| E shtune, 18.10.2025, 07:00 PM |
BREDHJE NË KUJTIMET E UDHËTIMEVE: KU, KUR, KAH...
PRAGA- UDHËTIM NË ZEMRËN
E EVROPËS
Praga dhe Karlovy Vary – Dy Fytyrat e Bukurisë
Çeke
Pjesa e dytë
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha &
Prof. Dr. Tefik Basha
Kalaja
e Pragës-
Të vizitosh Pragën dhe të mos ndalosh, qoftë edhe për një orë, në Kalanë e saj
madhështore, do të ishte një mëkat i pafalshëm, një boshllëk i pashpjegueshëm
në kujtesën e udhëtimit. Kjo kala nuk është thjesht një monument, por zemra që
rreh prej shekujsh në trupin e qytetit, një dëshmi e gjallë e historisë, fuqisë
dhe kulturës që kanë përshkuar këtë vend.
Autobusi
ynë vazhdonte rrugëtimin nëpër rrugicat e Pragës, duke na ofruar pamje të
njëpasnjëshme të qytetit, por mendja dhe zemra jonë tashmë kishin vendosur,
ndalesa jonë do të ishte tek Kalaja. Që nga larg, silueta e saj mbresëlënëse na
tërhiqte vëmendjen. Kullat e saj, të ngritura krenare mbi kodrinë, dukeshin si
rojtarë të përjetshëm të qytetit, ndërsa muret e lashta rrezatonin madhështi e
solemnitet. Me padurim prisnim çastin kur do të hynim në labirintet e saj, për
të humbur mes korridoreve ku historia flet ende me gjuhën e gurit.
Por
hyrja nuk ishte e lehtë. Rrugicat që çonin drejt saj ishin të mbushura përplot
me vizitorë. Kisha përshtypjen se nga të gjitha anët e botës, njerëzit ishin
mbledhur aty si në një pelegrinazh të përbashkët, të thithur nga bukuria e
kësaj mrekullie. Turistët, të magjepsur, e shijonin përplot kënaqësi çdo detaj
– portat e rënda, oborret e gjera, kishat që ngriheshin brenda mureve të saj,
dhe panoramën që hapej si një pëlhurë nga maja e saj.
Arta Basha- Jakupi, Tefik e Sabile Basha, Lumi pranë Kalasë së Pragës, shtator, 2025
Ecja
nëpër këtë rrëke njerëzish ishte e lodhshme, por njëkohësisht edhe ngazëlluese,
sepse aty ku bashkohen turma të panumërta, aty ku përzihen gjuhë, kultura dhe
gjeste, e kupton se një vend nuk është thjesht një hapësirë, por një magnet i
shpirtit njerëzor. Dhe Kalaja e Pragës ishte pikërisht kjo, një vend ku
historia e gurit takohej me gjallërinë e sotme, duke e shndërruar vizitën në
një përjetim që të lidh me të kaluarën dhe të lartëson në të tashmen.
Si
një kurorë e artë mbi ballin e qytetit, Kalaja e Pragës ngrihet madhështore,
duke dominuar horizontin me praninë e saj të pashlyeshme. Ajo nuk ishte thjesht
një ndërtim i gurtë, por një simbol i historisë, identitetit dhe fuqisë së
popullit çek. Brenda mureve të saj të lashta fshihet një makinë e gjallë kohe,
një labirint që të udhëheq përmes shekujve, ku çdo gur, çdo portë dhe çdo kullë
mbart një tregim.
E
themeluar që në shekullin e 9-të, kjo kala monumentale ka qenë dëshmitare e
ngjarjeve që kanë formësuar fatin e një kombi. Aty kanë sunduar mbretër që
ëndërronin për pushtet, perandorë që zgjeronin territore dhe presidentë që
udhëhiqnin popullin drejt epokave të reja. Çdo epokë ka lënë gjurmën e saj mbi
këtë kala, duke e bërë atë një mozaik të pasur të historisë evropiane.
Sot,
Kalaja e Pragës nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por një udhëtim i
gjallë për çdo vizitor. Të shkelësh portat e saj është si të hapësh një libër
të trashë historie, ku faqet janë të shkruara jo me fjalë, por me arkitekturë,
art dhe frymë njerëzore. Ajo është një ndalesë e pashmangshme për këdo që
viziton Pragën, jo vetëm për bukurinë e saj arkitektonike, por edhe për
madhështinë shpirtërore që mbart. Kalaja e Pragës mbetet kështu një urë që lidh
të kaluarën me të tashmen, një kujtesë e përjetshme se historia nuk është vetëm
e shkruar në libra, por edhe e gdhendur në gurë që sfidojnë shekujt.
Në
zemrën e kështjellës, si një shpirt i ngritur drejt qiellit, ngrihet Katedralja
madhështore e Shën Vitusit, një kryevepër e gotikut që e sfidon kohën me
hijeshinë dhe solemnitetin e saj. Kullat e larta, që prekin retë, i japin
horizontit të Pragës një madhështi të pakrahasueshme, ndërsa brenda saj dritaret
me njolla ngjyrash shndërrohen në një simfoni drite. Çdo rreze që depërton aty
krijon një lojë magjike, një vallëzim ngjyrash që shpërthen mbi gurë e mbi
shpirtra. Midis tyre qëndron edhe kryevepra e Alphonse Mucha-s, një dritare e
cila nuk është thjesht art, por një portë e hapur drejt një bote simbolesh dhe
ndjenjash.
Një
shëtitje nëpër kompleksin e kështjellës është si hyrja në një përrallë të
gdhendur me kujdes nga koha. Qoshet e fshehta të saj shfaqen si skena të
befasishme, rrugica e ngushtë e Golden Lane, e rreshtuar me shtëpi piktoreske
të vogla, që të duken si lodra prej kartoni të vendosura për t’i dhuruar syrit
një kënaqësi fëmijërore, fasada romane e Bazilikës së Shën Gjergjit, e thjeshtë
dhe madhështore njëkohësisht, që të kujton se bukuria shpesh qëndron në
përmbajtjen dhe ekuilibrin, jo në stërhollimin e tepruar.
Dhe
më pas, duke ecur drejt Kopshteve Jugore, u ndalëm për të parë një panorame të
gjerë, ku eleganca e natyrës takohet me rregullin e arkitekturës. Peizazhet e
tyre të qeta, të rregulluara me delikatesë, ofrojnë një çast pushimi
shpirtëror, një vend ku historia dhe natyra shtrëngojnë duart dhe të
ofrojnë një frymëmarrje të thellë mes
madhështisë së gurëve.
Kështu,
çdo hap brenda kështjellës së Pragës nuk është vetëm një udhëtim nëpër
hapësirë, por një ecje nëpër shekuj, një përjetim ku arti, arkitektura dhe jeta
e gjallë ndërthuren për të krijuar një tablo që mbetet e paharrueshme.
Për
të përjetuar plotësisht madhështinë e Kalasë së Pragës, një mundësi na u dha që
të bashkoheshm në një turne me guidë, ku udhërrëfyesi na çonte hap pas hapi
nëpër sallat luksoze, dhomat e mbuluara me freska dhe korridoret ku jehona e
historisë ende kumbon. Çdo hap nëpër ato mjedise ishte si të shkelësh mbi
shtresat e kohës, ku secili shekull ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme.
E
megjithatë, shëtitja e lirë që e bëmë nëpër kompleksin e kështjellës ishte po
aq magjepse. Ecja në oborret e saj, ndalesat para kullave, soditja e mureve të
vjetra që kanë parë epoka të tëra – të gjitha këto na ofrouan një përvojë të
paharrueshme, sepse bukuria e këtij vendi nuk kufizohet vetëm brenda sallave të
stolisura, por shtrihet në çdo cep të tij, në çdo gur e çdo pamje që na del
para syve.
Një
nga çastet më mbresëlënëse që nuk duhet humbur është ndërrimi i rojës në mesditë.
Ky rit ceremonial, me uniformat solemne dhe lëvizjet e sakta, i shtonte
kështjellës një shtresë tjetër hijeshie. Është një skenë që duket se vjen nga
thellësitë e historisë dhe, megjithatë, luhet ende sot, duke e lidhur të
tashmen me të kaluarën në mënyrën më të prekshme.
Sabile e Tefik Basha, Hyrja në Kalanë e Pragës, shtator 2025
Kalaja
e Pragës nuk ishte thjesht një atraksion turistik për t’u shënuar në një listë
udhëtimi. Ajo ishte një përvojë e plotë, një udhëtim shpirtëror dhe historik që
të fut thellë në kujtesën e qytetit dhe të lë pa frymë me bukurinë,
solemnitetin dhe gjallërinë e saj. Të vizitosh këtë kala është si të ndalesh
për një çast në vetë zemrën e kohës, aty ku e shkuara vazhdon të jetojë dhe të
flasë me gjuhën e gurit, të artit dhe të kujtesës kolektive.
Mund
të thuhet pa asnjë hezitim se Kalaja e Pragës është jo vetëm simboli më i
fuqishëm i këtij qyteti, por edhe një nga kështjellat më të mëdha e më
imponuese në mbarë botën. Ajo nuk është thjesht një strukturë e ngritur mbi gurë
dhe kohë, por një univers më vete, ku historia, arkitektura dhe arti ndërthuren
në një mozaik që të mahnit në çdo hap.
Arkitektura
e saj, që bart mbi vete shtresime shekujsh, e bën të duket si një libër i hapur
i Evropës Qendrore: nga hijeshia gotike e Katedrales së Shën Vitusit, tek
thjeshtësia romane e Bazilikës së Shën Gjergjit, e deri tek pallatet e
stolisura me elementë barokë. Çdo gur i saj është një dëshmi, çdo hark një
kapitull, çdo kullë një tregim i heshtur që i flet kohës sonë. Duke shëtitur nëpër
këtë kompleks monumental, para syve tanë u shfaqën kopshtet e rregulluara me
kujdes e të mahnitshme. Pallatet mbresëlënëse na kujtuan përjetimet e mbretërve
dhe perandorëve që kanë kaluar aty, ndërsa muzeumet ruanin brenda tyre kujtimet
dhe trashëgiminë e një kulture që nuk pranon të shuhet.
Tefik e Sabile Basha, në sheshin e Kalas së Pragës, shtator 2025
Por,
ndoshta momenti më i paharrueshëm ishte ai kur u ndalëm në skajin e kështjellës
dhe pamë qytetin. Nga lartësia e saj, Praga shtrihej si një pëlhurë e gjallë,
me çatitë e kuqe që shkëlqenin nën diell, me lumin Vltava që përdridhej mes
brigjeve si një fjongo argjendi, dhe me urat që e lidhin qytetin sikur të ishin
damarë të një trupi të gjallë. Ishte një pamje që nuk do të fshihet kurrë nga
kujtesa, një çast ku njeriu e kupton se bukuria e këtij qyteti nuk është vetëm
tokësore, por pothuaj hyjnore.
Kalaja
e Pragës është kështu më shumë se një atraksion turistik, ajo është një përvojë
shpirtërore, një vend ku koha ndalon për t’i treguar njeriut madhështinë e saj,
dhe ku kujtimet mbesin të gdhendura përjetësisht në mendje e zemër.
Në
zemrën e kështjellës ngrihet madhështore Katedralja e Shën Vitusit, një
kryevepër që të lë pa frymë sapo kalon pragun e saj. Brendësia e saj është një
univers i dritës dhe historisë. Dritaret me njolla shumëngjyrëshe shpërndajnë
një lojë të magjishme ngjyrash mbi gurët e ftohtë, duke i dhënë hapësirës një
dimension pothuaj hyjnor. Çdo rreze që depërton aty kthehet në një përrallë
drite, ku e kaluara dhe e tashmja ndërthuren në harmoni.
