. 

Barku i botës është edhe marrës edhe dhënës i jetës, është gjithashtu e vërteta shumëdimensionale e çështjes së themeltë të kuptimësisë së qenies, që na ushqen shpirtin dhe na bën të plotë.

Gruaja, kjo grua burrë, asnjëherë ajo nuk është një kërcënim për burrin e saj, ajo si model na fton të gjithëve në dëshirimet e zemrës, duke na ndriçuar në çdo natë që rrëzohet thellë nesh dhe zgjaton si një makth, duke larguar errësirën e vetë-iluzionit dhe duke na çliruar prej çdo kufizimi dhe duke na trimëruar në çdo sprovë zemre .

Femra Hyjnore është para gjithmonë, që nga fillimi i qytetërimit, si burimi themelor kozmik, Nënë Toka si një lloj hyjnie femërore, është altar dhe predikim, është lutje dhe shpirti i paepur. 

Cilësitë e saj prej misionareje, si dashuria, kujdesi, përkushtimi dhe intuita janë thurur në mënyrë të pashlyeshme në strukturën e krijimit dhe njerëzve krijues. 

Një shoqëri e dominuar nga meshkujt, cek më tej Dunnett,

feja dhe qeverit dominuar prej tyre, janë rrëzimi i njerëzimit dhe njerëzores, nën një gërryerje nga brenda dhe nga jashtë të lëndës jetësore dhe ndjesore, janë një zbrazje asgjesuese prej lëndës shpirtërore, siç po shohim aktualisht në shekullin e 21-të. 

Është një strukturë falike që duhet çmontuar dhe parë se çfarë është; sepse pushteti i maskiliziar dikton kontroll mbi jetën e njerëzve për të gjitha arsyet e gabuara… dhe i vetmi shpëtim është gruaja që i kundërvihet me qëndresën e një zemre që jep jetë dhe e mëkon jetën, dhe mbron atë me dashuri për jetën.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: Ernest Troshani (Simoni), një shenjtor që ecën mes nesh Albert Vataj: Sot, Dita Ndërkombëtare për Zhdukjen e Varfërisë Albert Vataj: Fundi i një legjende Albert Vataj: Maria Corina Machado, një misionare e demokracisë në diktaturën e Maduros Albert Vataj: Fitorja që u shndërrua në një zgjim kombëtar Albert Vataj: Duhet të duhemi… Albert Vataj: Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë Albert Vataj: Liqeni i Shkodrës, një arterie jetike e jetës, tregtisë dhe shpirtit njerëzor Albert Vataj: Jane Goodall, gruaja që shembi kufijtë e ngurtë mes njeriut dhe pjesës tjetër të krijesave Albert Vataj: A është në vullnetin tuaj të zgjidhni, nëse do të jeni dritë apo zjarr? Albert Vataj: "Shkodra dashnorja e qiellit të kaltër… që Migjeni e deshti me nji “dashuni tragjike” Albert Vataj: Nëse të mendoj, nuk mëkatoj, apo jo? Albert Vataj: Mirash Ivanaj, dishepulli i arsimit, sakrifica e një shpirti që u martirizua për dijen Albert Vataj: Hannah Arendt dhe rreziku i një bote pa të vërtetën Albert Vataj: Thirrja e Faik Konicës në Gazetën Albania, 1897, për shqiptarët krejt Albert Vataj: Ndahet nga jeta “kryeashiku i ahengut shkodran”, Agim Molla, zëri autentik i një tradite Albert Vataj: Figura e gruas dhe zakoneve shqiptare, midis spektaklit dhe sakrificës, në romanin e Pashko Vasës, 'Bardha e Temalit' Albert Vataj: Lec Bushati, aktori që solli në artin skenik thellësinë shpirtërore dhe epikën e personazhit Albert Vataj: Udha që të shpie te dija, sipas gjigandëve të mendimit filozofik Albert Vataj: Komedia që zgjon kujtesën e artë të Shkodrës së artit të vitit 1919

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx