Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Habazaj: Nderim mësuesve të mi, më të mirëve në botë

| E diele, 12.10.2025, 06:47 PM |


Një tufëz me lule poetike për 5 Tetorin - Ditën Botërore të Mësuesit

NDERIM MËSUESVE TË MI, MË TË MIRËVE NË BOTË

Albert HABAZAJ

“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” (Konfuci)

Kur nxënës ne kemi qenë

Mësuesi quhej prind i dytë,

Dinjiteti i tyre kishte vlerë,

Si mësuesit s'kishte të dytë.

Ata qenë të mençur shumë,

Qenë si male hyjnorë,

Ata qenë diell në furtunë,

Një nga një u bën' meteorë.

Mësuesit më ikën një nga një,

Fisnikët e mi të lartë,

I kam, dhe pse s'ua dëgjoj atë zë,

Në frymëmarrjen time dit' e natë.

Ku t'i gjej t'u puth fjalën

Siç puth Dheun e Flamurin,

Si bregu i detit pret valën

Pres urtësinë e tyre të Burrit.

Mrekulli mund të ndodhë vërtet

Të bëhem sa një e mijta e tyre,

Ata erdhën e ikën profetë,

Dhe zbukurojnë qiellin me yje.

Nderim mësuesve të mi

Më të mirëve në botë,

Baras qenë me Perëndi,

Diell që thyen çdo shqotë.

Mësues të dashur, Gëzuar 5 Tetorin - Ditën Botërore të Mësuesit, sepse në kushte shumë të vështira, në kohë dhe hapësirë kornizore, ju ishit vërtet më të mirët në botë, të zotë, të aftë e të plotësuar me dije, të devotshëm e të përkushtuar si ju, dinjiteti i shkollës dhe krenaria e arsimit shqiptar. Si ata që më kanë dhënë mua mësim, edhe të tjerët, jo vetëm në Tërbaç, Labëri, Vlorë, Tiranë e kudo në Shqipëri ishit Misionarë të Vërtetë Drite.

Dritë ata që janë në krahë të Paharrimit tonë e, se na vështrojnë nga yjet, dritërofshin në përjetësi...

Mësuesit e sotshëm rrofshin e përparofshin!

Nderim nga Albert R. Habazaj

Mësues të shkollës 8 vjeçare Halim Xhelo, Tërbaç, para bustit të mësuesit hero,1974

Mësues të shkollës Halim Xhelo, Tërbaç dhe nxënës të klasës VIII, 1974

Nxënës të klasës III të shkollës Halim Xhelo, Gryka - Tërbaç me mësuesen e tyre Stoli Hoxha, 1969