Objektet
historike që ruhen brenda saj janë dëshmi të gjalla të shekujve që kanë kaluar:
varre mbretërish e shenjtorësh, relike të çmuara, altare të stolisura me
përkushtim dhe skulptura që bartin me vete frymën e kohërave të lashta. Çdo hap
brenda kësaj katedrale është si një dialog i heshtur me historinë, një thirrje
për të medituar mbi kalueshmërinë e jetës dhe qëndrueshmërinë e artit.
Katedralja
e Shën Vitusit veç që është një ndërtesë fetare; ajo është zemra shpirtërore e
Pragës, një tempull i ndërtuar jo vetëm mbi gurë, por mbi besim, kujtesë dhe
aspiratën njerëzore për të arritur lartësitë e qiellit.
Rruga
e Artë (Zlatá uli?ka), e fshehur brenda kompleksit madhështor të
Kalasë së Pragës, është një vend ku magjia dhe historia përzihen në mënyrë të
pandashme. Ky shteg i ngushtë, i krijuar në fund të shekullit XVI, mban brenda
tij gjurmët e një kohe të artë, kur gjatë sundimit të perandorit Rudolf II u
ngritën shtëpi të vogla për t’u shërbyer oborrtarëve, harkëtarëve dhe
argjendarëve. Pikërisht nga ata mjeshtër të vegjëlisë, rruga mori edhe emrin e
saj, duke mbetur përjetësisht si kujtesë e zanateve që ndriçonin jetën e
përditshme të kështjellës.
Shtëpitë
e saj të ngushta dhe shumëngjyrëshe duken si të shkëputura nga faqet e një
përralle. Ngjyrat e gjalla që i zbukurojnë fasadat nuk janë thjesht dekor, ato
e kthejnë këtë rrugicë në një tablo të gjallë ku secila derë është një hyrje
drejt një bote të fshehtë. Çdo hap që bën aty është si një rrëshqitje në kohë,
ku imagjinata të çon tek harkëtarët që kthenin shigjetat në dritën e diellit
apo tek argjendarët që punonin me përkushtim fije ari dhe argjendi.
Sot,
Rruga e Artë është një nga atraksionet më të dashura e më të vizituara në
Pragë. Ajo nuk të magjeps vetëm për shkak të arkitekturës së saj të vogël e të
pazakontë, por edhe sepse ruan gjallërisht frymën e së kaluarës, duke na bërë
që të ndjehemi sikur ecim nëpër një univers paralele, ku koha nuk është
zhdukur, por ka mbetur e ngurosur në gurë, në ngjyra dhe në legjenda.
Është
një vend që flet me gjuhën e heshtur të historisë, por që gjithmonë të
përshëndet me bukurinë e një përralle të gjallë. Dhe ndoshta kjo është arsyeja
pse kur shkelim mbi kalldrëmet e saja,
nuk largohemi vetëm me kujtime, por edhe me ndjesinë se për një çast kemi
jetuar brenda një bote tjetër.
Jashtë
mase na pëlqeu Rruga e Artë, jo vetëm për pamjen e saj piktoreske, por edhe për
hijeshinë unike dhe peshën e thellë historike që mbarte. Çdo gur i saj, çdo
ngjyrë mbi fasadat e vogla fliste me një gjuhë të heshtur, që ngjallte një
përzierje emocionesh mes kureshtjes dhe magjisë.
Mes
këtyre shtëpive të vogla, njëra kishte fituar një famë të veçantë – shtëpia me
numrin 22. Ajo nuk ishte thjesht një shtëpi e ngushtë e lyera me ngjyrë, por
një vend që kishte strehuar për një kohë të shkurtër një nga mendjet më të
ndritura dhe më enigmatike të letërsisë botërore- Franz Kafkën. Prania e tij
aty e kishte shndërruar këtë shtëpi në një pikë pelegrinazhi kulturor, ku ne
pamë jo vetëm një hapësirë të vogël, por u përpiqem që të preknim me imagjinatë
botën e brendshme të shkrimtarit që krijoi letërsi universale nga qetësia e një
dhome modeste.
