| E hene, 29.09.2025, 07:00 PM |
GRATË SHQIPTARE – SHTYLLA TË QËNDRESËS KOMBËTARE (46)
GRATË E VAJZAT DËSHMORE
TË UÇK-SË
YLLKA DOMI
(18.
08. 1982- 07. 05. 1999)
Nga
Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Kaosi
dhe flakët e luftës që përfshinë Kosovën gjatë viteve 1998–1999 nuk kursyen
asnjë cep të vendit, duke përhapur shkatërrim dhe dhimbje pa dallim midis
qyteteve dhe fshatrave. Nuk pati përjashtim as për moshën, as për gjininë, as
për nivelin e dijes — të gjithë, të mëdhenj e të vegjël, burra dhe gra, njerëz
të arsimuar dhe ata më pak të shkolluar, u gjendën nën tehun e një dhune të
pamëshirshme që synonte të thyente shpirtin e një populli të tërë. Ashtu si në
shumë pjesë të Kosovës, zjarri i asaj lufte nuk e la të paprekur as Gjakovën,
një ndër qytetet më të njohura për historinë dhe kulturën e saj. Ajo nuk ishte
thjesht një qendër urbane me rrugë dhe ndërtesa, por një vatër e gjallë e
kujtesës kombëtare, e ndërtuar mbi themelet e traditës, krenarisë dhe
rezistencës së përhershme.
Okupatori
serb e dinte mirë se Gjakova nuk ishte një qytet i zakonshëm. Ishte një vend që
kishte lindur dhe rritur breza të tërë burrash e grash të guximshëm, që kishin
lënë gjurmë në faqet e historisë shqiptare me aktet e tyre të trimërisë. Shekuj
me radhë, gjakovarët kishin dëshmuar me gjak dhe me vepra se nuk e pranonin
robërinë dhe nuk u nënshtroheshin pushtuesve. Prandaj goditja ndaj Gjakovës nuk
ishte thjesht një akt ushtarak, por një përpjekje e vetëdijshme për të goditur
zemrën e një qyteti që kishte simbolizuar gjithmonë krenarinë, dinjitetin dhe
qëndresën e shqiptarëve. Lufta aty nuk ishte vetëm fizike, por edhe morale dhe
shpirtërore — një përpjekje për të shuar një vatër kulture dhe tradite
liridashëse, që mbante ndezur shpirtin e një kombi të tërë. Në flakët e atyre
viteve, Gjakova dëshmoi edhe një herë natyrën e saj të vërtetë. Edhe pse u
përball me shkatërrim, vrasje dhe dhunë të pashembullt, ajo nuk e humbi kurrë
dinjitetin. Qyteti dhe banorët e tij u bënë dëshmi e gjallë se trimëria dhe
guximi nuk janë fjalë të zbrazëta, por virtyte të ngulitura thellë në
ndërgjegjen kolektive të një populli që ka vendosur të jetë i lirë.
Trimat
dhe trimëreshat e Gjakovës nuk ishin vetëm luftëtarë të armatosur, por edhe
bartës të një ideali të lartë dhe të palëkundur për lirinë dhe dinjitetin
njerëzor. Ata u shquan jo vetëm për guximin në fushëbetejë, por edhe për
ndershmërinë dhe përkushtimin e tyre ndaj bashkëqytetarëve, duke i dhënë
popullit shembuj të gjallë të sakrificës dhe të dashurisë për atdheun. Çdo jetë
e dhënë për lirinë nuk ishte një humbje e thjeshtë njerëzore, por një gur i
çmuar në themelin e shtetit dhe të identitetit shqiptar. Emrat dhe veprat e
tyre janë pjesë e pandashme e historisë sonë kolektive, një kujtesë e gjallë që
na kujton se liria nuk është kurrë e lirë, por paguhet me gjak dhe me jetët e
atyre që kanë guximin të qëndrojnë përballë padrejtësisë. Prandaj, Gjakova
është më shumë se një qytet në hartën e Kosovës. Është një simbol i qëndresës,
i krenarisë dhe i trashëgimisë së përbashkët të një populli që di të nderojë
bijtë dhe bijat e tij që u flijuan për një të ardhme të lirë dhe të denjë.
Gjatë kohës që isha e angazhuar në mbledhjen e
materialeve për të përkujtuar dhe dokumentuar jetët dhe veprat e grave dëshmore
të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vëmendjen time e tërhoqi posaçërisht emri i
Yllka Domit. Ky emër i thjeshtë, por i ngarkuar me domethënie, bart me vete
imazhin e një vajze të bukur dhe të pafajshme, që nuk mund të të lërë kurrë
indiferent përballë tragjedisë dhe simbolikës që mbart. Shpesh, në
përditshmërinë time, teksa ecja në lagjen ku jetoj me familjen time, më binte
në sy — dhe pothuajse çdo ditë — tabela me shkronja të mëdha ku lexohej “Rruga
Yllka Domi.” Ky emër i gdhendur në hapësirën publike ishte një kujtesë e
përhershme, një monument i heshtur që na fton të ndalemi, të mendojmë dhe të
reflektojmë mbi historinë e dhimbshme dhe të lavdishme të vendit tonë dhe të
kësaj bije trime. Dhe, për të qenë e sinqertë, gjithmonë kam menduar se për
Yllkën do të gjeja pa vështirësi të dhënat elementare biografike. Duke qenë se
emri i saj është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme, i shkruar me respekt
dhe krenari në rrugët e qytetit, prisja që historia e saj të ishte e
dokumentuar me kujdes — që të mund të njihja jo vetëm fundin tragjik, por edhe
fillimin e butë të jetës së saj, familjen që e rriti, ëndrrat që pati, dhe
buzëqeshjet që ndau. Por përpjekja ime për të gjetur këto të dhëna nuk ishte e
lehtë. Ajo më tregoi jo vetëm për vështirësitë që kemi ende në mbledhjen dhe
ruajtjen e kujtesës sonë kolektive, por edhe për detyrën që kemi si shoqëri —
të mos lejojmë që asnjë emër dëshmoreje, asnjë jetë e prerë mizorisht, të
humbasë në errësirën e harresës, por të mbetet e ndritshme si një yll
udhërrëfyes për brezat që vijnë.
Kërkimi
im nuk ishte i shpejtë dhe as i lehtë. Hulumtova gjatë dhe me këmbëngulje, duke
shfletuar burime të ndryshme e duke pyetur, me shpresën se do të gjeja të
paktën një të dhënë themelore: datëlindjen e Yllka Domit, asaj vajze të bukur
dhe të pafajshme që mbart një emër të paharrueshëm në kujtesën tonë. Por,
përkundër përpjekjeve të gjata, ajo datë që do të rrumbullakoste një profil të
plotë njerëzor vazhdonte të më fshihej, si një copëz mozaiku e humbur që e
pengon të shihet e plotë tabloja e jetës së saj. Dhe në këtë pikë, mendja më
shkoi menjëherë te një prej burimeve më të çmuara që kemi për këto tema: libri
për fëmijët martir të autorëve Hanumshahe Ilazi dhe Nusret Pllana.
Ky
libër, i hartuar me shumë përkushtim dhe me ndjeshmëri të thellë njerëzore, nuk
është një thesar vetëm për ata që duan të lexojnë e të mësojnë, por një burim i
domosdoshëm për ata që duan të hulumtojnë seriozisht. Edhe pse i përmbajtur dhe
i shkurtër në shkrim, ai ofron të dhëna të qarta dhe të sakta që shërbejnë si
fillimi i çdo hulumtimi më të gjatë dhe më të thelluar. Ky libër është dëshmi e
vlerës së paçmuar të dokumentimit sistematik — një përpjekje për të mos lënë në
errësirë asnjë emër, asnjë jetë, asnjë histori të vogël, që në të vërtetë është
e madhe, sepse përfaqëson sakrificën e shenjtë të një populli. Për një studiues
ose për këdo që dëshiron të përkujtojë me nder dhe respekt të rënët, një vepër
e tillë është një gur themeli, një pikënisje e patjetërsueshme nga e cila mund
të ndërtohet një narrativë më e gjerë dhe më e ndriçuar për jetën dhe flijimin
e tyre.
Është
pikërisht kjo arsyeja pse librat që bëhen me përkushtim, me hulumtim të
kujdesshëm dhe me respekt për viktimat e historisë, kanë një rol të
pazëvendësueshëm. Një prej këtyre veprave është libri “Fëmijët martir të
Kosovës, 1981–1999”, i botuar në Prishtinë më 2019 — një dëshmi monumentale për
ata që humbën jetën e tyre më të njomë në emër të lirisë. Në faqen 104 të këtij
libri, lexuesi ndeshet me një përshkrim të thjeshtë, por jashtëzakonisht të
fuqishëm dhe të dhimbshëm: “Yllka (Afrim) Domi, femër, 17 vjeçe, nxënëse
(poete e aktore), e lindur më 18.08.1982 në Gjakovë, ku dhe ka rënë për liri më
07.05.1999 (fëmijë dëshmor).” Këto pak rreshta bartin brenda tyre një
histori të tërë, jetën e një vajze të re që nuk ishte thjesht një nxënëse e
zakonshme, por edhe poete, edhe aktore, që shprehte ndjenja dhe mendime përmes
artit të saj të njomë. Ajo kishte lindur në Gjakovë, një qytet me traditë të
gjatë kulture dhe rezistence, dhe aty, në vendlindjen e saj, kishte dhënë jetën
për lirinë e popullit të vet.
Ky
përshkrim i shkurtër nuk është thjesht një fakt biografik. Është një testament
i vogël i dhimbjes dhe i krenarisë sonë kolektive. Ajo na kujton se çdo emër në
këtë libër nuk është një shifër, por një jetë e ndërprerë para kohe, një ëndërr
e vrarë, një dëshmi e pafajësisë së flijuar për një të ardhme më të mirë. Prandaj,
kur shkruajmë për Yllka Domin dhe për të gjithë fëmijët martirë të Kosovës, nuk
duhet të harrojmë kurrë se pas çdo fjalie të thjeshtë që lexojmë fshihet një
botë e tërë kujtimesh, shpresash dhe dashurish që nuk patën mundësi të
përmbusheshin — dhe është detyra jonë ta ruajmë dhe ta nderojmë këtë kujtesë me
respekt dhe saktësi. Mosha 17-vjeçare e Yllka Domit nuk ishte vetëm një
prag i rinisë, por një moshë e mjaftueshme për të kuptuar thellësisht dhe me
ndërgjegje të formuar rëndësinë e lirisë dhe sakrificën që kërkohej për ta
mbrojtur dhe për ta fituar atë. Nuk ishte më një fëmijë e pavetëdijshme për
rreziqet dhe padrejtësitë që e kishin mbërthyer atdheun e saj. Ishte një vajzë
e ndritur, me sy të hapur ndaj realitetit të hidhur që e rrethonte dhe me zemër
të mbushur plot vendosmëri e ideale të larta.
Familjarët e saj, të cilët e njihnin më mirë se kushdo
shpirtin dhe karakterin e Yllkës, nuk habiteshin nga ky zjarr që i digjte
brenda gjoksit. Ata ishin dëshmitarë të dashurisë së saj të madhe për vendin,
të bisedave të saja të ngrohta por të vendosura për lirinë dhe të urrejtjes së
saj të qetë, por të thellë ndaj padrejtësisë dhe pushtuesit. Për ta, angazhimi
i saj nuk ishte një surprizë e papritur, por një hap i natyrshëm, një
vazhdimësi logjike e rritjes së saj në një familje dhe në një qytet ku
atdhedashuria nuk ishte fjalë boshe, por frymë dhe bukë e përditshme. Yllka nuk
ishte një vajzë që e shihte luftën si aventurë, por si përgjegjësi. Ajo e
kuptonte se liria nuk dhurohet, se nuk blihet dhe nuk mund të kërkohet me lutje
servile, por fitohet me qëndresë, me përkushtim dhe, nëse kërkohej, me gjakun e
bijve dhe bijave më të mirë. Ajo e ndiente brenda vetes thirrjen e kohës, atë
zë që nuk të lë të qetë derisa të bësh pjesën tënde për atdheun. Prandaj ajo
priste me padurim momentin, ditën kur do të mund t’i bashkohej Ushtrisë
Çlirimtare të Kosovës — jo për lavdi personale apo për krenari të kotë, por për
të qenë aty ku e ndiente se duhej të ishte, krah për krah me ata që kishin
zgjedhur të mos ulin kokën para pushtuesit dhe që besonin në një të nesërme të
lirë për Kosovën. Në këtë vendim, në këtë pritje plot emocion e vendosmëri,
shpaloset jo vetëm forca e një vajze 17-vjeçare, por edhe edukata, trashëgimia
dhe dinjiteti i një familjeje që e kishte mësuar të donte atdheun jo me fjalë,
por me vepra dhe gatishmëri për sakrificë.
Yllka Domi lindi më 18 gusht të vitit 1982, në qytetin
e lashtë e të njohur për traditat e tij liridashëse — Gjakovë. Ajo ishte fryt i
dashurisë dhe i përkushtimit të prindërve të saj, Afrimit dhe Dashurisë, të
cilët nuk u mjaftuan vetëm ta rrisnin, por i dhanë edhe një edukatë të thellë
në frymën më të pastër atdhetare. Në shtëpinë e tyre, vlerat e dashurisë për
vendin, respektit për njerëzit dhe ndershmërisë ishin themelet mbi të cilat
Yllka e vogël ndërtoi botën e saj shpirtërore. Yllka Domi ishte mbesa e atdhetarit dhe shkrimtarit
të njohur dhe të ndjerë Kasim Domit, një njeriu që kishte provuar mbi shpatulla
të vetat gjithë ashpërsinë dhe mizorinë e pushtetit jugosllav, duke kaluar
shumë vite të jetës së tij nëpër kazamatet famëkeqe serbe. Ai nuk ishte burgosur
për ndonjë faj të rëndomtë, por sepse kishte pasur guximin të mos përkulej, të
mos e pranonte robërinë dhe okupimin e atdheut të tij. Kasim Domi ishte
mishërim i qëndresës shqiptare — një njeri që nuk e zgjodhi heshtjen përballë
padrejtësisë, por e pagoi shtrenjtë lirinë e mendimit dhe idealin për çlirim
kombëtar. Kjo histori nuk ishte një rrëfim i largët për Yllkën, por një pjesë e
drejtpërdrejtë e familjes dhe e edukatës së saj.
Në
mjedisin ku u rrit, ajo nuk mund të ishte në padijeni ndaj padrejtësive të
pushtetit që për shqiptarët kishte qenë më shumë se një armik politik — një
“njerkë” e egër, që i kishte mbajtur gjithmonë nën dhunë, nën kërcënim dhe nën
përpjekje të vazhdueshme për asimilim. Që e vogël, Yllka kishte dëgjuar jo
vetëm fjalët e ëmbla të dashurisë familjare, por edhe rrëfimet e dhimbshme për
torturat, burgjet dhe padrejtësitë që përndiqnin këdo që ngrinte zërin për liri
dhe të drejta. Ajo ishte rritur në një shtëpi ku fjala “liri” nuk shqiptohej
kot, por mbartte peshën e sakrificës dhe të guximit, ku historia e dhimbshme e
familjes nuk e mësonte të kishte frikë, por ta donte atdheun edhe më fort.
Prandaj, ndërgjegjësimi i saj për realitetin politik nuk ishte thjesht rezultat
i ngjarjeve të jashtme, por një pjesë organike e formimit të saj si njeri dhe
si bijë e një familjeje që kishte vuajtur, por nuk ishte thyer kurrë.
Në
këtë mënyrë, Yllka Domi nuk ishte një vajzë e zakonshme që u ndesh papritur me
dhunën dhe padrejtësinë e pushtuesit. Ajo e kishte njohur që herët fytyrën e
vërtetë të pushtetit shtypës dhe ishte rritur me vetëdijen e qartë se liria nuk
dhurohet, por fitohet dhe mbrohet me sakrificë, me dije dhe me vendosmëri të
palëkundur. Ajo ishte
pasqyrë e gjallë e virtyteve të kultivuara brez pas brezi në atë familje që nuk
kishte mësuar të përkulej. Ishte mishërim i një guximi që nuk i trembej
pushtuesit, i një ndershmërie që nuk njihte kompromis me padrejtësinë dhe i një
shpirti që dinte të përdorte fjalën jo si stoli, por si mjet për të demaskuar
të keqen dhe për të thirrur në ndërgjegje. Në penën e saj të re, por të
vendosur, dhe në zërin e saj të sinqertë, jetonte ajo trashëgimi e rrallë
familjare, aftësia për të përballuar çdo formë dhune dhe shtypjeje jo vetëm me
armë, por edhe me forcën e mendimit dhe me bukurinë e fjalës së shkruar. Dhe
kjo e bënte Yllka Domën jo thjesht një poete të re, por një zë të vërtetë të
ndërgjegjes kombëtare, të formuar në traditën më të mirë të rezistencës
shqiptare.
Qysh herët, Yllka nuk ishte nga ato që mendonin të
heshtnin për gjërat e mëdha. Në një mjedis të mbushur me frikë dhe shtypje, ajo
nuk e uli zërin, por e ngriti me bindje dhe qartësi, duke artikuluar hapur atë
që shumë të tjerë vetëm e mendonin në heshtje. Për të, armiku nuk ishte thjesht
një fakt i dhimbshëm i realitetit politik, por një e keqe që duhej përballuar
dhe larguar me çdo kusht nga toka shqiptare. Në bisedat e saj të sinqerta, të
ngrohta por të vendosura, ajo e shprehte qartë dhe pa ekuivoke se liria nuk
mund të ekzistonte pa largimin e pushtuesit. Nuk mjaftonte të durohej, të
nënshtroheshe apo të bëje kompromis. Për të qenë vërtet të lirë, shqiptarët
duhej të ngrinin kokën dhe të dëbonin nga trojet e tyre çdo forcë që kërkonte
t’i mbante të nënshtruar. Në thelb të bindjeve të saj qëndronte edhe një ideal
i madh kombëtar- bashkimi me shtetin amë — Shqipërinë. Nuk e shihte kufirin si
një mur të natyrshëm që ndante shqiptarët, por si një plagë që duhej shëruar.
Ajo besonte se vetëm të bashkuar mund të ishim të fortë dhe të denjë për gjakun
e derdhur dhe për sakrificën e brezave të tërë që kishin ëndërruar për këtë
bashkim.
Kështu, Yllka Domi veç që donte lirinë, ajo ishte edhe
një vajzë e re me talent për poezi. Ishte një zë i ndërgjegjshëm, një mendje e
ndritur dhe një shpirt i guximshëm që dinte të artikulonte idealet më të mëdha
të kohës së saj — lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar, të shkruara dhe të
thëna me një sinqeritet dhe vendosmëri që e bënin të paharrueshme për të gjithë
ata që e njohën.
Shkollën fillore e kreu po në qytetin e lindjes, në
shkollën fillore “Mazllum Këpuska” në Gjakovë, duke u dalluar që herët për
suksesin e saj të shkëlqyer. Nuk ishte thjesht një nxënëse e kujdesshme dhe e
disiplinuar, por një fëmijë me një mendje të ndritur dhe një shpirt të
ndjeshëm, që e shfaqte dashurinë për dijen me zell dhe kuriozitet të
pashtershëm. Por ajo që e bënte Yllkën të veçantë ndër moshatarët e saj ishte
talenti i hershëm për të shkruar poezi. Edhe në bankat e shkollës fillore, ajo
nuk mjaftohej me mësimet rutinë, por i jepte formë ndjenjave dhe mendimeve të
saj përmes vargjeve të ndjeshme, të cilat tregonin një pjekuri dhe thellësi
befasuese për moshën e saj. Ato poezi ishin pasqyrë e një shpirti të brishtë,
por të fortë, që kuptonte dhimbjet e kohës dhe ëndërronte për një të ardhme më
të mirë.
