Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë

| E premte, 10.10.2025, 04:49 PM |


Një copëz Shqipëri në kryeqytetin e botës, Parisi nderon Ismail Kadarenë

Nga Albert Vataj

Një rrugë që na shpie te kujtesa dhe nderimi shkruhet në hartën e të sotmes së Parisit të legjendarëve. Një shteg që na udhëprinë në dimensionin e një të drejte krenarie dhe mirënjohje, na rrëfen botën e dijes dhe kulturës, si pjesë në të cilën ne kemi të skalitur kujtesën e përgjithmonshme, për mendjen, shpirtin dhe penën, që e bëri të përbotshme përkatësinë tonë identitare, duke e nxjerrë atë nga anonimati për ta vendosur në kreshtë të vetëdijes së popujve me kulturë dhe traditë, histori dhe thesare shpirtërore të paçmim.

Në zemrën e Parisit, aty ku gurët mbajnë peshën e shekujve dhe fryma e mendimit endet mes fasadave të Sorbonës, Këshilli Bashkiak i qytetit të dritës ka votuar me unanimitet për të vendosur një pllakë përkujtimore në adresën 63 boulevard Saint-Michel, në nderim të Ismail Kadaresë, kolosit të letrave shqipe dhe zërit universal të një kombi të vogël me një histori të madhe.

Ky vendim nuk është thjesht një akt institucional. Ai është një homazh i gjallë dhe emocionues, një përkulje e Parisit ndaj një shkrimtari që e zgjodhi këtë qytet si strehë të lirisë dhe si vend ku fjala e tij mund të frymonte pa frikë. Në këtë adresë, Kadare jetoi për dekada, shkroi, meditoi dhe ndërtoi urat që lidhin Shqipërinë me Evropën, mitin me historinë, ëndrrën me realitetin.

Pllaka që do të vendoset nuk është vetëm një shenjë fizike. Ajo është një testament i kujtesës, një pikë referimi për lexuesit, studiuesit dhe kalimtarët që do të ndalen për të lexuar një emër, dhe për të ndjerë peshën e një zëri që ka folur për tiraninë, për dashurinë, për shpirtin e njeriut.

Në këtë apartament, Kadare shkroi vepra si Kukulla, Spiritus, Pallati i Ëndrrave, faqe që nuk janë thjesht letër, por dritare nga ku shikojmë veten dhe historinë tonë. Ai e bëri boulevard Saint-Michel një vend të shenjtë për letërsinë shqipe, një altar ku fjala u bë rezistencë, kujtesë dhe përjetësi.

Vendimi i Këshillit Bashkiak është një akt i rrallë për një autor të huaj, që e vendos Kadarenë në panteonin e shkrimtarëve të nderuar nga ky qytet. Ai është një mesazh për botën: se letërsia nuk ka kufij, dhe se zërat që flasin për të vërtetën meritojnë të dëgjohen, të nderohen, të kujtohen.

Ky homazh është një nderim për Shqipërinë, për gjuhën shqipe, për kulturën që Kadare ka përfaqësuar me dinjitet dhe madhështi. Është një ftesë për lexuesit e huaj që të zbulojnë një letërsi që ka lindur në rrëzë të maleve, por që ka fluturuar drejt yjeve.

Në një kohë kur kujtesa rrezikon të zbehet mes zhurmës së përditshmërisë, ky akt është një rikthim te solemniteti, te nderimi, te përkujtimi. Ai na kujton se fjalët e mëdha nuk vdesin, se shkrimtarët e vërtetë jetojnë në rrugët që i kanë frymëzuar, në qytetet që i kanë pranuar, në zemrat që i kanë lexuar.