Sot,
këto shtëpi nuk ishin vetëm banesa të thjeshta. Ato ishin shndërruar në muze,
galeri dhe dyqane të vogla suveniresh, që e mbanin të gjallë frymën e së
kaluarës. Në secilën derë të hapur gjetëm një copëz historie, një fragment arti
ose një kujtim që e morëm me vete. Dhe ndërsa shëtitëm aty, u krijua ndjesia
sikur po ktheheshim pas në kohë, duke ecur në gjurmët e atyre që dikur kishin jetuar,
punuar dhe ëndërruar në këtë rrugicë të vogël, por të mbushur me jetë.
Rruga
e Artë, me gjithë thjeshtësinë e saj, ishte një dëshmi e qartë se madhështia e
historisë shpesh fshihet në hapësira të vogla – aty ku arti, kujtesa dhe
bukuria bashkohen për të krijuar një përvojë të paharrueshme. Ajo ishte më
shumë sesa një shëtitore e ngushtë me shtëpi shumëngjyrëshe, ishte një udhëtim
i drejtpërdrejtë në zemër të Mesjetës, një përvojë autentike që na lejoi të
prekëshim ritmin e jetës së dikurshme. Stili i saj arkitekturor i ruajtur me
kujdes, i thjeshtë dhe njëkohësisht i ngarkuar me simbolikë, bart me vete një
mistikë të veçantë, si një jehonë e kohërave të lashta që nuk shuhen kurrë.
Ecja
nëpër këtë rrugë ishte si të futesh në një skenë të gjallë ku historia nuk
është e mbyllur në libra, por e pranishme në çdo gur, në çdo derë të vogël, në
çdo dritare që të shikon me kureshtje. Atmosfera e saj magjepsëse të mbështjell
me një ndjenjë të veçantë, ku e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë si dy hije
që ecin krah për krah.
Pamjet
piktoreske që u shpalosen para syve – fasadat e ngjyrosura, rrugica e gurëve të
vjetër, dritaret e vogla që fshehin brenda tyre botë të tëra – e kthyen vizitën
tonë në një përjetim që nuk harrohet lehtë. Është një vend që nuk të ofron
vetëm bukuri vizuale, por edhe një përqafim shpirtëror, duke të bërë të ndihesh
pjesë e një historie më të madhe se vetja.
Kështu,
Rruga e Artë mbetet jo vetëm një atraksion turistik, por një udhëtim poetik në
kohë, një shteg i ngushtë ku e shkuara flet ende dhe ku çdo kush gjen një copëz
magjie që mbetet gjatë në kujtesë.
Kisha
e Virgjëreshës Mari e Týnit, është një nga margaritarët më të çmuar të
arkitekturës gotike në Pragë, një tempull i ngritur madhështor mbi Sheshin e
Qytetit të Vjetër, ku historia dhe arti takohen në një harmoni të
pakrahasueshme. Ajo ngrihet si një rojtar solemn mbi qytet, duke e shndërruar
panoramën e Pragës në një skenë që mbetet e paharrueshme për këdo që e sheh.
Ndërtimi
i këtij tempulli të mrekullueshëm nisi në shekullin XIV dhe zgjati për më shumë
se një shekull. Ky proces i gjatë i ndërtimeve e la gjurmën e tij në
arkitekturë. Një përzierje e fuqishme mes elegancës së stilit gotik dhe
pasurisë dekorative të barokut, që më vonë u shtua me dashuri mbi fasadë. Kjo
ndërthurje e stileve, e krijuar nga breza mjeshtërish që i dhanë shpirt punës
së tyre, është arsyeja pse kisha duket sikur mban brenda vetes frymën e shumë
epokave.