Në fjalët e saj të shkruara, qëndronte një ndjenjë e
qartë dhe e thellë atdhedashurie, një lloj përkushtimi artistik që nuk mësohej
në libra, por lindte natyrshëm nga edukata e marrë në familje dhe nga fryma e
gjallë e qytetit të saj. Kjo prirje e hershme artistike nuk ishte vetëm një
pasion i pafajshëm fëmije, por një shenjë e një personaliteti të formuar dhe të
ndërgjegjshëm për vlerat më të larta njerëzore dhe kombëtare. Talenti i lindur poetik
i Yllka Domit nuk kaloi pa u vënë re nga mësuesit e saj, të cilët, duke dalluar
ndjeshmërinë dhe thellësinë e saj të rrallë shprehëse, u përpoqën me përkushtim
ta mbështesin dhe ta zhvillojnë atë prirje të çmuar. Ata nuk e panë thjesht si
një nxënëse të mirë në radhët e klasës, por si një zë të veçantë që meritonte
të dëgjohej dhe të përkrahej.
Në
çdo mundësi që u jepej, mësuesit e inkurajonin Yllkën të merrte pjesë në orët
letrare, ku ajo recitonte dhe lexonte vargjet e saj, duke i dhënë zë ndjenjave
dhe mendimeve të një gjenerate që po rritej mes sfidave dhe shpresave të mëdha.
Në ato ambiente të ngrohta shkollore, ku fjala artistike nderohej dhe
vlerësohej, Yllka shpaloste botën e saj të brendshme me një sinqeritet dhe
bukuri që prekte të gjithë ata që e dëgjonin. Por talenti i saj nuk kufizohej
vetëm në poezi. Ajo ishte një vajzë e gjithanshme, e pasionuar dhe e gjallë, që
shquhej edhe si recitatore, valltare dhe aktore. Energjia dhe shpirti i saj
artistik pasqyroheshin qartë në çdo aktivitet ku merrte pjesë, duke e bërë të
dashur për mësuesit, shokët dhe shoqet e saj.
Që
në fëmijëri, Yllka Domi spikaste për dashurinë e saj të veçantë ndaj leximit,
duke u zhytur me pasion në botën e veprave letrare që formonin jo vetëm
imagjinatën, por edhe ndërgjegjen e saj të hershme. Nuk ishte një lexuese e
zakonshme që kënaqej me faqet e lehta dhe sipërfaqësore. Ajo kishte një prirje
të veçantë për të kuptuar thellësitë dhe bukurinë e fjalës së shkruar, duke
zgjedhur me kujdes librat dhe autorët që e ushqenin shpirtërisht. Rilindasit
shqiptarë dhe klasikët e mëdhenj të letërsisë ishin veçanërisht të dashur për
të. Ata nuk ishin thjesht emra në një tekst shkollor, por shokë udhëtimi në
formimin e saj intelektual dhe moral. Në vargjet dhe fjalët e tyre ajo gjente
frymëzim, forcë dhe kuptim, duke i recituar shpesh me një zjarr të veçantë që
dëshmonte jo vetëm kujtesën e saj të mprehtë, por edhe ndjeshmërinë e thellë me
të cilën përjetonte çdo varg. Ajo gërshetonte artin me idealin, duke krijuar
brenda vetes një ndërgjegje të formuar për atdheun dhe lirinë. Dhe kjo
ndërgjegje u bë edhe më e qartë dhe e thellë kur, pasi Ushtria Çlirimtare e
Kosovës u shfaq publikisht dhe doli haptazi në rezistencë, Yllka nisi të mbante
një ditar personal.
Në
ato faqe ajo shkruante mendimet, shqetësimet dhe shpresat e saj. Ishte një
përpjekje për të kuptuar kohën dramatike që po jetonte dhe për të sistemuar
ndjenjat e saj në mënyrën më të sinqertë dhe më të vërtetë të mundshme. Ditarët
e tillë nuk janë thjesht rrëfime fëmijësh, por dokumente shpirtërore që
tregojnë formimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet syve të një gjenerate të
re. Por mjerisht, zjarri i luftës nuk kurseu as ato faqe të çmuara. Flakët që
përpinë shtëpitë, fshatrat dhe qytetet e Kosovës shkrumbuan edhe dëshmitë më
intime të jetëve të ndërprera. Bashkë me gjithçka tjetër, edhe ditari i Yllkës
u bë hi. Ato fjalë të shkruara me kujdes, ato rrëfime të brishta dhe të
sinqerta, u zhdukën në terrin e dhunës, duke na lënë vetëm të imagjinojmë sa
shumë mund të na kishin mësuar për botën e saj të pasur dhe për idealet që e
frymëzonin. Por edhe pse humbi fizikisht, ditari i saj jeton si simbol i një
gjenerate që, edhe nën kërcënimin e shkatërrimit, zgjodhi të mendonte, të
shkruante dhe të ëndërronte për lirinë.
