| E diele, 19.10.2025, 06:54 PM |
Dashuro
Nga
Ilir Muharremi
Dashuro
aq shumë, sa jeta vetë të duket e pamjaftueshme. Dashuro përtej dashurisë.
Dashuro me shpirt dhe premto me bindje për jetën. Dashuria garanton vetëm
shpirtin. Zhgënjimi në dashuri thyen trupin, por jo tërësisht shpirtin, shpirti
je ti, dhe dashuria të bën të largohesh nga vetja. Ndoshta as ti nuk ke dëshirë
të dashurosh kaq shumë, por energjia sundon ekzistencën tënde dhe të saj. Ju të
dy jeni një energji, por kjo nuk i reziston përjetësisë, dashuria gjithnjë
kthehet te shpirti, aty pushon lehtë dhe prej aty lind sërish.
Kur
dhemb shpirti, dashuria ngrihet në qiellin e shtatë, trupi vyshket dhe lëkura
tkurret. Yjet dhe energjia jote bashkëjetojnë
një kompozim harmonik. Pajtohu me dashurinë dhe me vuajtjen që ajo
sjell, kështu do të të bëhet më e lehtë të presësh lindjen e diellit. Mbi
horizont, shpirti yt çlirohet pas kësaj rrëmujë skëterre. Lirohu përtej
vuajtjes beso në energjinë tënde medituese të dashurisë.
Dashuroje
nga flokët e deri te thembrat, duke rrëshqitur nga balli, vetullat dhe
shkëlqimi i syve nën qerpikun e hënës. Ndjeji buzët dhe lejo të veprosh pa
mirësjellje, lejo që energjia ta përthithë me dashuri. Mos e anashkalo
qafën ajo është pjesë e saj, ledhato,
ledhato. Rrëshqit ngadalë nëpër lëkurën e saj dhe ndjej aromën e veçantë, sepse
çdo femër ka aromën e vet.
Ndjej
butësisht çdo ledhatim engjëllor e hyjnor. Zotat janë me ty është një aleancë
pa kompromis dhe pa interes. Dashuro, sepse yjet bashkohen dhe janë në anën
tënde. Duaje sinqerisht me gjithë qenien tënde dhe do të jesh fitimtar, jo
humbës sepse jeta brenda skeletit tënd
ka përjetësinë. Askush s’ka vdekur nga dashuria vetëm vetëvrasja e humb trupin.
A do të vdesësh për shkak të dashurisë, apo do të qëndrosh në dashuri, edhe kur
ajo është e humbur? Sërish, një derë e hapur është për të dashuruarit. Zinxhirët
zbutin ashpërsinë e korrozionit ata i
nënshtrohen kopshtit të Edenit. Dashuri me zjarr, me mllef, me qejf, me
xhelozi sepse je vetëm ti në këtë
energji. Me lodhje, me afsh por afshi është kafshor, ndërsa dashuria është
diçka tjetër me zemër, me jetën tënde.
Sakrifiko frymën e fundit për dashurinë. Bëhu i bindur se energjia e dashurisë
ekziston.
Mbyll
sytë ndjej siluetën e saj në shpirt, përhumbu në përqafimin e saj dhe lutu që
kjo të zgjasë shumë, tepër shumë. Jashtë
gravitetit. Të dashurosh është shumë shkurt, pjesë e përjetimit, s’ka kthim dhe
kujtim, është shpatë në gjoks, por nuk jemi të gjithë 18 vjeçar që prapë të
rifillojmë nga fillimi. Respekto dashurinë, se është sëpatë e zemrës,
mprehtësinë e ke në pushtet ti.