Arta
Basha- Jakupi, Sabile e Tefik Basha, në oborrin e kalas më të madhe në botë,
Praga, shtator 2025
Kullat
e saj të larta, që ngrihen krenare mbi horizont, janë më shumë se elemente arkitektonike,
ato janë simbole të fuqisë dhe qëndrueshmërisë së qytetit mesjetar. Nga larg,
ato duken si gishta të hirtë që shtrihen drejt qiellit, duke mbartur lutjet,
ëndrrat dhe shpresat e brezave të tërë. Në dritën e diellit, kullat rrezatojnë
solemnitet, ndërsa nën dritën e hënës marrin një pamje mistike, duke e bërë
kishën të duket si e shkulur nga një përrallë mesjetare.
Kisha
e Virgjëreshës Mari e Týnit nuk është thjesht një monument i ngrirë në kohë,
ajo është një dëshmi e gjallë e forcës shpirtërore dhe artistike të Pragës. Çdo
gur i saj flet për historinë e qytetit, çdo hark i saj përcjell madhështinë e
mesjetës, dhe çdo kullë e saj na kujtonte se arti i vërtetë nuk njeh kufij
kohe.
Por
kjo kishë nuk ishte vetëm një tempull i artit dhe arkitekturës, por ajo ishte
edhe një dëshmi e fuqisë së mendimit dhe lëvizjeve historike. Në shekullin e
XV, ajo u bë qendra e lëvizjes Husite, një nga momentet më të rëndësishme dhe
më dramatike në historinë shpirtërore e politike të Çekisë. Brendësia e saj
pasqyron jo vetëm zhvillimet arkitektonike, por edhe përplasjet e ideve,
ndryshimet kulturore dhe tensionet shpirtërore që kanë formësuar identitetin e
këtij vendi.
Na
pëlqeu ky monument jo vetëm për imponimin e saj të jashtëm, ku kullat e larta i
japin qytetit një profil të fuqishëm mesjetar, por edhe për atmosferën mistike
që mbretëron brenda saj. Ajo na ftoi që të ndalemi, të sodisim, të reflektojmë,
ndërsa veprat e bukura të artit – altari, pikturat, reliktet – i jepnin shpirt
hapësirës, duke e bërë çdo çast të kaluar aty një udhëtim në kohë.
Kisha
e Virgjëreshës Mari e Týnit mbetet kështu një vend ku arti dhe historia
ndërthuren, ku e kaluara flet ende me gjuhën e gurëve, dhe ku çdo vizitor gjen
diçka që e pasuron – qoftë një emocion estetik, një ndjenjë mistike, apo një
reflektim të thellë mbi forcën e kulturës dhe shpirtit njerëzor.
Ndërtesa
e Kërcimit (Tan?ící d?m), e njohur gjithashtu me nofkën e dashur “Fredi
dhe Xhenxheri”, është një nga kryeveprat më moderne të arkitekturës së Pragës
dhe një dëshmi e gjallë se ky qytet nuk jeton vetëm në hijen e së kaluarës, por
di të krijojë edhe imazhe të reja të së ardhmes. E ngritur mbi brigjet e qeta
të lumit Vltava, ajo është si një shfaqje skenike e ngrirë në gur e xham, një
vallëzim i përjetësuar në formë ndërtese.
E
përfunduar në vitin 1996, kjo vepër mbart nënshkrimin e dy arkitektëve
vizionarë: Frank Gehry dhe Vlad Miluni?. Ajo nuk është thjesht një ndërtesë
funksionale, por një manifest arkitektonik që mishëron guximin e imagjinatës.
Frymëzimi i saj buron nga vetë lëvizja e kërcimit, nga fluiditeti dhe ritmi i
trupave që vallëzojnë. Dy kullat që e përbëjnë – njëra statike, që përfaqëson
forcën dhe qëndrueshmërinë, dhe tjetra e lakuar, që përthyen vijat dhe luan me
simetrinë – krijojnë së bashku iluzionin e një çifti kërcimtarësh të shtrënguar
në një përqafim të gjallë.
Pamja
e saj është një kontrast i mrekullueshëm ndaj arkitekturës klasike që e
rrethon: një përplasje mes së vjetrës dhe së resë, por njëkohësisht edhe një
harmoni, sikur Praga të kishte vendosur t’i tregonte botës se bukuria e saj nuk
qëndron vetëm në kulla mesjetare e ura të lashta, por edhe në guximin për të
krijuar forma të reja poetike.