Pasi
përfundoi me sukses shkollën fillore, Yllka Domi vijoi rrugën e saj arsimore
duke u regjistruar në gjimnaz “Hajdar Dushi” po ashtu në Gjakovë, ku vazhdoi të
shquhej për seriozitetin dhe talentin e saj. Ishte një vajzë që e kuptonte
rëndësinë e dijes dhe që ëndërronte për të ardhmen, duke ndjekur me zell
mësimet dhe duke u angazhuar në jetën shkollore me gjithë energjinë dhe
pasionin që e karakterizonte. Por ajo nuk e përfundoi dot klasën e tretë të
gjimnazit. Nuk ishte sepse i mungonin vullneti apo aftësitë, por sepse kohët e
zymta dhe të jashtëzakonshme që po përjetonte vendi i saj i imponuan një
zgjedhje të madhe dhe të rëndë. Kur zëri i atdheut u dëgjua si kushtrim i
fuqishëm për çlirim dhe mbijetesë kombëtare, Yllka nuk hezitoi. Ajo i la
mënjanë librat, bankat e shkollës dhe ëndrrat e një adoleshenteje për të hyrë
në një rrugë krejt tjetër — atë të luftës dhe sakrificës.
Ishte
një vendim i madh për një vajzë kaq të re, por i marrë me bindje dhe ndërgjegje
të plotë. Për Yllkën, atdheu kishte nevojë për bijat dhe bijtë e tij më të
mirë, dhe ajo nuk mund të qëndronte duarkryq kur mbi vendin e saj rëndonte kërcënimi
i shfarosjes dhe robërisë. E edukuar me frymën e dashurisë për lirinë dhe për
kombin, ajo e dinte se kishte ardhur koha që fjalët të bëheshin vepra, që
dashuria për Kosovën të provohej jo vetëm me vargje dhe mendime, por me
gatishmëri për të dhënë gjithçka, madje edhe jetën. Prandaj, ajo iu bashkua
radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë pjesëtare e Brigadës 137
“Gjakova” gjatë atyre muajve vendimtarë të luftës së vitit 1999. Në këtë
formacion, Yllka nuk ishte më thjesht një vajzë e re me ëndrra dhe talent, por
një luftëtare, një bijë e denjë e një populli që kishte vendosur të mos
përkulej kurrë më para askujt. Ky akt nuk ishte një shkëputje nga jeta e saj e
mëparshme, por një vazhdimësi e natyrshme e saj — nga nxënësja dhe poetja që shkruante
për lirinë, në luftëtaren që vendosi të bëhej pjesë e historisë së gjallë të
çlirimit të Kosovës.
Gjatë
periudhës së lavdishme, por të përgjakshme të luftës së vitit 1999, Yllka Domi
u radhit në mesin e bijave dhe bijve më të mirë të kombit duke u bërë pjesëtare
e Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ishte vendim i
marrë me ndërgjegje të plotë, një akt i lartë atdhedashurie që e shndërroi nga
nxënëse dhe poete e re në një luftëtare të vërtetë të lirisë. Por fati i saj
tragjik u vulos më 7 maj 1999, gjatë një prej betejave më të ashpra dhe më
vendimtare të atyre ditëve — Betejës së Çabratit. Në atë terren të vështirë, ku
forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përballeshin ballë për ballë me
ushtrinë serbe, Yllka u vra nga një plumb snajperi serb. E re dhe e bukur, me
gjithë jetën përpara, ajo ra dëshmore në një moment kur po i shërbente më shumë
se kurrë idealit të lirisë dhe të mbrojtjes së vendit të saj.
Trupi
i saj i shenjtë, i humbur fillimisht në rrëmujën dhe mizorinë e luftës, u
identifikua më pas me përkujdesje nga ekspertët e mjekësisë ligjore. Pas këtij
identifikimi të dhimbshëm, por të domosdoshëm për dinjitetin e saj dhe për
paqen e familjes, ajo u rivarros me nderime më 23 dhjetor 2003, në kodrën e
Çabratit në Gjakovë — në po atë vend që kishte qenë dëshmitar i betejës dhe i
rënies së saj. Sot, Yllka Domi nuk është më vetëm një vajzë e re e vrarë nga
një plumb armiku. Ajo është shpallur zyrtarisht dëshmore e kombit, duke u bërë
pjesë e panteonit të shenjtë të atyre që flijuan jetën për lirinë dhe
dinjitetin e Kosovës. Emri i saj është i skalitur në kujtesën kombëtare jo
vetëm si simbol i sakrificës, por edhe i bukurisë morale dhe shpirtërore të një
brezi që vendosi të mos jetojë nën zgjedhë, por të japë gjithçka për të ardhmen
e lirë të popullit të vet.
Rënia
e saj nuk është fundi i një jete të ndërprerë dhunshëm, por dëshmi e pavdekshme
e atij ideali të madh që i mbajti gjallë shqiptarët për shekuj me radhë- lirinë
e shenjtë dhe dashurinë e pakufishme për atdheun. Për tragjedinë e Yllka Domit
— luftëtares së re, poetes, aktores, recitatores, valltares dhe nxënëses së
shkëlqyer — nuk shkruajnë vetëm bashkëqytetarët e saj të Kosovës. Historia e
saj e dhimbshme dhe e jashtëzakonshme preku edhe ndërgjegjen e opinionit ndërkombëtar,
duke u bërë temë e trajtimit nga mediat më prestigjioze botërore.
