| E diele, 28.09.2025, 06:52 PM |
PAN-I BLLOKON KOSOVËN, SHKAK VETTING DHE BYROJA!
NGA IDRIZ ZEQIRAJ
Ligjërisht, koalicionet parazgjedhore
janë normë legale. Por, në zgjedhjet e fundit parlamentare ka ndodhur një
anomali, opozita humbëse e zgjedhjeve, ka bërë koalicion pas zgjedhor, duke
bërë shkelje ligjore! Qëllimi është hileqar: Bllokimi i zgjedhjes të organeve
kuvendore, përkatësisht, bllokimi i Kosovës, në përpjekje për ta grabitur
fitoren e LVV në tavolinë! Qysh para zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, PDK me
bishtrat e saj AAK dhe NISMA, dikur të bashkuara në PAN, përfolën bllokadën pas
zgjedhore kundër LVV. Ngjitja e LDK-së PAN-it, shtoi oreksin, tashmë, të
opozitës së bashkuar, "për ta hequr qafe Kurtin".
LVV dështoi ta bëjë konstituimin e
Kuvendit me votimin e hapur, respektivisht, zgjedhjen e kryetarit dhe të
nënkryetarëve, andaj kërkoi votimin e fshehtë, meqë Kushtetuta e parasheh
"votimin e hapur, të fshehtë dhe forma të tjera". Opozita e refuzoi,
duke iu referuar një klauzole hileqare se, gjoja, mënyra e votimit përcaktohet
në fillim të seancës votuese. Dhe, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për
interpretim të Kushtetutës.
Gjykata Kushtetuese, e kapur nga PAN-i,
ashtu si i gjithë Sistemi i Drejtësisë, e quajti ligjor vetëm votimin e hapur,
duke refuzuar votimin e fshehtë. Gjykata shkeli Kushtetutën, sepse
mohimi i votimit të fshehtë, është praktikë komuniste dhe fashiste. Me
votimin e hapur, sundimtarët kriminelë, kanë sunduar, me dajak e plumb, deri në
cofjen e tyre, si: Stalini, Hitleri, Enver Hoxha, Pol Poti dhe soj-sorollopi i
tyre.
Realisht, shqiptarët, në përgjithësi,
ata të Kosovës, në veçanti, nuk shquhen për sinqeritet, parime dhe integritet.
Është, pikërisht, votimi i hapur që ka degraduar dhe kontaminuar klasën
politike në Kosovë. Për rrjedhojë, sot kemi Parlamentin më kriminal në rajon,
deputetë kriminelë, të cilët riciklohen për një çerek-shekulli radhazi!
LVV u dëshmua parimore kur refuzoi
PAN-in për bashkëqeversje, duke e konsideruar të pa reformuar, thënë më troç, i
kriminalizuar. LVV zgjodhi për bashkëqeverisje, LDK-në, si dy subjekte politike
të pa kriminalizuara. Shqiptarët vendorë dhe botërorë aprovuan dhe iu gëzuan
koalicionit LVV-LDK. Sepse ishte rasti dhe shansi, për spastrimin dhe largimin
e krimit nga pushteti. LDK-ja, si parti me trashëgimi rugoviane, akademike, do
t`i bënte shërbim të madh popullit dhe kombit. Ajo do të ndihmonte shumë në
emancipimin e LVV, si subjekt politik heterogjen, ku "është përzier
gjithfarë ujemi", siç shkruante Azem Shkreli, në romanin "Karvani i
bardhë"!
Rrjedhimisht, situata aktuale në Kosovë
nuk është e shëndetshme, përkundrazi është hallakamë. Sepse opozita e bashkuar
humbjen e thellë të pësuar më 9 shkurt 2025, ngulmon ta kompensojë me grabitjen
e fitores të LVV në tavolinë. Halli i madh i PAN-it është bllokimi, deri në
harrim i VETTING-ut dhe i BYROSË të Verifikimit të Pasurive hajnore. LDK-ja
duhet të reflektojë, ta pranojë një bashkëqeverisje të kushtëzuar, duke qenë
konsultuese e vendimmarrëse e barabartë me partneren LVV. PDK ka intriguar
shumë dhe vazhdon të intrigojë, duke "futur pyka" në mes të LVV dhe
LDK-së, me qëllim të rikthimit të afrisë, më sakt, për ta bërë patericë, si në
epokën e zezë të Isa Mustafës.