Ndërtesa
e Kërcimit është më shumë se një atraksion modern, ajo është metaforë e gjallë
e lëvizjes, e dashurisë dhe e energjisë njerëzore. Kushdo që e sheh, ndalet për
një çast jo vetëm për të admiruar estetikën e saj, por edhe për të kuptuar
mesazhin që ajo bart: se arkitektura, ashtu si vallëzimi, është një dialog mes
trupit, hapësirës dhe shpirtit.
Kur
menduam për atë se çfarë duhet të shihnim në Pragë, ndërtesat e lashta,
katedralet gotike dhe sheshet mesjetare janë padyshim të parat që na erdhën në
mendje. Por, mes këtij mozaiku të trashëgimisë shekullore, u gjend në listën
ton e që nuk mundem ta anashkalonim: Ndërtesa e Kërcimit. Ajo ishte më shumë
sesa një atraksion turistik, ishte një simbol i gjallë i dialogut mes së
kaluarës dhe së ardhmes, një përzierje e guximshme e tradicionales me modernen.
Kjo
ndërtesë mbart në vetvete një simbolikë të thellë. Ajo nuk ishte vetëm një
strukturë prej xhami dhe çeliku, por një metaforë arkitekturore që flet për
lëvizjen, harmoninë dhe shpirtin inovativ të qytetit. Ishte një shembull i
rrallë i guximit për të eksperimentuar, për të thyer kufijtë e formave klasike
dhe për të krijuar diçka që shkon përtej funksionalitetit: një vepër arti në
vetvete.
Sabile
Keçmezi-Basha, Ndërtesa e kërcimit, Pragë, shtator 2025
Ndërtesa
kishte një dizajn unik, që spikat si një vallëzim i papritur mes ndërtesave
madhështore gotike, fasadave baroke dhe hijeshive të Art Nouveau që e
karakterizojnë Pragën. Kontrasti nuk e prishte harmoninë, përkundrazi, ai e
pasuronte, duke dëshmuar se një qytet mund të ruajë shpirtin e së shkuarës dhe
njëkohësisht të guxojë të krijojë forma të reja që frymëzojnë.
Ndërtesa
e Kërcimit mbetet kështu një dëshmi e gjallë se arkitektura nuk është vetëm
ndërtim, por edhe gjuhë simbolike, një mënyrë për ta treguar shpirtin e një
epoke. Në Pragë, aty ku çdo gur flet për histori, kjo ndërtesë fliste për të
tashmen dhe të ardhmen, duke e bërë qytetin një hapësirë ku e vjetra dhe e reja
vallëzojnë së bashku në një ritëm të përjetshëm.
Vizita
në Ndërtesën e Kërcimit nuk ishte vetëm një takim me një kryevepër
arkitektonike moderne, por edhe një mundësi unike për të përjetuar Pragën nga
një këndvështrim i ri. Në katin më të lartë, ku restoranti hap dyert e tij mbi
tavanin e xhamtë, syri shpalos një panoramë të jashtëzakonshme të qytetit. Që
aty, Praga shtrihet si një qilim i gjallë me çati të kuqe, ura që përqafojnë
lumin Vltava dhe kulla të panumërta që ngrihen si gishta të kohës drejt
qiellit.
Kjo
ndërtesë është kthyer tashmë në një atraksion të paharrueshëm, të dashur si për
ata që kanë pasion arkitekturën moderne, ashtu edhe për ata që kërkojnë të
përjetojnë diçka ndryshe në zemër të një qyteti që duket sikur është ngritur
mbi legjendë. Në një Pragë të mbushur me kisha gotike, pallate baroke dhe
sheshe historike. Ndërtesa e Kërcimit është një ftesë për të parë qytetin me sy
të tjerë – për ta kuptuar se bukuria nuk gjendet vetëm në trashëgimi, por edhe
në guximin për të krijuar të reja që sfidojnë kohën.
Vijon