Ndër
ata që i kushtuan vëmendje ishte edhe gazetari i njohur amerikan Chris Stephen,
i cili pas përfundimit të luftës vizitoi personalisht Gjakovën, për të parë dhe
për të dëshmuar pasojat e dhunës dhe mizorisë së pashoqe që kishte përfshirë
atë qytet. I tronditur nga ajo që pa dhe dëgjoi, ai botoi një shkrim prekës në
të përditshmen e famshme “The New York Times”, duke ia kushtuar një pjesë të
veçantë historisë së Yllkës. Në faqet e asaj gazete të respektuar amerikane, ai
nuk përshkroi vetëm fundin tragjik të jetës së saj, por solli edhe një pjesë të
shpirtit të saj të ndritshëm — një poezi të Yllkës me titull domethënës “Kënga
e Pranverës”. Në këtë mënyrë, lexuesit e largët të Amerikës kishin mundësinë të
njihnin jo vetëm viktimën e një lufte të padrejtë, por edhe vajzën krijuese, të
ndjeshme, me talent të veçantë, e cila kishte ditur të shprehte me vargje
dhimbjet dhe ëndrrat e brezit të saj. Fotoreporteri Fred R. Conrad solli fotografitë
që dëshmonin pasojat shkatërrimtare të luftës, ndërsa Chris Stephen, në “The
New York Times Magazine”, përshkroi me detaje të dhimbshme fatin e Yllkës dhe
brutalitetin e ofensivës serbe. Ai shkruante për valën e dytë të krimeve, që
pasoi valën e parë të djegieve, plaçkitjeve, përdhunimeve dhe shkatërrimeve —
një periudhë e zezë nga 7 deri më 11 maj, kur shumë jetë u shuan përgjithmonë.
Ai
tregoi se si Yllka, kjo poete e re që kishte arritur të shpëtonte më herët nga
tentativat e përdhunimit nga ushtarë dhe policë serbë, ishte detyruar të
largohej bashkë me babanë dhe një grup burrash për t’u strehuar në pyjet e
Çabratit, ndërsa ofensiva e majit shpërthente me egërsi të pamëshirshme. Aty,
në male, e gjeti vdekja — e kapën breshëritë e armëve automatike, duke i
ndërprerë përgjithmonë frymën dhe ëndrrat. Chris Stephen përshkroi edhe
barbarinë e mëtejshme të kësaj tragjedie. Trupin e saj e kishin marrë romët e
detyruar, që në ato ditë të tmerrshme kryenin varrime masive, duke e hedhur në
një varrezë masive të paemër. Më pas, ajo varrezë ishte zhvarrosur sërish,
ndoshta me qëllim për të shkatërruar çdo gjurmë e dëshmi të krimeve të luftës.
Trupi i saj nuk u gjet më.
Në
këtë rrëfim të dhimbshëm, gazetari amerikan nuk harron të theksojë se Yllka nuk
ishte thjesht një viktimë e pafajshme. Ajo ishte mbesa e shkrimtarit të ndjerë
Kasim Domi, dhe vetë një shkrimtare dhe poeteshë e re, e pranuar dhe e
vlerësuar për talentin e saj, ndonëse pjesa më e madhe e krijimtarisë së saj
humbi përgjithmonë kur shtëpia e familjes iu vu flakë nga forcat pushtuese. Në
këtë mënyrë, rrëfimi i Chris Stephen nuk ishte vetëm një kronikë lufte, por një
dëshmi e fuqishme dhe prekëse që shpërfaqi para botës fytyrën e vërtetë të
tragjedisë së Kosovës, të mishëruar në jetën dhe vdekjen e një vajze të re që u
bë simbol i dhimbjes, por edhe i krenarisë së një populli që nuk e harroi dhe
nuk do ta harrojë kurrë.
Shkrimin kushtuar Yllka Domit, kësaj vajze të
jashtëzakonshme që la gjurmë të pashlyeshme në kujtesën tonë kombëtare,
dëshiroj ta përmbyll me vetë fjalët e saj — vargje që janë më shumë se poezi,
janë testament shpirtëror dhe parandjenjë tragjike e fundin të saj të
parakohshëm. Ato vargje të fundit Yllka i shkroi vetëm dy ditë para se të
vritej, më 5 maj 1999, në moshën e njomë 17-vjeçare, në kohën kur retë e zeza
të luftës rëndonin mbi qytetin dhe mbi fatet e njerëzve. Ajo, megjithë rininë e
saj, kishte një ndërgjegje të qartë për rrezikun që e priste dhe e përballoi me
qetësi dhe me një thellësi shpirtërore që të lë pa fjalë.
Vargjet e saj të fundit nuk janë vetëm dëshmi e
talentit poetik, por një dokument prekës i maturisë së saj të pazakontë dhe i
dashurisë së pastër për jetën dhe për lirinë. Ato shprehin një ndjenjë të
thellë përkohësie, një ndërgjegje të trishtë por të kthjellët për sakrificën që
mund t'i kërkohej dhe një kërkesë modeste e prekëse për kujtesën që donte të
linte pas. Në këto vargje Yllka nuk kërkon përmendore madhështore, nuk dëshiron
lavdi boshe, por një kujtim të thjeshtë e të ndershëm: emrin e saj të gdhendur
në rërën e detit, dy vargje të saj të ruajtura me kujdes, një shkop të vendosur
pranë kokës së saj — simbole të lirisë dhe përulësisë, të lidhura me natyrën
dhe me përjetësinë. Këto janë fjalët e saj të fundit:
Amanet ju le nëse nuk pritoni
të ma shkruani emrin në rërën e detit,
dhe dy vargje mi shkruani me shkrimin e saj.
Në krahët e valëve të ketë epope të pambaruar
dhe arena e kafazit të jetë e hapur.
Përmendore nuk dua…!
Nëse në kurrizin e qytetit gjeni një shkop
vendosni afër kokës sime.
Këto vargje, të thjeshta dhe të thella, na shfaqin një
vajzë që e kuptonte tragjedinë e luftës dhe vdekjes, por që e pranonte atë me
dinjitet dhe me një dëshirë të thellë për liri. Ato janë amaneti i saj për ne,
një kujtesë që nuk duhet harruar kurrë — për të na treguar jo vetëm se si u vra
Yllka Domi, por edhe se si jetoi: me krenari, me ëndrra dhe me një dashuri të
pamatë për atdheun dhe për lirinë. Ishte ide dhe nismë e profesorit të saj - Blerim Valla, që
në shenjë nderimi dhe respekti për figurën e Yllka Domit — poetes, luftëtares
dhe atdhetares së re — qyteti i Gjakovës dhe bota e saj letrare të themelonte
një çmim të veçantë letrar që do të mbante emrin e saj. Ky çmim do të kishte
një mision fisnik dhe domethënës, të nderonte dhe të inkurajonte krijimtarinë
poetike të vajzave të reja, duke i dhënë vazhdimësi frymës dhe idealit që Yllka
mishëronte me jetën dhe me veprën e saj të hershme. Kjo ide fisnike nuk mbeti
vetëm në letër apo në mendjen e një individi të vetëm. Përkundrazi, ajo u
përqafua dhe u mbështet me dashamirësi dhe entuziazëm nga qarqet letrare të
Gjakovës. Ndër ata që dhanë ndihmesë të çmuar ishte veçanërisht shkrimtari dhe
përkthyesi i njohur Agim Byci, i cili, së bashku me anëtarët e tjerë të klubit
letrar të qytetit, tregoi një përkushtim të sinqertë për ta bërë këtë ide
realitet të gjallë dhe të qëndrueshëm.
Falë
këtij bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të gjerë, çmimi letrar “Yllka Domi” u
themelua dhe u bë pjesë e pandashme e jetës kulturore të Gjakovës. Që nga
themelimi i tij e deri më sot, ai është ndarë çdo vit, duke u bërë një traditë
e çmuar në kuadër të Mitingut të Poezisë, ngjarja më e madhe poetike e qytetit,
që mbledh dhe bashkon shkrimtarë, poetë dhe artdashës nga anë të ndryshme
shqiptare. Ky çmim jepet në bashkëpunim me klubin letrar “Gj. N. Kazazi” dhe
është kthyer në një monument simbolik të gjallë përkujtimi, që jo vetëm ruan
kujtimin e Yllkës si dëshmore dhe poete të re, por edhe frymëzon gjenerata të
reja që të shkruajnë, të mendojnë dhe të shprehin lirisht ëndrrat dhe ndjenjat
e tyre përmes vargut.
Në
këtë mënyrë, emri i Yllka Domit nuk jeton vetëm si kujtim i dhimbshëm i një
jete të ndërprerë dhunshëm, por si një dritë udhërrëfyese për të gjitha ato që
guxojnë të ndjekin pasionin e saj për poezinë dhe atdheun.
Literatura:
1. Hanëmshahe Ilazi& Nusret Pllana,
Fëmijët martir të Kosovës, 1981-1999, Prishtinë 2019
2. Hanëmshahe Ilazi, Gra të njohura të
trojeve shqiptare, Prishtinë, 2015
3. https://www.botasot.info/kultura/1287344/21-vjet-nga-vrasja-e-poetes-e-luftetares-17-vjecare-yllka-domi/
4. https://observerkult.com/25-vite-nga-renia-e-yllka-domit-ne-vend-te-perkujtimit-per-poeten-dhe-deshmoren-e-kombit/
5. https://www.kultplus.com/libri/yllka-domi-poetja-qe-e-ndjente-vdekjen-e-saj-dhe-lirine-e-vendit-foto/
6. https://www.facebook.com/gazetaepokaere2/posts/yllka-domi-me-7-maj-t%C3%AB-vitit-1999-poetja-dhe-heroina-17-vjeqare-nga-gjakova-ra-h/158032077231424/
7. https://www.panorama.com.al/i-premtuam-njera-tjeres-diten-e-fundit-kur-u-pame-kengetarja-shqiptare-kujton-shoqen-e-ngushte-qe-iu-vra-ne-luften-e-kosoves-akoma-te-shoh-ne-enderr-sikur-je-gjalle/